Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Sahabët

Si kanë qenë marrëdhëniet e Aliut të nderuar (r.a.) me tre kalifët e tjerë?

Estimated reading: 21 minutes 194 views

Që të mund të bëjmë vlerësime të drejta, në radhë të parë duhet t’i njohim shumë mirë, fillimisht Aliun e nderuar (r.a.), mandej edhe tre kalifët. Sepse çdo fjalë e konsumuar pa u njohur këto personalitete kaq të pashoqe, me të gjitha thellësitë dhe përmbajtjet e tyre, do të hapë shtigje për komentime nga më të ndryshmet, e këto të fundit do të çojnë mandej në gjithfarë përfundimesh të gabuara. Tani, nëse më lejoni, të përpiqemi që t’i njohim pak më nga afër Katër Kalifët, duke treguar disa ndodhi të shkëputura nga jetët e tyre marramendëse.

Kurora e zinxhirit të artë

Aliu i nderuar (r.a.), si para profetësisë së Profetit tonë të dashur (s.a.s.), si pas saj, është njeriu që ka ndenjur më shumë nën edukimin e Tij. Ai u martua me Fatimen e nderuar (r.a.), për të cilën Profeti ynë (s.a.s.) qe shprehur: “Fatimja është një pjesë e imja. Kush e mërzit atë, më ka mërzitur mua.” (Buhari, Fedailu’l-as’hab, 12), dhe kësodore kreu edhe një tjetër lidhje afrimiteti me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Profeti Muhamed (s.a.s.) pati hyrë e dalë shpesh në shtëpinë e tyre, pati ndenjur me ta ditë e natë, ku i pëlqente që të shkonte të shihte e të përkëdhelte nipërit e Tij. Kështu që, Aliu i nderuar (r.a.) ka pasur përherë mundësinë që t’u japë ndjesive të tija frymëmarrje pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Veç kësaj, në po atë shtëpi patën lindur nipërit e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), prej të cilëve ka vazhduar edhe zinxhiri i pasuesve. Hasani i nderuar qe bërë babai i sherifëve, ndërsa Hyseni i nderuar qe bërë babai i sejjidëve, që mbart një vlerë krejt të veçantë kur vazhdon mandej me të tjerë trashëgimtarë, si Ebu’l Hasan Shazeliu, Ahmed Rufaiu, Abdulkadir Gejlani apo Muhamed Bahaudin Nakshibendi, të cilët ishin kupola e të gjithë njerëzve të lartë.

“Po të mos ishte Ebu Bekri, nuk do të kishte Islam!”

Mirëpo, edhe kalifët e tjerë kanë karakteristikat e tyre të veçanta dhe dalluese. Për shembull, është shumë e rëndësishme mënyra se si Ebu Bekri i nderuar (r.a.) ka shërbyer si mburojë për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Mbrojtja e tij e parë e të Dërguarit të Allahut, përballja me të gjitha rreziqet që u dolën përballë në rrugën e Hixhretit ndërsa ishin bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), që sa e sa herë u hodh përpara të gjithë atyre që donin t’i bënin keq, duke i folur si besimtari përballë Faraonit: “Mos doni ta vrisni vetëm pse thotë se Zoti im është Allahu.” (Gafir, 40/28), janë vetëm disa prej ndodhive më kryesore. (Shih: Buhari, fedailu’s-sahabe, 5). Vlerën e një guri të çmuar nuk mund ta njohë dikush që nuk është sarafi i atij guri. Nga ky këndvështrim, Aliu i nderuar (r.a.), me fjalët: “Nëse nuk do të ishte Ebu Bekri (r.a.), nuk do të kishte as Islam.” (ed-Dejlemi, el-Musned, 3/358), ka zënë vendin e parë ndër ata që e vlerësonin Ebu Bekrin besnik (r.a.). Ndërsa në një tjetër rast, Aliu i nderuar (r.a.) e pati përshkruar me këto fjalë madhështinë e Ebu Bekrit (r.a.): “Një natë e Ebu Bekrit është sa një jetë e jona.”

Bedena të pakalueshme që ndajnë të drejtën nga e gabuara

Edhe Omeri i nderuar (r.a.) ka disa veçori të tijat, të cilat e dallojnë prej të tjerëve. Ai ka kryer gjatë gjithë periudhës së kalifatit të tij detyrën e një muri ndarës që mbronte nga çdo lloj shpifjeje a nxitjeje që rrezikonte njësinë e Islamit. Veç kësaj, ai pati rrëzuar dy superfuqitë botërore të asaj kohe, Bizantin dhe Persët, duke u bërë shkas kësodore për nderimin e shumë e shumë njerëzve me Islamin. Në kohën që Irani u dorëzua, në luftën e Kadisijes, brenda tyre filloi të ndjehet njëfarë hakërrimi. Bediuzaman Said Nursiu e ka shprehur qëllimin e vërtetë të tyre me këto fjalë: “Jo dashuri për Aliun (r.a.), por mllef karshi Omerit (r.a.)” (Lem’alar, fq. 29-30).

Aliu i nderuar (r.a.), ngase ia dinte mjaft mirë të gjitha veçoritë, gjatë gjithë kohës së prijësisë së tyre ka kryer atë detyrë që ne më vonë e kemi quajtur shejhul-islam.[1] Domethënë, që të dy këta kalifë, në çdo rast që është nevojitur këshilla për ndonjë çështje të caktuar, kanë shkuar pranë tij për t’u këshilluar. Ka shumë pyetje që janë bërë prej Omerit të nderuar (r.a.), dhe shumë këshilla që janë dhënë prej Aliut të nderuar (r.a.). Për shembull, në librat e hadithit kalon një ngjarje, e cila është tejet domethënëse përsa i përket pasqyrimit të lidhjes mes Omerit dhe Aliut të nderuar (r.a.). Ndërsa Omeri i nderuar (r.a.) e puthte Haxheru’l-Esuedin, i drejtohej gurit dhe i thoshte: “Unë e di që ti je një gur. Nuk sjell as mbarësi e as prapësi. Nëse nuk do të kisha parë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) ndërsa të puthte, nuk do të të puthja.”, Aliu i nderuar (r.a.) me qetësinë më të veçantë i thoshte: “Po ta dije urtësinë e atij guri, nuk e thoshe atë fjalë, o Omer.” E kësaj radhe përgjigja që jepte Omeri (r.a.) ishte më e pashoqe: “Po të mos ishte Aliu, Omeri rrënohej.” (Hakim, Mustedrek, 1/628). Siç duket, ata ishin njerëz që njiheshin mjaft mirë ndër vedi, dhe po aq mirë dinin edhe ta vlerësonin njëri-tjetrin.

“Po të kisha edhe një vajzë tjetër, edhe atë ia jepja”

Osmani i nderuar (r.a.), gjithashtu, ka një thellësi, një sqimë të veçantë, që i përket vetëm atij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka martuar me të njërën prej vajzave të Tij, dhe pasi ajo pati ndërruar jetë, i pati dhënë edhe një tjetër. E ndërsa ndodhte të flitej për këtë çështje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shprehej: “Po të kisha edhe një vajzë tjetër, edhe atë ia jepja.” Është mjaft e rëndësishme të shikohet se si Osmani i nderuar (r.a.) e ka administruar shtetin në paqe të plotë pikërisht në një kohë kur brenda botës islame kishin filluar të rridhnin gjithfarë mendimesh të huaja.

