Si u kthye një periudhë errësire në shekull të dritës? Nga xhahilijeti ne ate te Lumturise

Duke i vënë gjoksin çdo zakoni të keq dhe injorant, Profeti e kthente një periudhë errësire në shekull të dritës!

Për t’i bërë dritë kësaj specifike, dëshiroj të kujtoj këtu fjalët që Xhafer ibni Ebi Talib tha para mbretit etiopian Nexhashi: “O sundimtar! Ne pinim gjak, hanim ngordhësirë, kurvëronim, vidhnim, vrisnim dhe bashkoheshim për të grabitur. I forti e shtypte të dobëtin dhe bënim sa e sa gjëra të tjera të turpshme për njeriun!..”[5] Me këto fjalë ai i tërhiqte vëmendjen mbretit se në ç’errësira ndodheshin ata para se të vinte Profeti Muhamed!

Në atë shoqëri shpërthente kiameti në një pikë ujë, dy grupe njerëzish përlesheshin dhe vriteshin me njëri-tjetrin vetëm me pretendimin se kishin të drejtë, kurvërimi kishte rrugë të hapur, vjedhja konsiderohej aftësi dhe numri i njerëzve që s’pinin alkool numërohej me gishta. Ja pra, në një shoqëri të tillë fanatike dhe tejet të egër, brenda një kohe tepër të shkurtër, ai i shkuli nga rrënjët dhe i hodhi tej të gjitha gjërat e turpshme, krejt moralin e tyre të ulët dhe, në vend të tyre, nguliti vetitë, vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, moralin e lartë! Autorë utopistë si Thomas Muri kanë përmendur vazhdimisht për model të moralit të lartë shoqërinë e republikës platonike, kurse Profeti Muhamed (s.a.s.) e kishte vënë me kohë në jetë atë shoqëri virtyti!

Nxjerrja nga një shoqëri që nuk njihte tjetër gjë veç egërsisë dhe fanatizmit në egërsi, një shoqëri që do t’i jepte njerëzimit mësime qytetërimi, ishte krejt si nxjerrja e dijeve nga errësira! Ja, këtë pati arritur Hz. Muhamedi me atë veprimtarinë e tij të mrekullueshme dhe pati treguar se ishte një person i jashtëzakonshëm e i mrekullueshëm!

Ne që nuk mundemi ta bëjmë dikë që rri me vite pranë nesh, të heqë dorë nga një ves, përkulemi më dysh para Profetit Muhamed që u pati shkulur nga rrënjët zakonet e këqija njerëzve që u patën hyrë ato zakone në gjak dhe u qenë bërë natyrë e dytë, dhe e përsërisim edhe një herë tjetër dëshmimin tonë se ai është profet i vërtetë. Po, me të gjitha qelizat e trupit bërtasim dhe themi: “Ai është i Dërguari i Allahut!”

Unë pata ngritur në përfytyrimin tim një sistem edukimi që e pata konsideruar si sistem ideal edukimi, natyrisht duke u frymëzuar prej tij dhe me burim Medineje, por kurrsesi nuk munda t’i bëj më të afërmit që ta pranonin në kuptimin e vërtetë të fjalës. Thashë virtyt, por më ra goja dhe s’nxora dot gjë. Ç’fuqi e jashtëzakonshme ishte ajo me të cilën i Dërguari i Allahut nxirrte nga egërsia qytetërim, nga vulgariteti lartësi dhe nga njerëz nomadë, njerëz të qytetëruar dhe pastaj i bënte mësues në krye të popujve! Pandeh se në ditët tona, njerëz si unë të dobët e të paaftë për t’u thënë diçka dy-tre vetëve në shtëpi, do ta kuptojnë më mirë madhështinë e Profetit Muhamed që e pati ngritur lart njerëzimin me një hop dhe që u pati zbrazur njerëzve ndër zemra frymëzimet e veta, mjafton që të mos pengohen nga paramendimet dhe kryeneçësia!..

Në atë periudhë, Islami u përhap gjer në Iran dhe në Turani. Ndërkaq, iraniani ishte nën ndikimin e një kulture tjetër, turaniani, nën ndikimin e një kulture tjetër, turku, nën ndikimin e një kulture tjetër, romaku, nën ndikimin e një kulture tjetër, kurse mesazhi i tij u përshtatej atyre sikur të ishte një rrobë e prerë dhe e qepur sipas masës së trupit të secilit prej tyre! Ja mrekullia! Fakti që ai bënte t’i shkonte fjala në të gjithë botën, ishte një mrekulli e madhe dhe është argument se ai person ishte i dërguar nga Allahu! Pra, Hz. Muhamedi ishte përfaqësues i Allahut. Kjo është ajo që duam të kuptojmë ne!

Me gjeninë e vet, një njeri mund ta zbulojë shekullin e vet. Për shembull, Aleksandri i Madh mund ta ketë njohur në një farë mase shekullin e vet, Qesari mund ta ketë kapërcyer kohën e vet, Napoleoni mund ta ketë kuptuar mirë kohën e vet, por vetëm Profetit Muhamed i ka takuar që ta bëjë mozaikun e kombeve të mëvonshëm të vendeve të ndryshme të botës t’ia dëgjojnë fjalën dhe t’i thonë “po” mesazhit të sjellë prej tij në sajë të përshtatshmërisë së atij mesazhi me konstitucionin shpirtëror të tyre. Dhe neve s’na mbetet tjetër veçse t’i themi mrekulli këtij fenomeni. Fundja, unë nuk di të ketë fjalë tjetër që ta shpjegojë dhe shprehë këtë sukses!

Jemi në pragun e shekullit XXI dhe katërmbëdhjetë shekujt që kanë kaluar, nuk kanë ndryshuar asgjë dhe mesazhi i sjellë nga Profeti Muhamed, duke e ruajtur freskinë e vet, na u pëshpërit zemrave, shpirtrave, mendjeve dhe ndërgjegjeve gjëra krejt të reja, sepse ai e pati marrë mesazhin nga Individualiteti Hyjnor që na i njeh zemrat, që na bën ta ndjejmë në ndërgjegjet. Ndryshe, paraqitja e një sistemi që t’u përgjigjet nevojave të të gjitha kohërave është diçka që i kalon mundësitë e një njeriu, kushdoqoftë ai!