Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Besimi në Kader

Pse Zoti e sheh të nevojshme të na provoje duke na sjellë në këtë botë? Sprova e jetes

Estimated reading: 5 minutes 185 views

Po, Allahu e di si do të veprojmë, megjithatë na sjell në botë për të provuar përkryerjen e aftësive dhe mundësive tona me anë të detyrimeve që na ngarkoi mbi supe. Kur na krijoi, Ai na krijoi si mineralet[1]: minerali i bakrit, minerali i qymyrit, minerali i arit, minerali i argjendit.

Këtë Ai e bën në cilësinë e Zotit tonë që i jep ekzistencë dhe zhvillim çdo gjëje. Kjo ndodh si me aftësinë dhe mjeshtërinë estetike dhe realizuese të në artisti, i cili duke u shfaqur me veprat e artit të tij, synon të panjohurën. Ashtu si ai, edhe Krijuesi Fuqiplotë ka disa emra-atribute dhe arte si mishërime të atyre emrave. Ja, pra, për t’ua paraqitur shikimeve të njerëzve ato lloj-lloj artesh të veta, me hapjen e kësaj ekspozite në sipërfaqe të tokës, ka pasur mirësinë të urdhërojë shpalosjen e bukurive të tyre të fshehta. Me një pohim më të hapur, si mishërohen emrat në mineralin e qymyrit; si e tregon veten te hekuri, te ari, te argjendi e pastaj, me ndërhyrjen e njeriut, te ari i pastër, te argjendi i pastër; si shfaqet te hekuri i përpunuar… Dhe, për t’ia bërë të njohur shikimit tonë se si e tregon veten në shndërrimin me një hop të qymyrit në diamant, shpalos lojën e varianteve të emrave të Tij në etapa dhe nivele të ndryshme, duke na dhënë kështu, mundësinë për të krijuar një gjykim tërësor e për ta njohur plotësisht Atë. Po, është Ai që realizon e bën gjithçka. Madje, duke mundësuar përfitimin e mijëra e mijëra fryteve prej çdo gjëje. Si përfundim, me këto punë të Tij, njerëzit pastrohen, kthjellohen duke u thjeshtuar e kështu kthehen në elementë parajsorë. Si të thuash, mineralet bëhen ar, diamant, argjend. Në lidhje me këtë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem) në një hadith ka thënë kështu: Njerëzit janë krejt si mineralet. I dobishmi në injorancë (para se të bëhet mysliman) është i dobishëm edhe në Islam.[2] Si të thuash, Omeri i nderuar dhe i respektuar para se të bëhej mysliman, është Omeri dinjitoz, serioz, i ndjeshëm, i madh dhe i vyer në Islam… Në të parën mjaft i ashpër, mjaft i prerë, që detyron ashtu siç do vetë; në të dytën, me flatrat e thjeshtësisë të varura gjer në tokë e nën këmbët e njerëzve, kurse ndaj qafirëve, fe-mohuesve dhe të dhënëve pas mëkatit, një Omer i prerë e i vështirë!… Duke vazhduar analogjinë, ç’mineral të ishte në periudhën e injorancës, asaj paraislame, i tillë do të jetë edhe në Islam… Prandaj shprehim dëshirën që njerëzit e guximshëm, të gjallë e që u vlon gjaku, të bëhen myslimanë. Sepse i vyeri në injorancë do të bëhet i vyer edhe në Islam. Islami e merr në dorë këtë mineral-element njerëzor, e përpunon, e dendëson dhe e sjell në gjendjen e arit të pastër. Kështu ishin shndërruar sahabët në ar të pastër. Pastaj filloi të bjerë vlera dhe karati: 22, 21, 20, 18, 17, 15… Në shekullin e njëzetë midis myslimanëve pati edhe të tillë që ranë në 1 karat… Po, një shekull ky, që i shtoi aq shumë paratë kallpe, skorjet!… Ta themi hapur e thjeshtë, domethënë se ne në këtë botë i kushtëzohemi një provimi. Në këtë mes, Allahu (xh.xh.) e di se në ç’rrugë do të pastrohemi, pra, na kushtëzon me një provë. Hasha, Zoti na ruajttë, jo që Ai të mësojë prej nesh diçka që s’di. Pra, Ai na vë në provë ne ndaj vetes tonë. Më saktë, ne sprovohemi me njëri-tjetrin. Po, kur të jemi përpjekur e sakrifikuar, kur t’i kemi hyrë udhës së pastrimit, kullimit e dendësimit, kur t’i jemi lidhur dëshirës për t’u bërë ar nëse me të vërtetë jemi mineral ari, pra, kur të kemi treguar një zell të tillë, do të jemi bërë shkak për të zbuluar, për të nxjerrë në shesh diçka që Allahu e di eternalisht. E kështu, duke e provuar veten në një veprimtari të tillë, do të dalim përpara Audiencës së Tij të Lartë, me atë gjendje që kemi mundur të realizojmë për vete. Ashtu siç shprehet edhe në Kuran: “Atë ditë gjuhët, duart e këmbët e tyre, (le të shtojmë, sytë, veshët, buzët), do të dëshmojnë për ta!”[3] Nëse ti arrin ta kuptosh më së miri këtë gjë, e kupton se je në provë përballë vetes tënde. Hasha, Zoti na ruajttë, Allahu (xh.xh.) nuk të provon për të mësuar gjendjen tënde. Krejt e kundërta, të tregon ty veten tënde dhe po veten tënde e vendos në provë nëpërmjet teje. Ai e di më të drejtën e çdo gjëje!

اَللّٰهُ أَعْلَم

Allahu di më së miri

Marre nga:http://islami.al/zoti-e-di-se-si-do-te-veprojme-ne-ne-kete-bote-gjithashtu-e-di-nese-do-te-pajtohemi-apo-jo-me-urdhrat-e-tij-atehere-pse-e-sheh-te-nevojshme-te-na-provoje-duke-na-sjelle-ne-kete-bote/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Pse Zoti e sheh të nevojshme të na provoje duke na sjellë në këtë botë? Sprova e jetes

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA