Si na tregon veten Allahu (xh.xh.)?

5/5 - (2 votes)

Ne mund ta njohim Allahun veçse në atë masë që të na e tregojë Ai veten, sepse është prapë vetë Ai që e njeh më mirë veten dhe që e tregon më mirë veten.

Surja Ihlas (Sinqeriteti) ka një shprehje tejet koncize dhe të mrekullueshme që tregon për ekzistencën, unitetin dhe pangjashmërinë e Allahut. Çdo ajet është rrjedhojë logjike e ajetit paraardhës dhe të gjitha ajetet janë si argumente të njëri-tjetrit.

Kjo sure është quajtur “ihlas”, sepse e shpreh në mënyrën më të qartë e më të bukur teuhidin, besimin monoteist islam mbi Allahun, Zotin e gjithësisë, që është parimi themelor i fesë islame. Kjo sure na jep njohuritë më të qarta e më të kulluara mbi çështjen e ekzistencës dhe unitetit të Allahut, larg çdo mendimi të ngatërruar e të gabuar që nuk i përshtatet hyjnitetit të Tij. Kuptimi i sures është kështu:

“Thuaj: Ai, Allahu është Ehad (Një i vetëm).

Allahu është Samed (nuk ia ka nevojën asgjëje).

Nuk ka lindur kënd dhe nuk është i lindur.

Asgjë dhe askush nuk është identik me Të!”[1]

Allahu është Ehad. Cilësimi ehad në këtë ajet na tregon neve se Allahu është një dhe i vetëm. Edhe nëse shumë qenie që e kanë cilësinë e unitetit janë një si numër, që të gjitha janë të krijuara, janë krijesa, u përkasin llojit të qenieve të krijuara. Kurse Allahu i vetmi Një, i pashoqi dhe i pakrahasueshmi Një, i ndryshëm në cilësi nga të gjitha cilësitë që mund të mendohen, që mund të marrin formë në fantazi, që mund të imagjinohen dhe përshkruhen. Është Një-shi që zotëron të gjitha atributet e përsosmërisë. Për rrjedhojë, është dhe Një-shi i denjë për t’iu falur e për ta adhuruar.

Allahu është Samed. Çdokush dhe çdo gjë ka nevojë për Të, ndërsa Ai s’ka nevojë për askënd dhe për asgjë. Në gjithësi ka një rregullsi të mrekullueshme dhe është e pamundur që kjo rregullsi të jetë e vetvetishme. Çdo gjë e gjallë dhe jo e gjallë ka nevojë të pamënjanueshme për Allahun si për të dalë nga e paqena në fushën e qenies dhe ekzistencës, ashtu dhe për ta vazhduar qenien dhe ekzistencën e vet. Allahu e ka krijuar gjithësinë jo se është nevojtar për të, por për ta bërë të njohur veten, për të treguar madhështinë e tij dhe për të bërë mirësi dhe favor. Çdo gjë qëndron në këmbë në sajë të Tij, kurse Ai që nuk është nevojtar për asgjë (Samed), qëndron në këmbë, ekziston në mënyrë të vetvetishme e të vetëmjaftueshme.

Allahu nuk ka lindur kënd. Me këtë ajet është shkulur nga rrënjët dhe fshirë çdo lloj shirku dhe kufri (politeizmi dhe mohimi). Ky ajet është përgjigje për shumë mendime dhe ide të gabuara që kanë të bëjnë me politeizmin. Më së pari, me kuptimin e parë që vjen ndërmend të këtij ajeti, u bëhet e ditur njerëzve se Allahu kurrsesi s’është si njerëzit, që ka grua e fëmijë. Kurse në mënyrë konvencionale tregohet se ekzistenca, gjithësia nuk është një gjë e ndarë prej Tij ose e dalë si produkt ose tepricë prej Tij, siç pretendojnë një pjesë filozofësh. Kështu tërhiqet vëmendja për faktin se qeniet apo gjërat që lindin qenie apo gjëra të tjera, që pjesëtohen, që shtohen e shumohen duke nxjerrë produkte e teprica dhe që pësojnë ndryshime, nuk mund të jenë zot.

Allahu nuk është i lindur. Siç nuk ka lindur kënd, Allahu s’është as i lindur, pra nuk ka dikush apo diçka që ta ketë lindur Atë. E thënë në mënyrë më të përgjithësuar, ashtu siç qenia dhe ekzistenca nuk janë pjesë e individualitetit të Tij, nuk janë gjë e dalë prej Tij, ashtu dhe nuk ka ndonjë qenie, vullnet dhe fuqi tjetër që të jetë shkak për qenien dhe ekzistencën e Tij. Sepse Allahu është Vaxhibul Vuxhud, Qenie e Domosdoshme, i vetëqenë dhe vetekzistent. Ai nuk është një qenie e lindur nga dikush  pas dhe e sjellë në ekzistencë  pas. Ekzistenca e tij është e paraqenë[2]. Nuk ekziston çasti kur Ai të mos ketë qenë.

Askush dhe asgjë nuk është identik me Allahun. Allahu nuk ka të ngjashëm as në individualitet, as në atribute, as në akte. Ai nuk ka shok, nuk ka ndihmës, nuk ka partner, nuk ka as ekuivalent, as antagonist, as analog. Gjërat e pasqena janë që të gjitha vepër e Tij dhe këto vepra, sado të përsosura që të jenë, si Ai nuk mund të jenë!

Ai nuk i ngjan asgjëje. Ai s’ka të bëjë me asgjë që mund të imagjinohet, që mund të marrë formë në mendje, sepse çdo gjë e tillë është e krijuar. Ato i kanë të krijuara edhe cilësitë që zotërojnë. Kurse Allahu është i pafillim e i pafund me individualitetin, atributet dhe aktet e Tij.

Ai që u ngjet krijesave të veta, nuk mund të jetë Zot. Krijesat janë vetëm si pasqyra që tregojnë (pasqyrojnë) emrat dhe atributet e Tij. Ashtu siç tregon një robot i mrekullueshëm diturinë, planin, mjeshtërinë dhe fuqinë e shpikësit ose artistit të vet, ashtu dhe çdo krijesë në këtë gjithësi, me artet e tij të larta e të pashoqe, tregon diturinë, fuqinë, urtësinë dhe vullnetin e pafund të Allahut.

Allahu është pakrahasimisht epror ndaj çdo gjëje. Fuqia e Tij është e pafundme. Ai e krijon një galaktikë po me atë lehtësi që krijon një atom. Ai e krijon pranverën me lehtësinë e krijimit të një luleje. Një punë apo një akt i Tij nuk bëhet pengesë për një punë ose për një akt tjetër të Tij. Ai bën në të njëjtin çast punë të panumërta pa i ngatërruar me njëra-tjetrën. Asgjë nuk mund të mbetet jashtë administrimit dhe rregullimit të Tij. Ndërsa çdo gjë ndodhet pafundësisht larg prej Tij, Ai ndodhet pafundësisht afër çdo gjëje. Sigurisht, një Zot i tillë nuk ka partner, nuk ka të ngjashëm dhe identik të vetes. Asnjë krijesë nuk mund t’i ketë këto cilësi. Kush nuk i ka këto cilësi, pra, kush ka partner, të ngjashëm dhe identik me veten, nuk mund të jetë zot!


[1] Ihlas, 112/1-4.

[2] ezeli.

 

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/allahu-xh-xh-e-tregon-veten/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.