Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Jeta pas vdekjes – Kijameti – Ahireti

A do të kemi pretendime ndaj Allahut xh.xh në ditë e gjykimit?

Estimated reading: 4 minutes 226 views

Profetët janë dërguar që Ditën e Gjykimit njerëzit të mos kenë asnjë pretendim ndaj Allahut. Një ajet-argument i Kur’anit e shpjegon kështu këtë specifikë: “Dërguam pejgamberë myzhdedhënës dhe paralajmërues në mënyrë që pas tyre njerëzit të mos kishin pretendime para Allahut. Allahu është Sovran dhe i Gjithëditur!” (Kur’ani, Nisa: 165). Përjashtuar profetët, liderët e tjerë rregullisht nuk kanë mundur t’i bëjnë masat t’u besojnë. Edhe në qoftë se i kanë bërë, meqë mesazhet dhe propozimet e tyre kanë qenë të mangëta nga mbështetja hyjnore, me asnjë mesazh, me asnjë fjalë dhe me asnjë sjellje nuk kanë mundur ta kapërcejnë njerëzoren dhe mjedisi i tyre me kohë është shpërndarë si gjethet e zverdhura në vjeshtë…

Kurse prijësia e profetëve nuk është e tillë. Ashtu siç thamë edhe më parë, ata janë njerëz të porositur. Ata janë pejgamberë qysh në mitrën amësore. Jetesa e tyre është harmonike si muzikë, po ashtu edhe të folurit e tyre pothuaj si një poezi! Kur flasin ata, qenia e tërë ngreh veshët dhe i dëgjon. Sa e sa ngjarje e dukuri ndërrojnë ecuri me ardhjen e tyre dhe sa e sa ndjesi lidhen pas tyre. Ligjet efektive në gjithësi disa herë për hir të tyre nuk funksionojnë dhe disa herë ndërrojnë funksion me dëshirën e tyre…

Hidhini një shikim Mbretit të Profetëve! Gur, dhe, dru si dhe kafshë të ndryshme secili pothuaj në hesap të vet kanë hyrë në marrëdhënie me të dhe kanë paraqitur një gjendje sikur të vërtetonin profetësinë e Tij. Ashtu siç përmend edhe Busajriu, “Druri vinte me vrap tek ai dhe, me gjuhën e vet të posaçme, i thoshte: “Ti je i Dërguari i Allahut!”(46)

Me ardhjen e tij materja kishte fituar kuptim dhe kishte dalë nga gjendja e të qenit kaos. Me gjuhën e Kur’anit ai thoshte “…nuk ka asnjë send që të mos e madhërojë Atë, por ju s’e kuptoni (sepse s’është në gjuhën tuaj)…” (Kur’ani, Isra: 44) dhe me këtë sikur i frynte shpirt e jetë çdo qenieje.

Çdo gjë që mësuam, ne prej tij e mësuam dhe materja hipi në fronin e urtësisë.(47) Natyrisht që në këtë mes edhe njeriu arriti të kuptojë se s’ishte diçka e kotë e pa ndonjë qëllim!(48)

Çdo pejgamber ka ardhur me një pjesë mrekullish për t’i bërë njerëzit që të besojnë dhe për të mos u dhënë mundësi pretendimeve të atyre që s’besojnë. Kurse më i madhi i pejgamberëve i pati sjellë të gjitha mrekullitë e paraardhësve të tij dhe pati treguar se ishte Shembulli i Përgjithshëm. Po, çdo bashkësi i pa vetë ose dëgjoi për mrekullitë e profetit të vet. Edhe ne kemi dëgjuar për mijëra mrekulli të të Dërguarit të Allahut, ndërsa e kemi parasysh gjithmonë një mrekulli të amshuar si Kur’ani. Pas kësaj, askush nuk ka të drejtë për të kundërshtuar apo pretenduar. Allahu (xh.xh.), të vërtetat që ka dashur t’i besojmë, i ka parashtruar para syve të njerëzve me anë të profetëve të vet në një formë mjaft të hapët e të qartë. Sepse kjo ka qenë edhe një nga qëllimet e dërgimit të tyre. Eshtë edhe një moment veçanërisht i rëndësishëm, thënia e Providencës Hyjnore: “Ne nuk dënuam askënd para se t’i dërgojmë profetin!” (Kur’ani, Isra: ). Kjo do të thotë se, meqë u dërguan profetët, do të ngrihet edhe peshorja dhe secili do të merret nën përgjegjësi pa iu marrë parasysh justifikimet.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

A do të kemi pretendime ndaj Allahut xh.xh në ditë e gjykimit?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA