Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Sprovat

Si mund të largohen njerëzit në pozita nga mendimi se ata janë më të lartit?

Estimated reading: 9 minutes 227 views

Ajo që i përket si detyrë njeriut, që ka ardhur nga një pikë uji, teksa mirësitë e Allahut i derdhen trumba-trumba mbi krye, është falënderimi, thjeshtësia, ndjenja e mirënjohjes karshi Tij. Në çfarëdolloj pozicioni që të gjendet, ai duhet ta shohë veten më poshtë se të tjerët, dhe të arrijë të thotë ashtu siç shprehet edhe imami i Allvarit:

Të gjithë të bukur unë i shëmtuar
Të gjithë si gruri, e unë si kashta.

Ju kësaj në daçi thuajini thjeshtësi, në daçi modesti, apo shumëzim me zero i vetes; por diçka është e padiskutueshme, që ekzistenca vjen në dritë pikërisht në mesin e kësi mendimeve.

Mund edhe t’ju binte një meteor!

Sa bukur që ia thotë poeti:

S’e sheh dot dritën bima që në tokë nuk bie,
Të thjeshtin është Mëshirëploti Ai që e ngre.

Me një fjalë, në qoftë se fara nuk e jep veten për t’u kalbur në zemër të tokës, nuk mund të japë dot fryt. Dhe rruga për të ecur drejt fryteve, pa ngelur i shtypur nën peshën e tokës, kalon përmes mosmbetjes atje, në mes të saj, duke u kalbur për t’u kthyer po në dhè. Po, pikërisht fara duhet të zhduket, që të mund të dalë prej andej për të përparuar në drejtim të një ekzistence të dytë. Domethënë në çfarëdolloj niveli të jetës shoqërore qoftë, gjithsecili prej nesh duhet ta shohë veten nga një prizëm i tillë. Një njeri i mbrujtur pikërisht me kësi mendimesh, ngase është i përgatitur, dhe e ka marrë nën kontroll veten e tij, me lejen e Allahut, nuk ka për të dalë i humbur as në sprovat më të vështira. As në triumfet e shumta nuk e humb vetëkontrollin; e as kokulur nuk rri përpara dhunës, trysnisë apo fyerjeve që mund t’i bëhen. Sepse njeriu që e sheh veten si një farë të mbjellë në zemër të tokës, nuk do t’ia dijë shumë për ata që kalojnë sipër. Veçse, njeriu që fillon t’i përcaktojë vetes ndofarë ekzistence të tillë, fillon të ndjejë shqetësime për çdo ndodhi që i ndodh të përballet. Fillon të nxjerrë kuptime nga çdo gjë që sheh te të tjerët, duke filluar që nga një buzëqeshje, një lëvizje mimike apo gjest, e me radhë; i sheh, e fillon të mendojë se nuk po respektohet ashtu siç e meriton, apo edhe se po e nënvlerësojnë. Patjetër, në botën e tij të brendshme, njeriu që e vendos veten e vet në një pozicion të caktuar, kur e sheh se nuk po i sheh (dot) sjelljet që aq shumë i ka pritur prej të tjerëve, mund të nxjerrë gjithfarë komentesh të papëlqyeshme. Mirëpo ai që e fut veten brenda një parzmoreje të thjeshtësisë, që e merr veten nën këmbë me frymën e modestisë, nuk shqetësohet as nga fyerjet që mund t’i vijnë nga e majta ose nga e djathta, madje as edhe sikur ta shkelin me këmbë. Jo vetëm që nuk shqetësohet, por mendon edhe se i ka merituar, duke përfituar nga rasti që të bëjë edhe njëherë vetëgjykim. Për shembull, nëse mbi krye i bie një kokërr arre, ai thotë: “Shumë mirë, mund të më binte dhe një meteor.”, pasi beson se mbas çdo ndodhie fshihen domosdoshmërisht shumë urtësi. Sepse “çdo ngjarje e ka nga një urtësi, punë të kota nuk bën Allahu.”

Me një fjalë, në ditët tona kur egoja është bërë tërkuzë, nëse do t’i shohim në prizmin e kumtimit të të vërtetave,thjeshtësia, modestia dhe përkorësia mbartin një rëndësi të veçantë. Pa mendoni njëherë trëndafilin; nuk mbin as mbi diamante, as mbi korale e as mbi smeralde, e aq më pak mbi argjend. Sepse, megjithëse të gjitha këto minerale janë xhevahire të vyera që marrin formë në zemër të tokës ose në thellësi të detit, mbi asnjërën prej tyre nuk mund të pritet që të mbijnë trëndafila. Trëndafili lulëzon në tokë. Edhe nëna e bekuar, edhe i ati, edhe të parët e Tij, nga toka erdhën. Andaj, edhe ne, nëse dëshirojmë që mbi ne të lulëzojnë trëndafila, duhet të bëhemi si toka.

Të largohesh prej egoizmit

Ndjekja një më një e kritereve të sunetit profetik në të gjitha marrëdhëniet që lidhim me njerëzit, për të mos hyrë në mendime të gjithfarëshme të të qenit i ndryshëm, dhe për ta prurë ndjenjën e thjeshtësisë në një thellësi dimensionale të natyrës njerëzore, është e një rëndësie të veçantë. Për shembull, Krenaria e Njerëzimit na thotë kështu në një hadith Tijin:

“Kërkoje edhe për të tjerët atë çfarë dëshiron për veten tënde që të mund të bëhesh besimtar.” (Tirmidhi, zuhd, 2; Ibni Maxhe, zuhd, 24) Andaj, njeriu duhet të jetë aq mendjehapur, i ndjeshëm dhe i ndërgjegjshëm, sa t’i kërkojë dhe t’i dojë edhe për të tjerët ato që dëshiron për veten, që të mund ta mbartë cilësorin e të qenit besimtar. Ndërsa pjesa tjetër e polisemisë së këtij hadithi është: Nëse një njeri nuk i dëshiron edhe për të tjerët ato që do për veten, dhe nëse i do për të tjerët ato që nuk do t’i donte për veten, është larguar saora prej atmosferës mbrojtëse të besimit, dhe po ecën në një terren të rrëshqitshëm, nga mund të rrokulliset nga çasti në çast.

Nga ana tjetër sjelljen sikur po i shohim të tjerët duke ecur veç shtrembër, duhet ta kthejmë në një sjellje që komenton për mirë: “Vallë me ç’urtësi veproi kësisoj? Vallë ç’arsye, të cilën unë nuk po e rrok dot, pati ai që veproi kështu? Cila urtësi e shtyu atë të vepronte kështu, që mua mu duk si e gabuar?” Me fjalë të tjera, duke përdorur ndonjë fakt të arsyeshëm apo urtësi të përshtatshme duhet t’i interpretojmë si pozitive veprimet e të tjerëve, të cilat mund të duken si të gabuara nga një vështrim i jashtëm, e që janë të dyshimta. Pikërisht, një afrim i tillë karshi të tjerëve, ashtu siç është një mburojë e mirë kundër keqpandehmës, është edhe një shtysë e përsosur për t’ju çuar drejt mirëpandehmës. Përpos të tjerash, edhe rruga më e mirë për të mos e parë çdo gjë të lidhur me egon tonë kalon pikërisht prej të thelluarit në mendime të kësinatyrshme.

Prurja e thjeshtësisë në një natyrë të dytë të vetvetes

Vetëm se, të gjithë duhet ta pranojnë se kanë nevojë për një rehabilitim serioz që t’i kthejë këto në nga një cilësi të karakterit të vet. Andaj, duke u mbrojtur nën emrin e pastër “Rab” të Allahut, duke e çuar jetën përherë nën dritën e Tij, duhet të gjendemi përherë nën kontrollin e Tij, dhe për ta kontrolluar veten se ku gjendemi me besimin tonë, duhet të përballemi disa herë me veten tonë.

Patjetër që durimi dhe qëndrueshmëria janë shumë të rëndësishme në një rrugëtim të këtillë. Profeti i Nderuar, në një hadith na thotë:

“Vepra më e pëlqyer në shkallën e Allahut, është ajo e vazhdueshmja, qoftë edhe e paktë.” (Buhari, rikak, 18; Muslim, salatu musafirin, 218.) Siç e dini, pikat e ujit që pikojnë mbi një vend, mund të çajnë edhe mermerin. Ajo që e çan gurin nuk është forca e ujit, por vazhdueshmëria e pikave. Nga ky këndvështrim, rehabilitimi do të bëhet duke e sjellë edukatën dhe bashkëbisedimin e shpirtrave në një pjesë të pandashme të jetës sonë, ndoshta duke e përkapur edhe si një nga pikat më të qenësishme të saj.

Teqetë dhe medresetë që në një kohë e kapërthenin gjithë jetën, kryenin po të njëjtin mision të kapura dorë për dore me njëra-tjetrën. Njerëzit që e struknin veten e tyre në prehrin e saj, arrinin në lartësinë e njeriut të përsosur duke i thelluar aftësitë e tyre mendore, ndjesore dhe shpirtërore. Po, këto vende të bekuara, brenda kushteve të tyre, përveçse sillnin në dritë shumë çështje të mendjes dhe njohjes, u tregonin anëtarëve të tyre edhe rrugët që të çonin kah shëtitja në viset e mistershme të zemrës dhe shpirtit. Sepse nëse çështjet do të merren vetëm në kufijtë e mendjes, atëherë njeriu mbyllet në kallëpet e ngushta të racionalizmit dhe mutezilëve. Së fundmi, ata që e çojnë sot jetën në një vijë të këtillë, megjithë mundësitë e shumta që kanë, është e vështirë të pohosh nëse u kanë shprehur ndonjë gjë atyre që kanë përreth. Sepse, ata që u pëshpëritin diçka të veçantë njerëzve nëpër zemra, kanë qenë përherë ata që e kanë çuar jetën e tyre në horizontet e zemrës dhe të shpirtit.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si mund të largohen njerëzit në pozita nga mendimi se ata janë më të lartit?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA