Si ishte vullnetarizmi i profetëve?

Profetët nuk presin asnjë pagesë shpirtërore e materiale si kundërvlerë të shërbimit të kryer. Kur’ani bën fjalë për vullnetarizmi e tyre në raste të ndryshme dhe në ajete të ndryshme. Momenti i përbashkët i thënieve të tyre përqëndrohet te e vërteta “Shpërblimi im i përket vetëm Allahut”. Sa për ne, mundet të presim një shpërblim shpirtëror edhe në mos qoftë fjala për shpërblim material. Kurse profetët nuk e presin as këtë dhe të gjitha bëmat i bëjnë duke i vlerësuar nga këndvështrimi se ato janë urdhëri i Zotit. Për supozim, edhe po ta dinin se, në përfundim, do të digjeshin mes flakëve të xhehennemit, prapëseprapë kthjelltësia e mendimeve të tyre nuk do të turbullohej dhe do të vazhdonin të mendonin vetëm për kryerjen e detyrës së tyre…

Profetët janë njerëz që flijojnë ndjenjat e përfitimit materialo-shpirtëror dhe në këtë çështje janë qenie eprore. Nuk janë as sevdaja për xhennetin apo frika për xhehennemin që i shtyjnë për të kryer këtë detyrë të rëndë e të vështirë, por vetëm e vetëm dëshira për të fituar miratimin e Zotit të tyre.

Çdo profet është një vullnetar. Kurse pika më e lartë e vullnetarizmit i përket Mbretit të Profetëve. “Ummeti, njerëzit e mi!” ka thënë kur ka lindur dhe edhe në ditën e ringjalljes ashtu do të thotë.(50) Shihni se çfarë vullnetarizmi dhe vetmohimi që, ndërsa portat e xhennetit të hapura kat më kat presin të nderohen me ardhjen e tij, ai parapëlqen të përjetojë çastet më të turbullta të ringjalljes pas katastrofës me qëllim që të marrë me vete edhe ummetin, bashkësinë e tij! Jo vetëm farefisin dhe ata që i kanë ndenjur afër, por të gjithë ummetin, përfshi edhe atë më mëkatarin!

Po, udhëkalimet shpirtërore të tyre janë të hapura vetëm për një gjë: për pëlqimin dhe miratimin e Allahut! Për çdo gjë tjetër i kanë vënë derës shulin nga pas.

Veçanërisht në ditët e sotme, ata që i kanë vënë shpatullat detyrës së kumtesës e të orientimit që është një detyrë profetike, duhet të kenë shumë kujdes në këtë pikë dhe duhet të sillen me shumë ndjeshmëri. Sepse forca ndikuese e fjalës është e fshehur jo në kumtesën dhe në ligjërimin e bukur, por në të qenit i sinqertë. E të qenët i sinqertë kërkon vullnetarizëm dhe flijim. Pikërisht për të vënë gishtin në këtë konceptim, në Kur’an thuhet: “Ndiqni njerëzit që nuk kërkojnë ndonjë shpërblim prej jush e që janë në rrugë të drejtë!” (Kur’ani, Jasin: 21) Po, ndërsa ata fluturojnë në qiejt e orientimit, edhe ju ndiqini ata. Sepse nuk kërkojnë prej jush ndonjë gjë në emër të kësaj bote. I mendoni mirë njerëzit që do t’i ndiqni pas me mendje të fjetur, i matni dhe lidhuni pas atij që jeton natë e ditë i mbushur plot me ashkun e shërbimit. Ai duhet të parapëlqejë përgatitjen e rrugëve nga do të kalojnë karrocat e fitores së brezit të ardhshëm, konceptimin dhe arritjen e ditëve të mrekullueshme e të përshndritshme të asaj kohe. Dhe në botën ndjesore të tij të mbrujtur me vullnetarizëm e sakrificë të mos bjerë qoftë edhe hija e një kërkese të pafajshme. Ja, të tillë prijës e të parë zgjidhni për vete dhe u shkoni pas!

I Dërguari i Allahut ishte njeriu i vullnetarizmit e i sakrificës. Gjatë gjithë jetës as me bukë thekre nuk e pati mbushur barkun. Ndodhte që kalonin ditë, javë e muaj e në banesën e tij të mbushur plot lumturi të mos ndizej zjarr për të gatuar e të mos ziente një enë me supë.(51) Ebu Hurejre tregon: “Shkova një ditë pranë të Dërguarit të Allahut dhe e gjeta tek po falej ulur. Pasi mbaroi, e pyeta:

– O i Dërguari i Allahut, mos je i sëmurë?

– Jo, o Hurejre, e kam nga të pangrënët.

Fillova të qaja. I dashuri i Allahut, për të cilin ishte krijuar gjithësia, falej ulur nga të pangrënët! Kurse ai më qetësoi kështu kur më pa të përlotesha:

– Mos qaj, o Eba Hurejre! Ai që vuan në këtë botë ankthin e urisë, do të jetë i sigurt nga ana tjetër se do të jetë i mbrojtur nga ndëshkimi i Zotit!(52)

Një grua medinase i kishte sjellë Profetit një si dyshek dhe Hz. Aisheja e kishte shtruar mbi rrogozin mbi të cilin ulej e prehej gjithmonë ai. Kur Profeti kishte ardhur dhe e kishte vënë re ndryshimin, kishte kërkuar shpjegim për këtë. Pas përgjigjes së marrë, kishte thënë:

– O Aishe! Ktheje mbrapsht menjëherë këtë. Betohem në Allahun se, po të desha, Allahu më vinte djathtas e majtas male me ar e argjend, por unë s’dua…(53)

Ashtu është, po të donte, ai mund të kalonte një jetë komode. Një ditë kishte ardhur një engjëll e i kishte sjellë të fala nga Zoti: “A do të bëhesh një pejgamber sundimtar apo një pejgamber rob?”

Engjëlli Xhebrail i vjen në ndihmë: “O i Dërguari i Allahut, tregohu i thjeshtë!” Dhe Profeti e bën zgjedhjen: “Dua të jem një profet që një ditë i pangrënë lutet e që një ditë tjetër i ngopur falënderon!”(54)

Profeti rrinte bashkë e hante bukë me shërbëtorët e skllevërit. Një grua që një ditë sheh një pamje të tillë, i thotë me përbuzje: “Je ulur e ha bukë si një skllav!” Kurse Zotëria i Gjithësisë i përgjigjet: “A mund të ketë skllav më të lumtur se unë? Unë jam skllav i Zotit!”(55)

E gjithë jeta e të Dërguarit të Allahut është e mbushur me tablo vullnetarizmi e sakrifice. Tani për tani, hollësitë po ua lëmë mijëra librave që kanë për tematikë jetën e tij të lartë. Po, të gjithë profetët me të në krye kanë jetuar si vullnetarë dhe njerëz të sakrificës dhe nuk kanë kërkuar asgjë nga sendet e kësaj bote apo tjetrës si kundërvlerë të shërbimeve që kanë sjellë. Prandaj fjalët e tyre kanë pasur ndikim. Në qoftë kështu, ata që kërkojnë që fjalët e tyre të kenë aftësi ndikimi si të ishin një eliksir, para çdo gjëje tjetër duhet të mësojnë të mos kërkojnë asgjë dhe prej askujt në përgjigje të shërbimit të kryer!