Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Evolucioni – Ateizmi

Si u përdorën eksperimentet e Milerit për vërtetimin e vetëkzistencës?

Estimated reading: 16 minutes 377 views

Teoricienët evolucionistë, meqë nuk e shpjegojnë dot kalimin në jetë, mbahen pas rastësisë dhe vetëkrijimit qysh në krye të herës. Sipas pretendimeve të tyre, në atmosferën tonë të parë kishte shumë amoniak, metan, avuj uji dhe hidrogjen. Këta, në sajë të zbrazjeve energjitike spontane me anë të rrufeve dhe shpërthimeve vullkanike, hynë në reaksione me njëri-tjetrin dhe formuan aminoacidet. Me kohë, duke iu nënshtruar një procesi purifikimi, aminoacidet u shndërruan në proteina të cilat ranë në ujra dhe, kështu, u shfaqën qeniet e para në formë krimbash dhe shushunjash.

Eksperimentet e Milerit

Përkrahësit e evolucionit i përdorën eksperimentet e Milerit si argument se jeta mund të krijohet me anë të reaksioneve kimike. Mirëpo ajo çka bëri Mileri, ishte të eksperimentonte nëse mund të formohej një gjë e gjallë nga aminoacidet që zgjodhi posaçërisht nga njeriu si qenie me dije, vetëdije dhe vullnet. Në eksperimentet e tij ai pa se që të formohej gjallesë dhe ajo të mund ta vazhdonte jetën e saj, duhet t’i jepej vazhdimisht dhe në mënyrë të kontrolluar energji. Më e rëndësishmja, ishte një mekanizëm kurthi të ftohtë i përgatitur posaçërisht që i mbronte aminoacidet e zgjedhura nga copëtimi, i bashkonte bashkë dhe i grumbullonte. Nëse në aminoacidet ekziston mundësia për t’u shndërruar në gjallesë, për të përbërë truall për jetën – dhe kjo mundësi është e dhënë nga Zoti – këtë mundësi mund ta vërë në veprim njeriu si qenie me arsye, dije dhe vullnet. Kurse të pretendosh se të gjitha këto mund të ndodhin rastësisht, do të thotë të tallesh me arsyen, dijen dhe vullnetin!

Autotrof, heterotrof

Evolucionistët pretendojnë se gjallesat e shfaqura vetvetiu apo rastësisht, mund ta sigurojnë energjinë e nevojshme për jetën nga dielli ose reaksionet kimike. Veçanërisht pretendojnë se mund të ushqehen si ameba ose t’i formojnë vetë lëndët ushqyese që u duhen. Ata përpiqen t’i mbështesin pretendimet e tyre me tezat e ushqyerjes autotrofe (vetëushqyerje) dhe heterotrofe (ushqyerje nga jashtë). Ushqyerja autotrofe sot nuk pranohet. Reaksionet kimike që formojnë ushqim, si fotosinteza, janë dukuri shumë të komplikuara. Kur i mendojmë reaksionet e komplikuara në bimët e blerta që mund të bëjnë fotosintezë dhe enzimat që marrin pjesë në ato reaksione, shohim se veçori të tilla si vartësia mes elementëve vepron në mënyrë të përsosur.

Evolucionistët janë zënë ngushtë nga fakti që një sistem i tillë i përsosur është formuar menjëherë në kushtet e para tokësore, sepse bie në kundërshtim me pretendimet e tyre evolucioniste. Reaksione të tilla komplekse mund të përftohen vetëm në mekanizma komplekse që duhet të jenë shfaqur menjëherë, së bashku me gjallesat në mënyrë që ato të mund të prodhonin ushqimin e duhur. Mirëpo kjo është e kundërt në themel me darvinizmin, sepse sipas darvinizmit është krejt e pamundur që një mekanizëm kompleks të shfaqet menjëherë. Mendimi evolucionist e kërkon që të gjitha këto të formohen gradualisht, dalëngadalë dhe një nga një.

Kurse sipas tezës së ushqyerjes heterotrofe, për gjallesën nuk ka ushqim të gatshëm, gjallesa nuk mund ta bëjë atë vetë, prandaj duhet ta marrë prej jashtë. Por edhe kjo e bën të domosdoshme ekzistencën e mekanizmave që do të bënin të mundur zhvillimin e reaksioneve shumë të komplikuara. Ushqimi që duhet të marrë një gjallesë duhet të jetë një lëndë organike e prodhur gjithashtu nga një gjallesë. Për rrjedhojë, çdo gjallesë ose gjallesa e parë e shfaqur do të jetë nevojtare për ekzistencën e një gjallese tjetër para saj, gjë që shkon mbrapsht në mënyrë zinxhir duke i bërë edhe gjallesat eternale, pa fillim, gjë që është absurde dhe e pamundur!

Ekzistenca dhe ligjet e saj

Mbetet të themi se në formimin e gjithësisë dhe të të gjithë elementëve në të, në formimin e qenieve të gjalla e jo të gjalla, ka një vetëdije, dije, parapëlqim, domethënë, vullnet krejt të hapur. Ndërsa shkencëtarët natyralistë dhe materialistë, nga njëra anë, ia lënë këtë proces formimi rastësisë dhe vetëformimit, nga ana tjetër bëjnë fjalë për ligjet. Mirëpo ligji e kundërshton edhe rastësinë, edhe vetëformimin. Gjithashtu, ligji mund të jetë vetëm vepër e dikujt që di.

Renditja e proteinave dhe aminoacideve

Shkencëtari i njohur suedez, Charles Eugenie Guye thotë: “Një proteinë formohet nga 40 mijë atome. Për rrjedhojë, mundësia e vetëformimit të vetvetishëm të një proteine është një për 60 në fuqi të dhjetë.” Ndërkaq, s’duhet harruar se te qenia e gjallë nuk bëhet fjalë për një proteinë, por për vargje proteinash. Dhe për të formuar një varg proteinash, Dr. Lecomte de Nouy thotë pikërisht kështu: “Një varg proteinash mund të formohet rastësisht vetëm një për 243 në fuqi të dhjetë.” Por njeriu nuk përbëhet as nga një varg proteinash, as nga një qelizë! Njeriu përbëhet prej 60 trilion qelizash të cilat janë të lidhura në atë mënyrë me njëra-tjetrën, saqë disa herë, prishja e sistemit të vetëm njërës prej tyre mund të sjellë vdekjen e njeriut! Jeta e njeriut zhvillohet pikërisht mbi marrëdhënie kaq të ndjeshme dhe po kaq të përsosura! Kur e mendoni këtë sistem të mrekullueshëm, dëgjoni ndërgjegjen të thotë: “Allahu ynë, pohojmë se Ti je larg çdo lloj kuptimesh të gabuara dhe të madhërojmë! Sa e madhe është fama jote!”

Në formimin e një qenie të gjallë, në fillim bëhen ekzistente aminoacidet, pastaj proteinat. Aminoacidet renditen dhe formohet një proteinë. Që proteinat të formojnë një qenie të gjallë, është nevoja edhe e gjërave të tjera. Si një sistem molekulash e organizuar sipas një plani të caktuar, çdo qenie e gjallë, për t’u formuar si dhe për ta vazhduar jetën pas formimit, ka nevojë, bashkë me energjinë, edhe për t’u ushqyer. Biologjia evolucioniste pretendon se gjallesa e parë e ka marrë këtë energji nga dielli dhe ka përfituar në mënyrë të veçantë edhe nga rrezet ultravjollcë si dhe nga vetëtimat. Kurse ne e dimë se gjallesa ka nevojë për energji në një masë të caktuar, në mënyrë të rregullt dhe pandërprerje si gjatë formimit, ashtu dhe pas formimit për ta vazhduar ekzistencën e saj. Ndërkaq, rrezet e diellit nuk ngrohin gjithmonë njëlloj, kurse vetëtimat kurrë nuk janë të rregullta; veç kësaj, ato janë djegëse e shkatërruese. Edhe sikur ta pranojmë se këto pretendime janë të vërteta, si do të shpjegohej rregullimi i marrëdhënies së pretenduar mes rrezeve të diellit, rrezeve ultravjollcë, vetëtimave, nga njëra anë, dhe formimit të qenieve të gjalla, nga ana tjetër?

Ushqyerja dhe rritja

Si formimi i gjallesës, ashtu dhe ushqyerja e saj na nxjerrin para probleme të veçanta. Qenia e gjallë do të ushqehet, do të zhvillohet, do të sintetizojë lëndë të domosdoshme për veten dhe do ta vazhdojë jetën. Po qe se është shfaqur një qenie e gjallë me anë të evolucionit, siç pretendohet, ajo duhet të jetë ushqyer me mënyrën e difuzionit ngaqë nuk i ka pasur të zhvilluara sistemin e tretjes, të qarkullimit, të frymëmarrjes, pra, në një farë mënyre si ameba. Një mënyrë ushqyerjeje e tillë është e mundur për këto dy shkaqe: dendësia e mjetit dhe e mjedisit. Ndërkaq, rregullimi i ekuilibrit mes dendësisë së proteinës në lëngun ku ndodhet gjallesa dhe dendësisë së lëndëve të ngurta e të lëngshme brenda qelizës së vet është një problem shumë i rëndësishëm.

E dimë se molekulat e shkrira rrjedhin në vende më të lëngshme por nuk futen në vende më të ngurta (viskoze). Ndryshe nga kjo, gjërat që ndodhen në vende më të ngurta, rrjedhin në vende të lëngshme.[1] Ky është një rregull. Kështu, po qe se mjedisi i vargut proteinik të sapoformuar është më i lëngshëm se mjedisi i vet i brendshëm, në proteinë nuk do të hyjë asgjë nga jashtë, përkundrazi, lëndët ushqyese që do të përmbajë proteina, do të rrjedhin jashtë dhe, si rezultat, ekzistenca e kësaj qenieje të gjallë të porsaformuar do të shkatërrohet. Po qe se mjedisi i jashtëm i vargut proteinik është më i ngurtë se mjedisi i tij i brendshëm, lëndët do të rrjedhin nga jashtë brenda tij duke ia penguar zhvillimin dhe shkatërruar ekzistencën. Edhe në kushtet e të njëjtës gjendje mes dy mjediseve, meqë s’do të ketë difuzion, do të pengohet edhe ushqyerja e gjallesës së re.

Le të themi se, pavarësisht nga të gjitha kushtet e pafavorshme, qenia e gjallë u formua dhe nisi të jetojë. Veç ushqyerjes, ajo do të ketë nevojë të menjëhershme për energji për të hedhur jashtë produktet e katabolizmit. Ku do ta marrë kjo qenie e re këtë energji? Kështu, duhen formuar edhe mitokondritë që vlejnë si centrale energjitike. Në përgjithësi, qenia e re ka nevojë çdo çast për një sasi energjie të caktuar në mënyrë që të vazhdojë të jetojë.

Sipas llogaritjeve mbi mundësitë, jo vetëm që një substancë kimike (një kombinim kimik) s’mund të kthehet në qenie të gjallë, por edhe formimi i vetvetishëm i një vargu proteinik është i pamundur. Megjithëkëtë, le të pranojmë se gjallesa u formua. Tani ajo nuk do të mbetet në gjendjen e parë, por do të zhvillohet dhe zhvillimi i saj do të kërkojë funksionimin e bashkërenduar të sistemeve të tretjes, qarkullimit, zbrazjes dhe frymëmarrjes që duhet të formohen në çast dhe të fillojnë të funksionojnë me qëllim që gjallesa të jetojë. Mirëpo kjo bie në kundërshtim me konsideratën evolucioniste të Darvinit i cili thotë se një mekanizëm i komplikuar kurrë nuk mund të formohet në një çast.

Një tjetër specifikë shumë e rëndësishme që i mashtron darvinistët

Një tjetër specifikë shumë e rëndësishme që i mashtron darvinistët është se e shohin çështjen ngushtë, vetëm nga dritarja e një apo disa shkencave apo disiplinave shkencore. Mirëpo, në çështjen e gjërave të gjalla e jo të gjalla në gjithësi, veçanërisht në lidhje me botën e gjallë, asnjë shkencë nuk duhet të bjerë në kundërshtim me të tjerat. Fizika, matematika, kimia, botanika, zoologjia, gjeologjia dhe paleontologjia nuk duhet të bien në kundërshtim me njëra-tjetrën në shpjegimin e sistemit të gjallë. Kështu, në përgjithësi, ne, në lidhje me qenien e gjallë, kur bëjmë kërkime dhe studime në një fushë të caktuar, kërkimet dhe studimet tona nuk i vendosim mbi mutacionin, evolucionin, adaptimin dhe seleksionin natyror. Për shembull, kur punojmë në farmakologji e në profilaksi për të bërë ilaçe të reja, i trajtojmë bakteriet që bëhen shkaktarë të sëmundjeve të caktuara si të pandryshueshme dhe mbi këtë bazë i bëjmë ilaçet dhe i përcaktojmë ndikimet e tyre mbi bakteriet apo shkaktarët e tjerë. Kur përdorim antibiotikë për mikrobe të caktuara të sëmundjeve të caktuara, nuk e mendojmë fare që, bie fjala, ndërsa kemi dhënë një antibiotik kundër mikrobit të tuberkulozit, ky, me anë të mutacionit, mund të kthehet në mikrob kolere ose tifoje, etj.! Në profilaksi veprojmë sipas parimit se mikrobet e ruajnë natyrën dhe përmbajtjen e tyre.

Ashtu siç çdo lloj qenie e gjallë e ka mundësinë për t’i zhvilluar mekanizmat e saj të vetëmbrojtjes me qëllim për ta vazhduar jetën, mundësi të cilën ia ka dhënë Allahu, Zoti i gjithësisë, edhe bakteriet mund të pësojnë disa ndryshime të brendshme si kundërveprim ndaj ilaçeve që veprojnë mbi to duke ua rritur rezistencën, por kurrë këto ndryshime s’mund të jenë të nivelit të mutacionit që do t’i çonte në një ndryshim lloji. Ndërkaq, s’duhet harruar se po flasim për qenie mikroskopike. Ndryshimi që mund të ndodhë te këto një herë në 30 vjet, te njeriu i korrespondon një ndryshimi që mund të ndodhë në miliarda vjet. Po qe se në qenie të tilla nuk ndodh ndonjë ndryshim lloji as në 30 vjet, kjo mjafton për ta kuptuar dhe treguar se mosha e tokës nuk do të mjaftonte për evolucion. Shkenca thotë se algat blu dhe jeshile që rrojnë në dete, kanë ekzistuar edhe 50 milion vjet më parë po në gjendjen që kanë sot!

Ekzistenca çift

Le supozojmë se u formua me anë të evolucionit një shushunjë. Mirëpo ne shohim se jo vetëm në botën e gjallë, por edhe në botën jo të gjallë, gjërat ekzistojnë me të kundërtat e tyre. Ç’është kjo shushunjë dhe ku e ka çiftin e saj? Ata që vizatojnë tipa të sajuar për të përshkruar evoluimin e majmunit në njeri, e tregojnë njeriun me një tip perëndimor moshëmesatar, por harrojnë të përshkruajnë edhe evoluimin e femrës. Në përgjithësi, evolucionistët nuk tregojnë se si u formua qenia e kundërt në seks (femra) e gjallesës së parë dhe ku u formua, krahas dhe pranë mashkullit, apo diku tjetër. Si e gjetën këta njëri-tjetrin dhe nga e morën “instinktin” e bashkimit seksual. Rastësi do t’u themi të gjitha këtyre? Veçanërisht, a është menduar se sa vjet do të duheshin që qindra mijra lloje kafshësh të ndërronin lloj e të përhapeshin në shumë vende të botës?

Qeliza dhe veprimtaria qelizore

Qeliza zotëron një cilësi mbrojtëse më vete. Qeliza funksionon si një shtet. DNA-ja ku është e përcaktuar struktura biologjike e çdo njeriu, është si një sundues, si një komandant. Nga ana tjetër është RNA-ja që vepron si kimist, si inxhinier, që bën sinteza. Kaderi, paracaktimi dhe vlerësimi hyjnor, pothuajse ua ka lënë këtyre caktimin e gjendjes dhe cilësisë së njeriut. Sipas mendimit materialist që nuk gjen dot qendër drejtuese për t’ia dedikuar shifrimin me anë të molekulave të një informacioni sa mijra vëllime librash, kryerjen e reaksioneve të duhura në kohën e duhur për të sintetizuar proteinat e nevojshme për qelizën, kjo mekanizëm, domethënë deshifrimi nga RNA-ja i shifrave të dërguara nga DNA-ja, është vepër e molekulave dhe rastësive të pavetëdijshme. Edhe pse sot nuk kemi dijeni të sakta për krijimin e parë të qelizës, shkenca moderne na thotë shumë gjëra mbi të. Shkenca na i ka shpalosur para syve pjesët përbërëse të qelizës dhe na ka treguar se ç’qenie komplekse është ajo. Aq komplekse, saqë Darvini, po ta zotëronte atëherë këtë informacion që kemi ne sot për qelizën, fjalët që pati thënë për syrin, do t’i thoshte edhe për qelizën. Në letrën drejtuar një miku, ai shkruan: “Kur e mendoj syrin, më ikën mendja!..” Sepse Darvini nuk e shpjegonte dot syrin me anë të evolucionit. Po sikur ta shihte dhe njihte edhe trurin, do t’i shtoheshin po aq edhe mahnitja, edhe zemërimi!

Veçoritë e qelizës nuk mbarojnë së numëruari. Brenda saj zhvillohen veprimtari si veprimtaritë e një ushtrie apo të një shteti. Aty sintetizohen gjërat e nevojshme për trupin. Molekulat e vendosura në membranën e saj, të cilat zotërojnë shifra të posaçme, i dallojnë gjërat e dëmshme dhe të dobishme që i vijnë qelizës nga jashtë. Kur paraqitet nevoja, ndodhin shifrime të reja. Molekulat e membranës ua hapin portat gjërave të dobishme, kurse ua mbyllin gjërave të dëmshme, ndaj të cilave tregojnë reaksion dhe në qelizë nis një mobilizim i përgjithshëm. Qeliza tregon rezistencë ndaj ndërhyrjeve të jashtme. Po të mos tregojë rezistencë, sëmuret dhe, disa herë, edhe vdes. Kur vdesin një pjesë qelizash, të gjitha qelizat e tjera të trupit bashkëveprojnë për hedhjen jashtë të qelizave të vdekura.

Reaksioni i qelizës ndaj ndërhyrjeve të jashtme tregon se gjëja e hyrë prej jashtë në qelizë nuk e ndryshon identitetin e saj. Jo vetëm kaq, po s’qe e tillë që t’i përshtatet strukturës së saj dhe të bëhet e dobishme për të, e prish qelizën, e sëmur dhe e çon gjer në vdekje.

Shkurt, lëreni një gjallesë, por edhe ngjarja më e thjeshtë nuk ndodh dot vetvetiu. Guri nuk lëviz dot vetë nga vendi, nuk hahet ose konsumohet po s’vepruan faktorë të jashtëm mbi të. Mohimi i Krijuesit dhe i faktit që gjithësinë e ka krijuar dhe e drejton Krijuesi, do të thotë mohim i të gjitha këtyre të vërtetave shkencore. A mund të gjendet shembull dhe argument më i mirë e më kuptimplot për të treguar se sa i shëmtuar, sa antishtencor, sa antilogjik është mohimi? Mbetet të themi se njeriu është një qenie e pajisur me mijra ndjenja dhe me shumë mundësi dhe aftësi të jashtëzakonshme mendore e ndjesore. Veçanërisht, njeriu zotëron vetëdije dhe ndërgjegje. Ai është në marrëdhënie të ngushta edhe me kohën, edhe me hapësirën. Madje, duke mos u kënaqur me kaq, njeriu interesohet për përtej kohës dhe hapësirës.

Veç kësaj, njeriu është një qenie e pajisur me dëshira transcendentale dhe e krijuar për jetën e pasosur. Për rrjedhojë, kushtëzimi i formimit dhe ekzistencës së njeriut nga natyra, rastësia, ligjet konvencionale duke u mbështetur në hipoteza të tilla si evolucioni, është fyerja më e madhe për identitetin e njeriut, për gjithçka njerëzore. Të keqen që ia bën njeriu vetes, nuk mund t’ia bëjë asgjë tjetër. Eshtë për këtë arsye që njerëzit që e kanë përjashtuar veten nga të qenit njeri ose që janë në këtë rrugë, Kur’ani i ka cilësuar si të këqinjtë e vetvetes!

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Si u përdorën eksperimentet e Milerit për vërtetimin e vetëkzistencës?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA