Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

  1. “Mëshira Ime tejkalon hidhërimin Tim!”
  2. All-llahu i Lartësuar ka thënë:
    “Djali i Ademit më mohoi dhe nuk kishte të drejtë ta bëjë këtë gjë. Dhe ai më mallkoi duke mos pasur të drejtë ta bëjë këtë gjë.
    Më mohoi kur tha: All-llahu nuk do të më krijojë ashtu siç më krijoi herën e parë (dmth nuk do të më ringjallë pas vdekjes), ndërsa krijimi fillestar i tij nuk është më i lehtë se ringjallja e tij.
    Më mallkoi kur tha: All-llahu ka djalë, kurse Unë jam Një, Strehim i Përherëshëm, nuk kam lindur (dikë), e as që jam i lindur (nga dikush) dhe askush Mua nuk më përngjan!”
  3. Na priu i Dërguari i All-llahut a.s. në namazin e mëngjesit në vendin e quajtur Hudejbije, ku kishte rënë shi tërë natën.
    Kur e kryem faljen, i Dërguari i All-llahut a.s. na u drejtua të pranishmëve duke na thënë:
    “A e dini se ç’tha Zoti juaj?”
    Të pranishmit thamë:
    “All-llahu dhe i Dërguari i tij e dinë.”
    Ai (All-llahu) tha:
    “Këtë mëngjes një nga robërit e Mi u bë besimtar, ndërsa një nga robërit e Mi u bë mosbesimtar. Ai që tha: “Ky shi është nga mëshira dhe fuqia e All-llahut” u bë besimtar në Mua, ndërsa mohues i (adhurimit të) yjeve; Ndërsa ai që tha: “Na zbriti shi prej këtij ose atij ylli” më mohoi Mua, ndërsa u bë besimtar i yjeve.”
  4. All-llahu tha:
    “Djemtë e Ademit shajnë kohën, ndërsa Unë jam koha, në dorën Time është nata dhe dita.”
  5. All-llahu Madhështor dhe i Lartësuar tha:
    “Unë jam aq i pasur, saqë nuk kam nevojë për të pasur aleat (shok, ortak). Prandaj kush e kryen një vepër për hir të dikujt tjetër ashtu siç e kryen për Mua, nuk do t’ia pranoj atë vepër, e as shokun (të adhuruarin) e tij!”
  6. Prej njerëzve të parë ndaj të cilëve do të shpallet dënimi në Ditën e Gjykimit do të jetë dëshmori (shehidi, martiri). Ai do të sillet dhe All-llahu do t’ia bëjë të njohura të mirat që i ka bërë dhe do t’ia pranojë ato. (All-llahu i Madhëruar) do t’i thotë:
    “Çfarë bëre me këto?” Ai do t’i përgjigjet:
    “Luftova për hir Tënd deri sa rash dëshmor.”
    (All-llahu) do t’i thotë:
    “Gënjen! Luftove që të tjerët të thonë: Është guximtar!”
    Dhe vërtet ashtu ishte. Pastaj do t’u urdhërohet (engjëjve të rreptë) që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtoke derisa të hidhet në zjarr.
    Njeriu tjetër do të jetë dijetari, i cili ka studjuar dijeninë, e ka mësuar dhe gjithashtu e ka lexuar Kur’anin. Ai do të sillet dhe All-llahu do t’ia bëjë të njohura të mirat që i ka bërë, dhe ato do t’ia pranojë. (All-llahu i Madhëruar) do të thotë:
    “Çfarë bëre me këto?” Ai do të thotë:
    “Studjova diturinë dhe e mësova, e gjithashtu edhe e lexova Kur’anin për hir Tënd.”
    All-llahu do t’i thotë:
    “Gënjen! Studjove diturinë vetëm që të tjerët të thonë: Ky është njeri i ditur. Lexove Kur’anin që të thonë për ty: E lexon Kur’anin.”
    Dhe vërtet ashtu ishte. Pastaj do t’u urdhërohet (engjëjve të rreptë) që ta tërheqin zvarrë me fytyrë përtoke derisa të hidhet në zjarr.
    Njeriu i tretë do të jetë pasaniku, të cilin All-llahu e kishte bërë të pasur duke ia dhënë të gjitha llojet e pasurisë. Ai do të sillet dhe All-llahu do ta njoftojë me veprat që i ka bërë. I Madhëruari do t’i thotë:
    “Çfarë bëre me këto?” Ai do të përgjigjet:
    “Nuk lash vend pa e shpenzuar pasurinë time për hir Tënd.” All-llahu do t’i thotë:
    “Gënjen! E ke shpenzuar pasurinë vetëm që të thonë për ty se je dorëdhënë!”
    Dhe vërtet ashtu ishte. Pastaj do t’u urdhërohet (engjëjve të rreptë) që të tërhiqet zvarrë me fytyrë përtoke derisa të hidhet në zjarr.”
  7. Zoti kënaqet me bariun, i cili thërret ezanin për namaz dhe falet në majë të bjeshkës. Pastaj All-llahu thotë:
    “Shiheni robin Tim i cili thërret ezanin dhe e kryen faljen, ai frikohet prej Meje. Unë ia kam falë këtij robi mëkatet e tij dhe e kam pranuar në Xhennet.”
  8. Namazi i atij që nuk e ka kënduar thelbin e Kur’anit (suren el-Fatiha) gjat faljes është i paplotësuar (i mangët) dhe i ka përsëritur këto fjalë tri herë. Dikush i tha ebu Hurejres: A duhet ta këndojmë edhe pas imamit kur edhe ai këndon Fatihën? Ai tha: këndojeni në heshtje, se e kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut a.s. duke thënë:
    All-llahu a.xh. ka thënë:
    “E kam ndarë namazin ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy gjysma, dhe ai (robi) do ta fitojë atë për të cilën është lutur.”
    Kur robi thotë:
    “El hamdu lil-lahi rabbil alemin”; All-llahu a.xh. thotë:
    “Robi Im më lavdëroi.”
    Kur robi thotë:
    “Er-rahmanir-rahim”; All-llahu a.xh. thotë:
    “Robi Im më lartësoi.”
    Kur robi thotë:
    “Maliki jeumid-din”; All-llahu thotë:
    “Robi Im më lavdëroi (robi Im i është bindur Madhërisë Sime).”
    Kur robi thotë:
    “Ijjake na’budu we ijjake nesta’in”; Ai thotë:
    “Kjo është ndërmjet Meje dhe robit Tim dhe ai do ta fitojë atë, për të cilën është lutur.”
    Kur robi thotë:
    “Ihdinas-siratal mustekim, siratal ledhine en amte alejhim, gajril magdubi alejhim we led-dalin”; Ai thotë:
    “Kjo është për robin Tim, dhe ai do ta ketë atë që e ka kërkuar.”
  9. Gjëja e parë për të cilën do të japë llogari robi (i All-llahut) në Ditën e Ringjalljes është namazi. Nëse i ka kryer namazet sipas rregullave, atëherë do të jetë i shpëtuar dhe i mirëpritur. Nëse namazet do të jenë të paplota (të mangëta), do të përjashtohet nga mirësia dhe do të jetë i humbur. Nëse do të ketë diçka të paplotësuar nga fardet (obligimet e domosdoshme), All-llahu a.xh. do t’u thotë (melekëve):
    “Shihni se a ka kryer robi Im ndonjë namaz vullnetar, me të cilin do t’ia kisha plotësuar fardin.”
    Pastaj edhe veprat tjera do të gjykohen në të njëjtën mënyrë.
  10. “Agjërimi është Imi dhe Unë jam ai që jep shpërblimin për të. Agjëruesi i lë ngashërimet seksuale, ushqimin dhe pirjen për hir Tim. Agjërimi është mburojë, e ai që agjëron ka dy gëzime: kur han iftarin dhe kur takohet me Zotin e vet. Ndryshimi i erës së gojës së agjëruesit është më i mirë në syrin e All-llahut sesa era e miskut.”
  11. “O biri i Ademit shpenzo, e Unë do të shpenzoj për ty!”
  12. Është thirrur një njeri në llogari prej atyre që kanë jetuar para jush. Te ai nuk u gjet asgjë e mirë, përveç se ai përzihej me njerëzit dhe ua lehtësonte hallet, e gjithashtu, pasi që kishte qenë i pasur, i urdhëronte shërbetorët e tij që t’ia vazhdojnë borxhin atij që gjendej në rrethana të vështira ekonomike.
    Pastaj (i Dërguari i All-llahut a.s.) tha se All-llahu ka thënë:
    “Ne jemi më të çmuar se ti në këtë. Lëshojeni të shkojë!”
  13. Isha te i Dërguari i All-llahut a.s. kur erdhën te ai dy burra: njëri ankohej nga vobekësia, e tjetri nga vjedhësit. I Dërguari i All-llahut a.s. tha:
    “Sa u përket vjedhësve, do të kalojë një kohë e shkurtër, ndërsa karvani do të jetë në gjendje të dalë jashtë Mekkës pa roje (dmth nuk do të ketë më vjedhës). Ndërsa sa i përket vobekësisë, Çasti (Dita e Gjykimit) nuk do të vijë para se ta marrë ndonjëri prej jush pasurinë e vet dhe të shëtitet për t’ia dhënë dikujt, por nuk do të gjejë askend që do t’ia kishte pranuar.
    Pastaj dikush nga ju do të paraqitet para All-llahut duke mos pasur as perde, e as përkthyes mes Zotit dhe tij. Pastaj All-llahu do t’i thotë:
    “A nuk të dhash pasuri?” Do të përgjigjet:
    “Po.” All-llahu do të thotë:
    “A nuk të dërgova Lajmëtar?” do të thotë:
    “Po.” Pastaj (i pyeturi) do të shikojë në të djathtë, por nuk do të shohë asgjë pos zjarrit, dhe do të shohë edhe në të majtë, por nuk do të shohë asgjë pos zjarrit.
    Pra, secili prej jush le ta mbrojë veten e tij prej zjarrit duke bërë mirësi qoftë edhe me një gjysmë hurme, e nëse nuk e ka këtë mundësi, atëherë me një fjalë të mirë.”
  14. All-llahu i Madhëruar dhe i Lartësuar ka një numër të madh të melekëve (engjëjve), të cilët kërkojnë tubime, në të cilat përmendet emri i All-llahut. Kur e gjejnë tubimin (mexhlisin), ata afrohen dhe i mbulojnë me krahët e tyre rreth e për qark ata që janë tubuar duke e mbushur kështu hapësirën deri në qiellin më të afërt. Kur të tubuarit shpërndahen, engjëjt ngrihen në hapësirën qiellore. Pastaj All-llahu a.xh. i pyet ata, edhe pse Ai i di të gjitha:
    “Prej nga po vini?” ata thonë:
    “Po vijmë nga një tubim në Tokë, në të cilin robërit e Tu të lartësonin, të madhëronin, të njësonin, të lavdëronin dhe kërkonin (të mirën) prej Teje.” Ai thotë:
    “Çfarë të mire kërkonin prej Meje?” Ata thonë:
    “Kërkonin Xhennetin Tënd.” Ai thotë:
    “A e kanë parë ata Xhennetin Tim?” Ata thonë:
    “Jo, o Zot.” Ai thotë:
    “E si do të ishte nëse do ta shihnin Xhennetin Tim?” Ata thonë:
    “Ata kërkojnë mbrojtjen Tënde.” Ai thotë:
    “Prej kujt kërkojnë mbrojtjen Time?” Ata thonë:
    “Prej zjarrit Tënd, o Zot.” Ai thotë:
    “Po a e kanë parë zjarrin Tim?” Ata thonë:
    “Jo.” Ai thotë:
    “E si do të ishte nëse do ta shihnin zjarrin Tim?” Ata thonë:
    “Ata kërkojnë faljen Tënde.” (I Dërguari a.s.) Tha: Pastaj Ai thotë:
    “Unë i kam falur dhe i kam derdhur mbi ta të mirat që m’i kanë kërkuar, dhe ua kam siguruar mbrojtjen Time nga ajo që kanë kërkuar mbrojtje.”
    (I Dërguari a.s.) tha: Engjëjt thonë:
    “O Zot, në mesin e tyre është edhe filani, rob – mëkatar, i cili ishte duke kaluar aty pari dhe (rastësisht) u ul në atë tubim.” (I Dërguari a.s.) tha: All-llahu u thotë:
    “Gjithashtu edhe atë e kam falur, sepse ata janë një popull, me të cilin ai që rri, nuk vuan.”
  15. “Unë jam ashtu siç më parafytyron robi. Jam me të kur më perkujton. Nëse më kujton në vehte, edhe Unë e kujtoj në vehte; nëse më kujton në tubime, Unë e kujtoj në tubime edhe më të mira, nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, i afrohem një pash, dhe nëse më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi.”
  16. All-llahu i ka shkruar (përcaktuar) veprat e mira dhe ato të këqia. Pastaj ka spjeguar se ai që ka pasur për qëllim ta kryejë një vepër të mirë dhe nuk e ka kryer All-llahu do t’ia shkruajë një vepër të mirë të plotë, e nëse e ka kryer, atëherë All-llahu do t’ia shkruajë si dhjetë të mira deri në shtatëqind të mira, e madje edhe më tepër. Nëse njeriu ka pasur për qëllim një vepër të keqe dhe nuk e ka kryer, All-llahu do t’ia shkruajë një vepër të mirë të plotë, por nëse e ka kryer, All-llahu do t’ia shkruajë vetëm një vepër të keqe.
  17. O robërit e mi, Unë ia kam ndaluar dhunën Vehtes, dhe e kam ndaluar atë në mesin e juaj, pra mos i bëni dhunë njëri – tjetrit!
    O robërit e mi, të gjithë ju jeni të humbur përveç atyre që Unë i kam udhëzuar, pra kërkoni udhëzimin nga Unë dhe Unë do t’ju udhëzoj!
    O robërit e mi, të gjithë ju jeni të uritur, përveç atyre që i kam ushqyer Unë, pra kërkoni t’ju ushqej, dhe Unë do t’ju ushqej!
    O robërit e mi, të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atyre që Unë i kam veshur, pra kërkoni veshjen Time dhe Unë do t’ju vesh!
    O robërit e mi, ju bëni mëkate natë e ditë, e Unë i shlyej të gjitha mëkatet, pra kërkoni nga Unë falje dhe Unë do t’ju fal!
    O robërit e mi, ju nuk jeni në gjendje të më dëmtoni edhe sikur të mundoheni (shumë) për ta bërë një gjë të tillë, por as nuk mundeni të më bëni mirë edhe nëse përpiqeni (shumë) për një gjë të tillë!
    O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj, e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinve të mundohen të jenë të devotshëm sikur ai që ka zemrën më të devotshme prej jush, kjo nuk do ta shtonte sundimin Tim!
    O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinve të mundohen të jenë të prishur sikur ai, që ka zemrën më të prishur, kjo nuk do ta mungonte (pakësonte) sundimin Tim!
    O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj, e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinve të ngriheni në një vend dhe të më luteni, Unë do t’i përgjigjem lutjes të çdonjërit prej jush, e kjo nuk do ta pakësojë atë që kam Unë, as aq (ujë) sa mund të merr gjilpëra prej detit!
    O robërit e mi, këto janë veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për to Unë do t’ju shpërblej. Pra, ai që gjen mirë le ta falënderojë All-llahun, ndërsa ai që gjen keq le të mos e fajësojë askë pos vetveten!
  18. O biri i Ademit, Unë rash i sëmurë, e ti nuk më vizitove! Njeriu do të thotë: O Zot, si mundem unë të të vizitoj Ty, kur Ti je Zoti i botërave? All-llahu do të thotë: A nuk e dije se një ndër robërit e mi ra i sëmurë, e ti nuk e vizitove? Dije pra, se nëse e vizitoje do të më gjeje tek ai!
    O biri i Ademit, Unë të kërkova ushqim, e ti nuk më ushqeve! Njeriu do të thotë: O Zot, si mundem të të ushqej unë Ty, kur Ti je Zoti i botërave? All-llahu do t’i thotë: A nuk e dije ti se një ndër robërit e mi të kërkoi ushqim, e ti nuk i dhe? Dije pra, se nëse e ushqeje, do të më gjeje tek ai!
    O biri i Ademit, Unë të kërkova ujë, e ti nuk më dhe! Njeriu do të thotë: O Zot, si mundem unë të të jap ujë, kur Ti je Zoti i botërave? All-llahu do të thotë: A nuk e dije ti kur të kërkoi një ndër robërit e mi ujë, e ti nuk i dhe? Dije pra, se nëse do t’i jepje ujë, do të më gjeje Mua tek ai!
  19. All-llahu a.xh. ka thënë:
    Krenaria është mbështjellësi Im (rida-pjesa e lartme e ihramit), ndërsa madhështia është petku Im (izar-pjesa e poshtme e ihramit), pra kush dëshiron të matet me Mua në këto dy gjëra, Unë do ta hedh në zjarr!
  20. Dyert e Xhennetit janë të hapura të hënave dhe të enjteve, dhe secilit rob të All-llahut, i cili nuk i ka bërë All-llahut shok (në adhurim) do t’i falen mëkatet, përveç atij që i është hidhëruar vëllait të vet. Për ta do të thuhet:
    Vonoheni (faljen e mëkateve) derisa të pajtohen, vonoheni derisa të pajtohen, vonoheni derisa të pajtohen!
  21. All-llahu i Lartësuar thotë:
    “Do të jem armik ndaj tri lloje njerëzish në Ditën e Ringjalljes:
    Ndaj njeriut që e ka dhënë fjalën duke u betuar në Mua, dhe e ka thyer atë;
    Ndaj njeriut që e ka shitur njeriun e lirë dhe fitimin e ka shpenzuar (dmth e ka robëruar njeriun e lirë), dhe
    Ndaj njeriut që ka marrë punëtor dhe ia ka caktuar rrogën, ndërsa pas kryerjes së punës nuk ia ka paguar punëtorit atë që e ka merituar.”
  22. Asnjëri prej jush le të mos e nënçmojë veten!
    (Shokët) i thanë:
    O i dërguar i All-llahut, si mundet ndonjëri prej nesh ta nënçmojë veten?
    Ai është përgjigjur:
    Kur një njeri sheh ndonjë çështje, e cila ka të bëjë me fenë e All-llahut, e ai nuk flet, atëherë All-llahu a.xh. në Ditën e Ringjalljes i thotë:
    Ç’të pengoi ta thuash të vërtetën rreth asaj çështjeje?
    Njeriu do të thotë:
    Frika prej njerëzve.
    All-llahu do t’i thotë:
    Më mirë do të ishte nëse më frikoheshe Mua!
  23. Vërtet All-llahu do të thotë në Ditën e Ringjalljes:
    “Ku janë ata që e donin njëri – tjetrin për hir të Madhërisë sime? Sot Unë do t’i strehoj ata nën hijen Time, se kjo është dita në të cilën nuk ka hije përveç hijes Time!”
  24. Kur All-llahu e do ndonjë nga robërit e Tij e thërret Xhibrilin a.s. dhe i thotë:
    Unë e dua këtë njeri, pra duaje edhe ti!
    Atëherë edhe Xhibrili e do atë njeri. Pastaj Xhibrili thërret në hapësirën qiellore duke thënë:
    All-llahu e do këtë njeri, pra duajeni edhe ju! Atëherë edhe banorët e qiellit e duan ate. Pastaj (ky njeri) pranohet edhe në tokë.
    Nëse All-llahu nuk e do ndonjë nga robërit e Tij e thërret Xhibrilin dhe i thotë:
    Unë nuk e dua këtë njeri, pra mos e duaj as ti!
    Atëherë edhe Xhibrili nuk e do atë njeri. Pastaj Xhibrili thërret në hapësirën qiellore duke thënë:
    All-llahu nuk e do këtë njeri, pra as ju mos e doni! Atëherë as ata nuk e duan atë, pastaj ky njeri urrehet edhe në tokë.
  25. Do t’i shpall luftë atij që tregon armiqësi ndaj robit Tim!
    Robi Im nuk më afrohet në mënyrë tjetër, përveç duke i kryer fardet (obligimet e domosdoshme). Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, që e shton edhe më tepër dashurinë Time ndaj tij, e kështu Unë filloj ta dua ate, e kur e dua, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie, dhe këmba e tij me të cilën ecë. Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtet Unë do ta strehoj atë. Unë nuk nguroj për asgjë më tepër se në marrjen e shpirtit të robit Tim fisnik: ai e urren vdekjen, e Unë e urrej lëndimin e tij.
  26. Vërtet prej të gjithë të devotshmëve më së tepërmi e pëlqej besimtarin e varfër, i cili është në skamje, e megjithatë tregon një vëmendje të posaçme gjat namazit, si dhe bindje të plotë gjat adhurimit të Zotit të tij duke e respektuar atë në vetmi; nuk gjendet në sy të keq tek njerëzit, nuk tregohet me gisht drejt tij, dhe mundësia e jetesës së tij arrin vetëm kushtet elementare, e ai përsëri duron.
    Pastaj i Dërguari i All-llahut a.s. tha:
    Vdekja do të kishte ardhur më herët tek ai, por ngushëlluesit e tij do të ishin pak (në numër) dhe i vogël do të ishte trashëgimi i tij.
  27. E pyetëm Abdull-llah ibn Mesudin r.a. për ajetin:
    “Dhe assesi mos mendoni se janë të vdekur ata që u vranë në Rrugën e All-llahut! Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u furnizuar te Zoti i tyre”
    (Ali Imran; 169)
    Dhe ai tha:
    Edhe ne kemi pyetur (të Dërguarin e All-llahut a.s.) dhe na ka thënë:
    Shpirtrat e tyre janë në brendësi të zogjve të gjelbër, duke pasur kandila të varur për Arsh dhe (këto njerëz) shetisin në Xhennet nga të duan, pastaj pushojnë dhe qetësohen në ato kandila. Atëherë Zoti ua hedh një shikim dhe u thotë:
    “A dëshironi diçka tjetër?” ata thonë:
    “Çka mundemi të dëshirojmë, kur po shetisim lirisht dhe kah të duam në Xhennet?” All-llahu ua drejton tri herë këtë pyetje, e ata, kur e shohin se do të pyeten përsëri, përgjigjen:
    “O Zot, dëshirojmë që të na i vendosësh edhe një herë shpirtrat në trupat tonë (dmth në dunja) dhe të luftojmë derisa të vdesim edhe një herë në rrugën tënde.” Kur Ai sheh se ata nuk kanë nevojë për asgjë tjetër, i le të qetë.
  28. Në mesin e paraardhësve të juaj ishte një njeri, i cili kishte një plagë, dhe prej dhimbjeve të tmerrshme, të cilat më nuk mund t’i duronte, mori thikën dhe preu dorën, prej së cilës rrodhi gjak derisa vdiq.
    All-llahu a.xh. tha:
    “Robi Im më tejkaloi në vehten e tij (dmth shkeli ligjin Tim), pra Unë ia kam ndaluar atij hyrjen në Xhennet.”
  29. Kur unë ia marr robit besimtar shokun nga banorët e dunjasë, e pastaj ai duron, çfarë shpërblimi i takon atij përveç Xhennetit?
  30. “Nëse robi Im dëshiron të takohet me Mua, edhe Unë dëshiroj të takohem me të, e nëse ai nuk dëshiron të takohet me Mua, as Unë nuk dëshiroj të takohem me të.”
    Një hadith i ngjashëm në një transmetim më të gjërësishëm thotë:
    Nga Ajsha r.a. përcillet se i Dërguari i All-llahut a.s. ka thënë:
    Atë që dëshiron të takohet me All-llahun, edhe All-llahu dëshiron ta takojë, e atë që nuk dëshiron takim me All-llahun, as All-llahu nuk dëshiron ta takojë.
    Unë (thotë Ajsha r.a.) thash: O i dërguar i All-llahut, a është kjo nga urrejtja e vdekjes, sepse ne të gjithë e urrejmë vdekjen?
    Ai (i Dërguari i All-llahut a.s.) tha:
    Nuk është ashtu, por kur besimtarit i jepet lajmi për mëshirën dhe kënaqësinë e Zotit, si dhe pranimi i tij në Xhennet, ai dëshiron ta takojë All-llahun, e edhe All-llahu dëshiron ta takojë atë, ndërsa kur mosbesimtarit i jepet lajmi i dënimit nga All-llahu dhe hidhërimit të Tij, ai vërtet nuk dëshiron ta takojë All-llahun, e as All-llahu nuk dëshiron ta takojë atë.
  31. Një njeri tha: Pasha All-llahun, All-llahu nuk do ta falë filanin!
    Në këtë All-llahu i Lartësuar tha:
    “Kush është ai, që betohet se Unë nuk do ta fal filanin? Me të vërtetë Unë e fala atë, ndërsa i asgjësova veprat e tua!”
  32. Një njeri, i cili ia kishte ngarkuar vehtes disa mëkate të mëdha, kur ra në shtratin e vdekjes u tha djemve të vet:
    “Kur të vdes më digjni, e pastaj më shtypni dhe ma hidhni hirin në det, se pasha All-llahun, nëse Ai më merr në dorë, do të më dënojë ashtu si askë më parë!” Dhe djemtë e bënë atë që u tha i ati. Pastaj All-llahu i tha tokës:
    “Nxirre atë që ke marrë!” dhe njeriu u duk aty (para All-llahut). All-llahu tha:
    “Ç’të shtyu ta bësh atë gjë?” njeriu tha:
    “Frika prej teje, o Zoti Im!”
    Për këtë shkak All-llahu e fali atë.
  33. Një rob (i All-llahut) bëri një mëkat dhe tha:
    “O Zoti im, ma fal mëkatin!” I Lartmadhëruari tha:
    “Robi Im ka bërë një mëkat duke e ditur se Zoti i tij i fal mëkatet, por edhe dënon për ta.”
    Robi përsëri ka bërë një mëkat dhe ka thënë:
    “O Zot, ma fal mëkatin!” I Lartmadhëruari tha:
    “Robi Im ka bërë një mëkat dhe ka ditur se Zoti i tij fal dhe dënon.”
    Robi bëri edhe një mëkat dhe përsëri tha:
    “O Zot, ma fal mëkatin!”
    Dhe i Lartmadhëruari tha:
    “Robi Im e ka bërë mëkatin duke e ditur se Zoti i tij fal dhe dënon për mëkatet. Bë ç’të duash, Unë të kam falë!”

    Shpjegim: Me fjalët “Bë ç’të duash, Unë të kam falë” nuk duhet kuptuar se Zoti i Lartmadhëruar ia ka lejuar këtij njeriu bërjen e mëkateve, sepse Zoti falë gabimin derisa ai bëhet pa qëllim, dhe në fund njeriu pendohet, por mëkati i bërë me qëllim, i cili përsëritet shpesh, nuk falet, ose falet vetëm nëse do Zoti. Për këtë flasin edhe ajetet:
    “Pendim i pranueshëm te All-llahu është vetëm i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije, e pastaj shpejt pendohen. Të tillëve All-llahu ua pranon pendimin, sepse All-llahu është më i Dijshmi, më i Urti.
    Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqia dhe vetëm atëherë kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre thotë: Unë tash vërtet pendohem!; E as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi pregatitur dënim të ashpër.”
    (En-Nisa 17, 18)
    Si dhe ajetet:
    “Njohtoi robërit e Mi se vërtet Unë jam Falësi, Mëshiruesi, por edhe se dënimi Im është pa dyshim i dhembshëm.”
    (El-Hixhr 49, 50)
    …”Edhe ata (bëhet fjalë për të devotshmit), të cilët kur bëjnë ndonjë (vepër) të shëmtuar, ose i bëjnë zullum vehtes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i fal mëkatet përveç All-llahut? – dhe të cilët me vetëdije nuk vazhdojnë atë që kanë punuar.”
    (Ali Imran 135)

  34. “O biri i Ademit, derisa të më lutesh Mua dhe të kërkosh nga Unë (falje), Unë do të fal!
    O biri i Ademit, qofshin mëkatet e tua deri në qiell, nëse kërkon falje nga Unë, Unë do të fal!
    O biri i Ademit, nëse vjen te Unë me mëkate të mëdha sa toka, pastaj më drejtohesh duke mos më bërë shok (në adhurim) Unë do të dhuroj falje po aq të madhe!”
  35. All-llahu i Lartmadhëruar zbret çdo natë në qiellin e tokës të tretën e fundit të natës dhe thotë:
    “Kush është duke m’u lutur që t’ia pranoj lutjen?; Kush është duke më kërkuar, që t’i jap atë që kërkon? Kush është duke më kërkuar falje, që t’ia fal (mëkatet)?”

    në transmetimin e Muslimit Hadithi përfundon:
    “Dhe kështu vazhdon deri në agim”

  36. Besimtarët do të tubohen në Ditën e Ringjalljes dhe do të thonë:
    “T’i themi dikujt të ndërmjetësojë për ne tek All-llahu!” dhe do të shkojnë te Ademi dhe do t’i thonë:
    “Ti je babai i njerëzimit, All-llahu të krijoi me dorën e tij dhe u urdhëroi melekëve që të të përulen, dhe Ai t’i mësoi ty emrat e çdo gjëje, pra ndërmjetëso për ne te All-llahu që të na lirojë prej këtij vendi, në të cilin gjendemi!” ai do të thotë:
    “Unë nuk jam në gjendje për ta bërë një gjë të tillë.” dhe do t’ua përmendë gabimin e tij (në Xhennet), do të ndihet i turpëruar dhe do t’u thotë:
    “Shkoni te Nuhu, se ai është i dërguari i parë banorëve të tokës!” dhe kur do të shkojnë te ai, do t’u thotë:
    “Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë.” Dhe do ta përmendë kërkesën që ia bëri All-llahut për një gjë, rreth së cilës nuk kishte njohuri. Nuhu do të ndihet i turpëruar dhe do t’u thotë:
    “Shkoni te miku i Mëshiruesit, (Ibrahimi a.s.)!” ndërsa ai do t’u thotë:
    “Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë, shkoni te Musai, robi dhe Fjala e All-llahut, të cilit ia ka dhënë Tewratin.” Por kur do të shkojnë te ai, do t’u thotë:
    “Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë.” Dhe do t’ua përmendë rastin kur e ka vrarë një person në vend të një tjetri19. Kështu ai do të ndihet i turpëruar nga Zoti i tij dhe do t’u thotë:
    “Shkoni te Isai, rob i All-llahut dhe Lajmëtar, fjala e All-llahut dhe shpirti!” atëherë do të shkojnë te ai, dhe ai do t’u thotë:
    “Unë nuk jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë, por shkoni te Muhammedi a.s. (qoftë bekimi dhe paqja e All-llahut mbi të) të cilit rob All-llahu ia ka falë të gjitha mëkatet, të kaluarat dhe të ardhshmet!”
    Atëherë (thotë i Dërguari i All-llahut a.s.) do të vijnë tek unë e unë do të kërkoj leje që të shkoj te Zoti Im. Leja do të më jepet, dhe unë do të shkoj te All-llahu dhe do t’i bëj sexhde (do të përulem). All-llahu do të më lë ashtu një kohë, aq sa do të dëshirojë dhe do të më thotë:
    “Çoje kokën. Kërko dhe do të jepet, flit dhe do të dëgjohesh, ndërmjetëso dhe do të pranohet!”
    Pastaj unë do ta çoj kokën dhe do ta falënderoj në një mënyrë nderuese që do të ma mësojë Ai, dhe do të ndërmjetësoj, e Ai do të më japë (një numër të caktuar njerëzish), e unë do t’i pranoj ata në Xhennet. Pastaj do të shkoj përsëri te Ai, dhe kur do ta shoh do të përulem ahtu siç u përula herën e parë. Pastaj do të ndërmjetësoj dhe Ai do të mi caktojë (disa njerëz), e unë do t’i pranoj ata në Xhennet. Atëherë do të lutem edhe për të tretën herë, e edhe për të katërtën dhe do të them: në zjarr mbesin vetëm ata, që i ka përshkruar Kur’ani. Nuk ka dyshim se këto njerëz do të jetojnë aty përgjithmonë.
    në transmetimin e Buhariut shtohet:
    I Dërguari i All-llahut a.s. tha:
    Do të dalë prej Xhehennemit ai që ka thënë:
    “Nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut”, dhe i cili ka në zemrën e tij mirësi, qoftë edhe sa një kokërr gruri: pastaj do të dalë prej Xhehennemit ai që ka thënë:
    “Nuk ka hyjni tjetër përveç All-llahut” dhe i cili ka në zemrën e tij mirësi sa një thërmi mielli; dhe do të dalë prej Xhehennemit ai që ka thënë:
    “Nuk ka hyjni tjetër perveç All-llahut” dhe që në zemrën e tij ka pasur mirësi në madhësinë e thërmisë së atomit.
  37. “Kam përgaditur për robërit e drejtë atë që syri nuk ka parë, veshi nuk ka dëgjuar dhe as që ka paramenduar zemra e njeriut.”
    ebu Hurejre r.a. thotë: Për këtë çështje mundeni të lexoni edhe në Kur’an:
    “Askush nuk e di se ç’kënaqësi u është pregaditur për atë që kanë punuar!”
    (Sexhde-17)
  38. Kur All-llahu krijoi Xhennetin dhe Zjarrin (Xhehennemin), e dërgoi Xhibrilin te Xhenneti duke i thënë:
    “Shko dhe shih se ç’kam pregaditur për banorët e tij”. Atëherë Xhibrili shkoi në Xhennet dhe pa çfarë kishte përgaditur All-llahu për banorët e Xhennetit. Kur engjëlli u kthye te All-llahu tha:
    “Pasha Madhërinë tënde, askush nuk di për të pa hyrë brenda!”
    Atëhërë All-llahu urdhëroi që Xhenneti të rrethohet me vështirësi, dhe i tha Xhibrilit:
    “Kthehu dhe shikoje përsëri!” meleku shkoi përsëri në Xhennet dhe e pa se qe i rrethuar me vështirësi, dhe kur u kthye te All-llahu tha:
    “Pasha Madhërinë tënde, frikësohem se askush nuk do të hyjë në të!”
    Atëherë All-llahu iu drejtua përsëri Xhibrilit dhe i tha:
    “Shko te zjarri dhe shih se ç’kam përgaditur për banorët e tij!” Kur e pa Xhibrili zjarrin, pa se qe i ndërtuar në shtresa – një mbi një. U kthye te All-llahu dhe tha:
    “Pasha Madhërinë tënde, ai që do të dinte për te, nuk do të dëshironte të hyjë në të!”
    Atëherë All-llahu urdhëroi që të rrethohet me kënaqësi, dhe i tha Xhibrilit:
    “Këthehu në të!” ai u kthye dhe tha:
    “Pasha Madhërinë tënde, frikësohem se askush nuk do t’i shpëtojë hyrjes në të”
  39. U zurën Xhenneti dhe Xhehennemi ndërmjet vehte dhe Xhehennemi tha:
    “Te unë gjendet i fuqishmi dhe kryelarti”, ndërsa Xhenneti tha:
    “Te unë gjendet i dobëti dhe i vobekti” pastaj gjykoi All-llahu ndërmjet tyre:
    “Ti je Xhenneti, mëshira Ime, nëpërmjet teje Unë i tregoj mëshirë atij që dëshiroj, ndërsa ti je zjarri, ndëshkimi Im, nëpërmjet teje dënoj atë që dëshiroj, dhe është caktimi Im që secili prej jush ta ketë hisen e vet!”
  40. All-llahu do t’u thotë banorëve të Xhennetit:
    “Banorë të Xhennetit!” ata do të thonë:
    “Zoti ynë, po të përgjigjemi, jemi nën dëshirën e kërkesës Tënde dhe mirësia gjendet në duart tua” atëherë All-llahu do të thotë:
    “A jeni të kënaqur plotësisht?” ata do të përgjigjen:
    “O Zot, si të mos jemi të kënaqur, kur Ti na ke dhënë atë që nuk ia ke dhënë asnjërës prej krijesave tua?” All-llahu do të thotë:
    “A nuk dëshironi që t’u jap diçka tjetër, më të mirë se kjo?” ata do të përgjigjen:
    “O Zot, çka mund të jetë më e mirë se kjo që na e ke dhënë?” Ai do të thotë:
    “Unë do ta bëj që mirësia Ime të zbresë mbi ju, dhe pas kësaj më nuk do të jem i pakënaqur me ju!”
Shpërndaje

Të ngjashme

Hutbeja (Ligjerata) Lamtumirëse e Pejgamberi

O njerëz, dëgjoni se ç'do t'ju them, se nuk e di a d...