Si e zgjidhi problemin e racizmit Pejgamberi  s.a.v.s?

5/5 - (1 vote)

I Dërguari i Allahut, me mesazhin e tij tejet të butë, i qe vënë kësaj pune dhe e pati zgjidhur. Po, sipas parimeve të sjella prej tij, njerëzit janë si dhëmbët e krehërit. Arabi nuk ka asnjë epërsi ndaj persit, as persi ndaj arabit.[1] Edhe sikur ai që vihet në krye, të jetë një skllav etiopian, do të respektohet dhe do t’i dëgjohet fjala![2]

Ndërkaq, ndryshe nga deklaratat e tjera me shprehje të përgjithshme e evazive, Profeti i pati përftuar kësaj specifike një efektivitet të tillë, që zezaku Bilal (r.a.) pranohej si zotëri dhe kalifi Omer (r.a.) thoshte kështu për të: “Bilali është zotëria ynë. Atë e ka çliruar zotëria ynë Ebu Bekr!”[3]

Ata ishin edhe në krye të detyrave

Edhe Zejd b. Harithe (r.a.) ishte një zezak. Ai pati rënë në dorë të të Dërguarit të Allahut si skllav. Profeti (s.a.s.) i pati dhënë lirinë dhe pastaj e pati adoptuar, pra, e pati bërë bir në shpirt. Ky trajtim do të thoshte një përmbysje që trutë e njeriut të asaj dite nuk e rroknin dot! Më i nderuari i njerëzimit bënte për bir një skllav dhe të dy e bënin njëri-tjetrin trashëgimtar të njëri-tjetrit![4] Pastaj, të birin e caktonte komandant të një ushtrie ku merrnin pjesë fisnikë e bij fisnikësh, si Ebu Bekri, Omeri, Aliu, e shumë të tjerë![5] Një ditë, kalifin Omer (r.a.), i biri Abdullah e pyeste kështu: “O im atë, ç’gjë mangët kam unë nga Usame ose ç’gjë të tepërt ka ai prej meje që atij i jep rrogë të tepërt?” Dhe kalifi Omer i përgjigjej kështu të birit: “O bir, nuk di që ai të ketë ndonjë anë të tepërt në krahasim me ty, ose ti të kesh ndonjë anë të mangët në krahasim me të! Por di një gjë: i Dërguari i Allahut e donte babanë e tij më shumë se babanë tënd dhe Usamen, më shumë se ty!” Me një fjalë, kalifi donte t’i thoshte të birit se e mbante Usamen mbi të, në kujtim të asaj dashurie![6]

E vetmja zgjidhje për çështjen e zezakëve (racizmin) të cilën po e prekim shkarazi, e cila do t’i kërcënojë në të ardhmen të gjithë njerëzit, si dhe për ta përballuar sulmin e tyre të mundshëm tejet të fuqishëm, është, pa humbur kohë fare, trajtimi i tyre sipas parimeve islame. Njerëzit kanë lindur dhe lindin të lirë nga nëna, prandaj askush nuk ka të drejtë t’i skllavërojë ata! “Përparësia nuk është tek ngjyra, raca, soji e sorollopi, por tek devocioni ndaj Zotit dhe vlerat njerëzore!” (Kur’ani, Huxhurat, 49/13)

 

[1] Musned, 5/441.

[2] Muslim, Imare, 37.

[3] Ibni Haxher, Isabe, 1/165.

[4] Ibni Haxher, Isabe, 1/564.

[5] Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 63.

[6] Ibni Sa’d, Tabakat, 4/70; Ibni Haxher, Isabe, 1/564.