Si ndodhi ngjarja e lejimit të bashkëshorteve për zgjedhje?

Këtu është fjala për lejimin nga ana e Profetit të bashkëshorteve të veta të lira për të jetuar apo jo së bashku me të. Pavarësisht nga burimi, kjo ngjarje ka të bëjë me një urdhër të engjëllit Xhebrail drejtpërdrejt për Profetin. Ajeti kur’anor mbi këtë çështje thotë kështu: “O i Dërguar! Thuaju grave: “Po qe se doni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, ejani t’ju fal dhe t’ju lë të lira me të mirë! Por po qe se doni Allahun, të Dërguarin dhe jetën e ahiretit, dijeni se Allahu ka përgatitur për ato nga ju që sillen mirë, shpërblim të madh!” (Ahzab, 33:28-29)

Ka mundësi që disa nga gratë e Profetit të kenë dëshiruar një jetë më me mirëqenie dhe të kenë thënë: “A s’mund të jetojmë edhe ne, si gjithë muslimanët e tjerë, pak më mirë? Të paktën, të gatuajmë një herë në ditë! Edhe rrobat t’i ndërrojmë pak më shpesh!” etj. Në shikim të parë, meqë kjo dhe kërkesa të ngjashme janë legjitime, mund të duken si mjaft të pafajshme e të drejta. Mirëpo ato ndodheshin në një shtëpi të tillë që do të mbetej shembull për të gjitha foletë familjare gjer në kiamet. Edhe me këtë aspekt, bashkëshortet e Profetit ndodheshin në qendër të vëmendjes. Për rrjedhojë, ato nuk mund të silleshin dhe vepronin si muslimanët e tjerë, sepse ato ishin ndër njerëzit e afërt të Zotit. Gjërat e konsideruara të mira e mirësi për të tjerat, duhet të pranoheshin si mëkat për bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut!

Kur Profeti ndjeu një dëshirë të tillë te disa prej bashkëshorteve, kaloi menjëherë në një korrigjim qëndrimi. Ai u betua se nuk do të takohej me to dhe u tërhoq në ballkonin e shtëpisë. Ngjarja u dëgjua menjëherë. Çdo njeri vrapoi në faltore dhe zuri të qajë, sepse edhe dëshpërimi më i vogël i të Dërguarit të Allahut mjaftonte për t’i bërë muslimanët të qajnë. Të gjithë muslimanët ishin njësuar aq shumë me Profetin, saqë shqetësimi më i vogël në shtëpinë e tij merrej vesh menjëherë dhe muslimanët prisnin me padurim të merrte fund. Kështu ndodhi edhe atë ditë.

Ky korrigjim qëndrimi e sjelljeje nga Profeti quhet edhe “ngjarja i’la”. Veç vlerësimeve të mësipërme për këtë ngjarje, kishte nga ata që e shihnin me sy tjetër. Ndër këta të dytët ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri që kishin vajzat e tyre mes bashkëshorteve të Profetit. Edhe Ebu Bekri dhe Omeri, sapo e mësuan ngjarjen, vrapuan për në faltore.

Ata kërkuan leje për të hyrë te Profeti por nuk iu dha. Atëherë, si gjithë të tjerët, edhe ata filluan të presin në faltore. Herën e tretë të kërkesës morën leje, hynë brenda dhe filluan t’i qëllojnë të bijat me shuplaka. Profeti i ndiqte veprimet e tyre nga larg dhe, gjatë gjithë kësaj kohe, tha vetëm këto fjalë: “Këto kërkojnë prej meje gjëra që s’janë në dorën time!”  Kurse Kur’ani u thoshte atyre: “O gra të të Dërguarit! Ju s’jeni si gratë e tjera!” (Ahzab, 33:32)