Si therret kurbani? Rregullat e prerjes se kafshes se kurbanit

Kafsha për kurban

Personi i obliguar me therjen e një kurbani që adhurimi  i tij të plotësohet duhet të zbatojë  disa kushte përsa i përket kafshës së kurbanit dhe therjes së saj.

  1. Kafsha për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Pra pula, rosa, pata, gjeli i detit etj. nuk pranohen si kafshë për kurban. Kafshët e lartpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë. Por përsa i përket familjes së deleve është më e pëlqyeshme të theret dashi.
  2. Për kafshët si delet dhe dhitë ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të theren si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajshe është e shëndetshme dhe tregon për një vit atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia duhet patjetër të mbushë vitin. Kafshët si lopa dhe bualli duhet të jenë mbi dy vjeçë, ndërsa deveja duhet të jetë mbi pesë vjeç.
  3. Delja dhe dhia mund të theret kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si      lopa, kau dhe bualli mund të theren si në emër të një personi ashtu edhe në emër të shtatë personave që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani mishi ndahet ndërmjet tyre në mënyrë të barabartë.
  4. Kurbani që theret me qëllim adhurimi dhe përafrimi me Allahun, duhet të jetë e shëndoshë, e majme dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, gjithashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye kafsha për kurban nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë nga plotësimi i kushteve të kurbanit.
  5. Të gjitha adhurimet kryhen në kohën dhe sipas kushteve të caktuara nga Allahu. Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të kurbanit deri në perëndimin e ditës së tretë.
  6. Gjithashtu është kusht që kafsha të theret me qëllim adhurimi. Allahu nuk ka nevojë as për adhurimet që i kryhen atij dhe as për kafshët që theren, Ai duke na urdhëruar me therjen e kurbanit vë në provë përpikërinë e bindjes së robërve ndaj urdhrave hyjnorë dhe mat me to afërsinë e tyre me Zotin. Allahu shprehet kështu në Kuran: “ Mos harroni se as mishi dhe as gjaku nuk do shkojnë tek Zoti. Por ajo që arrin deri atje është devotshmëria që ushqeni në zemrat tuaja dhe respekti ndaj Allahut. (Haxh/37)

Mangësitë Që Pengojnë Kafshën Të Jetë Kurban 

  1. Të ketë të dy sytë ose vetëm njërin të verbër.
  2. Të jetë topalle as sa mos të jetë në gjendje të ecë.
  3. Të ketë njërin ose të dy veshët të prerë.
  4. Të ketë të gjithë dhëmbët ose pjesën më të madhe të tyre të rënë.
  5. Të jetë e sëmurë shumë.

Mënyra e Therjes së Kurbanit

Kafsha merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë i zoti ose mund t’ia lërë ndonjë tjetri. Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismil’lahi, Allahu Ekber”. Kafsha theret në të dyja anët e damarëve të qafës.

Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.

اَللّٰهُ أَعْلَم

Allahu e di më së miri

Marre nga:http://islami.al/nje-veshtrim-i-pergjithshem-rreth-kurbanit/

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.