Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Hadith – Sunnet

Si të jetojmë si Profeti Muhamed a.s.?

Estimated reading: 8 minutes 216 views

Fjalën e fundit rreth lidhjes midis Zotit, Universit dhe Njeriut, e ka thënë Tablloja e Krenarisë Njerëzore, zëri më i fuqishëm orientues kah e vërteta, lajmëtari i fundit i Gajbit (të fshehtës), profeti Muhamed (a.s.).
Ai është komentuesi i pagabueshmëm i ngjarjeve. Nga njëra anë, Ai është më i afërti me Allahun, nga ana tjetër është i fundmi, por më i sigurti udhëzues i kurbetit të kësaj bote. Allahu (xh.sh.) në Kur’an na fton ta ndjekim këtë shembull duke na e vënë kusht të dashurisë së Vet. Ai thotë:

Në qoftë se e doni Allahun, më ndiqni mua që t’ju dojë Allahu (Al-Imran:2-3)

Vetë Profeti (a.s.) thotë: “Mua më ka edukuar Allahu dhe ma ka përsosur edukatën (moralin).” Ndërsa Allahu për të në Kur’an thotë: “Ti vërtet je i pajisur me një moral të lartë.” Atëherë, me qëllim që të përfitojmë sa më shumë nga kjo edukatë dhe të përsosim përherë e më tepër virtytin tonë, duhet që ta ndërtojmë jetën sikurse udhëzuesi ynë, profeti i mbarë njerëzimit. Duke vepruar edhe në jetën e përditshme si Ai, ne kemi mundësi të marrim shpërblim adhurimi edhe për punët e zakonshme.
Le të ndalemi pak në disa aspekte të sjelljes së mësuesit të mendjeve, të dashurit të zemrave, edukuesit të egove, mbretit të shpirtrave tanë.

  • Dita e Profetit (a.s.) fillonte me përmendjen e Allahut e me lutje të cilat zinin vend në gjuhën dhe zemrën e Tij gjatë tërë ditës.
  • Kur takohej me dikë, Profeti (a.s.) përshëndeste i pari dhe nuk largohej derisa të largohej bashkëbiseduesi.
  • Në fytyrën e tij të bekuar pasqyrohej përherë një buzëqeshje e ëmbël megjithëse jeta e Tij kalonte mes brengash therëse.
  • Kur fliste apo dëgjonte drejtohej me të gjithë qenien kah bashkëbiseduesi dhe nuk kthente vetëm kokën apo sytë.
  • Kur ulej nuk e mbante asnjëherë njërën këmbë mbi tjetrën dhe nuk i zgjaste këmbët drejt njerëzve.
  • Kur ulej përtokë qëndronte ose mbi dy gjunjët, ose këmbëkryq.
  • Kur flinte kthehej nga krahu i djathtë, vendoste dorën e djathtë poshtë faqes dhe këmbët nuk i shtrinte plotësisht.
  • Kur ecte më i larti i profetëve, nuk e ngrinte kokën lart, por e përkulte pak dhe e kërruste paksa trupin saqë dukej sikur ecte drejt një të tatëpjete. Kjo ishte shenjë modestie nga ana e Tij.
  • Kur hante nuk nxitonte, preferonte të hante me njerëz të tjerë, jo vetëm, dhe hante nga njëra anë e enës (pjatës). Ujin e pinte me tre ndalesa dhe sikurse ushqimin edhe ujin e pinte ulur.
  • Çdo punë e fillonte me përmendjen e emrit të Allahut (Bismilah) dhe e mbyllte me fjalën (Elhamdu-lilah).
  • Mëshira e njerëzimit dhe e gjithë botës ishte shumë i dashur dhe i afërt me shokët dhe bashkësinë e vet. Në Kur’an thuhet: “Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.”(Tevbe, 128)
  • Kur dikush kryente një vepër të mirë Profeti (a.s.) e lavdëronte dhe e nxiste, duke e bërë shembull edhe për të tjerët; ndërsa kur dikush bënte një gabim, nuk ia thoshte në fytyrë, por e përgjithësonte çështjen.
  • Edhe armiqve më të egër të Tij gjatë ftesës dhe pasi pranuan Islamin, Ai nuk ua kujtoi armiqësitë e mëparshme, por i nderoi sikur të kishin qenë përherë përkrah tij.
  • Për sa i përkiste të drejtës së njerëzve të tjerë, Profeti (a.s.) gjëmonte si luan dhe nuk qetësohej derisa drejtësia të vinte në vend.
  • Megjithëse Ai ishte i Dërguari i Allahut, këshillohej për çështje të ndryshme me shokët e vet, shumë herë edhe me bashkëshortet e tij.
  • Ai ishte aq i thjeshtë sa t’i kërkonte leje gruas së tij që të adhuronte Zotin. Kaq i ndjeshëm ishte ai ndaj së drejtës së secilit. “A më lejon, o Aishe, që këtë natë të qëndroj e të adhuroj Zotin tim?”, do të thoshte ai.
  • Ai do të këshillohej me shokët për martesën e vajzës së vet, do të dilte në Uhud vetëm se shumica kërkonin të dilnin. Në këtë mënyrë, ai do t’u mësonte njerëzve respektin, bashkëpunimin, frymën e vëllazërimit, jetën në bashkësi, duke sakrifikuar individualitetin.
  • Mes pjesëtarëve të familjes, Profeti ishte një kryetar familjeje shembullor.
  • Mes shokëve, Ai ishte një prijës dhe mësues i mrekullueshëm, që dinte shumë mirë të futej në zemra.
  • Ai ishte një udhëzues i pashoq që kurrë nuk i zhgënjente dhe nuk i thyente ata që i shkonin pas.
  • Ai ishte një ligjërues mbret i fjalës, një gjykatës mjeshtër gjykimi, një kryetar shteti i shkëlqyer dhe një strateg ushtarak që nxirrte fitore nga humbjet.
  • Të gjitha këto përsosmëri arrinin tek Ai kulmin, por, pavarësisht nga të gjitha këto, ai gjithmonë sillej si njeri i rrafshët, e quante veten njeri si gjithë të tjerët.
  • Si të mëdhenjtë, Profeti i dashurisë dinte të trajtonte edhe fëmijët. Ai i përshëndeste ata, bisedonte me ta si të ishin të rritur, duke iu forcuar atyre personalitetin dhe nuk u bërtiste kurrë, ishte përherë i buzëqeshur përballë tyre. Enes bin Maliku qëndron dhjetë vjet në shërbim të Tij dhe nuk mban mend që të jetë qortuar prej Tij për diçka që e ka bërë keq, apo për një punë që s’e kishte bërë, sepse Ai ishte fëmijë.
  • Në një përshkrim të mbështetur në fjalët e Aliut (r.a.), i Dërguari i Allahut na paraqitet kështu: “Në bujari, i Dërguari i Allahut është më bujari dhe dorëploti i njerëzve. Për nga butësia dhe gjerësia, zemra e tij është më e buta dhe më e gjera zemër e njerëzve. Atij i qenë ngarkuar ngarkesa të rënda që i pati ngritur pa bërë “Of!”, u pati vënë gjoksin punëve të papërballueshme e që s’ti rrok mendja dhe pati vepruar gjithmonë njerëzisht ndaj çdo lloj mundimi, torture apo mungese njerëzie. Ai përfaqëson ndër njerëz mënyrën më të qëlluar të të shprehurit.”
  • Ai është njeriu më i drejtë në fjalë. Nga goja e tij nuk ka dalë gënjeshtër. Është ulur drejt, është ngritur drejt, ka menduar drejt, ka folur drejt dhe i ka ftuar të tjerët te e drejta.
  • Ai ishte jashtëzakonisht i natyrshëm. Po t’i rrinit pranë, kurrsesi nuk do të ndjeheshit i shqetësuar. Ju qetësonte sikur të ishit duke ndenjur me një shokun tuaj.
  • Kishte një natyrë dhe një shpirt të lartë që asnjë njeri nuk mund të ngjitej në nivelin e Tij, nuk mund të rrinte si Ai, nuk mund të mendonte si Ai dhe nuk mund të bëhej si Ai. Ai zbriste me thjeshtësi në nivelin e bashkëbiseduesit ose të kuvendit dhe ata që kishte pranë kurrë nuk i shtypte me ndryshimin që kishte me ta dhe nuk u shkaktonte shqetësim.
  • Vetë sahabët janë argument i profetësisë së Tij. Edhe ata, secili si një yll, kanë ndriçuar njerëzimin me dije, edukatë e mirësi. Ata janë nxënësit më besnikë të shkollës së Muhamedit (a.s.). Ata krenoheshin me Profetin dhe Ai krenohej me ta. I donte me gjithë shpirt dhe e donin aq shumë sa ishin gati të flijoheshin në çdo moment në mbrojtje të tij.

Është e pamundur të tregohet një njeri i dytë që të jetë dashur si Ai, as para tij e as më pas. Kush me fjalë, kush me qëndrim e kush me zemër, përshpërit të njëjtat ndjenja për mëshirën e gjithë botëve, Muhamedin (a.s.):

Ai ishte njeriu i dimensioneve të vecanta. Njeriu i lutjeve dhe adhurimit, portret i mëshirës dhe zemërgjerësisë, hero i besnikërisë dhe sinqeritetit, strateg i suksesit dhe përparimit, ekuilibrues i trupit dhe shpirtit, udhëzues i rrugës së drejtë për mbarë njerëzimin, mësues i pashoq, transformatori më i madh, robi më i denjë i Allahut, shembulli më i bukur i sojit njerëzor, krenaria e njerëzimit dhe e mbarë pemës së krijimit.

 

Marre nga: https://dritaislame.al/te-jetosh-si-profeti-muhamed-a-s/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si të jetojmë si Profeti Muhamed a.s.?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA