Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Kurani fillon me urdhrin “lexo!”

Evolucioni – Ateizmi

A u krijua materia vetevetiu dhe rastesisht?

Estimated reading: 6 minutes 205 views

Ata që përpiqen ta mbajnë teorinë e evolucionit vazhdimisht në rend të ditës sikur të ishte një e vërtetë shkencore, pretendojnë, duke u mbështetur te provat dhe eksperimentet e Milerit, se, në një periudhë të caktuar të tokës, në fund të detit janë krijuar grumbuj proteinash, se, si rezultat i reaksioneve kimike, janë formuar aminoacide, se, të gjitha këto, kanë ndodhur vetvetiu, por nuk e marrin parasysh pohimin e Oparinit, i cili, pas 20 vjet përpjekjesh të vazhdueshme në laboratoret mundësisht më të përsosura për të sintetizuar një qelizë të gjallë, tha: “Eshtë e pamundur që, edhe në laboratoret më të përsosura, të bëhet një qelizë e gjallë vetëm me anë të elementeve kimike!” Mbetet të themi se llogaritet që vetëm për formimin rastësor të një aminoacidi ose molekule proteinike, duhet një kohë që e kapërcen disa herë moshën e tokës. Atëherë, nëse mosha e sotme e tokës nuk mjaftoka për formimin rastësor të një aminoacidi ose molekule proteinike, si mund të jetë e mjaftueshme për formimin e një qelize të gjallë?

Në fakt, jeta mbi tokë varet nga shumë ekuilibre dhe kushte. Më së pari, globi tokësor mbi të cilin jetojmë, duhet t’i përmbajë të gjitha kushtet në të cilat ndodhet. Ne jetojmë mbi një trup qiellor që ndodhet 149.5 milion km. larg nga dielli ynë. Vetëm kjo largësi, madje, kurrsesi nuk mund t’u dedikohet rastësive. Toka është e prirur 23.5 gradë ndaj vertikales. Edhe kjo prirje që është shkaku më i rëndësishëm në formimin e stinëve, nuk mund t’u dedikohet rastësive. Gjithashtu, fakti që 21% të atmosferës e përbën oksigjeni, nuk mund të shpjegohet me rastësinë. Po qe se me llogaritje të mbështetura në probabilitet, pranojmë se pasi një i verbër të hedhë në tokë një gjilpërë, maja e gjilpërës së dytë që do të hedhë, do të ketë 1% probabilitet për të hyrë në vrimën e gjilpërës së parë, mund të themi se matematika ende nuk e njeh shifrën që do të përbënte përqindjen e hyrjes së 1000 gjilpërave që do të hidhte i verbëri, në vrimat e njëra-tjetrës. Kurse do të duhej një shifër shumë herë më e madhe për të shprehur probabilitetin e ardhjes së gjithësisë dhe tokës në gjendjen e sotme me anë të rastësive. Ta pranosh një gjë të tillë jo vetëm s’është një qëndrim shkencor, por as diçka që e pranon mendja. Për këtë, James Jeans thotë kështu:

“Vetëm për ta kuptuar probabilitetin e ardhjes së tokës në formën që ka tani, merrni në dorë të gjithë rërën e tokës dhe shpërndajeni. Sa të ketë probabilitet që çdo kokërr rëre të zërë vendin e njërit prej elementëve që përbëjnë tokën dhe e gjithë masa e rërës të marrë rastësisht formën që ka toka sot, aq ka probabilitet që toka ta ketë marrë formën që ka sot me anë të rastësive!”

Jeta në tokë nuk varet vetëm nga forma që ka sot dhe nga largësia prej149.5 milion km. nga dielli. Dendësia e atmosferës, thithja prej saj e rrezeve të diellit, djegia e plotë e meteorëve në të pa arritur të bien mbi tokë janë një çështje më vete. Thithja e gazrave nga toka dhe e gazrave helmuese nga detrat është një çështje më vete. Marrëdhëniet mes bimëve dhe kafshëve, fakti që bimët natën nxjerrin dioksit karboni, kurse ditën e thithin, dukuria e domosdoshme e fotosintezës për bimët, fakti që për t’u bërë mollë një farë molle, duhet t’i përmbajë të gjitha informacionet e procesit të rritjes, prodhimit dhe marrëdhënieve me tokën, diellin, lagështirën dhe ajrin janë edhe këto një çështje më vete. Përgjithësisht, toka dhe jeta në të kërkojnë një mekanizëm të përsosur, dije, vullnet, vetëdije dhe fuqi, prandaj dhe t’ia dedikosh jetën rastësisë së verbër, do të thotë të heqësh dorë nga arsyeja dhe njerëzorja.

Në lidhje me këtë çështje, nëse edhe njerëzit më optimistë janë të mendimit se, për formimin e një vargu aminoacidi vetëm si kohë nuk do të mjaftonte jeta e tokës, atëherë njeriut i vjen të pyesë: Mos vallë evolucioni nisi në botën tjetër dhe i dha frytet në këtë botë? Po qe se s’është kështu, me ç’rrugë e fitoi kjo qenie e shkëlqyer këtë bukuri marramendëse dhe madhështi që ka sot duke lënë pas kaos? Si arriti jeta të ekzistonte duke iu kundërvënë rikthimit pas? Si u shfaqën vetvetiu miliona gjallesa që ekzistojnë sot? Si ndodhi që gjërat, në kundërshtim me ligjin e II të termodinamikës, i kapërcyen një nga një të gjitha pengesat dhe kaluan nga gjendja e thjeshtë në gjendje të përbërë, nga gjendja e zakonshme në gjendje arti? A mund t’u përgjigjemi të gjitha këtyre në përputhje me frymën e shkencës? Apo do të bëjmë si disa që, duke u ikur të vërtetave shkencore, thonë se evolucioni është fakt i kryer, nuk ka nevojë për vërtetim?

Në të vërtetë, dituria dhe shkenca hapin portat e besimit dhe e çojnë njeriun te Allahu, Zoti i gjithësisë. Kurse dituria dhe shkencat që s’e kanë arritur pjekurinë, dhe, veç kësaj, përzihen me krenari, vetëpëlqim, pikëpamje të gabuara dhe dhunë e padrejtësi, çojnë në perversitet dhe mohim.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

A u krijua materia vetevetiu dhe rastesisht?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA