Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Xhinët

Ç’është xhindi?

Estimated reading: 20 minutes 308 views

Fjala xhin(1) vjen nga rrënja xhenne nga e cila vijnë edhe fjalët xhennet dhe xhinnet. Kurse emri mexhnun është emër foljor(2) që do të thotë i zënë nga xhindet. Ne i themi e ka humbur mendjen, është marrosur. Kuptimi leksikor i fjalës xhin është i mbuluar, i mbyllur, i fshehur(3). Më saktë, jo i mbyllur e i padukshëm në vetvete,por për ne. Veçanërisht, “mexhnun” i themi atij njeriu që i është dhënë dikujt tjetër, që ia ka falur zemrën me të tillë pasion, sa që sjelljet dhe veprimet e tij nuk kemi mundësi ti kuptojmë brenda kritereve tona.

Edhe fjala xhennet(4), nga një pikëpamje, me që ndodhet e mbyllur, e fshehur, është për ne pjesë nga bota e të fshehtave… Fjala xhinnet është gjëndja e të qënit i marrë… Edhe xhindi (xhindi-siç e përdorim në shqip) – Allahu e di(5)– për të gjitha këto punë, në planin shkakësor, është një shkak, një autor dhe një faktor aparent, sa për dukje.

Ekzistenca e xhindeve është një çeshtje specifike e bartur që në fillim të herës së diskutueshme. Natyrisht, bashkë me shpirtin dhe engjëjt. Në të vërtetë, pasi t’i kenë dalluar dhe vëzhgur ata Profetët e Lartë, pasi të jenë takuar dhe të kenë biseduar me ta Individualitetet Trashëgimtarë të Profetësisë(6), dhe pasi ta kenë zbuluar dhe pranuar ekzistencën e tyre miliona njerëz, ç’rëndësi do të ketë polemika e katër-pesë materialistëve që s’shohin asgje tjetër përveç materies… Duhet theksuar se, në një kohë kur kemi pranuar shumë qenie që s’i shohim me sy, mohimi i ekzistencës së xhindeve është bërë temë prekupuese e milionave në të katër anët e botës. E, sidomos në një periudhë kur kokat e diturisë janë preokupuar me të!…

S’ta merr mendja pse e kundërshtojnë xhindin ata që e kundërshtojnë. Mos vallë njerëzit shohin çdo gjë që ekziston dhe e kundërshtojnë xhindin pse s’e shikojnë? Ne dimë nga universi i perceptueshëm me shikim, shohim vetëm 4-5 të miliontën e objekteve që i ofrohen shikimit tonë. Pastaj përpiqemi që me anë të mjeteve të konstatojmë një pjesë të atyre që nuk i shikojmë me sy të lirë, p.sh. objektet e makrokozmosit –me teleskop, objektet e mikrokozmosit- – me mikroskop dhe një pjesë tjetër me rreze iks ose të ndonjë lloji tjetër. Ndoshta në të ardhmen do të lindë mundësia që edhe shumë gjëra të tjera t’i aspirohen shikimit të njeriut me instrumente dhe mjete të reja…

Në këtë mes, ashtu siç ka thënë edhe një shkencëtar, çdo zbulim do të na nxjerrë përpara një univers të tërë të pazbuluar. Lidhur me këtë, kjo botë e dëshmisë (7) është një perde danteleje mbi të padukshmen botë jolëndore të fshehtësive. Xhindet, ëngjëjt dhe shpirtrat ndodhen pas kësaj perdeje. Me mjete a pa mjete, në ç’dimensione që të përçoheshin atje, aq do të ishte mundësia për t’u njohur me ato qëniet pas perdes.

Aspekti tjetër i çeshtjes është ky: xhindi është nga lloji i shpirtit. Është një ligj. Si ligji i tërheqjes së masës midis planetëve të medhenj. Me këtë ligj Dielli e vërtit Tokën rreth vetes. Edhe Toka, me një lëvizje të nxituar, sillet siç sillen elektronet. Kësaj tërheqjeje qëndrore i përgjigjet, në kah të kundërt, shtytja qëndrore. Këta janë, secili më vete, nga një ligj me vlerë nominale e konvencionale.

Tani do të thoni se në mes nuk ka asgjë, edhe ajo është një masë, edhe kjo masë ndër të cilat e vogla vazhdon të vërtitet rreth së madhes. Mirë po me që në mes nuk paska asgjë, si do të shpjegohet kjo gjëndje? E kjo, qoftë tërheqja sipas Njutonit, qoftë teoria e vëllimit sipas Ajnshtanjit, përfundimi mbetet po ai…

Po ashtu, kur të merrni në dorë, për shembull, një farë, në të është e pranishme një përpjekje jetësore (8). Kur, ç’të shikoni, diku nga toka menjëherë embrioni nxjerr kokë, bëhet filiz, bëhet bar, bëhet pemë, vetëm, se, jashtë çdo diskutimi, bëhet diçka nga lloji i vet(9). Këtu ka një ligj zhvillimi (10). Ky është një ligj nominal, konvencional. Mirëpo pa këtë ligj nuk ka rritje dhe zhvillim (11). Për shembull, po të mbillni një gur, me që për të nuk ka ligj zhvillimi, nuk do të vini re ndonjë rritje a zhvillim.

Ja, pra, këta janë, secili më vete, ligje të Allahut. Edhe xhindi, edhe shpirti janë ligje të tilla. Por ndryshimi në këtë mes është ky: ligji i tërheqjes nuk ka mëndje, vullnet dhe vetëdije. Kurse ligji xhind, ligji shpirt, ligji ëngjëll kanë mendje, vetëdije e vullnet, veçanërisht s’janë nominalë, konvencionalë e relativë dhe zotërojnë secili nga një trajtë ekzistence të vërtetë. Mendimtari vigan i shekullit (12) ka bërë për të përkufizimin më të përgjithësuar, me të përmbledhur e më konçiz që kemi mundur të shohim gjera tani, në këtë formë: Shpirti është një urdhër ligjor i vetëdijshëm. Të vërtetën e ajetit Thuaj: Shpirti është çeshtje që i përket vetëm Zotit tim,…( Kur’ani, Isra:85) është pothuajse e pamundur ta paraqesësh në mënyrë kaq konçize. Shpirti është një urdhër ligjor i veshur me një trup të jashtëm përmbledhës, i gjallë, i vetëdijshëm, i ndritshëm, drejtësidashës, i aftë për të fituar përplotësi. Po qe se i Zoti i Fuqisë u vesh një trup të jashtëm ligjeve të materies, secili bëhet nga një shpirt më vete. Po qe se shpirti e heq veshjen trupore dhe e zbret vetëdijen nga koka, përsëri bëhet një ligj i përhershëm, i amshuar. Në të vërtetë, me këtë është shpjeguar çdo gjë. Shpirti për ju është një ligj si ligjet që pranuat ju nga mikrobota më e vogël në mikrobotën më të madhe, por me vetëdije. Mbetet të themi se, sipas pretendimit të disa shkencëtarëve, edhe tek bari, në proçesin e rritjes, është ndjerë dhe vëzhguar një vetëdijshmëri si përgjigje ndaj një pjese mesazhesh, paralajmërimesh, si njohje me mjedisin, përshtatje dhe nderthurje me të. Po ashtu edhe te pemët. Do t’ju parashtroj përmledhjen e një prej shkrimeve të një reviste lidhur me këtë temë. Autori thotë: Opinioni im përqëndrohet në faktin që kallinjtë e bimëve të tillla si gruri e thekra janë të vetëdijshëm. Sepse te gruri e thekra, pa menduar për një vetëdije, një mendje e një njohje, nuk mund të shpjegohen veprimet e tyre aq të vetëdijëshme.

Për shembull, gruri, kur ende është një emrion dhe filiz, e nxjerr kokën mbi tokë dhe sheh përreth: po qe se mjedisi është i favorshëm dhe kushtet janë të përshtatshme për të nxjerrë dy bisqe. Po qe se klima shkon mbarë, lagështia është e përshtatshme dhe rezet e djellit kanë cilësinë për të ushqyer, merr vendim për dy bisqe. Madje, po e lejuan kushtet, nxjerr edhe tre. Kur të ketë nxjerrë tre bisqe, e dimë se kushtet janë të mjaftueshme për t’i ushqyer ato. Po të mos duken të përshtatshme kushtet, nxjerr vetëm një. Sikur të thoshte: Unë vetëm një copë mund të ushqej… Kur një dru sëmuret, rrëzon frutat për të shpëtuar veten. Bujku le të pandehë ç’të dojë, nuk janë frutat të sëmura, por bima. Duket sikur pema thotë: Më falni, por s’do të mund të kujdesem për frutat. Për shkak të kësaj gjendjeje, jam e detyruar të kujdesem për veten. Ne të ardhmen do të mësojmë për një mekanizëm brenda bimëve që dikton dhe bën të gjitha këto punë. Ja, pra, të gjitha këto janë ligjet e Allahut.

Në të njëjtën mënyrë, të njëjtat gjëra i atribuohen molekulës DNA brënda qelizëzdhe thuhet se DNA dërgon informacion të shifruar, kurse RNA, sipas atij informacioni të shifruar, vepron si inxhinier dhe kimist.

Sipas nesh, krijesa të vëtëdijshme janë vetëm xhindi dhe njeriu. Kurse kafsha vepron me ndjenjë, me shtytje hyjnore(13). Në fakt, edhe pas këtyre veprimeve të vetëdijshme të tyre, përsëri është Allahu(Xh.Xh.). Po, është Allahu që e shtyn çdo gjë drejt një pike të caktuar, që e zhvillon çdo gjë në një drejtim të caktuar. Por në mes janë edhe ligjet e vëna nga Allahu të cilat nuk mundemi t’i mohojmë. Këto ligje janë aq mrekullisht të përsosura dhe imponuese(14), sa që njeriut, kur i sheh nga larg këto, i vjen ndërmend fjala vetëdije.

Tani, ndërsa përreth ndodhen këto dukuri, njeriu nuk mund të gjej përgjigje se pse disa njerëz i mohojnë xhindet dhe, për mohuesit, i vjen të thotë ndoshta janë marrosur, i kanë zënë xhindet!…

Një mijë ligje janë dhe të gjithë hyjnë në veprim, marrin udhë si të ishin xhinde. Kjo do të thotë se, në thelb, nuk ka dyshim për mundësinë e çeshtjes që po shqyrtojmë. Për shembull, pse të mos jenë ata një lloj rryme elektronesh. Kujdes, nuk po themi janë një rrymë elektronesh…

Në Kur’anin e Madhnueshëm Allahu (Xh.Xh.) thotë: Dhe ai i krijoi xhindet nga flaka (pa tym) e zjarrit (Kur’ani, Rahman:15). Diçka e tillë që mund të shpjegohet ,me fotonet dhe grimcat… Por as foton dhe as grimcë, por qënie gjysmë të dukshme, të përgjegjshëm si njeriu, të krijuar prej flake… Nuk ka asnjë arsye që të mos ekzistojnë qënie të tilla. Pretendimi i mos ekzistencës së tyre, në një aspekt, është mungesë logjike edhe mendjemadhësi.

Parimisht, në këtë subjekt, fjala e parë i takon Kur’anit të Madhnueshmëm, ndërkaq, ka dobi në njohjen e thënieve të tij. Sa herë që Kur’ani i Madhnueshëm flet për njeriun, në çdo vend ku e përmend, tregon edhe për krijimin e llojit të xhindit si popullatë. Përshembull, pasi tregon për krijimin e njeriut si të një çunaku prej argjile, ndalon tek xhindi dhe shpall: Dhe Ai i krijoi xhindet nga flaka (pa tym) e zjarrit (Kur’ani, Rahman:15), siç u përmend edhe më lart. Është krijuar xhindi prej zjarri, por ky zjarr s’është as rreze, as një zjarr që digjet e shkëlqen dhe as vetëm një tym i zi si qymyr. Kj do të thotë se xhindet, duke qenë nga bazat e materies, janë krijuar nga një zjarr që përhap rreze në mdjedisin përreth. Kur’ani i Madhnueshëm kaq të dhëna jep për cilësinë e xhindeve. Kurse ata – mes profetëve, zbuluesve dhe pasuesve të kauzës profetike – të cilët janë takuar me xhindët, janë takuar, në një masë të madhe, me ngjashmërinë lëndore të tyre. Po, takoheshin, bisedonin dhe krijonin marrëdhënie me atë trajtë. Po, xhindet, si zotërues të një shpirti të vetëdijshëm dhe të një lënde të brishtë, me bashkimin në një të këtyre dy specifikave, fitojnë një dimension të ri dhe, sipas tipareve të këtij dimensioni, shfaqen në një ngjashmëri lëndore. Në këtë mes nuk duhet lënë pa i vënë veshin edhe faktit se kapaciteti i pasqyrave është i njejtë ndaj formave lëndore të ndryshme.

Xhindet, si gjëra të padukshme, duke qenë, njëkohësisht, qenie prej zjarri dhe flake që i përkasin botës materiale, krejt si ne, zotërojnë një shpirt që i jep komandë materies dhe janë të vetëdijshëm. Në aspekt të të qenit të vetëdijshëm, duke u veçuar nga sendet e grira, jo të gjalla dhe nga gjallesat e tjera, krejt si ne, futen në radhën e të vetëdijshmëve, të të vullnetshmëve e të të përgjegjëshmëve. Prandaj, ashtu si ne, edhe ata janë ngarkuar për t’i besuar Allahut, për t’u falur, për të asgjëruar e për të dhënë zeqat(15). Vetëm se xhindet, të krijuar nga flaka e zjarri, krahas asaj që s’janë si ne në shumë specifika, marrin edhe formë lëndore. Si të thuash, xhindet, ashtu siç hyjnë në ëndërr në botën mendore të një pjese njerëzish, lëndësohen edhe jashtë ëndrrave dhe mund t’u bëhen pjesëtarë njerëzve në jetën e tyre. Ti pe në ëndërr babanë, ungjin, gjyshin, gjyshen e u bëre dëshmitar i trajtave të tyre..; po ashtu siç vrojtove ti një pjesë kuadrosh të botës së varrit(16), edhe xhindet mund t’u shfaqen njerëzve në tokë vazhdimisht duke u lëndësuar. Në fakt, ky s’është identiteti esencial i tyre. Pamja, shfaqja e tyre është në formën e reflektimit në pasqyrat shpirtërore(17) të njerëzve. Si të thuash, është një pasqyrim në vartësi të kapacitetit mendor –psikik(18) të receptorit. Prandaj Hz. Omeri (r.a.) Ebu Hurejre (r.a.), Ebu Bekri (r.a.) i kishin vëzhguar xhindet secili në një trajtë hijeje pranë të Dërguarit të Allahut, Hz. Omeri vëren një trajtë njerëzore të dobët e të brishtë, Ebu Bekri një trajtë tjetër…; këto vëzhgime tregojnë se trajtat lëndore të xhindeve janë të shumëllojshme.

Tani le të prekim pak edhe çeshtjen e thirrjes së xhindeve. Sot, në mesin e shoqërisë ka mjaft njerëz që preokupohen me këtë punë në shoqata të ndryshme, nën emra dhe tituj të ndryshëm. Në një përqindje të madhe, këto shoqata metapsikike(19) merren më tepër me thirrje xhindësh e thirrje shpirtrash. Po, ata që nxorrën në fillim revistën Shpirti dhe lënda(20) dhe më vonë Bota e shpirti(21), lexuesit e tyre dhe bashkëmnedimtarët e tyre, më shumë se me këto çeshtje merren. Madje, duke shkuar më tej, pretendojnë të kenë bërë fotografitë e shpirtrave dhe të xhindeve. A mund të hujnë xhindet dhe shpirtrat nën urdhrin tonë? A është e mundur t’i shohim ata me mundësinë që kemi në duar, apo jo? Këto pyetje mund të vihen në diskutim në çdo kohë…

Le të vijmë tani, tek çështja e thirrjes dhe e dukjes së xhindeve. Në epokën e fundit(22), hyrja mes xhindëve do të bëhet në një nivel më të avancuar. Ndoshta në shumë çeshtje –në çeshtje të kësaj bote të perceptueshme – me që edhe ata nuk e dinë të panjohurën, çeshtja e sigurimit të lajmeve me anë të tyre, e ngritjes së organizmave informative, përdorimi i xhindeve në punët më të përshtatshme ndaj shpirtit të tyre, duken të mundura brenda zhvillimeve shkencore në bazë të hulumtimeve të ditëve të sotme.

Sot, rreth thirrjes së xhindeve aq shumë dëgjojmë e lexojmë, sa që kjo është bërë një çeshtje e pranueshme nga çdokush në ditët tona. Nisur nga ky pohim, do të tregoj diçka për veten time. Po i çoja një të sëmuri një libër. Ndërkohë që unë isha ende në fund të shkallëve, i sëmuri bërtiste: Më thonë të mos pranoj atë! Pastaj, i sëmuri, duke e futur librin në gjoks pa e ditur se ç’ka brenda, filloi të bërtiste: A po ikni pse erdhi Hz. Hamzai? Brenda librit ndodhej emri i Hz. Hamzait. (Libri përmbante emrat e pasuesve të Bedrit).

Gjithë e njëjta gjë, një shokut tonë që shërbente në një nga institucionet e mirëbërësisë, i kish ndodhur që, në një ndërtesë, të vëzhgonte herë-herë lëvizjen e sendeve, shtrëngimin e dorezave të dyerve, praninë e disave që shëtisnin majtas-djathtas. i varfëri, kishte ndenjtur disa orë në atë ndërtesë dhe brenda këtij intervali kohe ishte bërë dëshmitar i mjaft ndodhive…

Një shok i yni, specialist psikiatrie, duke bërë këtu detyrën e oficerit të rezervës, më pat treguar kështu një ngjarje për të cilën ishte bërë dëshmitar dikur. “Diku thirrnin xhindet duke përdorur filxhan i cili u përgjigjej pyetjeve tona duke iu drejtuar shkronjave të caktuara. Unë vura gishtin mbi filxhanin dhe pashë se filloi të lëvizte. Ndoqa me kujdes lëvizjen e filxhanit. Ndërkaq, në një pauzë gjatë thirrjes së shpirtrave, erdhi djalli. E pyetëm: Kush je? Djalli – shkroi dhe në u rrëqethëm. Kishte ardhur armiku i përjetshëm i njerëzimit që nga koha e Hz. Ademit, madje i paftuar. Më erdhi ndërmend diçka dhe i thashë:

-A do të më ndiqje po të lexoja çeshtjen e gjashtë të Mejvesë?(23)
-Po të dëgjoj, -më tha dhe unë ia fillova leximit.

Dhe si: në një qytet-mrekulli shëtisnin në çdo vend duke i vënë në lëvizje miliona llamba elektrike dhe fabrikat e tij të tilla që s’u mbarohet lenda djegëse, e bëjnë të njohur me mahnitje dhe urime një usta mrekullibërës dhe një elektricist jashtëzakonisht të fuqishëm i cili e adminisrton elektricitetin me tetë lëndët inkadeshente. I bën ta duan me mundësinë për të jetuar.

-Si t’u duk? –E pyeta.
-Mirë, bukur!
Kurse unë vazhdova të lexoj:

Po ashtu edhe llambat-yje në tavanin e pallatit-botë në qytetin e kësaj gjithësie, megjithëse një pjesë janë një mijë herë më të mëdha se globi tokësor po të shihej ç’thotë kozmografia dhe lëvizin me një nxitim shtatëdhjetë herë më të madh se sa gjylja e topit, nuk e prishin rregullsinë, nuk përlasen me njëri-tjetrin, nuk shuhen, nuk konsumohen lëndët djegëse. Sipas thënies së kozmografisë që kemi lexuar për vazhdimësinë e ndriçimit të diellit tonë një milion herë më të madh se globi tokësor që jeton prej mëse një milion vjetësh dhe që në këtë shtëpi pritjeje të Mëshiruesit(24) është llambë e sobë, çdo ditë duhen karburant sa detrat e tokës dhe grumbuj druri sa malet e saj që të mos i mban të ndezur pa karburant, pa dru, pa qymyr atë (diellin) dhe yje të lartë si ai, që shëtit me shpejtësi së bashku pa u përplasur me njëri-tjetrin, e tregojnë me gishta drite llambat elektrike të pallatit të qytit-botë në qytetin-mrekulli të kësaj gjithësie, të cilat janë s më të mëdhenj e më të përsosur se ai shembull… Në atë raport, në atë nivel, me atë shkallë elektrike që lexuat ose do të lexoni, do t’u bëhet i njohur Sovrani i kësaj gjithësie-shesh të madh, i Ndritshmi, Parashikuesi, Artisti, me dëshmitar ato yje ndriçues. Të bën ta duash me konsidetarë e respekt. Të nxit për përkushtim.

Jo, jo! –Shkroi duke dalë ashpërsisht kundër kësaj.
-Tani dëgjo mirë!

Ashtu si në një barnatore ku në çdo kavanoz ka pomada dhe qetësues jetëdhënës të përgatitur sipas rregullave të veçanta e të imta. Pa dyshim, kjo tregon për një farmacist dukshëm të zotin, mjeshtër dhe kimist.

-Në rregull?
-Në rregull.

Ashtu edhe katërqind mijë lloje bimësh e kafshësh që gjenden në farmacinë e globit tokësor, me anë të vlerës së pomadave dhe qetësuesve jetëdhënës nëpër kavanozat, në atë raport sa do të jenë ato të përsosura ndaj atyre të barnatores së tregut, do t’ua tregojnë dhe bëjnë të njohur, -madje edhe për qorrat, -farmacistin e barnatores së madhe të globit tokësor, atë Gjykatësin e Madh, me kriteret shkencore-mjekësore me të cilat lexuat ju…” Pa qenë e nevojshme të pyesja për diçka, i mëshoi kundërshtimit:

-Jo,jo!…

Ndërsa unë lexoja, vazhdimisht iu përgjigj me po shembujve kurse me jo të vërtetave që tregonin shembujt. Pastaj i propozova: A ta lexojmë Xhevshenin?(25) Ndërsa lexoja Xhevshen’ul-kebir-in, vura dorën mbi filxhan: aq shpejt lëvizte , sa nuk e përmbajta dot as me gisht. Në një moment ra. Dhe në një moment tjetër shkroi: Lere këtë llomotitje…

Në lidhje me këtë, një individualitet i madh thotë: Në këtë shekull, një pjesë njerëzish, po të hedhin veshjen trupore, bëhen djaj. Edhe djajtë, po të trupëzohen, kthehen e bëhen si një pjesë njerëzish të kësaj periudhë. Po të vërehët me kujdes, pohimet përcaktimet dhe shprehjet e njerëzve e të djajve-xhindër janë gjithmonë të njëjta: “Lere këtë llomotitje… Sa u ngjet atyre shprehjeve të formave të tyre njerëzore!…

Thërrasim shpirtra –thonë disa, por, në të vërtetë, ka shumë mundësi që të ardhurit të jenë xhinde. E, kështu, ata u bëhen maskë xhindeve e djajve. Kur kjo punë bëhet shkak ndoshta për gjëra të dobishme. Bëmat e këtyre të sotmëve s’janë gjë tjetër maskarallëk…


1) Trajta e fjlalës në arabisht: xhinn
2) Në origjinal:ism-i mef’iul (arab.) emër foljor i formuar nganjë folje e kohës së shkuar.
3) Në origjinal mestur-mesture (nga arab.): i mbuluar, i fshehur,i mbyllur. (Terminologji: tahsisat-i mesture, pagesë e mbuluar (turq. örtulü ödenek), pagesë e bërë në emër të qeverisë për veprimtari të konsideruara sekret shtetëror.
4) Xhennet: parajsë
5) Në origjinal: Allahu a’lem (arab.)
6) Në origjinal: Asfijà (arab), Individualitet e lartësuar n ëkompetencën e kompleksit të çështjeve që pasonin profetësinë dhe dogmën, ata që e trashëguan dhe e çuan më tej profetësinë nëtë gjitha fushat.
7) Në origjinal: alem-i shehadet: (osm.) bota jonë konkrete, e dëshmisë…
8) Në origjinal: ukde-i hajatije (osm.)
9) Në origjinal: xhins, racë specie
10) Në origjinal: numuv (arab.)
11) Në origjinal: neshn’u nema (osm.)
12) Është fjala për Said Nursi, i mbiquajtur Bediuzzaman (1873-1960). Vepra e tij, seria Fletoret filozofike (Risale-i Nur)
13) Në origjinal: sevk-i ilahi (osm.)
14) Në origjinal: hykymferma: ligj urdhërues, shtytës (arab-pers)
15) Zeqat: 1/40 e pasurisë së zhveshur nga detyrimet
16) Në origjinal: berzah alemi, bota e varrit si faza kalimtare midis kësaj bote dhe asaj shpirtërore.
17) Në origjinal: mir’at-i ruh (arab.)
18) Në origjinal: kaabilijet ve istidat (arab.)
19) Metapsikike: këtu: veprimtari në fushën përtej psikikës.
20) Në origjinal, përkatësisht: Ruh ve madde, Ruh dynjasi (turq.)
21) Në origjinal: Ahizaman (arab.)epoka e fundit e njerëzimit, pas së cilës vjen kiameti-katastrofa dhe ringjallja.
22) Mejve: është fjala për një vepër të S. Nursiut
23) Është një shpjegim mistik kuptimi i të cilit del n evpër
24) Në origjinal: misafirhane-i Rahmanije (osm.)
25) Xhevshen: Porosi Hyjnore, lutje.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Ç’është xhindi?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA