Cilat janë gradët e nefsit të njeriut sipas fesë Islame?
Të njohësh nefsin dhe shtatë gradët e tij do të thotë të shikosh nga larg gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhet njeriu. Këto janë njëkohësisht edhe shtatë gradët e zhvillimit shpirtëror, duke filluar nga gjendja e dominimit të tij të plotë dhe egoizmit deri te niveli i pastrimit të plotë.
a. Nefsi i cili urdhëron (nefsi emmare)
Në Kur’anin fisnik thuhet: “…epshi është shumë nxitës për të keqen…”[1] Në gradën e parë, nefsi përshkruhet si urdhërues (nefsi emmare), i cili dominon dhe kontrollon individin.Në këtë nivel ekziston egoizëm kulmor, pa kurrfarë ndjenje të moralit dhe mëshirës.Ky nivel i nefsit, përshkruhet ngjashëm me idin në teorinë psikoanalitike, i lidhur ngushtë me epshe dhe agresivitet. Në këtë nivel nefsi është i ekspozuar ndaj tërbimit, lakmisë, epsheve pakufi dhe zilisë. Në këtë nivel njerëzit sillen sikur i sëmuri, i cili nuk pranon faktin se është i sëmurë. Me veprimet e tyre dominojnë sjelljet shtazarake si dhe veset e liga, të cilat është e pamundur të çrrënjosen.
b. Nefsi i cili pendohet (nefsi levvame)
Nefsi i cili pendohet (nefsi levvame), i cili përmendet në Kur’an: “Betohen në shpirtin që është shumë qortues”.[2] Përderisa njerëzit në gradën e parë gjenden në indiferencë të thellë dhe pa vetëdije, në këtë nivel vetëdija fillon të zgjohet kur ndriçohet me dritën e fesë. Për herë
të parë, nefsi bëhet i vetëdijshëm për pasojat shkatërruese të cilësive të këqija të tij. Në këtë nivel ende mbizotërojnë dëshirat e natyrës së ulët, por këtu, kohë pas kohe, fillojmë të ndiejmë pendim dhe mundohemi të pasojmë impulset e natyrës sonë më të lartë. Një dijetar ka thënë:
“Tek ne zhvillohet lufta e përhershme në mes të natyrës sonë të ulët dhe të lartë. Kjo vazhdon tërë jetën. Nuk e dimë kush do të fitojë. Nuk e dimë kush do të bëhet zotërues i jetës sonë. Nëse ngadhënjen mendja, do të bëhemi besimtarë të sinqertë dhe do ta pranojmë të vërtetën. Por, nëse cilësitë e ulëta e mbizotërojnë mendjen tonë, atëherë me siguri do ta hedhim të vërtetën.”
Në këtë nivel njeriu ende nuk ka fuqi të mjaftueshme që të ndryshojë mënyrën e jetës së tij. Por, ai tani i vëren qartë gabimet e tij, tek ai zgjohet pendimi dhe dëshira për ndryshim. Ky tani mund të krahasohet me të sëmurin i cili fillon të kuptojë seriozitetin e sëmundjes së tij dhe ndjen dhembjen që i ka shkaktuar vetes dhe të tjerëve. Mirëpo, sëmundja e tij ende është e fuqishme për t’u shëruar tërësisht. Për këtë i nevojitet një ilaç shumë më i fortë.
c. Nefsi i frymëzimit (nefsi mulhime)
Në Kur’anin fisnik thuhet: “Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij”.[3]
Në këtë nivel udhëtari në rrugën e vërtetë fillon të ndiejë dhe përjetojë kënaqësi në namaz, meditim, dhe në aktivitetet tjera shpirtërore. Tani përjeton kënaqësi të veçantë të përvojës shpirtërore dhe motivohet me vlerat e larta morale dhe idealet e urtësisë, mirësisë dhe shërbimit. Deri në këtë periudhë besimtari i kupton dhe kryen detyrat fetare në mënyrë sipërfaqësore dhe mekanike. Edhe pse individi ende nuk është liruar nga të gjitha dëshirat, ai në këtë nivel të frymëzimit dhe përvojës shpirtërore zvogëlon dukshëm fuqinë e nefsit. Nëse frymëzimi nuk përqendrohet në zemër të udhëtarit shpirtëror, ekziston rreziku që kjo të shuhet dhe tërësisht të zhduket. Nefsi i frymëzuar (nefsi mulhime) karakterizohet me dashuri, dhembshuri, mirësi dhe moral. Pra, njeriu në këtë nivel të frymëzimit duket i pjekur në sferën emotive, respekton të tjerët dhe është i respektuar nga të tjerët.
d. Nefsi i qetësuar (nefsi mutmeinne)
Në Kur’anin fisnik thuhet: “O ti shpirt i bindur plotësisht…”[4] Udhëtari shpirtëror në këtë periudhë ka arritur gjendjen e qetësisë. E tërë lufta e cila ka qenë e vazhdueshme në nivelet e mëparshme, praktikisht ndalet. Këtu tani njeriun nuk e lidhin dëshirat e vjetra dhe prangat.
Natyra e egos fillon të shuhet dhe besimtari fillon t’i afrohet Allahut të Madhërishëm. Në këtë nivel, udhëtarin shpirtëror e karakterizojnë liria e mendimit, falënderimi dhe besnikëria. Tani ai i pranon me qetësi të mirat dhe të keqen. Nefsi i tij fillon të lirohet nga të gjithat brengat e deritanishme që e kanë penguar në rrugëtim.Këtu, në këtë nivel, qartazi fuqizohet procesi i riintegrimit në qenien universale të Allahut xh.sh.
e. Shpirti i kënaqur (radija)
Në Kur’anin fisnik thuhet: “Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur…”[5] Në këtë nivel, individi pranon i qetë çdo gjë që i ndodh, në brendi ndien kënaqësi të përhershme, madje edhe në vështirësi dhe peripeci të ndryshme të jetës. Ai tani, në fshehtësinë e zemrës së tij, kupton thellë, se çdo gjë e këndshme apo e pakëndshme vjen nga Allahu i Madhërishëm. Shpirti i kënaqur (radija) nuk frikësohet nga dhembjet. Kur dashuria dhe falënderimi ndaj Allahut xh.sh, arrin në këtë nivel, ai ka arritur shkallën e shpirtit të kënaqur (radija).
f. Shpirti me të cilin Allahu është i kënaqur (merdijja)
Në Kur’anin fisnik thuhet:“…dhe ai i kënaqur….”[6] Ata që arrijnë këtë shkallë, në fshehtësinë e zemrës së tyre kuptojnë se fuqia e cila na lëviz vjen nga Allahu i Madhërishëm, dhe është e pamundur të veprojmë me forcën tonë. Këta nuk i frikësohen askujt dhe nuk kërkojnë asgjë prej diçkaje tjetër.Ibn Arabiu e përshkruan këtë nivel si martesë e brendshme në mes nefsit dhe ruhit (shpirtit). Allahu i Madhërishëm është i kënaqur me këtë njeri dhe ky ka arritur teuhidin e brendshëm.
g. Shpirti i pastruar (Safija)
Ata të paktë besimtarë që e kanë arritur këtë shkallë, tërësisht e kanë tejkaluar nefsin e tyre. Nefsi i tyre është zhytur në detin e teuhidit (njëshmërisë) së Allahut xh.sh. Në këtë nivel besimtari ka arritur të vërtetën e thënies ‘la ilahe il-lall-llah’ – (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut!). Ai tani me tërë qenien e tij e di që nuk ekziston asgjë tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Vetëm Ai xh.sh, ekziston dhe çdo ndjenjë e individualitetit dhe ndarjes është imagjinatë dhe iluzion.
[1] Kur’an, Jusuf: 53
[2] Kur’an, Kijame: 2
[3] Kur’an, Shems: 8
[4] Kur’an, Fexhr: 27
[5] Kur’an, Fexhr: 28
[6] Kur’an, Fexhr: 27
Nga: urtesi.al