Si vërtetojnë fosilet teorinë e evolucionit? Format kalimtare nga majmunët tek njeriu
Një pretendim tjetër që parashtrohet në lidhje me këtë çështje, është edhe ngjashmëria mes etapave të para që kalon në mitër fetusi njerëzor dhe të të njëjtave etapa që kalojnë vertebrorët e tjerë.
Studimet shkencore përkatëse tregojnë se ende nuk njihen plotësisht dhe hollësisht veçoritë e zhvillimit të një veze vertebrorësh të fekonduar dhe akoma më pak analogjitë e së njëjtës dukuri mes vertebrorëve. Disa vezë ose embrione zhvillohen më ngadalë, disa, më shpejt ose shumë më shpejt. Edhe nëse ka një ngjashmëri morfologjike në dukje, çdo gjallesë (në rastin tonë konkret, çdo vertebror) ndjek një ecuri të posaçme në vartësi të veçorive individuale, të geneve, kromozomeve dhe kushteve materiale ku ndodhet.
Në lidhje me etapat që kalon fetusi njerëzor në mitër, Kur’ani jep të dhëna të qarta dhe të tilla që shkencat e natyrës i arritën vetëm katërmbëdhjetë shekuj pas tij!
“Pa dyshim, Ne e marrim njeriun nga balta duke e kthyer në një esencë. Pastaj atë, në formën e spermës (embrionit të fekonduar nga spermatoidi) e vendosim në një vend të sigurtë. Pastaj embrionin e kthejmë në një lëndë ngjitëse (si gjak i mpiksur) dhe, më pas, në një si copë mishi të përtypur. Më vonë, këtë copë mishi të përtypur e kthejmë në eshtra dhe eshtrat i veshim me mish dhe e bëjmë atë një krijesë të re (të veçantë). Shihni se sa mrekullisht krijon Allahu dhe mendoni!” (Kur’ani, Mu’minun, 23/12-15).
Në fillim, Kur’ani bën fjalë për faktin që prejardhja e njeriut është nga toka, domethënë, elementët përbërës të njeriut janë po ata që gjenden në tokë e në gjithësi dhe përmbahen, në mënyrë të koncentruar, në elementët ngjizës njerëzorë: vezën dhe spermatozoidin. Veza e fekonduar që shumohet me shpejtësi, kthehet në një lëndë ngjitëse që në Kur’an quhet alak,[3] e cila ngjitet pas mureve të mitrës për t’u ushqyer. Ndërkaq, duhet theksuar se Kur’ani ia dedikon këto realitete dhe zhvillime Allahut, Zotit. Sepse as spermatozoidi, as veza, as embrioni dhe format e tij të zhvilluara më tej janë të aftë për të kryer ndonjë veprim sado të vogël në sajë të vetëdijes apo vullnetit të vet. Eshtë Zoti që i drejton të gjitha këto procese. Mënyra se si shprehemi ne duke i përshkruar të gjitha këto sikur të zhvilloheshin vetvetiu, është e figurshme. Kurse evolucioni dhe shkenca që e mbron atë, duke i shpjeguar me anë të vetvetishmërisë, spontaneitetit dhe rastësisë, ekspozon një injorancë dhe mohim të paparë në histori! Pandeh se prandaj ngul këmbë kaq shumë materializmi mbi evolucionin!
Lënda ngjitëse që ngjitet në muret e mitrës duke formuar një lidhje shumë të ngushtë me nënën, duke u shumëzuar dhe rritur pandërprerë, kthehet në një lëndë si një copë mishi e përtypur dhe pa formë të përcaktuar ose, më saktë, në një grumbull qelizash. Pastaj, një grup prej atyre qelizave fillon të shndërrohet në krye në kërc, pastaj në eshtër. Pas kësaj formohen qelizat e indeve muskulore dhe fibrore dhe formohet mishi që vesh eshtrat. Të gjitha këto që Kur’ani i përshkruante hollësisht dhe qartë qysh para katërmbëdhjetë shekujsh, embriologjia moderne i mësoi pasi i vëzhgoi me anë të rrezeve rontgen. Mirë, po pse u muar me çështje të tilla shkencore Kur’ani, synimet kryesore të të cilit janë krejt të tjera? Siç duket, për t’i dokumentuar qysh më parë të vërtetat kundër të cilave do të dilnin më vonë teoritë e gabuara të orientuara për ta mohuar krijimin!
Pas veshjes së eshtrave me mish, Kur’ani, duke përdorur për krijimin e njeriut shprehjen “halkan ahar”, thekson se Zoti e krijoi njeriun si një gjallesë specifike. Ja, ky është momenti kur njeriu fillon të pajiset me një krijim të posaçëm vetëm për të!
Gjatë pesë etapave të para, domethënë, si embrion i fekonduar, si lëndë ngjitëse, copë mishi, eshtër dhe eshtër e veshur me mish,[4] të gjithë fetuset e vertebrorëve duken si identikë. Në këto etapa, nuk dallohet nëse qenia që po zhvillohet është zog, peshk apo njeri. Mirëpo ky ngjasim që duket si identik, është sipërfaqësor, vetëm në dukje. Së pari, ashtu siç u tha edhe më lart, procesi te disa është shumë i shkurtër, te disa, i gjatë. Së dyti, çdo fetus i një gjallese të caktuar ka veçori të posaçme vetëm për të që s’do të mund t’i dallonim edhe sikur të futeshim në mitër (!), dhe zhvillohet në përputhje me to. Dhe jo vetëm kaq. Edhe mes individëve të të njëjtit lloj ka veçori të posaçme dhe dallime që i japin procesit të zhvillimit individualitet. Për shembull, çdo individ njerëzor që në këto etapa duket sikur nuk dallohet nga të tjerët, zhvillohet në një mënyrë të posaçme për të që do të nxjerrë, si përfundim, në shesh, një njeri me flokë, sy, hundë, buzë, gjatësi shtati, peshë, vija të gishtave, DNA, pamje, karakter, dhunti dhe aftësi origjinale, disa prej të cilave, të papërsëritshme te asnjë individ tjetër. Mes fetuseve njerëzorë mund të bëhet fjalë vetëm për pika të përbashkëta që varen nga lloji. Për shembull, meqë fetusi njerëzor ka për t’u bërë një krijesë e përkryer që do të dallohet mes krijesave të tjera për arsye, vetëdije dhe vullnet, dhe që, pasi të vijë në botë, do të ketë aftësinë për të mësuar, për të besuar dhe adhuruar, çdo fetus njerëzor është i pajisur me mjetet e duhura për ta arritur këtë synim. Ndërkaq, siç u tha më sipër, çdo fetus ka veçori të posaçme për vete si mjete për realizimin e dallimeve individuale. Programi DNA që e dallon atë gjallesë nga të gjitha gjallesat e tjera, është i shkruar në formë genesh në kromozomet. Ndërsa puna qëndron kështu, meqë në pesë etapat e para të fetuseve vertebrorë këto veçori nuk mund të shihen nga jashtë, mund të mendohet sikur të gjithë janë e njëjta e njëri-tjetrit. Atëherë, mbetet të themi se, edhe sikur fetuset e vertebrorëve si zogu, peshku dhe njeriu të jenë identikë me njëri-tjetrin gjer në përfundim të etapës së pestë, si mund ta shpjegojnë shkencëtarët dhe evolucionistët ndryshimin e menjëhershëm që ndodh në këtë moment? Hadithet, porositë profetike, thonë se në këtë moment njeriut i fryhet shpirt dhe i shkruhet kaderi, e ardhmja, në ballë. Meqë shkenca materialiste dhe evolucioniste nuk i pranojnë as shpirtin, as kaderin, të ardhmen e paracaktuar, si do ta shpjegojnë në këtë etapë diferencimin e menjëhershëm dhe prirjen e çdo individi njerëzor për t’u bërë ai që është, i ndryshëm nga të gjithë të tjerët? Po qe se ky diferencim buron nga shpirti dhe kaderi që i japin çdo njeriu individualitetin e vet të vërtetë, domethënë, nga veçoritë që e bëjnë atë një
individualitet më vete dhe po qe se kjo gjë është një dukuri krejtësisht jomateriale, a nuk do t’i shtyjë shkencëtarët materialistë dhe evolucionistë të ulen për ta menduar çdo çështje nga fillimi? Kurse ne, në kundërshtim me pretendimet e evolucionistëve, mendojmë se në fetusin e çdo lloji shtazor ka dallime që janë të posaçme vetëm për të, dhe se në fetusin e çdo individi njerëzor ka dallime që do ta pranonin shpirtin dhe kaderin të posaçëm për të.
Pas etapës së pestë, fetusi njerëzor fillon të marrë pamje njeriu dhe të priret për t’u bërë individi që bart veçori të caktuara. Ky është procesi gjatë të cilit ai do të bëhet krijesë e përkryer. Ja, pra, në krijimin e njeriut, veçanërisht në këtë etapë të fundit të krijimit të njeriut, Allahu e përfundon ajetin-argument që shpreh shkallën më të lartë e më gjithëpërfshirëse të atributit të Tij krijues ose, e thënë ndryshe, aftësinë krijuese të shkallës më të lartë e më gjithëpërfshirëse, duke thënë: “Shih, pra, dhe mendo se ç’krijues i përsosur është Allahu!” Kështu, meqë atributi “krijues” i Allahut shfaqet tek njeriu në shkallën më të lartë, njeriu është një qenie tejet e veçantë dhe e zgjedhur, e merituar e cilësimit krijesë e përkryer,[5] e pajisur me madhështinë e atributeve hyjnore!
Si përfundim, fetuset e vertebrorëve shtazorë dhe njerëzorë, në etapat e para të zhvillimit i ngjasin njëri-tjetrit. Kjo ngjashmëri është vetëm në dukje, prandaj kurrë nuk mund të bëhet argument për evolucionin!
Astrofizikani i shquar anglez i shek. XX, Sër Xhejms Xhins,[6] i konsideruar si Ajnshtajn i dytë, thotë se “njerëzit shkrihen me shkencat me të cilat merren”. Ata dëgjojnë me veshin e asaj shkence, shohin me syrin e saj, flasin për llogari të saj dhe jetojnë me emocionet e saj. Madje ai e shtrin këtë dukuri edhe te mjeshtëritë dhe artet. Ai thotë se një pjanist profesionist, i cili është mësuar të dëgjojë, bie fjala, tinguj të caktuar në tastat 5 dhe 8 gjer në shprehi, edhe kur zbret apo ngjit shkallët, në shkallaret e pesë e të tetë dëgjon të njëjtit tinguj!
Disa që janë marrë me gjeometri, duke menduar se në planete të tjerë mund të ketë qenie si njeriu që mendon me figura gjeometrike, kanë ndezur në Afrikë, Gadishullin Arabik dhe në shkretëtirën e Saharasë zjarre gjigandë në formë trekëndëshe e katërkëndëshe për t’u dhënë atyre krijesave të supozuara mesazhe gjeometrike. Ata që merren seriozisht me matematikë, pretendojnë se Artisti që ka krijuar gjithësinë, e ka krijuar sipas përmasave matematike. Edhe këta, ashtu si të parët që s’mendojnë më dot tjetër gjë veç gjeometrisë, e mendojnë çdo gjë vetëm në mënyrë matematike. Kurse Darvini është marrë gjithë jetën me kafshë dhe fosile kafshësh. Për rrjedhojë, meqë nuk ka dalë dot jashtë fushës me të cilën është marrë, e ka parë çdo gjë nga dritarja e kafshëve dhe fosileve, prandaj dhe ka bërë interpretime të papranueshme për arsyen dhe shkencën. Në të njëjtën pozitë vazhdojnë të jenë edhe ata që, duke e pranuar me kokëfortësi dhe në mënyrë dogmatike teorinë e tij, vazhdojnë të përpiqen për ta provuar. Me mendimin e tij si më sipër, Xhejms Xhins tërheq vëmendjen mbi faktin se, megjithë dobitë e mëdha, specializimi sjell me vete edhe rreziqe!