Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Shemail (pamja)

Cfarë thotë Leon Tolstoi për Profetin Muhamed a.s

Estimated reading: 6 minutes 230 views

Fjalë të dala nga goja e shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi

Muhamedi a.s. është profeti i fesë islame, e cila përfshin dyqind milion frymë të shpërndara në çdo anë të botës.

I lartpërmenduri 570 mbas Krishtit, ka lindur në Arabi prej prindërish të varfër. Në fëmijëri ka qenë bari. Qysh në vogëli pëlqente jetën e vetmisë duke u shmangur nëpër vende të qeta (pa njerëz); tërhiqej nëpër vende të fshehta, ku mendonte një Zot të vetëm dhe shërbimin e adhurimin që i duhej bërë Atij.

Arabët që jetuan në shekullin e Muhamedit a.s. kishin shumë perëndi, të cilat i adhuronin me shpresë që të fitonin praninë e hirin e tyre. Për nder të perëndive bënin theror lloj-lloj shtazësh e bile edhe njerëz.

Duke u shtyrë në moshë Muhamedit a.s. i shtohej besimi dhe i forcohej ideja se, ‘feja’, që kishte përqafuar kombi i tij, ishte një kult i lajthitur, perënditë e tyre s’meritonin adhurim e se, një i vetëm është Ai Zot, që ka në sundim gjithësinë. Ky besim aq u ngul në shpirt të Muhamedit a.s. saqë u ngrit me thirr në këtë besim bashkatdhetarët edhe popullin e tij. I ndihmuar nga një fuqi morale, që i pati dhuruar Perëndia, Muhamedi a.s. e udhëhoqi popullin e Tij në rrugë të Zotit dhe e gremisi besimin e rremë, ndriti kombin e tij, të cilit i qenë errur sytë nga padija; i dha shkak të përmendet në ato vise paganizmi emri i Njësisë, sipas inspiracionit Hyjnor e koshiencës së vet të vaditur.

Feja e Hazreti Muhamedit mund të përmblidhet si më poshtë:

Zoti është një, veç Tij s’ka tjetër zot. Prandaj nuk është e arsyeshme me besue e me adhurue shumë zota. Zoti është Një, ka këto cilësi të veçanta: I mëshirshëm dhe i drejtë. Në fenë islame njeriu shpërblehet me veprat e veta. Sjellja e pajtueshme me ligjet fetare, d.m.th. bindja ndaj urdhrave dhe rrudhja nga ndalimet, e lumturon njeriun në jetën e pasosur. Përkundrazi, kush tërhiqet e mundet prej epsheve dhe s’iu shtrohet dispozitave fetare do të pësojë mundime në jetën tjetër.

Feja islame urdhëron me besue se çdo gjë në botë do të zhduket, amshimi (bekaja) qenia përgjithmonë është vetëm për Perëndinë; jeta e vërtetë nuk mund të fitohet pa besuar Zotin e pa plotësuar urdhrat e Tij. Gjithashtu në fenë islame njerëzit urdhërohen me dashtë Zotin e njëri-tjetrin, dashuria ndaj Zotit tregohet vetëm me të falur; dashuria ndaj të afërmit bëhet duke marrë pjesë në gëzime e mjerime e duke falur gabimet e të tjerëve.

Besimi në Zotin e në jetën e pasosur i shtrëngon myslimanët t’u shmangen ndjenjave epshore; myslimanëve u është ngarkuar barra për t’i shërbyer shpirtit e jo trupit. Ata duhet të hanë e të pinë me masë. Pijet që dehin janë të ndaluara. Fitimi e puna janë nga një detyrë.

Hazreti Muhamedi nuk ka pretenduar kurrë se është i vetmi Profet; por ka besuar e pohuar edhe profetësinë e Musait e të Isait.

Si çdo profet ashtu edhe Hazreti Muhamedi, në fillim, kur nisi të ftojë në fenë islame, u përball me mundime e vuajtje, por ato nuk mundën ta ligështonin aspak vullnetin e patundur të tij; përkundrazi i forcohej gjithnjë dëshira.

Myslimanët, shumica e të cilëve ishin arabë, dalloheshin me cilësitë e larta që kishin fituar, si: të përvuajturit, të shmangurit nga veset (takva), për aktivitetin dhe energjinë, përkorjen (mjaftimin me pakicë), përkrahjen që u jepnin bashkëfetarëve në kohë të mjerimit.

Myslimanët, me këto cilësi të lëvdueshme, brenda një kohe të shkurtër, fitonin simpatinë e nderin e anti-myslimanëve të popujve që “pushtonin” dhe kështu këta popuj vetvetiu inspiroheshin dhe pranonin fenë e tyre e me këtë mënyrë shtohej çdo ditë numri i myslimanëve.

Ka vetëm një gjë, se apostujt e Profetit të Zotit (As-habët), nuk mundnin të duronin sjelljet e paarsyeshme të paganëve; prandaj ndjenja fetare e zjarrtë që iu kishte mbuluar zemrën i shtyri t’i imponojnë Pejgamberit të përdorë forcë kundra idhujtarëve, që t’i sjellë në rrugë të Zotit.

Mos të pandehet kurrë se këta kanë lejuar derdhjen e gjakut me të vetmin qëllim që të fitojnë pasuri të kësaj jete! Jo! E lejuan luftën vetëm për një ideal të lartë, për të fituar hirin e Zotit e për të luftuar me idhujtarët që kishin humbur udhën e Perëndisë.

Përhapja e jashtëzakonshme e fesë islame brenda një kohe të shkurtër, saqë e kaloi edhe fenë e Budës e të Krishtit, predikuesit e të cilëve përmenden për mënyrën e urtësisë që përdorin kur predikojnë, nuk është kryer me shtrëngim; porse mosvështrimi me sy të mirë të kësaj jete nga ana e myslimanëve, mungesa e prirjes së tyre ndaj jetës së dynjasë, drejtësia, pastërtia e shpirtit dhe ndërgjegjja e kulluar, edhe cilësi të tjera të larta, që shiheshin ndër myslimanët, i shtynte popujt e tjerë grumbuj-grumbuj të pranojnë fenë islame.

Sjellja e mirë me izraelitë e me të krishterë e sidomos, me parinë fetare të tyre, janë prej porosive njerëzore, që karakterizojnë fenë islame e tregojnë virtytet e saj.

Kjo fe lejon besnikët e saj që të martohen me gra izraelite e të krishtera pa u cenuar lirinë fetare.

Madhështia që duket në këtë tolerancë nuk është e mbyllur dhe e fshehtë për njerëzit me mend. Muhamedi është një nga më lartat fytyra që njerëzisë i kanë bërë shërbime të mëdha. Një komb të paditur e shkëlqeu përgjithësisht me dritën e Zotit, ndaloi therjen e njeriut si kurban për Perëndinë, nuk la me derdh kot gjak njeriu, dhe me këtë mënyrë atë komb të paditur e bëri një element paqeje, ia çeli rrugën e qytetërimit e të përparimit.

Triumfi me kaq sukses të shkëlqyeshëm mund të jetë vepra e një njeriu, që është forcuar nga një anë. Prandaj ky njeri i madh doemos meriton nderime.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cfarë thotë Leon Tolstoi për Profetin Muhamed a.s

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA