Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Cilat janë mrekullitë e Pejgamberit a.s. që dolën në të ardhmen?

Estimated reading: 9 minutes 131 views

* Në vitet e para të shpalljes së Islamit, kur myslimanët e parë përballeshin me vështirësi të mëdha, Profeti (s.a.s.) atyre pak personave që kishte me vete i përgëzonte me këto fjalë: “Ju do të fitoni ndaj të gjithë armiqve tuaj. Njëkohësisht do të çlironi Mekën, Hajberin, Damaskun, Iranin dhe Mesxhidi Aksanë. Të gjithë pasuritë e Iranit dhe Bizantit ju do t’i ndani ndërmjet vete.” Këtë përgëzim Profeti (s.a.s.) e jep në kohën kur i gjithë njerëzimi, përfshirë edhe xhaxhai i tij, ishin armiqtë e tij dhe nuk shprehet me hamendje, por i sigurt, për ato që do të ndodhin në të ardhmen. Këtë ngjarje e lajmëron sikur ta shikonte me sytë e tij dhe pas shumë vitesh vërtetohet plotësisht. Gjithashtu, koha kur përgëzonte për një ngjarje të tillë ishte aq e vështirë për të dhe shokët e tij, saqë ishin të detyruar të emigronin për të siguruar jetesën e tyre në vende të tjera, siç ishte Medina ose Etiopia.

* Profeti (s.a.s.) shumë herë thoshte: “Pas meje ndiqni rrugën e Ebu Bekrit dhe Omerit, pa u përçarë.” Kjo fjalë tregonte se të dy këta persona në të ardhmen do të bëheshin prijësit e myslimanëve dhe ndjekësit më të mirë të Profetit të tyre, duke fituar kënaqësinë e Zotit. Fjalët e tij tregonin se Ebu Bekri dhe Omeri do të jetonin edhe pas vdekjes së tij dhe do të çlironin shumë vende dhe shtete. Pasi Profeti ynë ndërroi jetë, prijës të myslimanëve u zgjodhën Ebu Bekri dhe më vonë Omeri, të cilët jetuan ashtu siç urdhëroi Profeti (s.a.s.).

* Në pragluftën e Bedrit, Profeti (s.a.s.) gjatë shëtitjes me shokët e tij, u drejtohet me këto fjalë: “Ky është vendi ku do të vritet Ebu Xhehli, këtu do të vritet Utbe, këtu Umeje këtu… (duke përmendur emrat e disa të tjerëve) do të vriten te tjerë idhujtarë. Së fundi, “Unë me dorën time do ta vras Ubej bin Halefin.” Në këtë mënyrë, tregon emrin dhe vendin ku do të vriten këta jobesimtarë. Ky lajm i Profetit tonë u vërtetua në fushën e betejës dhe të gjithë armiqtë e Allahut u vranë ashtu siç kishte paralajmëruar Ai. Edhe Ubej bin Halefi u vra nga dora e Profetit tonë.

* Profeti (s.a.s.) kishte organizuar një ushtri, komandantin e të cilës kishte zgjedhur Zejdin (r.a.), një ish skllav, dhe e kishte nisur për në Mu’te, një vend pranë Sirisë. Në kohën kur kishte filluar lufta, Profeti (s.a.s.) kishte filluar të shpjegonte ngjarjet në luftë edhe pse ai nuk ndodhej aty, por në Medinë, dhe ishte përafërsisht një muaj larg nga Siria me mjetet e asaj kohe. “Tani, flamurin e Islamit e mori Zejdi, por ra shehid. Pastaj e mori Xhaferi, por dhe ai ra shehid. Pastaj flamurin e mori një shpatë nga shpatat e Allahut.”Profeti (s.a.s.) ua shpjegoi të gjitha hollësitë e luftës. Në ato kohëra nuk kishte telefon, telegraf, radio, televizion, apo mjete të tjera informacioni, por pritej që nga këto vende të largëta të kthehej dhe të lajmëronte ndonjë lajmës lufte. Pas dy-tri javësh, një sahabe me emrin Jala bin Munebih kthehet nga fushëbeteja dhe vrapon t’ia tregojë të gjitha ngjarjet Profetit. Profeti (s.a.s.) që ishte ulur bashkë me shokët e tij, ia tregon të gjitha ngjarjet e ndodhura këtij lajmësi. Jala bin Munebihu betohet se ngjarjet kishin ndodhur ashtu siç i tregonte Profeti (s.a.s.).

* Një mrekulli e ngjashme me të mësipërmen është edhe ajo në lidhje me Nexhashiun, mbretin e Etiopisë, i cili kishte pranuar Islamin. Ky mbret vdiq në vitin e VII të hixhretit dhe Profeti Muhamed (s.a.s.) po atë ditë i lajmëroi shokët e tij dhe së bashku falën namazin e xhenazes. Lajmëtarët të cilët erdhën pas një jave treguan se ai kishte vdekur ditën që e tregoi edhe Profeti Muhamed (s.a.s.). Madje u habitën shumë kur mësuan se ia kishin falur edhe namazin e xhenazes.

* Profeti (s.a.s.) një ditë ishte në shtëpinë e hallës së Enesit, tek Umu Haram. Kur u zgjua nga gjumi, buzëqeshi duke thënë: “Unë e shoh umetin tim të ulur nëpër kolltukë si mbretër dhe duke luftuar në dete.” Umu Haram kishte shumë dëshirë që dhe ajo të ishte ndër ata. Iu lut atij që të lutej që edhe ajo të ishte me ta në det. Profeti (s.a.s.) e përgëzon duke i thënë që edhe ajo do të ishte ndër ta. Kaluan shumë vite, por Umu Haram nuk arriti të merrte pjesë në luftërat e zhvilluara në dete. Por ajo ishte e sigurt sepse Profeti Muhamed (s.a.s.) i kishte thënë që: “Edhe ti do të jesh ndër ta.” Kaluan 40 vjet dhe Umu Haram së bashku me burrin e saj iu bashkuan ushtrisë që do të merrte Qipron, duke vërtetuar fjalën e dhënë të Profetit tonë. Edhe ngadhënjimi i Stambollit ishte njëri nga këto përgëzime.

* Profeti (s.a.s) në mënyrë të prerë shprehet me këto fjalë: “Stambolli patjetër do të çlirohet. Sa komandant i mirë është komandanti i saj, sa ushtri e mirë është ajo ushtri.”

Duke ditur që Profeti (s.a.s.) ka jetuar afro 800 vjet para Sulltan Mehmetit II, shohim që mrekullitë e tij realizohen edhe pas shumë shekujsh.

* Një mrekulli tjetër e Profetit tonë është edhe çlirimi i kështjellës së Hajberit. Ai pat thënë: “Kështjella e Hajberit do të çlirohet nga dora e Aliut”. Në ditën e dytë të kësaj lufte, realizohet kjo mrekulli e Profetit dhe Aliu (r.a.) pasi e heq derën e kështjellës nga vendi i mëparshëm, e përdor atë si mburojë. Pasi mbaron lufta, këtë derë nuk mundën ta lëvizin nga vendi 8 burra të fuqishëm. Madje sipas disa sahabeve, këtë derë nuk e lëvizën dot as 40 burra.

* Profeti (s.a.s.) i kishte thënë Surakës: “A e di që byzylykët e Kisras do t’i vendosësh në dorën tënde.” Ky përgëzim i Profetit tonë u bë realitet pas shumë vitesh. Kisra u mund në periudhën kur Omeri (r.a.) ishte prijës i myslimanëve dhe të gjitha thesaret iu morën atij. Omeri ia vuri byzylykët në dorë Surakës duke thënë: “Falënderoj Allahun, i Cili ia hoqi nga dora Kisras dhe ia vuri në dorë Surakës”. Kështu u vërtetua fjala e Profetit.

* Kur u çlirua Meka, Bilali u ngjit përmbi Qabe dhe thirri ezanin. Ndërmjet atyre që po dëgjonin ezanin, ishin edhe të parët e Kurejshëve, si: Ebu Sufjani, Atabi, etj. Atabi nuk ishte mysliman dhe nga mërzia që kishte, thotë: “Babai im ishte me fat që nuk e pa këtë ditë. Më i mirë i vdekur se të shohësh Mekën të ngadhënjyer nga myslimanët”, thoshte ai. Kurse Harisi kish thënë: “Nuk gjente dot Muhamedi një tjetër që të thërrasë ezanin, por këtë sorrë të zezë? Pra, po shante Bilalin që kishte lëkurë të zezë. Ebu Sufjani që ndodhej mes tyre, u thotë:

“Unë kam frikë të flas. Edhe sikur të mos jetë askush pranë nesh, këta gurë që kemi rreth e rrotull do të ikin dhe do të lajmërojnë atë (Muhamedin a.s.). Me të vërtetë, pa kaluar shumë, Profeti (s.a.s.) u afrohet dhe iu tregon për çfarë kishin folur pak më parë. Atabi dhe Harisi thanë shehadetin dhe u bënë myslimanë.

* Në luftën e Bedrit, Abasi (r.a.) kapet rob nga myslimanët. Robërit e luftës së asaj kohe duhet të paguanin një shumë të hollash, që quhej “fidje”, për t’u liruar. Në kohën kur kjo shumë u kërkua nga Abasi që ai ta jepte, ai tha që nuk kishte të holla dhe nuk mund t’i jepte ato. Profeti (s.a.s.) iu drejtua me këto fjalë: “Gruaja jote, Umu Fadl, i ka të hollat e tua dhe i ka lënë në një vend të fshehtë.” Pastaj Profeti (s.a.s.) i tregoi vendin dhe sasinë e parave të fshehura prej tij. Kur Abasi (r.a.) i dëgjoi këto fjalë, tha se ato para nuk i dinte askush tjetër veç tij dhe gruas së tij dhe menjëherë u bë mysliman.

* Një magjistar i quajtur Lebed, kishte mbështjellë një krehër me qime dhe e kishte hedhur në një pus. Profeti (s.a.s.) e ndjeu menjëherë një magji të tillë dhe urdhëroi Aliun (r.a.) dhe dy shokë të tij: “Shkoni tek filan pus dhe më sillni mjetet e magjisë.” Menjëherë vajtën dhe i sollën. Me heqjen e qimeve nga krehri, Profeti (s.a.s.) u përmirësua nga ndikimi i magjisë.

* Umejri dhe Safrani, para se të bëheshin myslimanë, kishin vendosur të vrisnin Profetin (s.a.s.) dhe për këtë do të merrnin një shpërblim të caktuar. Me të arritur Umejri në Medinë, Profeti (s.a.s.) e thirri atë dhe ia zbuloi planin e kurdisur nga të dy shokët. Umejri u bë mysliman me t’i dëgjuar këto fjalë të Profetit.

Marre nga:http://islami.al/mrekullite-ne-lidhje-me-te-ardhmen/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cilat janë mrekullitë e Pejgamberit a.s. që dolën në të ardhmen?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA