Duaja
Besimi tek duaja Ajo që është e rënd...
Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit
…madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar. Hashr-10
Atëherë, dije se nuk ka Zot tjeter pos All-llahut, kërko falje për mëkatin tënd, për të besimtarëve e të besimtareve, All-llahu edi për lëshimet tuaja (për vepra) dhe për vendin tuaj. Muhammed-19
Zoti ynë! më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria. Ibrahim-41
“Lutja është ibadet.” Ebu Davudi
“ Duaja e muslimanit që bën për vëllain e tij, në mosprezencë, është e pranuar dhe pranë kokës së tij qëndron një melek i ngarkuar që të thotë: “Amin, edhe për ty qoftë si ajo!”, sa herë që ai lutet për vëllain e tij.” Muslimi
“ Kush kërkon falje për besimtarët dhe besimtaret, Allahu do t’i japë një të mirë për çdo besimtar dhe besimtare.” Et Taberani
“Në tokë nuk ka asnjë musliman, që e lut All-llahun për diçka, e që këtë All-llahu nuk do t’ia japë, ose për ndërrim me këtë nuk do t’ia heqë ndonjë të keqe, përveç nëse lutësi lutet për mëkat ose për ndërprerjen e farefisnisë.” Një njeri nga të pranishmit tha: “Atëherë të lutemi shumë!” (Pejgamberi s.a. v.s.) ka thënë: “All-llahu edhe më shumë jep.” (Tirmidhiu)
“Lutjet do të pranohen derisa njerëzit nuk nguten duke folur: “Unë lus (qysh moti) Krijuesin tim, kurse lutja nuk më pranohet.” (Muttefekun alejhi)
“Udhëheqësit tuaj më të mirë janë ata që ju duan dhe i doni dhe ata për të cilët ju luteni dhe ata luten për ju. Ndërsa udhëheqësit tuaj më të këqijnj janë ata të cilët ju i urreni dhe ata ju urrejnë si dhe ata të cilët ju i mallkoni dhe ata ju mallkojnë!” Avfi r.a. tha: “Atëherë ne i thamë: “O Pejgamber i All-llahut, a do t’u kundërvihemi ne?” Tha: “Jo, derisa të falin së bashku me ju namazin. Jo, derisa të falin së bashku me ju namazin.” (Transmeton Muslimi)
Umer ibnu Hattabi r.a. thotë: “Kërkova leje prej Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për kryerjen e Umres (vizita e Qabes jashtë kohës së haxhxhit), më lejoi dhe më tha: “Mos na harro, o vëlla, nga lutjet e tua!” Ai e tha një fjalë e cila më gëzoi më tepër sesa të bëhej e tërë bota imja.” (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Nevevi thotë se lutjet për një grup muslimanësh, madje edhe për të gjithë muslimanët, përfshihen në këtë hadith. Sipas tij, kur të parët donin të luteshin për vete, ata bënin për muslimanët tjerë. Sepse lutja e bërë në këtë mënyrë është më e pranueshme dhe se do t’i jepet edhe atij dëshira që e do për të tjerët. Këto lutje janë plot sinqeritet dhe larg nga dukja. Për më tepër, lutja për të tjerët tregon se lutësi zotëron një shpirt me nivel të lartë. Kjo heq atë nga gjërat e këqija si xhelozia dhe lakmia dhe e bënë të denjë për hadithin:
Asnjëri nga ju nuk e ka arritur imanin e plotë (kamil), deri sa nuk kërkon për vëllain e tij atë që e kërkon për vete. (Buhari Iman 7; Muslim Iman 71)
E, ka prej tyre asish që thonë: “Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!” Bekare 201
O Zoti im, fale Ebu Selmen dhe ngreje gradën e tij në shoqërinë e të udhëzuarve që kanë ndjekur rrugën Tënde dhe fali pasardhës të denjë, na fal ne dhe atë, o Krijues i botëve, dhe zgjeroje varrin e tij dhe ndriçoje (Transmeton Muslimi)
Omeri r.a. ishte njeri i pjekur, i logjikshëm, trim, entuziazmohej shpejt dhe u shkonte gjërave gjer në fund. Të njëjtat cilësi gëzonte dhe Amr ibnu Hisham (Ebu Xhehli), i cili bënte pjesë tek elita e Mekës, ishte i zjarrtë, gojëtar dhe kur bindej për diçka, i shkonte gjer në fund. Njerëz të tillë, po të pranonin islamin, do i jepnin një shtytje të fuqishme dhe do të përbënin mbështetje të madhe pë myslimanët. Duke qenë i ndërgjegjshëm për efektin e burrave të tillë, Profeti a.s filloi të lutej:”O Zot! Forcoje islamin me njërin nga dy Umerët!” Kjo lutje, iu pranua Profetit a.s për Umer ibnul Hattabin.
I dashuri i Zemrave tona, Profeti Muhammed (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi Të) ka thënë: “Njerëzit janë si mineralet, më i miri prej tyre në kohën para islamit, do të jetë më i miri dhe në Islam, nëse mëson dhe praktikon fenë. Ndërsa, njerezit më sherrxhi Diten e Gjykimit do të jenë dyfytyrëshit.” ( Buhariu dhe Muslimi).
“Allahu i Madhëruar thotë: Robi im nuk më afrohet me diçka më të dashur tek Unë se sa obligimet (farzet). Robi im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare (nafile) derisa ta dua, e kur ta dua, atëherë do të jem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi më të cilin shikon, dora me të cilën prek, këmba me të cilën ecë. Nëse më kërkon diçka, gjithsesi do t’ia jap, nëse kërkon mbrojtje, gjithsesi do ta mbroj.” (Buhariu)
“Umer ibn el-Hattabi r.a. kur i erdhën njësitë (luftarake) nga Jemeni i pyeti: “A është në mesin tuaj Uvejs ibn Amir?” Derisa erdhi te Uvejsi r.a. dhe i tha: “A je ti Uvejs ibn ‘Amir?” (Uvejsi) Tha: “Po!” “A je nga (fisi) Muradi dhe nga (familja) Karani?” (Uvejsi) Tha: “Po.” (Umeri prapë vazhdoi) “A e ke pasur gërbulën e pastaj je shëruar prej saj përveç një vendi sa një dirhem?” Tha: “Po.” (Umeri) Tha: “A ke nënë?” Tha: “Po.” Tha (Umeri): “E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. duke thënë: “Do t’ju vijë juve Uvejs ibn Amiri me njësitë e Jemenit nga Muradi, pastaj nga Karani, ai e ka pasur sëmundjen e gërbulës dhe është shëruar, përveç nga vendi sa një dirhem. Ai e ka nënën ndaj së cilës është shumë bamirës, sikur ta luste ai All-llahun për diçka, do t’ia plotësojë, andaj nëse mundesh, (lute) që ai të kërkojë falje (magfiret) për ty, bëje!” (Umeri i tha): “Kërko magfiret për mua!” (Dhe Uvej-si) kërkoi falje për të. Pastaj Umeri i tha: “Ku dëshiron të shkosh?” Tha: “Në Kufe.” (Umeri) Tha: “A t’i shkruaj mëkëmbësit të atjeshëm?” (Uvejsi) Tha: “Unë do të jem me njerëz të parëndësishëm, këtë e kam qejf më tepër!” Në vitin e adhshëm në haxh vjen një njeri i dalluar nga Kufa, i cili takohet me Umerin e ky e pyet për Uvejsin. Ai tha: “E kam lënë me një shtëpi të keqe me pak gjësende (Transmeton Muslimi)
Transmetohet nga Ebu Abdull-llah Habbab ibn el-Eret’ti r.a.: “Iu ankuam të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. (për persekutimet nga mushrikët) derisa ai ishte i mbështetur nën hije të Qa’bës në burdën e tij, që e kishte bërë jastëk, e ne i thamë: “A nuk do të na ndihmosh, a nuk do të na bësh lutje (dua)?” Ai na tha: “Më parë (para jush), për shkak të fesë e merrnin njeriun, ia hapnin një gropë, e vendosnin në të, e pastaj e merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë dhe e përgjysmonin, pastaj ia rrjepnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Pasha All-llahun, All-llahu do ta plotësojë këtë fe ashtu që kalorësi do të shkojë prej Sanasë deri në Hadramevt e nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç prej All-llahut dhe prej ujkut për kopenë e vet, mirëpo ju po nguteni (nuk jeni durimtarë).” (Transmeton Buhariu)
I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi selem, hyri tek një njeri për ta vizituar dhe i tha: “La be’s, tahur insha’Allah – (S’ka gjë, pastrim, nëse do Allahu)” (Buhariu)
“O Allah, shëroje Sa’din”, tri herë. [Buhariu, 5659 dhe Muslimi, 1628]
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e vendoste dorën e Tij të djathtë mbi personin e sëmurë dhe thoshte: “Edh’hibil-be’s, Rabbun-nas, veshfi entesh-Shafi’, la shifa’e il-la shifa’uke shifa’en la jugadiru sekama – (Largoja dhimbjen, o Zot i njerëzimit, dhe jepi shërim, se Ti je Shëruesi; nuk ka shërim, pos shërimit Tënd që nuk lë gjurmë të sëmundjes).” (Muslimi)
“Kushdo që e viziton një të sëmurë i cili ende nuk është duke vdekur dhe thotë shtatë herë në prani të tij: Es’elullah, rabbul-‘arshil-‘adhim en jeshfijek – (E lus Allahun, Zotin e Arshit madhështor, të të shërojë), Allahu do ta shërojë atë nga ajo sëmundje.” (Ebu Davud)
“Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e fali me ne xhenazen e një njeriu musliman dhe gjatë lutjes e dëgjova duke thënë: “O Zoti im, ky i biri i filanit është në mbrojtjen Tënde dhe në fqinjësinë Tënde dhe ruaje nga prova e varrit dhe dënimi i zjarrit. Ti e përmbush premtimin dhe meriton falënderim. O Zoti im, fale dhe mëshiroje. Vërtet, Ti je Ai që fal dhe mëshiron.” (Transmeton Ebu Davudi)
“Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. ka falur një xhenaze dhe e kam mbajtur në mend lutjen e tij, të cilën ai e lexoi: ‘O Zoti im, fale dhe mëshiroje, falja mëkatet e tij. Bëja të këndshëm qëndrimin e tij, zgjeroja vendbanimin e tij të ri. Laje trupin e tij me ujë, borë e akull të mirë dhe të këndshëm dhe pastroje prej mëkateve të tij ashtu si pastrhen rrobat e bardha prej fëlliqësirave, ndërroja shtëpinë me më të mirë dhe familjen me më të mirë si dhe gruan me më të mirë. Fute në Xhenet dhe mbroje nga dënimi i varrit dhe dënimi i zjarrit të Xhehenemit.” Transmetuesi thotë: “Dëshirova që unë të isha i vdekuri.” (Transmeton Muslimi)
Duaja që Allahu t’i falë e t’i mëshiroj jobesimtarët nuk lejohet: “Nuk është e drejtë për Pejgamberin e as për besimtarët të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë të afërt të tyre, pasi ta kenë të qartë se me të vërtetë ata (idhujtarët) janë banues të xhehenemit.” (Teube: 113)
Dhe për hipokritët: Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (e xhenazës) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij (për lutje e vizitë), pse ata mohuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe vdiqën kryeneçë. (Teube: 84)
Por është sunnet të bëhet dua (lutje) për udhëzimin e tyre:
Kur banorët e Taifit rezultuan po aq barbarë dhe intolerantë duke përbuzur mesazhin e pejgamberit a.s. për njëshmërinë e Zotit, një engjëll iu prezantua duke i ofruar zgjidhjen e shkatërrimit të gjithë qytetit për shkak të sjelljes arrogante dhe urrejtjes së treguar kundër Tij. Por, Profeti i Meshires a.s lutej rregullisht për popullin e tij duke thënë: “O Zot, udhëzoji njerëzit e mi sepse ata nuk e dinë të vërtetën!” Ai vazhdonte të lutej për ta edhe pse ai vetë dhe njerëzit që e pasonin, vuanin, torturoheshin dhe talleshin nga armiqtë e Islamit.
Në një rast disa nga shokët e tij i thanë: “Fisi i Dausit ka mohuar fenë dhe ka kundërshtuar urdhrat e tu. Lutju Zotit kundër tyre!”. Përkundër pritshmërisë së tyre, Profeti a.s tha: “O Allah! Udhëzoje fisin e Dausit dhe bashkoje në rrugën tonë.” (Buhariu)
Komentet e fundit