Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Kurani fillon me urdhrin “lexo!”

Hadith – Sunnet

Si të largojmë stresin me këshillat profetike?

Estimated reading: 4 minutes 214 views

Stresi, lodhja psikologjike dhe trishtimi janë pjesë e paevitueshme e jetës sonë. Shpeshherë mund të kemi kërkuar zgjidhje duke lexuar këshillat e psikologëve në lidhje me gjendjen tuaj dhe sërish të mos e keni marrë zgjidhjen përfundimtare. Kjo është krejt normale, pasi zgjidhja e vërtetë dhe më efikasja është ajo të cilën na e mëson i Dërguari i Allahut.

1-Ndryshoni gjendjen tuaj

Pejgamberi (a.s) , na këshillon kështu: “Nëse dikush prej jush zemërohet, le të ulet; nëse sërish nuk i kalon zemërimi, le të shtrihet!”

Psikologët bashkëkohorë e kanë quajtur këtë ndryshim i “gjendjes trupore” dhe besojnë se ky ndryshim sjell largimin e zemërimit. Gjithashtu, shkenca bashkëkohore ka vërtetuar se hormoni i adrenalinës rritet më shumë gjatë zemërimit, sidomos kur njeriu qëndron në këmbë dhe zvogëlohet kur ulemi ose shtrihemi.

2-Merrni abdest

Pejgamberi (a.s), ka thënë: “Zemërimi është shejtani. Shejtani është krijuar nga zjarri. Ai shuhet me ujë. Prandaj, kur të zemëroheni merrni abdes”. Pra këshilla më e mirë në këto raste është të merrni abdest.

3- Dorëzohuni Zotit

Njeriu i mençur e ka mekanizmin, i cili i refuzon streset dhe i thyen në copëza. Nuk ka dyshim se besimi tek Allahu dhe kërkimi i ndihmës nga Ai, paraqet mekanizmin më të mirë mbrojtës. Besimi në Zotin na nxit për durim ndaj vështirësive .

Besimi tek Allahu, durimi, dituria, përvojat e kaluara dhe dashuria e njerëzve të tjerë krijon mekanizmin më të fuqishëm për thithjen e stresit dhe zvogëlimin e tendosjes psikike.

4-Përkujtoni Allahun (xh.sh) me adhurim

Pejgamberi (a.s)ka thënë:“Kush bën istigfarë pa ndërprerë, Allahu do t`ia mënjanojë çdo brengë, do t`i japë rrugëdalje nga çdo situatë dhe do ta furnizojë nga nuk e shpreson”.

Pejgamberi (a.s), në raste vështirësie ka thënë:

“Nuk ka Zot, përveç Allahut, të Butit dhe Madhështorit. Nuk ka Zot, përveç Allahut, Zotit të Arshit madhështor. Nuk ka Zot, përveç Allahut, Zotit të qiejve dhe të Tokës dhe Zotit të Arshit Fisnik”.

Esma ibën Omeri ka thënë: “I Dërguari i Allahut më ka pyetur: “A dëshiron të të mësoj fjalë që t`i thuash në vështirësi: Allahu është Zoti im dhe askush nuk është i barabartë me Të!”

Gjithashtu Ai (a.s) na mëson se: “Kur njeriu është në vështirësi le të thotë këto fjalë: “Zoti ynë, unë jam robi Yt, i biri i robit Tënd, i biri i robëreshës Sate! Fati im është në Duart e Tua, e kaluara ime në pronësinë Tënde,drejtësia tek mua është përcaktimi Yt. Të lutem me tërë emrat e Tu, me të cilët e ke quajtur Veten, ose ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua, ose i ke shpallur në Librin Tënd, ta bësh Kuranin pranverë të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, duke larguar pikëllimin dhe brengën time” – Allahu do t`ia largojë pikëllimin dhe brengën, duke ia zëvendësuar me gëzim”.

Një ditë i Dërguari i Allahut hyri në xhami. Ai pa një prej shokëve të tij, dhe i tha:“Ebu Umame, përse të shoh në xhami jashtë kohës së namazit?”

“Brengat dhe borxhet më kanë mbuluar, o i Dërguari i Allahut” – tha ai.

Pejgamberi i tha: “A do të t’i mësoj disa fjalë, të cilat kur t`i thuash, Allahu do të mënjanojë brengën dhe do ta paguash borxhin tënd?”. “Po, o i Dërguari i Allahut” – tha ai. Pejgamberi i tha: “Në mëngjes dhe në mbrëmje thuaj: “O Zot, më mbro nga brenga dhe pikëllimi, më mbro nga pafuqia dhe përtacia, më mbro nga varfëria dhe koprracia dhe më mbro nga vështirësitë, borxhi dhe anashkalimi i njerëzve“.

Ebu Umame më vonë tregon: “Veprova kështu dhe Allahu ma largoi brengën e më ndihmoi ta kthej borxhin.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si të largojmë stresin me këshillat profetike?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA