Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Jeta pas vdekjes – Kijameti – Ahireti

Si bëhet larja, qefinosja, bartja e varrosja e të vdekurit?

Estimated reading: 18 minutes 355 views

I pavdekshëm është Allahu, kurse çdo qenie tjetër e gjallë ka për ta shijuar vdekjen. Si lindja, edhe vdekja është një ngjarje e natyrshme brenda sunetit të pandryshueshëm të Allahut. Ndërkaq, sipas besimit islam, vdekja nuk është një fund, por fillimi i një jete tjetër. Prandaj, ngjarja e quajtur për këtë botë, vdekje, realizohet si një lindje me një përmbajtje të ndryshme për një botë tjetër. Për këtë jetë të re që ka për t’u jetuar patjetër, njeriu duhet të bëjë përgatitje sa ndodhet në këtë botë. Në fakt, nuk duhet bërë ndonjë përgatitje e veçantë veçse të mbahen parasysh urdhrat e Allahut dhe porositë e Profetit dhe të sillet dhe veprohet në përputhje me to. Këto urdhra dhe porosi jo vetëm mjaftojnë për ta jetuar këtë botë kalimtare në mënyrën më të mirë e më të bukur, por edhe kanë cilësinë për të përbërë përgatitje për jetën e ardhshme.

Edhe njeriu i vdekur është i denjë për respekt. Ky respekt, në një aspekt, është një lloj ngushëllimi për të afërmit e të vdekurit, në aspektin tjetër, ka për qëllim të tregojë se vdekja nuk është asgjësim. Ai ka vdekur, por prapë është njeri. Ai ka vdekur për këtë botë, por ka rilindur për një botë tjetër. Larja e të vdekurit si të ishte një fëmijë i porsalindur, nga njëra anë, simbolizon këtë rilindje, nga ana tjetër, përfaqëson pastrimin nga pluhurat dhe fëlliqësitë që ka lënë mbi të ky udhëtim i fundshëm, domethënë jeta e kësaj bote. Pas kësaj larjeje, i vdekuri mbështillet me qefin siç mbështillet fëmija i porsalindur me shpërgënj dhe, me kujdes të madh, zbritet në djepin e vet. Se ç’ndodh më tej, Allahu e di, e dinë ata që shkojnë, kurse ne dimë aq sa na është bërë e ditur.

Në terminologjinë fetare, i vdekuri quhet xhenaze, por me këtë fjalë me kuptim të gjerë, emërtohen përgjithësisht pajisjet dhe tërë ceremonia funebre. Personi që ndodhet në prag të vdekjes, në agoni, quhet muhtadar, kurse kufoma quhet mejit, që përdoret edhe në shqip në formën meit. Përgatitjet dhe pajisjet e përgjithshme për të vdekurin quhen texhhiz, larja e të vdekurit quhet gasl, qefinosja quhet tekfin, vënia në tabut, transportimi në vendin e faljes dhe pastaj në varreza, quhet teshji dhe varrosja, defn. Me fjalën telkin që do të thotë sugjerim, emërtohet këndimi pranë personit në agoni i Fjalës së Njësisë (tevhid) dhe Fjalës së Dëshmisë (shehadet), si dhe fjalët që thuhen mbi krye të të vdekurit pas varrimit për t’ia kujtuar pyetjet dhe përgjigjet e mundshme të varrit. Ngushëllimi i të afërmve të të vdekurit me kryeshëndoshë quhet tazije.

Larja dhe qefinosja e myslimanit të vdekur, falja e namazit dhe lutja për të dhe, më në fund, varrosja e tij, janë për myslimanët farz kifaje.

Duke thënë, “kujtoni punët e mira të të vdekurve tuaj, mos flisni për anët e këqija të tyre”[1], Profeti na ka porositur t’i kujtojmë të vdekurit tanë për të mirë, të nxjerrim në plan të parë aspektet e mira të tyre.

Pasi personi vdes, i mbyllen sytë dhe i lidhen nofullat me një beze.

Larja e të vdekurit

Është mustehab që i vdekuri të lahet, të qefinoset, të përgatitet për varrim dhe të varroset sa më parë. Për ta larë të vdekurin, në fillim vendoset mbi një shtrat të posaçëm dërrase të quajtur teneshir, në pozicion në shpinë me këmbët të shtrira drejt kibles. Shtrati prej dërrase tymoset me erëra të mira. Të vdekurit i zhvishen të gjitha rrobat, kurse pjesa nga kërthiza gjer nëngju i mbulohet me një mbulesë. Mashkulli duhet të lajë të vdekurin mashkull, kurse femra të vdekurën femër.

Qefinosja e të vdekurit

Qefini i mashkullit përbëhet nga tri copa bezesh të paqepura, pa mëngë e pa jakë, që shërbejnë, njëra si këmishë, tjetra si fustan dhe e treta, si mbështjellëse e tërë trupit. Kurse qefini i femrës, veç këtyre tri copave, ka edhe dy copa të tjera: njëra si mbulesë koke dhe tjetra si mbulesë gjoksi.

Namazi i të vdekurit

Pasi i vdekuri të jetë larë dhe qefinosur, i vjen radha detyrës së faljes së namazit të të vdekurit për të bërë lutjen e fundit për të. Kjo detyrë është farz kifaje. I vdekuri vendoset para myslimanëve që do të kryejnë faljen të drejtuar nga kibla. Myslimanët e falin këtë namaz me vlerë lutjeje duke qenë me abdes dhe të orientuar drejt kibles.

Është kusht që të bëhet nijet për namazin e të vdekurit. Në formulimin e këtij nijeti përcaktohet nëse i vdekuri është grua apo burrë, vajzë e vogël ose djalë i vogël. Personi që nuk e di se ç’është i vdekuri, mund të bëjë nijet “për personin për të cilin imami po fal namaz”.

Personi në funksionin e imamit e fillon namazin duke bërë nijet për pëlqim të Allahut, për të falur namazin e të vdekurit që ndodhet aty dhe për të bërë lutje për atë të vdekur. Shtyllat e namazit të xhenazes janë kijami (qëndrimi në këmbë) dhe tekbiri. Kurse sunetet, janë lavdërimi (hamd) i Allahut, salavate për Profetin, lutja edhe për të vdekurin, edhe për myslimanët e tjerë. Në namazin e të vdekurit, përveç tekbirit të fillimit, ka edhe tre tekbire të tjerë.

Nuk është kusht që në namazin e të vdekurit të ketë xhemat. Vetëm me faljen e një burri ose të një gruaje, ky detyrim (farz) plotësohet.

Imami qëndron në nivelin e gjoksit të të vdekurit. Është kusht që imami që do të drejtojë faljen e namazit të të vdekurit, të ketë mbushur moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Gjërat që i prishin namazet e tjerë, e prishin edhe namazin e të vdekurit.

Falja e namazit të të vdekurit

Radhët formohen përballë të vdekurit dhe me drejtim nga kibla dhe bëhet nijet. Personi që kryen detyrën e imamit, bën tekbir me zë dhe i lidh duart si në namaz. Edhe xhemati bën tekbir por pa zë dhe i lidh duart. Pas tekbirit imami dhe xhemati këndojnë pa zë Subhaneken duke shtuar në vendin e duhur shprehjen “ue xhel’le thenauke“. Pastaj imami, pa i ngritur duart, bën tekbir me zë. Edhe xhemati bën tekbir pa i ngritur duart dhe pa zë. Pas tekbirit, të gjithë së bashku këndojnë në heshtje salavatet Allahumme sal’li dhe Allahumme barik. Pastaj, përsëri imami me zë dhe xhemati pa zë bëjnë tekbir. Pas këtij tekbiri bëhen lutje në heshtje për të vdekurin dhe myslimanët e tjerë. Tekstet e lutjeve që do të bëhen sipas të vdekurit, jepen më poshtë.

Pas kësaj lutjeje, bëhet përbëri tekbir dhe imami me zë të lartë, kurse xhemati me zë të ulët, japin selam djathtas e majtas. Kështu, namazi plotësohet dhe merr fund. Duke e dhënë këtë selam që është vaxhib, bëhet nijet për ta dhënë për të vdekurin, xhematin dhe imamin.

Lutja e namazit të të vdekurit

“Allahummegfir li hajjina ue mejjitina ue shahidina ue gaibina ue dhekerina ue unthana ue sagirina ue kebirina. Allahumme men ahjejtehu minna fé ehjihi alel islami ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman. Ue hussa hadhel mejjite bi rauhi ue rahati uel magfireti ue ridvan. Allahumme in kane muhsinen fezid fi ihsanihi ue in kane musien fetexhauez anhu ue lakkihil emne uel bushra uel keramete ue zulfa birahmetike ja erhamer rrahimin.” (Allahu im! Fali të gjallët e të vdekurit tanë, ata që ndodhen këtu dhe që s’ndodhen këtu, burrat dhe gratë tona, të vegjlit dhe të mëdhenjtë tanë! Allahu im! Kë të mbash gjallë nga ne, mbaje gjallë në Islam dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar. Jepi qetësi e prehje këtij të vdekuri që qëndron këtu dhe fale. Po qe se ky ka qenë njeri i mirë, shtoja të mirën dhe po qe se ka qenë njeri i keq dhe mëkatar, trajtoje me mëshirë e mirësi. Dhe trajtoje atë me bujari, afërsi duke i dhënë siguri dhe lajme të mira. Allahu im, o më mëshiruesi i mëshiruesve!)

Po qe se i vdekuri është një person jo përgjegjës fetarisht, si, p.sh, fëmijë, në vend të shprehjes “ue men teueffejtehu minna fé teueffehu alel iman” (dhe kë ta bësh të vdesë, bëje të vdesë si besimtar), thuhet “Allahumme xh’alhu lena feretan, Allahumme xh’alhu lena exhren ue dhuhran, Allahumme xh’alhu lena shafian musheffean.” (Allahu im! Bëje atë një pretekst mirësie të dërguar para për ne, bëje pretekst shpërblimi dhe përgatitje ahireti dhe bëje ndërmjetës faljeje për ne që i pranohet ndërmjetësimi!)

Po qe se i vdekuri është femër, teksti kryesor dhe kuptimi i lutjes mbeten të njëjtë, kurse përemrat pas shprehjes “…ue hussa” ndërrohen kështu: “ue hussa hadhihil mejjite bi rauhi ue raheti uel magfireti ue ridvan. Allahumme in kanet muhsineten fezid fi ihsaniha ue in kanet musieten fé texhauez anha ue lakkihal emne.”

Ata që nuk i dinë këto lutje, mund të këndojnë edhe lutje të tjera të përshtatshme që mund t’u vijnë lehtë. Njëra nga këto është edhe lutja “Rabbena atina…”. Por mund të lutet edhe në këtë mënyrë: “Allahu im, falmë mua, fale këtë të vdekur dhe fali të gjithë besimtarët!”

Bartja e të vdekurit

Shoqërimi pas i të vdekurit gjer te varri është sunet dhe ky veprim ka mirësi të madhe. Madje është thënë se shoqërimi i kufomës së personave fqinjë ose të afërm dhe, për më tepër, të njohur si njerëz të mirë, është më me vlerë se namazi nafile.

Është mirë që kufoma e përgatitur të transportohet dhe të varroset një çast e më parë. Forma sunet e bartjes së të vdekurit është ngritja e arkivolit (ose shtratit ku është vendosur i vdekuri) nga katër vetë që e kapin nga njëri skaj. Ngritja e të vdekurit mbi supe dhe transportimi në këtë mënyrë gjer te varri është shenja e respektit më të madh të treguar ndaj tij. Një veprim i tillë tregon për dinjitetin dhe vlerën e njerëzores.

Dëshpërimi me zemër për të vdekurin dhe qarja me lot me kusht që të mos bëhen veprime të tilla si vetërrahja, shkulja e flokëve dhe thënia e fjalëve të pavend, gjëra këto që kanë kuptimin e revoltës ndaj Allahut, është e natyrshme dhe nuk është mëkat.

Ata që e ndjekin të vdekurin, duhet të mendojnë se jeta është e fundme, se edhe jeta e tyre do të gjejë fund një ditë. Ata duhet ta ndjejnë kuptimin dhe rëndësinë e faktit që sa mirë do të ishte sikur, kur të vinte ajo ditë dhe të barteshin po ashtu mbi supe, njerëzit që do merrnin pjesë në shoqërimin e tyre, të thonin: “Sa njeri i mirë që ishte, nuk ngacmoi njeri, nuk ia theu zemrën kujt, nuk ia pamë ndonjë të keqe!”

Varrosja

Pasi i vdekuri të çohet pranë varrit dhe të zbritet në tokë, po të mos ketë pengesë, edhe xhemati ulet. Ulja e xhematit para se i vdekuri të zbritet nga supet është mekruh, po kështu, është mekruh edhe ndenjja në këmbë e xhematit pasi i vdekuri të jetë zbritur në tokë.

Është e mjaftueshme që varri të jetë i thellë sa një shtat njeriu. Është mirë dhe me vlerë që në varr të bëhet ndarje dhe mbulesë për të vdekurin. Trualli i varrit në drejtim të kibles gërryhet dhe aty vendoset ana e djathtë e të vdekurit në mënyrë që fytyra t’i shohë nga kibla. Mbi të vdekurin, mbështetur në fundin dhe skarpatin e varrit duke lënë boshllëk mbi të, vendosen dërrasa, kallama, etj., dhe, kështu, dheu i hedhur bie mbi këtë “tavan” e jo mbi të vdekurin. Kjo është domosdoshmëri e respektit për të vdekurin dhe domosdoshmëri për ta shpëtuar të vdekurin nga sulmi i kafshëve të egra mbi kufomën e tij.

I vdekuri zbritet mbi varr nga ana e kibles, kthehet në anë të djathtë në drejtim të kibles dhe po të ketë lidhëse mbi qefin, zgjidhet. Personat që e zbresin të vdekurin në varr, thonë “Bismil’lahi ue ala mil’leti resulillah” (Me emrin e Allahut dhe sipas fesë së të Dërguarit të Allahut).

Është mendub që dheu të lartësohet rreth dy pëllëmbë mbi varr si gungë deveje. Nuk është e nevojshme, por s’ka edhe ndonjë të keqe të spërkatet ujë mbi varr.

Këndimi i Kuranit dhe telkini

Pranë të vdekurit vihen gjëra erëkëndshme. Por pa u larë i vdekuri, pranë tij nuk këndohet Kuran. Këndimi i Kuranit pranë të vdekurit kur ai është ende pa u larë, është mekruh. Por mund të këndohet në një dhomë tjetër. Mund të mos jetë kerahet edhe nëse dhoma ku ndodhet i vdekuri është e gjerë, i vdekuri është i mbuluar me një mbulesë të plotë dhe personi që do të këndojë pa zë, të qëndrojë jo pranë tij.

Profeti nuk kthehej menjëherë pas varrosjes së të vdekurit, qëndronte pak në krye të varrit dhe u thoshte kështu përcjellësve: “Kërkojini Allahut që ta falë dhe t’i japë qetësi vëllait tuaj. Ai tani po merret në pyetje!”[2]

A bëhet telkin pas vdekjes?

Ka rivajete të dobëta në lidhje me telkinin të cilat i atribuohen Profetit. Po deshi Allahu, telkini jep dobi. Në fakt, pasi të vdesë, njeriu del jashtë kuadrit të propozimit besimor-fetar. Prandaj, ky telkin i duhet bërë personit sa është ende gjallë, sepse lidhja e fjalës dhe e konsideratës së fundit me teuhidin, është me shumë rëndësi. Përsa i përket vendit që ka në Kuran dhe Sunet, telkini i bërë mbi varr nuk është mjaft bindës.

Sipas shumicës së dijetarëve, në çastet e agonisë duhet kënduar surja Jasin që njeriut t’i hapen dyert e meditimit dhe ta dijë se Allahu është autoriteti që duhet adhuruar dhe pas të cilit duhet lidhur shpresë. Megjithëkëtë, edhe në këndimin e Jasinit pas të vdekurit dhe në dhurimin e mirësisë së këtij këndimi s’duhet të ketë ndonjë të keqe.

Cilat janë gjërat e dobishme që duhen bërë pas njeriut të vdekur?

Gjëja më e bukur që duhet të bëjmë pas vdekjes së të afërmve dhe të të dashurve të vdekur, është të lutemi për ta, t’i përgjërohemi Allahut që t’i falë dhe të japim sadaka me sa kemi mundësi.

Janë shumë hadithe mbi pendesën në emër të personit të vdekur dhe lutjen që llogaridhënia në varr t’i kalojë e lehtë.[3] Veç kësaj, në ajetin në vijim është theksuar rëndësia e lutjes dhe pendesës pas njerëzve të vdekur: “Zoti ynë bujar, falna ne dhe vëllezërit tanë besimtarë para nesh! Dhe mos na lër në zemër asnjë urrejtje ndaj besimtarëve! Dhe na e prano lutjen, o Zoti ynë se Ti je mëshirues i madh!” (Hashr, 59/10)

Pasi përfundonte varrimi i të vdekurit, Profeti paqja qoftë mbi të qëndronte pranë varrit dhe thoshte: “Kërkoni falje (nga Allahu) për vëllain dhe lutuni për të që të mbahet i fortë gjatë hetimit me të cilin do të përballet, sepse tani ai do të merret në pyetje!”[4]

Siç u pa, Profeti ka këshilluar që pasi të varroset i vdekuri, t’i shkohet në ndihmë me lutje dhe pendesë, të bëhen lutje që ta përballojë hetimin me qëndresë. Për personat që kanë ndërruar jetë, duhen bërë lutje dhe duhet dhënë sadaka. Në lidhje me këtë specifikë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ka thënë kështu: “Halli i të vdekurit në varr është si i njeriut të rënë në det që thërret për ndihmë. Ashtu si njeriu që është duke u mbytur, i cili pret dikë që ta shpëtojë, edhe i vdekuri pret një lutje prej të atit, nënës, vëllezërve e shokëve. Dhe, kur t’i vijë lutja, aq shumë që gëzohet, saqë gëzimi i tij nuk mund të krahasohet me gëzimin e njeriut që i është falur tërë bota! Allahu i Lartë, me pretekstin e lutjeve të të gjallëve, u jep të vdekurve mëshirë sa malet. Prandaj, dhurata e të gjallëve për të vdekurit janë lutjet dhe pendesat në emër të tyre!”[5]

Allahut i duhet lutur dhe përgjëruar siç luten lypsarët. Ka shumë rëndësi që lutja të bëhet në emër. Të lutesh për dikë duke ia përmendur emrin, është sikur t’ia postosh lutjen në adresën e tij personale. Veç kësaj, është një qëndrim i sunive që s’duhet lënë pas dore. Është një veprim me vlerë që, duke dhënë sadaka në emër të njeriut të dashur, të vëmë si synim edhe të gjithë meshkujt dhe femrat besimtarë e besimtare.[6] Mëshira e Allahut është e gjerë. Ajo arrin tek të gjithë, ashtu siç arrin në të njëjtin çast në miliarda pika marrëse zëri radiofonik ose figura televizive. Edhe lutjet dhe mirësitë, me lejen e Allahut, arrijnë te shumë njerëz!

Ngushëllimi

Është xhaiz që për të pranuar ngushëllimet, familja e të vdekurit mund të rrijë në shtëpi tri ditë me radhë. Megjithëkëtë, është më mirë që të mos rrinë. Është mustehab që pas varrosjes së të vdekurit, ngushëllimi të vazhdojë gjer në tri ditë vetëm me një vizitë. Po qe se personi që do të presë ngushëllimet nuk ndodhet aty ose ndodhet larg, ngushëllimi mund të bëhet edhe pas tri ditësh.

Ngushëllimi te varri ose para derës së të vdekurit është parë një sajim jo i qëlluar dhe mekruh. Edhe përsëritja e ngushëllimit (një ditë ose kohë tjetër më pas) është mekruh.Ngushëllimi është thënia, të afërmve të të vdekurit, e fjalëve qetësuese e ngushëlluese dhe shfaqja e ndjenjave të pjesëmarrjes në dhimbjen e tyre. Në ngushëllim thuhen shprehje të tilla, si “Kryeshëndoshë“, “Allahu ju dhëntë durim dhe shpërblim“, “Allahu u dhëntë jetë të gjatë të tjerëve“, etj. Kurse personat që kanë pësuar fatkeqësi, duhet të shfaqin nënshtrimin e tyre ndaj Allahut duke thënë: “Ne të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi!


[1] Tirmidhi, Xhenaiz, 34.

[2] Ebu Davud, Xhenaiz, 67-69.

[3] Shih. Buhari, Fedailu’s-Sahabe, 68; Hakim, Mustedrek, 1/526.

[4] Ebu Davud, Xhenaiz, 73.

[5] Bejhaki, Shuabu’l-Iman, 7/116; shih. I. Rabbani, Mektubat, letra 104.

[6] Ibni Abidin, Hashijetu Reddi’l-Muhtar, 2/243.

Marre nge: http://islami.al/ilmihali/namazi-i-te-vdekurit/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si bëhet larja, qefinosja, bartja e varrosja e të vdekurit?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA