Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Docly

Si i afrohet shejtani njeriut?

Estimated reading: 6 minutes 27 views

Një i urtë ka thënë: “Kam menduar dhe jam munduar të zbuloj se në çfarë mënyre shejtani i vjen njeriut, dhe kam zbuluar se ai vjen prej dhjetë drejtimeve dhe më se dhjetë gjërave:

  1. Ai i afrohet përmes makutërisë dhe mendimit të keq. Aty e kam pritur me bindje të fortë dhe i kënaqur me atë që kam. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj, Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj (pas vdekjes). Të gjitha këto janë në librin e njohur (Levhi Mahfudh)” (Hud, 6). Me këtë e kam ngadhënjyer.
  2. Pastaj shejtani i afrohet njeriut nga drejtimi i dëshirës për të jetuar dhe shpresës afatgjatë. E kam pritur me frikë nga vdekja e befasishme. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “Dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë” (Llukman, 34), dhe kështu e kam ngadhënjyer në atë drejtim të sulmit të tij.
  3. I afrohet nga drejtimi i synimit për jetë luksoze dhe pushim. E kam pritur i vetëdijshëm për kënaqësitë kalimtare të dynjasë dhe për dhënien e keqe të llogarive. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe unë e gjeta se ai ajet është: “Lëri (Muhammed) ata të hanë, të dëfrehen dhe t’i preokupojë shpresa (se do të jetojnë shumë), e më vonë do të kuptojnë” (Hixhr, 3). “Po më thuaj se edhe nëse Ne u japim të jetojnë vite me radhë, e pastaj t’u vijë atyre ajo me çka u tërhiqet vërejtja, çka do t’u vlejë atyre ajo jetë që gëzuan?” (Shu’ara, 205-207).
  4. I afrohet nga ana e magjepsjes dhe vetëkënaqësisë. E kam pritur me vdekje dhe me frikë nga përfundimi i keq i jetës. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “E prej tyre (të tubuarve), ka fatzi dhe fatbardhë” (Hud, 105). Pasi që nuk e di se cilit grup prej këtyre i takoj, ashtu e kam thyer.
  5. Shejtani vjen nga ana e përbuzjes dhe mospërfilljes së vëllezërve dhe njerëzve tjerë, andaj e kam pritur në mënyrën që e kam ditur vlerën e tyre. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “Ndërsa e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë” (Munafikunë, 8), dhe në këtë mënyrë e kam thyer.
  6. E kam parë se vjen nga drejtimi i zilisë, andaj e kam pritur me drejtësi dhe duke ua ndarë të mirat dhe begatitë e Allahut krijesave të Tij. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë” (Zuhruf, 32), edhe në këtë mënyrë e kam ngadhënjyer.
  7. Shejtani njeriut i afrohet nga drejtimi i dëshirës për t’u treguar para të tjerëve (për rija) dhe për t’u kënaqur me lëvdatat e njerëzve. E kam pritur me ihlas – me përkushtim të plotë dhe sinqeritet. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “E kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd!” (Kehf, 110). Njeriu, pra, duhet të jetë i përkushtuar sinqerisht, edhe kështu e kam ngadhënjyer.
  8. E kam parë se vjen nga ana e koprracisë. E kam pritur duke qenë indiferent ndaj asaj që kanë njerëzit dhe i vetëdijshëm se ajo do të shkatërrohet dhe zhduket, e ajo që është tek Allahu do të jetë e përhershme. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është tek Allahu është e përjetshme” (Nahl, 96), edhe me këtë e kam ngadhënjyer.
  9. E kam parë se vjen nga ana e mendjemadhësisë, andaj e kam pritur me modesti dhe i pendueshëm. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë’ (Huxhurat, 13), dhe kështu e kam ngadhënjyer.
  10. E kam parë se vjen nga ana e lakmisë, andaj e kam pritur i pashpresë për atë që është te njerëzit dhe me bindje të fortë në atë që është tek Allahu. Kam menduar për ajetin i cili do të mund të më ndihmonte në atë drejtim dhe e gjeta se ai ajet është: “Kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare” (Talak, 2-3).

Nga: urte.al

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

PËRMBAJTJA