Si ndikon besimi te engjejt në jetën e njeriut?
Ashtu si besimi te Allahu dhe te jeta e pasme, edhe besimi te ekzistenca e engjëjve pasohet me reflektime dhe ndikime shumë të rëndësishme në jetën e njeriut.
Këto mund t’i përmbledhim kështu:
Personi që u beson engjëjve asnjëherë nuk e ndjen veten të vetmuar. Edhe në kohët kur është më i vetmuar, ai e di se ka pranë engjëjt dhe, me anë të frymëzimit shpirtëror që ndjen nga prania e tyre, e kthen vetminë në një afërsi të ngrohtë. Duke krijuar një lloj shoqërie shpirtërore me ata miq të padukshëm, njeriu gjen prehje e qetësi.
Me aspektin si frenues i pasioneve sensuale dhe egoistike të njeriut besimtar, për rrjedhojë si lehtësues i marrjes nën kontroll të jetës nga ana e tij, besimi te engjëjt ka një ndikim të rëndësishëm. Besimtari që e di dhe mendon se ndodhet çdo çast nën kontrollin dhe shoqërimin e engjëjve, edhe do të ketë turp, edhe do të druhet të ecë drejt mëkatit.
Si simbol i bukurisë shpirtërore dhe i delikatesës morale, besimi te engjëjt zotëron edhe një ndikim të rëndësishëm nxitës dhe inkurajues në synimin e besimtarit për t’u ngjarë engjëjve. Fakti që, në praktikë, për njerëzit që bëjnë jetë të pastër, që kanë një natyrë të butë e që sillen me butësi ndaj të tjerëve, përdoret shprehja “si engjëll”, tregon ndikimet pozitive të besimit te engjëjt në jetën e njeriut.