Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Hadith – Sunnet

Pse Pejgamberi a.s. ishte martuar me shumë gra?

Estimated reading: 23 minutes 216 views

Le të theksoj menjëherë se ata që flasin poshtë e përpjetë për këtë çështje, janë të tillët që s’lexojnë e s’e vrasin mendjen për asgjë. Po qe se do të merrnin pakëz mundimin t’u hidhnin një sy librave megazi dhe sijer,[1] nuk do ta ulnin veten duke u marrë me gjëra të paqena.

Në martesat e Kryeprofetit, Individualitetit Autentik të Misionit, ka aspekte të ndryshme: specifikat përkatëse të Individualitetit të Nderuar, përgjithësisht objektivat dhe synimet që mund të jenë mbajtur në martesat e tij, disa detyrime e domosdoshmëri dhe, në fund, disa situata të tilla që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të veçanta të martesës. Tani le t’i analizojmë këto aspekte një e nga një.

Le ta fillojmë shqyrtimin e çështjes duke parë nga personaliteti i pastër e i pamëkat.

Mbi çdo gjë, duhet të dihet se ai Individualiteti i Lartë nuk u martua gjer më njëzet e pesë vjeç. Po të kemi parasysh klimën posaçërisht të nxehtë të atij vendi, një jetesë e virtytshme gjer në këtë moshë tregon se tek ai virtyti ishte një element bazë, se ai kishte një vullnet të jashtëzakonshëm dhe se i zotëronte dëshirat trupore – të gjitha këto, të pranuara pa kusht dje e sot. Po qe se në këtë moment do të ekzistonte edhe shmangia më e vogël, dushmanët e tij të djeshëm e të sotëm nuk do të ngurronin qoftë edhe për një çast për t’ia njoftuar botës këtë gjë. Mirëpo armiqtë e tij të vjetër e të rinj, ndërsa i kanë ngarkuar gjëra të paqena, këtu nuk kanë patur guxim të thonë diçka.

Martesën e parë, profeti ynë e bëri në moshën njëzetepesëvjeçare. Kjo martesë u lidh me një grua të rrallë e të respektuar në lartësinë e Allahut e të të Dërguarit të Tij, por në moshë dyzetvjeçare dhe e martuar dy herë më parë. Kjo fole e lumtur vazhdoi plot njëzet e tre vjet dhe në vitin e tetë të profetësisë u mbyll sipari i saj duke lënë pas një mall të hidhur. Kështu, si gjer më njëzet e pesë vjeç, edhe kësaj radhe, Profeti mbeti sërish krejt i vetmuar. Pas asaj jete njëzetetrevjeçare me familje e me gjithçka, sërish jetoi si beqar katër-pesë vjet, ndërsa mosha iu afrua të pesëdhjetetretave.

Ja, pra, të gjitha martesat e tij të tjera fillojnë pas kësaj moshe, kur pakësohet interesimi për martesë. Në një vend të nxehtë, të kërkosh apo të shohësh sensualitet apo erotizëm në martesat pas moshës pesëdhjetë e pesë vjeç, është krejt e palogjikshme dhe e papranueshme.

Këtu më vjen ndërmend edhe një çështje tjetër, interpretimi i temës së poligamisë në institucionin e profetësisë. Edhe këtë dua ta trajtoj me nja dy-tri fjali.

1. Pikësëpari, ata që kapen pas kësaj, janë ose të tillët që nuk pranojnë asnjë fe apo parim, kështu që kurrë s’kanë të drejtë ta dënojnë një gjë të tillë, sepse ata dalin kundër të gjitha parimeve, hyjnë në marrëdhënie me shumë femra pa iu nënshtruar asnjë ligji apo rregulli, madje e quajnë të lejueshme kurorën me të afërmit. Ose janë adhuruesit e librave të shenjtë, çifutët dhe krishterët. Edhe sulmi i tyre ka qenë i pangopur, i verbër e plot maraz, madje i tillë që të shkakton keqardhje për vetë emrin e tyre. Sa profetë të mëdhenj ka që i kanë pranuar dhe që u janë nënshtruar pasuesit e ungjillit, që i kanë njohur si profetë të tyre dhe u kanë shkuar pas pasuesit e Teuratit, të cilët kanë pasë lidhur kurorë me shumë gra (poligamine). Sikur të kujtohen vetëm profetët Sulejman dhe Daud,[2] del sheshit se në ç’pozicion padrejtësie dhe sulmi ndodhen të dy bashkësitë në fjalë. Për rrjedhojë, duhet thënë se, ashtu siç martesën me shumë gra nuk e ka filluar profeti ynë, edhe martesa e shumtë nuk është në kundërshtim me frymën profetike. Pas kësaj, mbetet të themi se, ashtu siç do të vërehet në specifikat që do të përpiqem të shpjegoj më poshtë, nga pikëpamja teorike, poligamia e profetëve përmban dobi të nivelit konceptual.

Martesa me shumë gra (poligamia ne Islam), në një pamje, është e detyrueshme posaçërisht për profetin që vjen me një sistem ligjshmërie, pasi ekzistojnë disa aspekte të fesë që përshkohen nëpër intimitetin e martesës, aspekte për të cilat mund të ketë njohuri vetëm një i martuar. Për rrjedhojë, për t’i shpjeguar këto aspekte të fesë pa iu drejtuar ndonjë çfarëdo aluzioni apo ngjashmërie që shpesh herë e turbullojnë këtë mënyrë të treguari, ekz iston nevoja e njerëzve të përkushtuar që do ta tregonin çdo gjë përmes qartësisë e thjeshtësisë me të gjitha mundësitë e tyre.

Ja, pra, këto bashkëshorte të pastra, të sinqerta e të vërteta të mjedisit profetik, duke u nisur mbi gjithçka nga përgjegjësia si dhe nga roli transmetues i tyre në detyrën e kumtimit e të prijësisë profetike, para botës femërore bëhen të domosdoshme si për profetin, si për profetësinë, si për botën femërore, madje, të paevitueshme.

2. Një çështje tjetër ka të bëjë, në përgjithësi, me bashkëshortet e profetit tonë.

a) Duke u nisur nga fakti se mes bashkëshorteve kishte të moshuara, me moshë të mesme e të reja, tek të gjitha zbatoheshin rregulla të ndryshme përkatësisht të asaj epoke e të atyre periudhave. Në sajë të këtyre bashkëshorteve të pastra që ndodheshin në banesën profetike, Profeti gjente mundësi zbatimi praktik.

b) Meqë secila nga bashkëshortet vinte nga një tribu e veçantë, ato i hapnin udhë një lidhjeje e dashurie me rrënjë së pari midis tribuve, pastaj midis gjithë kuvendeve në të cilat kishin mundësuar sendërtimin e një farefisnie me anë të personalitetit të vyer. Në sajë të lidhjes përkatëse, pranë lidhjes fetare, çdo tribu e fis e njihte Profetin si të vetin dhe ndjente interesim të thellë për të.

c) Gratë e marra prej fiseve të ndryshme mundën të bëheshin pretekst për shumë shërbime fetare serioze mes bashkësisë së vet sa qe gjallë ai si dhe pasi ndërroi jetë. Ato u bënë interprete të Personalitetit të Fshehtë e Prezent tek farefisi i tyre i afërt apo i largët. Në sajë të këtij shërbimi, edhe fisi i tij, me burra e gra, mësonin Kur’an, koment dhe hadithe, si dhe përvetësonin shpirtin e fesë.

ç) Më i përsosuri i profetëve, ashtu siç kishte krijuar afërsi pothuaj me të gjithë Gadishullin Arabik, me anë të këtyre bashkëshorteve ishte bërë edhe miku i padrojë i çdo banese. Me anë të kësaj afërsie, çdokush mundej t’i afrohej atij Personalitetit Monumental dhe të gjente rastin për të mësuar urdhrat e fesë. Në të njëjtën kohë, secili nga fiset e quante veten njëlloj të afërt ndaj tij dhe krenohej me këtë. Të bijtë Mahzum nëpërmjet Ummu Selemes, emevitët nëpërmjet Ummu Habibes, hashimitët nëpërmjet Zejnep binti Xhahsh, duke pohuar afërsinë me të, ndjeheshin fatbardhë!

3. Evenimentet e përmendura gjer këtu, në kuptim të përgjithshëm si dhe në disa aspekte të caktuara, do të ishin karakteristike për të gjithë profetët. Tani ta trajtojmë çështjen në kuptim të ngushtë, konkret dhe në përvojën e secilës bashkëshorte një nga një. Dhe edhe këtu do të shohim se logjika mbetet tejet e dobët para jetës së nderuar të atij personaliteti të mbështetur nga revelacioni hyjnor. E shprehur ndryshe, mendimi njerëzor përthyhet më dysh para zgjuarsisë profetike!

I. Bashkëshortja e parë e Profetit është zonja jonë, Hatixheja (r.anha). Pesëmbëdhjetë vjeçe më e madhe, martesa me këtë grua të rrallë përbën shembullin më të lartë për çdo martesë. Ai, ashtu siç mbeti një jetë të tërë i lidhur pas grave të veta me një besnikëri të thellë dhe miqësi që buronte nga nderimi ndaj Zotit, pas vdekjes s’e pati harruar kurrë Hatixhenë, madje pati hapur diskutime rreth saj sa herë që i qe dhënë rasti.

Pas Hatiexhesë, Profeti nuk u martua për 4-5 vjet. Megjithëse i kishin mbetur në ngarkim disa jetimë, iu vu kujdesit dhe ushqimit të tyre të përditshëm dukre kryer edhe detyrën e nënës, edhe të babës. Sikur më parë a më pas të kishte patur ndonjë dobësi të vogël për femrat, kështu do të vepronte?

II. Edhe pse jo sipas radhës, gruaja e dytë është Aisheja besnike.[3] Vajza e shokut më të afërt. dhurata më e zgjedhur për Profetin, me të cilën ai kaloi një jetë të tërë së bashku, në hidhërime e gëzime. Atë ditë kur morën fund të gjitha afërsitë,[4] nderi për t’iu ndodhur pranë Profetit do t’i takonte vetëm asaj në sajë të një afërsie të pafundme. Po, Aisheja besnike dhe i ati, Ebu Bekri, ishin bërë konfidentë profetikë pa asnjë të çarë materialo-shpirtërore me të! veçanërisht një krijesë e rrallë si Aisheja, për nga krijimi, zotëronte cilësitë e trashëgimtarit të mundshëm të kauzës profetike në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo qenie e lartë që me jetën pasmartesore dhe me shërbimet e mëvonshme fitoi tipare përfundimtare, mund të bëhej vetëm një bashkëshorte profeti. sepse duke e treguar veten si njohësja më e madhe e hadithit – porosive profetike, njohësja më e shkëlqyer e tefsirit – komentit të Kur’anit, dhe si juristja më e rrallë, me shpjegimet e saj të qarta e të pashembullta e përfaqësonte me të drejtë Muhammedin si në formën e jashtme, ashtu dhe në përmbajtje.

Eshtë për këtë arsye që Profetit i jepej në ëndërr lajmi se do të martohej me të, ndërsa ajo, ndërsa pa iu shfaqur ndonjë iluzion tjetër ndër sy, hidhte këmbën në banesën e Tij…

Në sajë të këtij hapi, ajo do të bëhej për të atin, Ebu Bekrin, pretekst nderimi dhe, brenda botës femërore, duke i përparuar të gjitha dhuntitë dhe aftësitë e saj, me identitetin e njërit prej nxënësve më të dalluar të Profetit, do të përgatitej për t’u bërë një edukatore dhe prijëse e madhe. E, kështu, pra, ajo, edhe si bashkëshorte, edhe si nxënëse, ishte bërë, tashmë, pjesëtare e banesës së lumturisë!

III. Përsëri jo sipas radhës, bashkëshortja e tretë është Ummu Seleme. Me prejardhje nga tribuja Mahzun dhe një ndër muslimanët e parë, ajo u shtyp e u persekutua në Mekë, emigroi së pari në Etiopi, pastaj në Medine dhe, sipas kushteve të asaj kohe, zuri vend ndër besimtarët e radhës së parë. Në udhëtimet e saj plot vështirësi e vuajtje, ajo pati përkrah edhe të shoqin i cili, në sytë e saj, ishte një njeri i pakrahasueshëm. Pasi e humbi në Medine Ebu Selemen, njeriun me të cilin jetoi gjithë atë periudhë brenge, atë shok të pangjashëm, Ummu Seleme mbeti e vetme, kokë më kokë me fëmijët e saj. Kësaj gruaje të mbetur larg vatanit dhe shtëpisë së vet me një tufë jetimësh, që kishte ngarkuar mbi supe barrën e jetës, të parën dorë dhembshurie ia zgjatën Ebu Bekri dhe Omeri, por ajo i refuzoi këto kërkesa sepse në sytë e saj nuk ekzistonte një njeri që të zinte vendin e Ebu Selemes.

Më në fund, asaj i zgjati dorën i Dërguari i Allahut duke i propozuar për martesë. Edhe kjo martesë ishte mjaft e natyrshme sepse kjo grua e lartë që s’i ishte shmangur asnjë sakrifice në synimin drejt Islamit dhe besimit, që kish jetuar një kohë të gjatë mes tribusë arabe më fisnike, kish mbetur e vetmuar, nuk mund të braktisej në udhën e lypjes. sidomos po të mendoheshin pastërtia e saj shpirtërore, sinqeriteti dhe punët që u kishte hyrë për Islamin, asaj duhej t’i zgjatej dora pa diskutim.

Kështu, pra, duke e marrë atë nën kurorë, Krenaria e Gjithësisë i kishte zgjatur dorën e ndihmës e të favorit. Sigurisht, ashtu siç kishte vepruar që në rini, detyrën e kujdesit ndaj të vetmuarve dne dorën e ndihmës ndaj jetimëve e zbatonte në përshtatje me kushtet e asaj kohe.

Ashtu si dhe Aisheja, Ummu Seleme ishte një grua e mençur dhe e zgjuar. kishte talentin e një prijëseje dhe edukatoreje. Për këtë arsye, duke e marrë dora e dhembshurisë nën mbrojtje atë nga njëra anë, në anën tjetër, në shkollën e diturisë dhe prijësisë pranohej edhe një nxënëse tjetër, ndaj së cilës bota femërore do të mbetej veçanërisht e detyruar për falenderim.

Nuk mund të bëhet asnjë shpjegim tjetër, i kundërt me ç’u tha gjer këtu, për martesën e Profetit me këtë grua që u ish afruar të gjashtëdhjetave dhe po hynte nën barrën e një sërë detyrimesh , sidomos ndonjë shpjegim lidhur me ndonjë gjë tjetër, si me erotizëm a me pasion pas grave, kurrë, kategorikisht!

IV. Një bashkëshorte tjetër e Profetit është edhe Remle binti Ebu Sufjan (Ummu Habibe). Vajza e njeriut që kishte përfaqësuar një kohë mohimin dhe blasfeminë kundër Profetit dhe profetësisë. Edhe kjo, nga muslimanët e parë dhe nga të radhës së parë. Një grua e hequr dhe e vojtur, e cila, në periudhën e brengës pati emigruar në Etiopi, kishte përjetuar në fillim kthimin e të shoqit në krishter, pastaj dhe vdekjen e tij.

Atëherë, shokët dhe ndjekësit e Profetit ishin të pakët në numër dhe të varfër. Ata s’kishin mundësi të kujdeseshin për ndokënd, t’i siguronin ndokujt mjetet e jetesës. Në këto kushte, ç’mund të bënte Ummu Habibe? Ose të bëhej krishtere e të përfitonte nga ndihma e krishterëve, ose të kthehej në shtëpinë atërore, në atë çerdhe blasfemie, ose të lypte portë më portë. Asnjëra nga këto zgjidhje nuk ishte e mundur për gruan më besimtare, më të fisme e më të pasur për nga prejardhja. Mbetej vetëm një zgjidhje: ndërhyrja dhe kujdesi i Profetit.

Ja, pra, edhe në martesën me Ummu Habiben ndodhte e njëjta gjë. Kjo grua që kishte pranuar çdo sakrificë për fenë, e mbetur larg vatanit dhe çerdhes familjare, mes zezakëve, ato ditë që jetonte zemërthyer nga tradhtia dhe vdekja e të shoqit, thirrej në audiencë të sundimtarit të Etiopisë, Nexhashiut dhe i lidhej kurorë me Profetin, një akt, ky, tepër i natyrshëm. E kjo s’duhet dënuar, por, e konsideruar si realizimi i një domosdoshmërie të rrjedhur nga funksioni i Rahmeten li’l-alemin, i Mëshirës së të gjitha botrave, duhet duartrokitur.

Mbetet të themi se edhe kjo grua e madhe, në të njëjtën mënyrë, kishte mjaft gjëra për të sjellë në botën diturore të muslimanëve burra e gra. Në të njëjtën formë, edhe kjo futej në atë mjedis lumturie edhe si bashkëshorte, edhe si nxënëse.

Në të njëjtën kohë, në sajë të kësaj martese, edhe familja Ebu Sufjan përfitonte mundësi të hynte e të dilte pa drojtje në banesën profetike dhe zbutej duke fituar një portret tjetër. Kjo martesë ishte e një karakteri të tillë që do të ushtronte ndikim jo vetëm mbi familjen Ebu Sufjan, por ndoshta edhe mbi tërë emevitët.[5] Madje mund të thuhet se kjo familje e ashpër dhe fanatike në kulm, në sajë të kurorës së Ummu Habibes, u zbut mjaft dhe u bë gati të pranonte çdo lloj bekimi.

V. Një nga ato që hynë në banesën e lumtur profetike qe edhe Zejnep bini Xhahsh. Zotëruese e një bote të brendshme krejt të veçantë dhe, po ashtu, delikate, ishte fis me Profetin dhe ishte rritur e zhvilluar pranë tij. Kur Profeti e kishte kërkuar atë për Zejdin, familja e saj kishte ngurruar pak dhe, në këtë mes, kishte shfaqur prirjen për t’ia dhënë vajzën Profetit. Më në fund, me këmbënguljen e tij, familja kishte pranuar t’ia jepte Zejd b. Harithesë.

Zejdi ishte një libert që dikur kishte pasë humbur lirinë, kishte pasë rënë rob dhe e kishte pasë rifituar, pastaj, nëpërmjet Profetit. Me këmbënguljen në këtë martesë, Profeti donte të sendërtonte, të fuqizonte e të përçonte te njerëzit barazinë shoqërore mes tyre duke ia filluar edhe kësaj pune ndër më të vështirat përsëri te të afërtit e vet. Por ç’e do që një femër me një natyrë shumë superiore si Zejnepi dukej sikur nuk do ta shtynte gjatë një martesë të tillë konvencionale. Edhe për Zejdin kjo martesë nuk kish sjellë diçka, veçse pritje e ankth.

Më në fund erdhi divorci, ndërsa Profeti ende përpiqej që Zejdi të hiqte dorë nga divorci dhe martesa e tyre të vazhdonte. pikërisht në ato rrethana erdhi engjëlli Xhebrail dhe, me një dekret qiellor, solli urdhrin e martesës së Zejnepit me Profetin. kjo provë së cilës duhej t’i nënshtrohej ai, ishte mjaft e rëndë sepse ishte diçka që s’kishte guxuar ta bënte askush dhe, ndaj zakoneve të rrënjosura e të ngulitura prej kohësh, ishte një shpallje e vërtetë lufte.[6] Kjo ishte një përpjekje tejet e vështirë, por bëhej vetëm se kishte urdhëruar Allahu. Dhe ja, Profeti, me vetëdijen e thellë të robit, e bëri këtë punë që përplasej shumë rëndë ndaj personalitetit të tij të dëlirë. Ashtu siç thoshte Aisheja, sikur t’i lejohej Profetit të fshihte diçka nga revelacioni hyjnor, do të mbante të fshehur ajetet që urdhëronin martesën e tij me Zejnepin. Sigurisht, aq rëndë i kishte ardhur kjo gjë individualitetit profetik!

Kurse Urtësia Hyjnore donte që këtë qenie të pastër e të lartë ta fuste në banesën profetike, ta përgatiste në dituri dhe kulturë dhe ta ngarkonte me detyrën e kumtesës profetike e të prijësisë besimore. Më së fundi ashtu edhe u bë. Dhe më pas, në tërë jetën e saj moralo-etike të kulluar, ajo iu përgjigj hollësive që përbënin domosdoshmërinë e bashkëshortësisë profetike.

Në periudhën e injorancës, veçanërisht, djalit të adoptuar i thuhej djalë dhe, po ashtu, gruaja e djalit të adoptuar pranohej si gruaja e djalit të vërtetë. Kur u urdhërua qëllimi për ta hequr këtë zakon që i përkiste injorancës, përsëri zbatimi filloi te Profeti. Ashtu siç nuk mund të jetë djalë dikush i thirrur djalë, edhe gruaja e tij nuk mund të konsiderohet nuse e djalit.

Ka akoma shumë gjëra që do të duhej të thuheshin për Zejnepin, por, meqë e kapërcejnë masën e trajtimit të këtushëm, po e lëmë me kaq.

VI. Njëra nga gratë e nderuara me banesën e lumturisë është edhe Xhuvejrije bintul Harith. Në një ekspeditë kundër fisit të saj jomusliman, ajo ra rob bashkë me burra e gra të tjera. Bota ndjesore iu përmbys, krenaria iu thye dhe, kur u soll para Profetit, kjo grua e shoqërisë së lartë ishte plot zemërim e urrejtje.

E pikërisht atëherë, logjika profetike e zgjidhi çështjen me një lëvizje.

Duke lidhur kurorë me Profetin, Xhuvejrije u ngrit në pozitën e nënës së besimtarëve dhe, në sytë e shokëve dhe ndjekësve të Profetit, u shndërrua në një përmendore nderi i respekti. Sidomos thënia e shokëve të Profetit se farefisi i Profetit nuk zihet rob, pasoi lëshimin e të gjithë robërve, gjë që bëri të triumfohej menjëherë zemra e Xhuvejrijes dhe e fisit të saj.

Duket qartë se me këto martesa të realizuara rreth moshës gjashtëdhjetëvjeçare, Profeti zgjidhte shumë çështje me një lëvizje dhe bënte që mes ndodhive të përgjakshme të frynin flladet e paqes e të qetësisë.

Ndër ato fatbardhat është edhe Safije binti Hujej. Vajza e njërit nga emirët e Hajberit. Në ngjarjen e njohur të Hajberit i qenë vrarë i ati, vëllai dhe i shoqi, kurse pjesëtarët e fisit i ishin marrë rob. Safija digjej nga dëshira e vrullshme për të marrë shpagim. Me aktin e kurorës, duke u ngjitur në lartësinë e pozitës së bashkëshortes së Profetit, përballë nderimit të besimtarëve, apelativit nënë të pasuesve profetikë dhe madhështisë zbutëse e mpakëse të Profetit, Safija i harroi gjithë ç’kishin ndodhur dhe filloi të ndjehej krenare për qenien e saj bashkëshorte e Profetit.

Veçanërisht krijohej edhe mundësia që, me anë të Safijes, shumë çifutë ta shihnin dhe njihnin nga afër Profetin dhe të zbuteshin. Allahu i Lartë që prej diçkaje krijonte gjithçka dhe në çdo veprim të të cilit do të kishte mijra urtësi, ashtu siç ndodhi tek të gjitha bashkëshortet, edhe te kjo pati sjellë shumë dobi dhe bekim.

Përveç kësaj, nga pikëpamja e mundësisë për t’u bërë i njohur me botën e brendshme të armiqve, pandeh se është me vend të kujtoj që me këtë ai i jepte edhe një mësim bashkësisë së vet. Sidomos ndaj çifutëve!..

Po ashtu nga kjo pikëpamje, ishte shumë i rëndësishëm fakti që Safija dhe gratë e tjera vinin, në mënyrë të ngjashme, nga popuj të ndryshëm. Mjaftonte që, duke i njohur qëllimkëqinjtë mes tyre, njeriu të mos ia tregonte sekretet e veta armikut!

VIII. Nga këto fatbardha ishte edhe Sevdaja, nga ato të radhës së parë, që kishte emigruar në Etiopi bashkë me të shoqin dhe, ngjashëm me fatin e Ummu Habibes, që kishte mbetur në mes të udhës pas vdekjes së të shoqit.

Profeti ia lidhi plagën kësaj zemërthyere, e shpëtoi nga shkatërrimi dhe iu bë shok në ndjenja. Për më tepër që kjo grua e madhe që mendonte të jetonte nën kurorën e Profetit, nuk dëshironte gjë tjetër veç kësaj.

Ja, pra, me këto synime dhe urtësi qe orientuar Profeti ynë në këto martesa dhe kurrë nuk u kish hyrë për dëshira trupore. Ose qe martuar për dhuntitë dhe aftësitë e grave që iu bënë bashkëshorte, për të ngritur një ngrehinë farefisnie me ndihmësit e tij, siç ndodhi me dy kalifët e parë rashidinë,[7] ose qe martuar me të tjera urtësi dhe qëllime duke hyrë nën përgjegjësi dhe detyrime të mëdha.

Përveç këtyre, sigurimi në formënmë të drejtë i nevojave të kaq grave për banesë, nevoja të përditshme dhe veshje, kujdesi i jashtëzakonshëm në trajtimin e tyre, respektimi i drejtësisë dhe i të drejtave, parandalimi i pakënaqësive që mund të shkaktoheshin midis tyre, zgjidhja e lehtë dhe e qetë e pashkuarjeve eventuale, janë argumente në favor të profetësisë së atij individualiteti të veçantë që, siç shprehej Bernard Shou, i zgjidhte problemet më të mëdha me lehtësinë e pirjes së një filxhani kafeje…

Ne që shohim dhe dimë se sa i vështirë është administrimi i një gruaje dhe nja dy fëmijëve, përballë atij njeriu të madh që trajtoi në një ritëm dhe harmoni poetike disa gra të cilat më parë kishin pasë krijuar çerdhe të tjera, të cilat ishin bërë dëshmitare të konstrukteve të tjera familjare, të cilat kishin fituar zakone e vese të ndryshme në ato familje, përballë tij, pra, përthyhemi më dysh me nderim.

Mbeti vetëm një çështje e veçantë, ajo e numrit të bashkëshorteve, e numrit të tyre mbi atë të lejueshmin për bashkësinë e tij. Kjo është një çështje ligjëvënësie. Sigurisht, ky është një përjashtim ligjor që përfshin shumë urtësi dhe synime të njohura e të panjohura prej nesh. Një farë kohe qe dhënë një liri e pakushtëzuar për numrin e grave, kurse më pas, në një datë të caktuar, u vu një kufizim dhe u ndaluan martesat jashtë atij kufizimi.


[1] Megazi dhe sijer: përkatësisht lidhur me luftërat dhe jetën e profetit Muhammed.
[2] Solomon dhe David sipas hebraizmit.
[3] Atributi sadik – i drejtë, i sinqertë, i fjalës, besnik, iu dha së pari fare të atit, Ebu Bekrit, një ndër besimtarët e parë, shokët dhe pasuesit e profetit Muhammed dhe kalifi i parë pas tij. pastaj ky atribut iu dha dhe së bijës, Aishesë, bashkëshorte e Profetit.
[4] Kur vdiq Profeti.
[5] Emevitët ose Omejadët: shteti (kalifati) i Omejadëve (661-750). Filluar me Muavije bin Ebi Sufjan, 14 kalifë radhazi të kësaj dinastie udhëhoqën shtetin islam. Nën udhëheqjen e tyre u kalua Gjibraltari, u pushtua Spanja dhe u ngrit shteti islam i Andaluzisë (756-1031), epigjeu i të cilit përshkruhet artistikisht në romanin i Lion Fohjtvangerit, Çifutja e Toledos.
[6] Në origjinal: ilan-i harb.
[7] Eshtë fjala për kalifët Ebu Bekr dhe Osman që erdhën në pushtet pas Profetit radhazi.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Pse Pejgamberi a.s. ishte martuar me shumë gra?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA