Si e dinte murgu Bahira që Profetit a.s do të ju shpallte profetësia?

Librat biografikë flasin për udhëtimin e parë të të Dërguarit të Allahut në shoqërim të të ungjit Ebu Talib kur pati qenë ende dymbëdhjetë vjeç. Ky udhëtim qe bërë për në Damask. Karvani bën konak diku në një han dhe Muhammedi caktohet si vëzhgues, ndërsa të tjerët ulen për të pushuar. Ndërsa karvani po i afrohej hanit, një murgu të quajtur Bahira, të njohur nga vendasit, i tërheq vëmendjen një dukuri. Mbi karvan qëndronte një re që e shoqëronte vazhdimisht. Kur karvani qëndronte, edhe reja qëndronte; kur karvani vihej në lëvizje, edhe reja lëvizte. Për këtë, murgu Bahira i fton në ngrënie të gjithë pjesëmarrësit e karvanit. Kjo sjellje e murgut i cili gjer atëherë nuk pati treguar aspak interesim për karvanet, i çudit të gjithë. Të gjithë i përgjigjen ftesës përveç Muhammedit. Dhe murgu nuk sheh midis tyre atë që kërkon. Prandaj pyet nëse ka mbetur dikush në rojë të karvanit. Pasi merr përgjigjen, e thërret edhe atë. Sapo Muhammedi hyn në dhomë, murgu në vetvete arrin në konkluzion dhe e pyet Ebu Talibin se kush ishte ai. Ebu Talibi i thotë se ishte i biri, por murgu nuk e beson sepse ka konkluduar se djali është Ai dhe e di se i ati duhej ta kishte lënë jetim pa lindur ende. Më vonë, murgu e heq mënjanë Ebu Talibin dhe e këshillon të heqë dorë nga ky udhëtim, sepse, sipas tij, çifutët ishin njerëz ziliqarë dhe, duke e njohur këtë djalë nga pamja, mund të mendonin ndonjë të keqe për të meqë s’ishte nga radhët e tyre. Këto gjëra murgu vetëm sa i mendon, kurse Ebu Talibit i thotë vetëm kaq: “Hiq dorë nga ky udhëtim!..” Ebu Talibi ia dëgjon këshillën, gjen një justifikim, ndahet prej karvanit dhe kthehet pas për në Mekë.

Murgu Bahira thoshte të vërtetën. Por ishte një gjë që ky s’e dinte: Ai ndodhej nën mbrojtjen e Allahut (xh.xh.) gjer në fund të jetës, gjë që e shpreh edhe ajeti i mëposhtëm: “Allahu të garanton mbrojtjen prej armiqve”. (Kur’ani, Maide: 67). Po, kështu i thoshte atij Zoti i vet dhe do ta mbante premtimin gjer në fund!