Thuhet se me plakjen e kohës, Kur’ani rinohet, si ndodh kjo?
Kur’ani ka prejardhje eternale dhe, po ashtu, do të vazhdojë të veprojë eternalisht. Aktualisht, fakti që Deklarata Mrekulli – Kur’ani, i buruar nga dituria e Allahut të Lartë që njeh tërësisht të shkuarën e të ardhmen, po qe e saktë shprehja gjer në pikën e fundit, përshkruan në mënyrë kthjelltësisht të shkëlqyer çeshtjet përkatëse të ditës dhe të epokave pasuese, gjendjen e njerëzimit dhe evoluimin e tij, përbën mrekullinë e tij dhe është një veçori posaçërisht tipike e Kur’anit. Po Kur’ani është reveluar 14 shekuj më parë, por m prejardhje nga bota e ekzistencës së lartë(1) , nga një pikë zotëruese ndaj çdo gjëje, nga dituria eterne e Allahut që të djeshmen, të sotmen e të nesërmen i vërtit si kokrrat e tespive në dorën e fuqisë(2) së Tij, që di gjer edhe te rrahjet e zemrave tona.
Sigurisht, Kur’ani rinohet me përparimin dhe plakjen e kohës. Ashtu siç ndodh me njeriun që, duke u moshuar, i hapen dhe zgjerohen një pjesë damarësh, ndoshta dhe i shfaqet një dobësi kujtese, mirëpo, ndërkaq, i zhvillohet aftësia sintetizuese, mendon më saktë dhe më i përqëndruar dhe nxjerr konkluzione më të goditura. E, kështu, si individi, janë edhe bashkësitë, edhe koha. Si të thuash, me plakjen e kohës sikur hapen e zgjerohen një pjesë kanalesh e damarësh që e ushqejnë atë dhe zbulohen dije që na shpalosin para syve enigmat e gjithësisë me anë të zellit, luftës dhe përpjekjeve njerëzore në kuadër të kohës, të cilat i përftojnë kohës një vlerë të veçantë. Në këto kushte, fizika na shfaqet para si një shkencë e shtrirë dhe e zhvilluar në damarët e kohës, që e ushqen kohën, më drejt, që e reflekton atë. Kështu edhe kimia, astronomia, astrofizika, mjeksia dhe shkenca të tjera. Si të thuash, çdo shkencë, brenda kohës dhe me përparimin e saj përfton një pjesë enigmash dhe e tregon këtë. Për pasojë, ndërsa koha ecën drejt Katastrofës, Ditës së Gjyqit, ne e vështrojmë botën tonë duke qenë më të formuar e më të përsosur në mendim. Shencat janë shfaqur si thinja në tëmthat e botës sonë, si simbole pjekurie e përsosmërie dhe bota, në kohën e pasme të saj, duke iu afruar vdekja, duket edhe më e përsosur.
E, ja, pra, kjo e gjitha i vjen në ndihmë kuptimit të Kur’anit dhe do të vijë një ditë që në Europë, në kastat më të larta, njërëzit, në përfundim të hulumtimit të të vërtetave enigmatike të shkencave si informatorë, me kuptimin e Kur’anit do të përkulin shpinën(3) dhe njerëzimi do të thotë: Zoti ynë, sa i madh që je! Po, kur të arrijnë të shohin me anë të teleskopëve përtej largësisë një trilion vite dritë, do të qajnë me ngashërim si Paskali dhe do të thonë: Allahu im, sa i madh që je!(4)
Katërmbëdhjetë shekuj më parë, Kur’ani i Madhnueshëm pat zbatuar legjislacionin social më pa të metë të një bashkësie, por ende s’kemi mundur ta kuptojmë këtë dhe, pikërisht pse s’kemi mundur ta kuptojmë këtë, përballë kapitalizmit, komunizmit, fashizmit e liberalizmit, s’kemi mundur t’i shpjegojmë ashtu siç duhet çeshtjet që reflektojnë këtë aspekt social të Kur’anit. Jo vetëm momentet sociale, ne nuk kemi mundur të kuptojmë as edhe të gjitha momentet e tjera që atakojnë jetën e njeriut.
Tani neve na takon që, duke i shpjeguar këto, të aspirojmë një lloj recete shpëtimi përballë sëmundjeve të shekullit. Kur, me lejen e Allahut, ta kemi bërë këtë, do të duket se nga ç’burim i thellë ka ardhur Kur’ani i madhnueshëm, se, përkundër faktit që thellësia e tij s’dihet në aparencë, në brendësi të tij janë ekspozuar një mijë e një të vërteta diturore. Ne sot ende s’kemi ezauruar çeshtjet tona ekonomike! Dje parashtrohet një sistem; të nesërmen, pasi ai sistem të na i ketë hapur kokës një mijë e një shqetësime, thuhet: ky vend përparon me këtë sistemin tjetër; veçse, në pëfundim të zbatimit të tij, përballemi me një tufë bankierësh e, në antitezë me ta, me të vobektë, të mjerë e viktima padrejtësie. Të gjitha këto janë në një ndryshim të pandërprerë, ndërsa ne ecim e shkojmë si lodra në duar të sistemeve ekonomike. Kur të merret sërish në dorë Kur’ani i Madhnueshëm edhe në sajë të shkencave të përplotësuara me plakjen e kohës, shumë gjëra të reja e të paaplikuara do të kuptohen dhe ai do ta tregojë veten si të ish reveluar rishmë. Edhe në ditët tona, kur ende nuk janë bërë hulumtime shumë të thella mbi Kur’anin, disa herë, me kokat tona të vockëla dhe me ndiesitë tona të ngushta aq sa s’do të mund të hynte asnjë e vërtetë, kuptojmë në Kur’an gjëra të tilla, sa që mbetemi të detyruar të themi: Këtë s’mund ta thotë njeriu!
Po, Kur’ani i ka shprehur me nga një fjali të vërtetat përkatëse të degëve të ndryshme të shkencave dhe i ka shpallur ato para syve tanë. Në çfarëdo fushe që të bëhen hulumtime nisur nga ky këndvështrim, do të gjendet përputhja midis ajeteve-argumente të Kur’anit dhe përfundimeve shkencore të arritura, ku do të duket tek valëvitet flamuri i Kur’anit. Fjalët që thamë gjer këtu, nuk janë nga një pretendim më vete, ato janë gjëra të vërtetuara duke i nxjerrë sheshit me eksperimente dhe përvojë shkencore.
Le të përpiqemi t’i hedhim dritë kësaj me nja dy shembuj:
Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin. Atë që dëshiron ta lerë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë sikur të ngjitej në qiell. Kështu Allahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë.
(Kur’ani, En’am:125)
Ky ajet-argument bën shenjë për një ligj të natyrës, gjë që konkretizohet me fjalën qiell. Foljes jessa’adu i përgjigjet në shqip folja(të) ngjitej e diatezës vetvetore(5) me të njëjtat veçori gramatikore e kuptimore. Ajo shënon kuptimisht faktin se me ngjitjen drejt lartësive qiellore, shfaqet një vështirësi tipike. Për më tepër, në arabisht, ka një përputhje midis gjithë spektrit të kuptimit leksikor të fjalës jessa’adu me kompleksin tingullor të saj. Kështu, edhe gjatë leximit, përgjithësisht gjatë artikulimit të fjalës, lexuesi has vështirësi e duket sikur po i zihet fryma(6). E pikërisht me këto Kur’ani ze në gojë këtë të vërtetë: me ngjitjen në lartësi, bie shtypja atmosferike dhe njeriut i vështirësohet frymëmarrja. Në çdo 100m. ngjitje, shtypja bie me 1 atmosferë. Në lartësinë 20000m. pa maskë oksigjeni, njeriu s’mund të marrë frymë e vdes.
Një tjetër shembull:
Ne i lëshojmë erërat mbarësuese nga qielli (retë) lëshojnë shi dhe atë jua japim ta pini e ju nuk mund ta ruanit atë.
(Kur’ani, Hixhr:22)
Edhe ky ajet është një tregues i faktit se Kur’ani pat shprehur në shekullin e 14-të një të vërtetë shkencore që u kuptua vetëm në shekullin e 20-të.
Erërat përplasin me njëra-tjetrën retë e formuara prej avujve të ujit. Në këtë përplasje realizohet një rrjedhje elektronesh në formën e një harku elektrik që quhet rrufé. Erërat, duke i shtrënguar retë, mbarështojnë(7) rënien e shiut. Në të njejtën kohë, erërat kryejnë edhe një funksion tjetër. Duke bartur pjalmin-bërthamën mashkullore të luleve- ndihmojnë për bashkimin e tij me qelizat femërore, pra, për pllenimin (mbarështimin) e bimëve.
Përsëri ky ajet tregon për grumbullimin e rreshjeve nën tokë dhe ridaljen e tyre në formën e burimeve apo puseve për t’u përdorur për ujitje e pije, me një fjalë, në shërbim të gjallesave; duke shënuar 14 shekuj më parë këtë ligj të natyrës, Kur’ani tregon për mrekullinë e tij.
Dhe një tjetër ajet-argument: ve min kulli shej’in halaknâ zevxhejn(8) …krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër)…
(Kur’ani, Dharijât:49)
Kuptimi tekstual është që çdo gjë e krijuam çift. Këtu përjashtohet Allahu që është kumtuesi i këtij fakti dhe autori i krijimit. Ai qëndron jashtë këtij fakti. Jashtë Tij, çdo gjë është e krijuar çift.
Siç janë njerëzit çift, po ashtu janë çift edhe gjallesat e tjera. Edhe tek bimët shfaqet kundërvënia çift me anë të organeve mashkullore e femërore. Fjala zevxhejn në ajet ka kuptimin çift, bashkëshortë. Madje edhe atomet, si grimca bazë e çdo gjëje, janë çift. Edhe tek ata dallohen një pjesë të ngarkuar pozitivisht e një pjesë të ngarkuar negativisht. Posaçërisht ky dublim shfaqet në një formë të veçantë tek çdo gjë nëpërmjet aspektit tërheqës e shtytës. Po të zhdukej kjo veçori e materies, as që do të mund të mendohej që gjallesat të mund të realizonin vazhdimësinë e vetvetes.
Ajeti-argument në kaprinë Jasin e tregon nëmënyrë më të detajuar këtë të vërtetë:
I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë.
(Kur’ani, Jasin:36)
Siç shihet qartë, këtu flitet për një pjesë gjërash të panjohura për atë epokë, jashtë kuadrit të vrojtimit të njeriut të asaj dite. Dhe thekson: …dhe nga çka ata nuk dinë.
Një argument tjetër dhe një çeshtje tjetër:
Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë.
(Kur’ani, Dharijât:47)
Në kontekstin arabisht të ajetit folja zgjerojmë në fjalinë përkatëse, shpreh kuptimin e një veprimi që vazhdon pandërprerë.
Përjashtuar pesë-gjashtë galaktikat më të afërta, për të gjitha galaktikat e tjera astronomi Hubble pati bërë të ditur më 1922 se ato largohen me shpejtësira në raport me largësinë ndaj nesh. Sipas tij, një yll i një galaktike me largësi një milion vjet dritë prej nesh, largohet me një shpejtësi 168 km. në vit; me largësi dy milion vjet dritë, dyfish; me largësi tre milion vjet dritë, trefish. Dhe kjo, ashtu siç pretendon matematicienti i shquar belgjian, murgu Lëmetra (Lemaitre), argumenton faktin që gjithësia ndodhet në një proçes zgjerimi (expansion)(9).
Zgjerimi i hapësirës që vazhdon të ruajë rëndësinë e vet në katedrat shkencore, trajtohej në Kur’anin e Madhnueshëm 14 shekuj më parë.
Ndërsa gjithë bota shkencore, gjithë bota e dijes, përballë kësaj të vërtete që do të vihej re edhe me syun e një analfabeti, do të duhej të binte në sexhden e mahnitjes(10) duke i thënë Kur’anit u bëra nxënësi yt, ç’ka vihet re, për fat të keq, është vetëm naiviteti dhe mosmirënjohja e tyre.
Kurse në një ajet-argument tjetër urdhërohet:
Ai krijoi qiejt e tokën me qëllim të caktuar; Ai natën ia mbështjell (vendit) të ditës dhe ditën ia mbështjell natës; Ai nënshtroi diellin dhe hënën…
(Kur’ani, Zumer:5)
Bota është në formën e një sfere të shtypur pak në polet.
Në arabisht fjala tekvir ka kuptimin e rrotullimit përreth një sfere; sipas kësaj merr kuptimin pjesa e ajetit …natën ia mbështjell ditës dhe ditën ia mbështjell natës… Kështu, me fjalën jukevviru qartazi vihet gishti në faktin që toka ka formë sferike.
Nga ana tjetër, në kaptinën Naziat, ajeti 30, kjo çeshtje parashtrohet më qartë nisur nga kuptimi bazë i një fjale: Vel’arda ba’de dhalike dehâhâ, pas nënshtrimit të qiejve një rregulli të caktuar, Allahu e bëri tokën si një vezë deveje(11).
Kjo do të thotë se toka ka formë sferike të shtypur nga polet, ngjashëm me një vezë deveje.
Është e dobishme ta ruajmë në kujtesë këtë të vërtetë krejt të hapur të Kur’anit edhe pa hyrë në komente dhe interpretim.
Mund të radhisim shumë ajete të shenjta me anë të të cilave Kur’ani i Madhnueshëm bën shenjë rreth këtyre çeshtjeve. Por ne po mjaftohemi me kaq.
Veçanërisht Kur’ani ka predikuar edhe disa parime bazë të edukatës. Por, duke hequr dorë nga edukata Kuranore, të gjitha sistemet edukative të zbatuara, të gjitha ligjet psikologjike dhe sociologjike të praktikura na kanë nxjerrë përpara një tufë të rinjsh problematikë, ca tipa çakërqejf e të hutuar.
Po vazhdoi kështu kjo, njerëzimi do të zvarriset nga depresioni në depresion. Por, kur njerëzimi të jetë njohur me Kur’anin, do ta përceptojë, do ta kuptojë dhe do t’i dorëzohet atij; kënaqësinë e ndiesive, harmoninë e zemrave, disiplinën e mendjeve përsëri me urdhërat e Kur’anit do t’i realizojë.
E, pra, si rrjedhojë e të gjitha këtyre, me plakjen e kohës, më drejt, me përsosjen e saj, në këtë periudhën tonë – pjesë të asaj kohe që ne i themi ahir zaman, koha e pasme, dashtë Zoti që të vërtetat e Kur’anit të parashtrohen nga ana e hulumtuesve në mënyrë më të shkëlqyer se yjet në qiell, më të thellë, më konstruktivë dhe në atë formë që të fitojnë zemrën e njerëzimit; atëherë rinia e Kur’anit do të shfaqet sërish fare hapur. Ndoshta njeriut nuk do t’i hiqet vullneti, por mendjes do t’i happen shumë porta dhe shumë vetë do të thonë La ilahe illallah, Muhammeden Resûlullâh, Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Tij!
1) Në origjinal: Mele-ia’la, bota e bashkësisë së engjëjve dhe kerrubinëve, bota e elementëve esencialë dhe e fateve.
2) Në origjinal: Kabza-i kudret. (osm)
3) Shih në fund ruku
4) Allahu është koncepti monoteist posaçëridht Ismam i Zotit që …as është i lindur,as ka lindur kënd dhe Atij askush s’i është i barabartartë… (Shih kaptina Ihlas, Principialiteti)
5) Në diatezëm vetvetore folja është luptimisht veprore, kusre formalisht he jokalimtare. Veprimi i kryer nga kryefjala, mbetet tek ajo.
6) Adoptimi i shpjegimeve të këtij fragmenti është i përkthyesit
7) Në origjinal përdoret pikërisht fjala ashëllar, pask. Ashëllamak të mbarështosh (turq)
8) Forma e transkriptuar në origjinal
9) Përdorur në këtë formë në origjinal
10) Të vinte ballin në tokë në shenjë habie e mahnitjeje
11) Ky interpretim është i vetë autorit.