Thellësi të ndryshme, veçori të ndryshme

Tani, çdonjëri prej tyre kishte epërsi në veçori specifike. Prandaj, ta vështrosh secilin prej tyre sipas karakterit të vet, sipas pozitave të ndryshme, vlerave dhe aftësive individuale, të jep menjëherë përshtypjen se tek secili prej tyre pasqyrohet dhe përfaqësohet nga një veti e veçantë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Andaj atyre u është thënë: Ebu Bekrit (r.a.) “besnik”, Omerit (r.a.) “faruk”, e cila ka kuptimin e drejtësisë së ndarjes së të drejtës nga e gabuara sikur të ishe duke ndarë një fije floku në dyzet pjesë, apo Osmanit (r.a.) “dhin’nurejn”, e Aliut të nderuar (r.a.), prijës i gjithë njerëzve të lartë, dhëndër profetik, apo shpatë e palëkundur. Ata kanë qenë, secili për veçorinë e tij, njerëz të paarritshëm. Megjithëse përdorimi i fjalës “i lartësuar” mund të mos jetë i drejtë kur bëhet fjalë për njerëzit, për ta mund të thuhet se janë të pajisur me disa veti, të cilat janë të paarritshme, kësisoj të pashoqe, edhe për njerëzit e tjerë. Për shembull, nuk mund të ketë shok të tyre përsa i përket detyrës së administrimit apo drejtimit të një shteti a shoqërie. Aq veçori sa është e pamundur të përmenden të gjitha këtu i bëjnë atë të jenë njerëz me pozitën e një bote më vete. Siç e dini, Krenaria e Njerëzimit (s.a.s.) në krye të dhjetë sahabëve të nderuar me Xhenet që në këtë jetë (Ashere mubesh’shere) ka renditur pikërisht këta katër kalifë të mëdhenj. Nga ky këndvështrim, të qenët e tyre, Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit apo Aliut (r.a.), të zgjedhur për Xhenet, e bën akoma më të domosdoshme që jetët e tyre të hulumtohen me kujdes deri në imtësitë më të vogla.

Pretendime dhe shpifje të pabaza

Nëse do të hedhim një vështrim gjithëpërfshirës, të tregosh Aliun (r.a.) si të përkundërt me Ebu Bekrin apo Omerin (r.a.), duke thënë se ndërsa ai ka përfaqësuar drejtësinë, të tjerët janë treguar të padrejtë, është një fyerje e pafalshme karshi vetë Aliut të nderuar (r.a.). Sepse një njeri aq trim dhe guximtar sa ai, që nuk i trembej syri prej asgjëje, është e pamundur që t’u bindej verbërisht Ebu Bekrit apo Omerit (r.a.), nëse ata do të ishin duke vepruar padrejtësisht. Ai ishte një njeri pa kurrfarë dobësie. Ishte një nga ata që shkonin drejt vdekjes duke buzëqeshur, siç e pati treguar edhe në Hajber. Në një fjalë, që thuhet se është e Profetit tonë të dashur (s.a.s.), thuhet: “Nuk gjendet trim si Aliu, e as shpatë si Zylfiqari.”(Ibni Asakir, Tarihu-Dimeshk, 39/201). Tani, të pretendosh se një njeri i këtillë, si Aliu i nderuar (r.a.) i ka duruar, si Ebu Bekrin ashtu edhe Omerin (r.a.), duke u buzëqeshur e duke ia kaluar mirë duke bërë një sy qorr e një vesh shurdh, është një fyerje dhe një paturpësi e kryer ndaj shpirtit të vetë Aliut (r.a.). Është mëse e domosdoshme që të thuhet se këto fjalë janë edhe në vetvete të paqëndrueshme.

Nga ana tjetër, nëse do t’i afrohemi kësaj çështjeje nga ana e faktit se Profeti ynë i dashur (s.a.s.) i ka mbajtur pranë gjatë gjithë jetës së tij, Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin dhe Aliun (Zoti qoftë i kënaqur prej të gjithë atyre), nuk do harruar se çdo fjalë e harxhuar pavend për njërin prej tyre, apo çdo qasje negative, do të ishte njëherazi edhe fyerje ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Sepse nga një pretendim i këtillë del pastaj, – hasha ue kel’la – se këta njerëz vepronin edhe për llogari të vetat individuale, e ai Shpirt i Qashtër (alejhi elfu elfi salatin ue selam) nuk i njihte mirë fare, e nuk ishte në dijeni të saj, që edhe kjo është një paturpësi akoma më e madhe. Kur, në fakt, një prej thellësive më të veçanta të zgjuarsisë së tij ishte se Ai (s.a.s.) i njihte më së miri njerëzit që e rrethonin, të cilëve u jepte përherë detyrat më të përshtatshme për ta. Njëherë ta shihte dikë në fytyrë, e përkapet menjëherë se ç’punë do të kryente më mirë, dhe sipas saj e ngarkonte me ndonjë detyrë.

Po, të thuash se Profeti fisnik (s.a.s.), që kur iu shpall profetësia e deri në kohën që do të rrugëtonte drejt horizontit të shpirtit, drejt qiejve, vendqëndrimit të vërtetë, nuk i njihte mjaft mirë njerëzit më të afërt, sepse nuk ua kuptonte të gjitha sjelljet dhe reagimet, është produkt i një mangësie të madhe në arsyetim. Kur në fakt, ajo që nxjerr arsyeja dhe mendimi i qëndrueshëm së këndejmi është që të pranohen dhe respektohen të gjithë ata njerëz që janë pranuar dhe respektuar prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i ka përmendur virtytet e sahabëve të Tij në shumë e shumë hadithe. Madje, edhe në libra të ndryshëm të hadithit do të shihni krerë të veçantë për virtyte të caktuara të shembujzuara në jetët e sahabëve të ndryshëm. Për ta kuptuar më mirë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na është shprehur kësisoj në një hadith tijin: “Sahabët e mi janë si yjet. Pas kujtdo që të kapeni, veç udhëzimin gjeni.” (Alijukari, Esraru’l-merfua, fq. 388), duke na tërhequr vëmendjen për pozitën e paarritshme të sahabëve fisnikë.

Të mendosh keq për njerëz të atillë, të cilët Krenaria e Universit i ka kapur për dore duke thënë: “Ja, kështu do të ringjallemi ne në jetën e përtejme.”; për të cilët ka thënë, se dy mëkëmbës në qiej dhe dy mëkëmbës, duke pasur parasysh si mëkëmbës në tokë Ebu Bekrin dhe Omerin e nderuar (r.a.), ndërsa në qiej Xhebrailin Mikailin (Hakim, Mustedrek, 2/290), buron prej mosnjohjes, as të atyre, e as të vetë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Veç kësaj, nuk është mjaftuar me kaq, por Profeti ynë i dashur, Muhamedi (s.a.s.) është martuar me bijat e Ebu Bekrit dhe Omerit (r.a.), ndërsa Osmanit dhe Aliut (r.a.) u ka dhënë bijat e tij të bekuara për t’u martuar, duke krijuar mes tyre një afri akoma më të thellë. Nëse do ta kundronim këtë fakt sipas pikëvështrimit të veprës Fususu’l Hikem të Muhjidin ibni Arabiut, përsa i përket interpretimit të imtë, do të shihni se marrja dhe dhënia e vajzave kanë domethënie të ndryshme. Mirëpo, ne ngase jemi njerëz të cekët për t’i kapur përmbajtjet siç janë, unë do ta prek pak cekëtazi, e do të mundohem të flas për to pa u futur në imtësi.

Ndikimi i një zgjatimi të qendrës në periferi

Megjithatë, si të ketë ngjarë, në një kohë filluan të shëtisnin gjithfarë përçartjesh për këta individualitete. Ngase nuk janë vërejtur mirë që në qendër, për njëfarë kohe ato nuk janë përkapur fare. Mirëpo një zgjatim i vogël që ndodh në qendër, përhapet me një rreze më të gjerë dhe më shpejt drejt periferisë. Asisoj që me kalimin e kohës rrezja zgjerohet deri në një pikë saqë disa janë çuar, dhe – hasha – kanë thënë se Aliu i nderuar (r.a.) është mohues, ndërsa disa të tjerë e kanë shkuar jetën e tyre duke menduar se gjoja duan Aliun (r.a.), por kanë kaluar jetët e tyre duke urryer Ebu Bekrin (r.a.) dhe Omerin (r.a.). Ata e kanë përdorur emrin e Aliut të nderuar (r.a.) për t’i mbështetur diku, në ndonjë burim apo shtyllë, armiqësitë dhe urrejtjen e tyre, madje kanë mbërritur deri në teprime sa ta përmendin atë me lloj-lloj cilësorësh, të cilët ai vetë nuk do t’i pranonte asnjëherë. Si pasojë e kësaj fryme kanë lindur edhe sekte të atilla sa të flasin përçartë për shpirt të shenjtë. Pas të gjitha sekteve të lindura që në fillime, apo pretendimeve të individëve si mehdinj, si në rastin e Hasan Sabahut, Karmatijve, Ismailijve apo Nusajrijve, qëndrojnë pikërisht këto lloj pretendimesh karshi Aliut të nderuar (r.a.).

Megjithëse kritikohet përsa i përket kritereve të hadithit, Bediuzaman Said Nursiu flet për një hadith, ku i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka paralajmëruar se dy kategori njerëzish do të shkatërroheshin për shkak të Aliut të nderuar (r.a.). Njëra prej këtyre kategorive, – hasha – ata që e ulin atë në fronin e hyjnitetit, ndërsa tjetra, – hasha – ata, që për një arsye krejt të thjeshtë, e shohin si mohues, të cilët do të ngrihen derisa të ndjejnë urrejtje dhe mllef për të, aq sa një ditë ta vrasin. Dhe pati ardhur dita kur persët, për të futur ngatërresat ndërmjet myslimanëve, patën mohuar Ebu Bekrin dhe Omerin e nderuar (r.a.), aq sa urrejtja i pati bërë që t’u jepnin atyre emrat e dy idhujve, xhibt dhe ta’ut, kurse për nënën tonë të pashoqe, Aishen e nderuar (r.a.), patën përhapur lloj-lloj shpifjesh.

Kode kulturore që ushqejnë mllef dhe urrejtje

Njerëzit që gjenden sot në një lajthitje të këtillë nuk i shprehin hapur idetë e tyre, ndoshta prej gjendjes së përgjithshme të Islamit, apo prej koniukturave dhe marrëdhënieve të caktuara ndërkombëtare, mirëpo nëse do të vërehen me kujdes mllefi dhe urrejtja që ata shfaqin ndonjëherë me anë veprimesh të ndryshme, kuptohet që ata nuk i kanë hedhur dot mënjanë disa skorje, ose nuk kanë shpëtuar dot prej ambientit kulturor ku janë pjekur, duke lënë të kuptohet që kjo është jashtëzakonisht e vështirë. Sepse ata kanë ndërtuar metodologji, me anë të cilave mandej kanë shkruar libra, të cilat kanë shtyrë pastaj që edhe besimi apo bindjet e tyre të përparojë në këtë kah. Nëse do të studiohet me kujdes libri “Usulu Hamse” i Kadi Abdulxhebbarit, aty gjenden të përmbledhura të gjitha parimet e besimit të tyre, dhe ka për t’u kuptuar menjëherë se si edhe parimin e pesë imamëve e kanë kaluar në të një imami të vetëm. Sipas këtij këndvështrimi, imami duhet të jetë medoemos nga trungu i Aliut të nderuar (r.a.). Është e pamundur që të ketë imam të ndonjë prejardhjeje tjetër. Me anë pretendimesh dhe pohimesh të këtilla ata kanë shkaktuar sa e sa përçarje të panumërta.

Në fakt, nëse Alevizmi është të duash Aliun e nderuar (r.a.), apo lidhje e fortë me Ehli Bejtin, atëherë ne të gjithë quhemi alevi. Si librat tanë të misticizmit, ashtu edhe letërsia jonë, janë dëshmitarë të këtij argumenti. Po të merren e të interpretohen imtësisht, ka për t’u parë se si janë të mbushura fund e krye me një dashuri të pashoqe për Ehli Bejtin. Mirëpo, ndërsa ndjek detajet përpiktazi, nuk mund të braktisësh ato pjesë që i përkasin etikës. Siç e kam përmendur edhe herë të tjera, unë u rrita në një familje ku ndihej thellësisht dashuria për Aliun e nderuar (r.a.). Nëse flitej për heronj, ai ishte i pari që më vinte ndërmend. E imagjinoja kur ngrinte shpatën në ndonjë betejë të ashpër, e më dukej sikur me një të goditur këpuste pesëdhjetë kokë të armiqve. Nëse kjo është ajo që paraqitet në nënndërgjegjen time, atëherë mund të thuhet lehtësisht se jam i çmendur pas Aliut të nderuar (r.a.). Dashuria për të më është rrënjosur aq thellë në shpirtin dhe mendjen time, saqë mund t’jua shpreh hapur se për një kohë e kam pasur të vështirë që t’i vendosja kalifët e tjerë në të njëjtën radhë me të.

Ndërsa, nëse vijmë tek çështja se ç’duhet të bëjmë sot; detyra jonë e sotme, pavarësisht se ç’ka ndodhur dje, është t’i zgjasim dorën tonë të ndihmës, duke u bërë mirë të gjithëve, pa dallim nëse janë alevinj, nasturinj apo surjaninj, duke i nxjerrë të kota të gjitha përpjekjet që qendra të caktuara mund t’i përdorin si argumente negative. Më parë patëm thënë këto fjalë për zgjidhjen e problemeve në Lindje: “Duhet ta shfaqim edhe njëherë shpirtin e bujarisë dhe sakrificës që është pjesë e shpirtit dhe natyrës sonë, e ta vazhdojmë atë përherë, me ndryshime po të vazhdueshme në format. Për shembull mund të organizohen programe të ndryshme në lidhje me vlerësimin e netëve të bekuara. Nëse ju, duke i përjetuar këto net në një xhami, arrini të përçoni nur edhe në natën e tyre, duke e ndriçuar errësirën, gjeni pikat e përbashkëta, atëherë jeni duke kryer një detyrë të bekuar, atë të hyrjes në zemrat e njëri-tjetrit. Krahas kësaj, prefektët, apo drejtuesit e organeve të rendit, të cilët i shohin gjërat me largpamësi, e po ashtu doktorët dhe nëpunësit e komuniteteve fetare, duhet të shkojnë atje, dhe nëse përpiqen që t’i mjekojnë plagët e njerëzve të atjeshëm, atëherë nuk ka për të ngelur më kurrfarë hapësire për ndofarë komploti. Problemi do zgjidhur me ata çelësa, për të cilët nuk ka derë që të mos hapet, siç janë dashuria e pasioni, stili i Mevlanës apo sistemi i Junus Emresë dhe gjerësia e një ndërgjegjeje universale. Po, nëse ka ndonjë gjë që mund t’i zgjidhë këto probleme që nga rrënjët, ajo është hapja e zemrave ndaj gjithkujt, e kësodore duke pasur mundësinë të hysh edhe në zemrat e të tjerëve.

Ndoshta, kur përpiqesh ta zgjidhësh këtë çështje me anë të dhunës, ajo mund të ngjajë si e mbyllur përkohësisht. Por është e pamundur që të tregosh ndonjë problem të zgjidhur me anë të dhunës gjer më sot. Edhe nëse i gjeni zgjidhje me anë të dhunës nga njëra anë, ajo ka për t’ia behur nesër ose një ditë tjetër, në një tjetër variant. Sepse, për shpifjet dhe ngatërresat mund të thuhet se gjenerohen me një si farë riinkarnimi. Kështu që, derisa të zgjidhen përfundimisht, ato do t’u dalin përballë njerëzve me rrugë nga më të ndryshmet. E nga ky këndvështrim, dhuna është një prej pengesave kryesore ndaj mendjes dhe zemrave që të gjejnë zgjidhje më të përshtatshme dhe efikase. Sepse, nëse ju ngriheni e mendoni se do të gjeni zgjidhje duke i hedhur problemet mbi shpatullat e ndokujt, atëherë nuk ka se si ta përdorni mendjen dhe arsyen në gjetjen e zgjidhjeve alternative. Patjetër që forca është e nevojshme, por vetëm kur është nën drejtimin e plotë të mendjes dhe arsyes, dhe nën kontrollin e ndërgjegjes dhe dhembshurisë. Ma merr mendja, se nëse ka pasur ndonjë problem të kësaj natyre që na transmetohet edhe nëpërmjet faqeve të historisë, edhe zgjidhja pikërisht përmes një rruge dhe botëkuptimi të këtillë është gjetur.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si kanë qenë marrëdhëniet e Aliut të nderuar (r.a.) me tre kalifët e tjerë?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA