Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Mrekullitë – Provat e Pejgamberisë

Si e përqoi Profeti i Njerëzimit s.a.s. mesazhin e Islamit?

Estimated reading: 4 minutes 217 views

I bindur, i sigurtë dhe i vendosur dhe pa bërë lëshime, Profeti Muhamed (s.a.s.) parashtronte mesazhe jashtëzakonisht në përshtatje me jetën. Ai ishte i sigurtë edhe për të sotmen, edhe për të ardhmen. Ai thoshte: “Nesër ju do të bëheni zotërues të të gjithë arabëve dhe shtëpia e shenjtë, Qabja, do të bëhet vendadhurimi i gjithë njerëzimit!” Dhe, kur erdhi koha, të gjitha thëniet e tij dolën një e nga një. Sot, jo vetëm Qabja, por edhe varri i ndritshëm i tij, si një shprehje respekti për të, është bërë vend vizitimi i besimtarëve. Çdo vit, miliona njerëz, si fluturat rreth dritës, rrotullohen rreth asaj breroreje drite. Kur Profeti i thoshte ato fjalë, ende nuk kishte asnjë shenjë që të paralajmëronte realizimin e tyre të afërt ose të largët! Po, është shumë e rëndësishme për një udhëheqës, për një prijës, për një administrues e qeveritar, t’u besojë më parë vetë fjalëve që do të thotë, në mënyrë që ato t’u japin të tjerëve siguri!

Ngjarjen e Adij b. Hatimit që Hakimi e përcjell në veprën e vet, “Mustedrek”, e kam përmendur edhe më parë me një rast tjetër; me lejen tuaj, do ta kujtoj edhe një herë tjetër lidhur me këtë temë. Siç pata thënë atje, Adiji ishte biri i Hatim Tai-t. Hatimi ishte një njeri i njohur për bujarinë e tij.

Ja, pra, ky Adij na tregon neve një ngjarje të tillë: “Po rrinim bashkë me të Dërguarin e Allahut. Brenda hyri një burrë. Ai u ankua për piratët: “Karvanet plaçkiten, mallrat grabiten, rrugaçëria është përhapur ngado dhe, në të njëjtën kohë, thatësira dhe uria bëjnë kërdinë dhe, në të gjitha anët, njerëzit bien të dërmuar nga të pangrënët!”

Ndërsa burri po i ankohej të Dërguarit të Allahut në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut m’u kthye dhe më tha kështu: “O Adij, a e di ti se ku bie Hire?” Unë i thashë: “Jo, o i Dërguari i Allahut! S’kam shkuar asnjë herë atje. Por e di se ku bie.” I Dërguari i Allahut vazhdoi: “Po qe se do të kesh jetë, do të shohësh se, shumë shpejt, një grua e hipur mbi deve do të niset vetëm nga Hire dhe do të vijë për ta bërë Qaben tavaf!”

Unë thashë me vete: “E si mund të bëhet një udhëtim i tillë kur janë piratët e Tajit?” Kurse i Dërguari i Allahut vazhdoi: “O Adij! Po të kesh jetë, do të shohësh se, një ditë, të gjithë thesaret e Kisras (Perandori i Persisë) do të bien në dorë të umetit tim!” Unë e pyeta me çudi: “A po e ke fjalën për Kisran, të birin e Hurmuzit?” “Po, po, për Kisran, të birin e Hurmuzit!” – ma ktheu ai.”

Dhe Adij e përfundon tregimin e vet kështu: “Betohem në Allahun se jetova dhe i pashë një për një të gjitha ato që më tha i Dërguari i Allahut atë ditë dhe u bëra dëshmitar i tyre! Atë ditë ai më tha diçka edhe për ahiretin, për jetën pas ringjalljes. Shpresoj dhe besoj se edhe atë do ta shoh!”[2]

Ja, pra, me një besim dhe siguri të tillë të jashtëzakonshme ua tregonte dhe paraqiste i Dërguari i Allahut mesazhet e tij njerëzve që grumbulloi dhe bashkoi rreth vetes dhe në asnjë rast, në asnjërin prej tyre, nuk ndihej qoftë edhe një thërrime dyshimi apo lëkundjeje! Dhe, të gjitha gjërat për të cilat lajmëronte, kur vinte koha, me mirësinë dhe bujarinë e Allahut, dilnin në shesh e vërtetoheshin një për një!

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si e përqoi Profeti i Njerëzimit s.a.s. mesazhin e Islamit?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA