Si ishte sistemi të edukimit te Profetit a.s? Edukata ne Islam

Votoni kete shkrim

Është gabim ta mendosh edukimin e të Dërguarit të Allahut vetëm në formën e pastrimit të egove. Ai pati ardhur me një sistem edukimi universal dhe pati paraqitur një mesazh që do t’i lartësonte të gjitha zemrat, të gjithë shpirtrat, të gjitha mendjet, të gjithë egot në qëllimin e tyre të përfytyruar. Ja, këtë e shprehin edhe të vërtetat universale të Kur’anit. Ai do t’u dilte për zot mendjeve të njerëzve, do t’i nxiste mendjet dhe, duke u dhënë dimensione revelative, do t’i çonte gjer në pikën fundore ku mund të shkojë mendja. Pastaj do t’i rrokte shpirtrat dhe do t’i orientonte në drejtim të sublimes shumë më në krye të atyre që e kanë bërë profesion edukimin e shpirtrave, dhe do t’i shëtiste zemrat në majat e blerta si parajsë të atyre botëve, për të cilat zemrat janë të dëshiruara! Po kështu, do t’i merrte në dorë ndjesitë njerëzore dhe do t’u jepte krahë duke i çuar edhe atje ku përfytyrimi s’arrinte dot. Në të njëjtën kohë, nxënësve që i kishte lartësuar në ndjenja e në shpirt, do t’u hapte fletë më fletë dyert e ekonomisë, sociologjisë, administrimit, politikës, artit ushtarak, dyert e të gjitha diturive dhe shkencave, do t’i bënte ata administruesit më të përsosur, ekonomistët më të zgjedhur, politikanët më të suksesshëm dhe strategët ushtarakë më gjenialë. Po, i Dërguari i Allahut erdhi me një kauzë universale dhe, në një aspekt, dha mësime ekonomie, në një aspekt, mësime finance, në një aspekt, mësime administrimi e qeverisjeje, në një aspekt, mësime arsimimi e edukimi, në një aspekt, mësime drejtësie dhe, në një aspekt tjetër, mësime të drejtësisë juridike shtetërore e ndërkombëtare. Shkurt, me mesazhin që solli ai, përfshinte në mikroplan zhvillimin e sotëm në tërësinë e tij. Sigurisht, nëse sot, në një anë të këtij botëkuptimi edukativ të marrë prej tij si bazë e të ofruar njerëzimit, do të kishte ndonjë të metë të lehtë, qëllimi final i ardhjes së tij nuk do të vërtetohej plotësisht. Kurse ai ju thotë pak a shumë kështu: “Secili nga profetët e ardhur gjer tani ndërtuan një pjesë të kësaj ndërtese të shkëlqyer, pra, duke lënë gjithmonë diçka mangët. Çdokush që vinte, thoshte: “Vallë, kur do të plotësohet dhe mbarojë kjo?” Kurse unë po ju them: Ja, unë jam ai që e plotësova dhe e mbarova! Ndërtesës nuk i ka mbetur më asnjë mangësi!”