Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Pse pas ndonjë zbulimi shkencor apo shpikjeje thuhet se i janë gjetur shenjat edhe në Kuran? cila duhet të jetë qasja e studiuesve përballë shprehjes së këtyre të vërtetave shkencore edhe në Kuran?

Estimated reading: 16 minutes 88 views

Kurani dhe universi janë secili nga një libër më vete i Allahut. Kështu që nuk ka se si të mendohet që ata mund të jenë në kundërshti me njëri-tjetrin. Po, ashtu si Shprehja Mrekulli, Kurani Fisnik, që buron prej cilësisë së shprehjes që zotëron Allahu, është një interpret i përhershëm, një shpjegues i pastër dhe një argument i plotë i librit të madh të universit, i cili është edhe tregues i cilësisë së forcës së Tij. Kurani interpreton universin, e universi fiton dritë në saje të Kuranit. Me pak fjalë, Kurani Fisnik shpreh ligjet e universit, të fshehtat hyjnore, bashkë me mënyrën e kontrollit që ka Allahu mbi tërë gjithësinë.

Pikërisht, ngase interpreton dhe shpjegon universin, në të gjenden një sërë ndodhish të kësaj bote, të cilat mandej shërbejnë si shenja kah disa studime shkencore mbi to. Kështu, që në kohët e para, krahas ajeteve që kishin të bënin drejtpërsëdrejti me çështjet e besimit, si adhurimi apo morali, u është dhënë vëmendje edhe ajeteve që shenjojnë fakte shkencore duke u marrë me interpretimin dhe sqarimin e këtyre ajeteve. Për shembull, nëse do të shihen ato që ka thënë Ibni Xherir et-Taberi për disa ajete të tilla, do të shihet se ato shpjegime a interpretime janë shumë të ngjashme me studimet e ndërmarra ditëve të sotme. Megjithëse ka jetuar afro njëmijë vjet më parë, ky interpretues i mrekullueshëm i Kuranit, është gjetur në disa vlerësime që qëndrojnë shumë e shumë më tepër mbi ato të kohës. Për shembull, ai e interpreton ajetin “Ne i dërguam erërat për pjalmim.” (Hixhr, 22), si tregues se erërat janë ato që ndihmojnë në pjalmimin e bimëve. Shiheni se si në një kohë kur ende nuk ishte zbuluar se retë ishin të ngarkuara pozitivisht ose negativisht, ai tregon se si erërat luanë rol madje edhe në procesin e reshjeve të shiut.

Dhe jo vetëm Ibni Xheriri, por edhe shumë interpretues të tjerë janë shprehur për shumë ajete të cilat tregojnë shumë për ndodhitë që rrethojnë gjithësinë. Por ç’e do se në këto dy shekujt e fundit, kjo nuk është parë më si një çështje e qenësishme, por as e përshtatshme për studime të mëvetshme.

Kur i afrohemi epokës në të cilën jetojmë, shohim se ka filluar të qëndrohet më së tepërmi mbi çështjet e shkencës parë në Kuran – ndoshta kjo e lidhur paksa edhe me botëkuptimin pozitivist që e karakterizon. Për shembull, Muhamed Abduh, i cili ka përgatitur pesëmbëdhjetë vëllime me interpretim të Kuranit, deri në suren Jusuf, ka bërë disa interpretime tejet moderne për disa çështje të shkencës. Reshit Riza-i, njëri prej epigoneve të tij më të mirë, i ka qartësuar paksa disa prej pikave të këtij interpretimi, madje edhe duke i plotësuar interpretimet e ngelura të mangëta që prej ku i ka lënë mësuesi i tij. Mirëpo aty gjenden edhe disa komente të cilat dalin pak në kundërshtim me ato që mirëpranojnë dijetarët e ehli Sunetit. Për shembull teksa interpretohet ajeti “Sakaq, i ktheu ata menjëherë si byk i ngrënë.” , është afruar më tepër kah një interpretim se njerëzit e Ebrehesë vdiqën të shkatërruar prej sëmundjes së lules (xhuderi), e cila u shkaktua prej mikrobit që mbartnin gurët e rrëzuar prej kthetrave të zogjve. Ndërsa, në fakt, këtu shfaqet me anë të një metonimie, ku tregohet se me gurët që hodhën zogjtë, ushtarët u bënë vrima vrima, njësoj siç bëhen gjethet e ngrëna prej kandrrave.

Pak kohë pas shkrimit të këtij interpretimi, Tantaui Xhevheriu, shkroi një interpretim që u quajt “el – Xhevahir” (Guri i çmuar), ku ajetet që janë të lidhura me gjithësinë shihen nga një pikëvështrim më afër zhvillimeve që ka treguar fusha e njohjes dhe shkencës. Megjithëse në disa vende nuk është ruajtur thellësia e pritur, Xhevheriu është rrekur që t’i interpretojë në bazë të të dhënave shkencore moderne. Vetëm se komentuesit e interpretimit të tij e kanë parë atë përherë më tepër si një enciklopedi. Nuk kanë qenë të pakta as përpjekjet e të ndjerit Said Havasë në këtë lëmë. Si përfundim, pas orvatjeve të shumta të shumë dijetarëve, në fushën e interpretimeve sa më shkencore ka nisur një frymë e re, ku si te ne, ashtu edhe në botën arabe, ka filluar të vërehet ndjeshëm rritja e interpretimeve të Kuranit. Për shembull, mund të përmendim Zaglulu Nexharin, i cili është një dijetar tejet i nderuar i Arabisë Saudite, e që ka bërë një sërë kërkimesh për këtë fushë. Ky dijetar i nderuar, jo vetëm që është një njohës shumë i mirë i Kuranit, por është një njeri që mund të flasë lehtësisht për fushën e tij, që i trajton çështjet në imtësi. Me pak fjalë, një akademik poliedrik.

Ndërsa, kur vijmë te Said Nursiu, mund të themi se ai nuk është thelluar shumë kësaj rruge. Ai është mjaftuar vetëm me disa ajete, siç janë ajetet që rrëfejnë goditjen e gurit me shkopin e tij prej Profetit Musa të nderuar (a.s.), apo prurja e fronit të Belkisit prej Profetit Sulejman (a.s.). Por ai e ka treguar aq qartazi rëndësinë dhe përmbajtjen shkencore në zbardhjen e të vërtetave që zotërojnë mrekullitë profetike, saqë vetëm ky element ia vlen që të studiohet veçmas imtësisht.

Pozicioni i zbulimeve shkencore në qëllimet e përgjithshme të Kuranit

Përsa i përket faktit se çfarë vendi zënë zbulimet dhe shpikjet shkencore me Kuranin Fisnik, duhet parë fillimisht se cili është vendi që zënë këto zbulime në qëllimet e përgjithshme të Kuranit Fisnik, e aq do të jetë edhe shkalla e përfshirjes së tyre brenda përmbajtjes së ajeteve kuranore. Po të shihet Kurani me një sy të lirë, vërehet se Ai i jep përparësi çështjeve të lidhura drejtpërsëdrejti me kriteret e besimit dhe të Islamit, të cilat i tregojnë njeriut rrugën që të çon kah lumturia në jetën e mbrame. Njëkohësisht, Ai i tregon njeriut disa prej parimeve që duhen ndjekur në jetën individuale, familjare, por edhe shoqërore, për ta mësuar atë si të përftojë lumturinë gjatë jetës në këtë botë. Kësisoj, ne mund të themi se Kurani i jep përparësi lumturisë së njeriut si në këtë botë dhe në atëbotë. Andaj, nëse do ta shohim çështjen pikërisht nga ky këndvështrim, do të shohim se zbulimet shkencore, bashkë me shfaqjet e tyre në përmbajtjen e ajeteve kuranore, zënë një vend më dytësor, sesa ato çështje që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me jetën e njeriut. Pastaj, Kurani nuk është vetëm një libër që flet për llojet e shkencave. Ai i drejtohet drejtpërsëdrejti tërësisë njerëzore. Kësisoj, duke iu drejtuar tërësisë njerëzore përsa i përket përmbajtjes, edhe stili i përdorur është sipas botëkuptimit të përgjithshëm. Nëse Kurani Fisnik do t’i qasej çështjeve sipas këndvështrimit të rangut të shkencëtarëve që nuk përbëjnë as pesë përqind, nëntëdhjetë e pesë përqind e njerëzve nuk do të mund të përfitonin prej tij.

Kompleksi i inferioritetit dhe komente artificiale

Nga ana tjetër, ndërsa komentojmë disa prej ajeteve të cilat mbartin informacione për disa arritje të shkencës, duke hyrë në disa qasje artificiale, apo rendur pas ndonjë luksi të veçantë, madje edhe duke devijuar nëpër fantazi të ndryshme, nuk është aspak sjellje e hijshme që të themi, “ore po do t’i bëj një koment shkencor filan ajeti unë”, për të parë pastaj se i ke bashkëngjitur diçka të pahijshme Kuranit. Nga ana tjetër, të ngrihesh e ta provosh Kuranin, nëpërmjet të dhënash shkencore pozitiviste, është një paturpësi që mund të bëhet karshi Fjalës së Allahut (xh.xh.). Po, sikur këto çështje të lidhura me shkencën, të ngrihesh e t’i interpretosh medoemos nëpërmjet ajeteve, madje ndonjëherë edhe duke e tejkaluar kufirin e interpretimit (të Kuranit dhe Hadithit), duke e marrë si të mirëqenë çdo zhvillim a arritje shkencore dhe duke e përdorur ajetin si mbështetje kryesore për, është qasja më e paturpshme që mund të bëhet karshi Fjalës së Allahut.

Veç kësaj, lidhja e Kuranit Fisnik me disa çështje të ndryshme të shkencës ka ngjarë si pasojë e vetë stilit të veçantë të Tij. Ai ka përdorur një stil aq të veçantë, saqë ka marrë parasysh jo vetëm bashkëbiseduesin e atyre ditëve, por edhe bashkëbiseduesit e këtyre ditëve, ku shkenca ka njohur goxha arritje. Me fjalë të tjera, nuk mund të gjendet asnjë kundërthënie apo lajthitje logjike nëpërmjet mesazhit që i zbriste marrësit të atij mesazhi gjatë asaj kohe, dhe arritjeve të shkencave, që karakterizojnë epokën tonë. Për shembull, në suret Haxh, Muminun dhe Murselat, flitet qartë për fazat që ndjek embrioni për t’u bërë fëmijë, në barkun e nënës. Aty mund të shihet qartë se këto ajete, ashtu siç janë kuptuar në njëfarë mënyre prej dëgjuesit a lexuesit të asaj kohe, sot ai perceptohet habitshëm dhe mahnitshëm njëkohësisht prej kaq e aq gjinekologësh specialistë të fushës së tyre.

Gjithashtu, një çështje tjetër që është e domosdoshme që të tregohet kujdes janë komentimi dhe interpretimi i zhvillimeve dhe arritjeve të shkencave në dritën e ajeteve dhe haditheve, por duke i paraqitur çështjet në mënyrë alternative, duke mos e harruar asnjëherë se ai nuk është i vetmi kuptim që buron prej tyre, për t’i lënë përherë të hapura portat e mundësive. Nuk duhet të dalin fjali të hedhura ashtu, shkurt dhe preraz. Sidomos, nëse është duke u bërë një shqyrtim në një lëmë krejt të re, kur pikat e saj ende nuk e kanë vërtetuar ekzistencën e prerë, të japësh gjykime a interpretime të lidhura me ajetet apo hadithet, mund të shpjerë në probleme serioze. Fillimisht duhet të studiohen edhe punimet e bëra gjer më tani, të cilat mund të kenë lidhje me çështjen në kundrim, si dhe duhet pasur edhe dijeni se ç’thonë burimet kryesore për çështjen mbi të cilën ne po përqendrohemi.

Këtu do qe e vlefshme të ceknim një çështje tjetër: Një teolog i cili po merret me interpretimin e Kuranit, fillimisht duhet të zotërojë mjaft mirë fushën e tij. Për shembull, duhet ta dijë mjaft mirë gjuhën arabe, me të gjitha aspektet e saj, madje edhe të njohë tefsirin, fikhun, hadithet, metodologjinë e interpretimit apo të fesë. E sakaq, krahas tyre duhet edhe një njohuri e mirë edhe në disiplinat e tjera shkencore. Po ashtu, edhe një studiues që merret me shkencat pozitiviste, duhet të ketë një njohje të konsiderueshme të dijeve fetare. Fatkeqësisht, në ditët tona, këto dy fusha janë duke përparuar të ndara nga njëra-tjetra. Të ndodh të shohësh, një specialist i një disipline të caktuar shkencore ka përparuar aq shumë në disiplinën e tij, por nuk di asgjë në lidhje me fenë. Teksa them “Nuk di asgjë”, kam parasysh faktin se të kesh njohuri të mjaftueshme ilmihali, nuk do të thotë të dish fenë. Madje, sikur një njeri të mësonte përmendësh gjithë Buhariun, prapë nuk mund të thuash që e njeh mirë fenë. Edhe të ketë mësuar të gjithë Kuranin përmendësh, nuk do të thotë kushedi se çfarë. Sepse, krahas mësimit përmendësh të Kuranit dhe Hadithit, duhen përkapur edhe bazat shkencore, në mënyrë që të kuptohen më mirë qëllimet hyjnore.

Zemra besimtare të pasionuara pas zbulimit

Sot, Perëndimi është duke e zbërthyer fije për pe ekzistencën dhe ngjarjet e ndryshme nëpërmjet kërkimeve që po bën në disiplinat pozitiviste. Është e pamundur të mos befasoshesh teksa shikon guximin dhe përpjekjet e tyre në fushën e kërkimit. Por, ngase nuk njohin Allahun (xh.xh.) dhe Profetin Muhamed (alejhis’salatu ues’selam), ata e komentojnë çdo gjë të kufizuar brenda disa kallëpesh shumë të ngushta. Saora, sistemet e tyre shkojnë e mbështeten veç pas ndonjë pozitivizmi, materializmi apo te natyralizmi. Me fjalë të tjera, këto sisteme që e shohin materialen si çdo gjë, sa më shumë të këmbëngulin në pikëvështrimin e tyre, aq më të ngushtë fillojnë që ta kenë horizontin.

Ashtu siç këmbëngulin edhe shkencëtarët dhe historianët e filozofisë, dijetarët myslimanë kanë arritur shumë zbulime marramendëse në lëmin e dijeve dhe të shkencës, deri në Rilindjen e tyre, e cila ka ndodhur në shekullin e pestë sipas kalendarit hënor (hixhri). Po, myslimanët patën kryer shumë zbulime serioze në fusha si mjekësia, gjeometria, apo astronomia. Por sa keq që pas shekullit të pestë, prej afro dhjetë shekujsh e lamë këtë punë aty ku ishte, ndërkohë që flamurin e mori për ta çuar më tej Perëndimi. E duke qenë kështu, ata i vendosin barrikada sistemit të tyre, duke qenë të vetmit që mbushnin statistikat shkencore. E ngaqë e ndërtuan vetëm sistemin për vete, filluan t’i gjykojnë dhe interpretojnë gjërat sipas mendimit të tyre. Por ç’e do se arsyetimi abstrakt ka një kufi në përkapjen e të vërtetës absolute. Me anë të arsyetimit njeriu mund të arrijë deri në një pikë të caktuar dhe mund të japë sqarime të deridikushme për çështjet që hulumton. Ka çështje të atilla që nuk mund kuptohen pa kaluar nga prova e revelatës hyjnore; në atë fushë fjala e fundit i përket asaj.

Atëherë sot, krahas fizikës duhet hulumtuar edhe shpirti dhe metafizika, me qëllim ngritjen e një sistemi studimi dhe shkencor të baraspeshuar. Vetëm atëherë mund ta shihni ekzistencën nëpërmjet mikroskopit, teleskopit apo rrezeve X, për ta parë më qartë, asisoj që ta vlerësoni më drejtë. Këto fjalë nuk duan assesi të thonë, se “ajo që ka arritur Perëndimi është e gabuar.” Sepse, ngase edhe mendja ka urtësinë e saj të krijimit, ka shumë të vërteta që janë arritur sajë saj. Mirëpo, të gjitha teoritë e hedhura këto shekujt e fundit, duke qenë të bazuara vetëm nga aspekti materialist, duhen rishikuar edhe njëherë, duke ndarë ato që ishin të sakta nga të gabuarat. E kjo është e lidhur me faktin që ne t’i shohim edhe njëherë shkencat ekzakte të kalojnë përmes boshtit të Kuranit dhe perimetrit të besimit tonë. Gjë të cilës mund t’ia arrijnë vetëm ata që e kuptojnë si duhet Kuranin.

Në disa rrethe flitet për transferimin dhe islamizimin e dijes. Për mendimin tim, kjo qasje është sikur t’i veshësh dikujt një këmishë të lënë amanet, kësodore një ndërhyrje që nuk të nxjerr në kurrfarë përfundimi. Përkundrazi, çështjet duhen parë bashkë me dinamikat e tyre themelore, për t’i kaluar nëpër duar dijet e kohës, nën dritën e një mendjeje të shëndoshë, ndjenjash të qeta, dhe të sa më shumë dëshmive të besueshme, derisa në fund të kemi thënë të vërtetat tona mbi to. Dhe kjo e gjitha varet nga përpjekja jonë për të përgatitur njerëz të pasionuar pas dijes dhe zbulimit të së vërtetës.

Nëse kërkohet shkrimi i një interpretimi të vërtetë të Kuranit që i drejtohet kuptimit të njeriut të sotëm, fillimisht duhet ngritur një ekip të përbërë prej njerëzish specialistë, të cilët zotërojnë dije të thellë në të gjitha disiplinat. Pasi ky ekip t’i ketë diskutuar çështjet fillimisht mes vedi, duhet të përcaktojë sipas bazës së fesë dhe metodologjisë së interpretimit të Kuranit se ç’është e saktë dhe ç’është e gabuar, dhe vetëm pasi të jetë marrë miratimi i një vetëdije të tillë kolektive interpretimet duhet të regjistrohen. Kështu që, vetëm pasi të jetë ngritur një këshill i tillë specialistësh si në disiplinat ekzakte, ashtu edhe fetare, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, nuk ka për t’u përçartur në lukse dhe kuturisje interpretuese, e as në komente artificiale dhe të paprekshme nga asnjë anë. Shpresa dhe pritshmëria jonë është që njerëzit e ditur e të mbushur me besim të ditëve tona t’i mbledhin në kundrim të gjitha interpretimet, për të thënë atë që duhet thënë mbi interpretimin e jetës, që edhe ne, myslimanët e ditëve të sotme, të mund ta tregojmë edhe njëherë, për një çast, besnikërinë dhe mirënjohjen tonë karshi Kuranit Fisnik.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Pse pas ndonjë zbulimi shkencor apo shpikjeje thuhet se i janë gjetur shenjat edhe në Kuran? cila duhet të jetë qasja e studiuesve përballë shprehjes së këtyre të vërtetave shkencore edhe në Kuran?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA