Si behet haxhi?

Haxh quhet vizita e disa vendeve të caktuara brenda një periudhe specifike sipas disa rregullave të përcaktuara. Ndryshe mund të themi që haxhi është një adhurim i bërë në një periudhë të caktuar të vitit dhe konsiston në veshjen e ihramit duke bërë nijetin përkatës, në bërjen e tavafit të Qabes, qëndrimit në Arafat. Ihrami është kusht i haxhit ndërsa tavafi dhe qëndrimi në Arafat janë pjesët përbërëse të tij.

Çdo mysliman, burrë apo grua, nëse plotëson kushtet, pra nëse ka mundësi financiare dhe shëndetësore e ka obligim (farz) të shkojë në haxh të paktën një herë në jetën e tij. Njeriu nuk duhet ta shtyjë këtë obligim, por duhet ta realizojë sapo t’i jepet mundësia.

KUSHTET E DETYRIMET E HAXHIT

Një person i cili e ka obligim haxhin duhet të plotësojë këto kushte:

  1. Të jetë mysliman
  2. Të ketë arritur moshën e pjekurisë.
  3. Të jetë i shëndoshë mendërisht.
  4. Të jetë i lirë.
  5. Të ketë aq mundësi financiare sa të përballojë shpenzimet e familjes gjatë kohës që do të jetë në haxh, shpenzimet e rrugës dhe të qëndrimit në vendet e shenjta.

Kushtet që duhet të plotësoje personi që kryen haxhin:

Kushtet që duhet të plotësojë personi i cili e ka obligim haxhin janë:

  1. Të jetë mirë nga ana fizike. Personi i cili mund të kryejë haxhin duhet të jetë i shëndoshë fizikisht. Nëse vuan nga ndonjë sëmundje atëherë mund të ngarkojë dikë tjetër në vend të tij për kryerjen e haxhit.
  2. Siguria e rrugës. Nuk duhet të ketë luftë apo situata të tjera që mund të pengojnë vajtjen në haxh.
  3. Gruaja duhet të jetë e shoqëruar nga burri apo nga të afërmit (si: djali, vëllai, babai, apo ndonjë i afërm me të cilin e ka të ndaluar të martohet).
  4. Gruas të cilës i ka vdekur burri apo është ndarë nga ai duhet të presë kohën e caktuar.
  5. Të jetë i lirë, të mos ketë pengesa si burgu.

KUSHTET E VLEFSHMËRISË SË HAXHIT

Për pranimin e haxhit duhet të plotësohen këto tre kushte:

  1. Ihrami. Personi i cili bën nijet të kryejë haxhin gjatë kohës së ihramit duhet të largohet nga disa vepra dhe sjellje dhe i ka të ndaluara deri në përfundim të kohës së ihramit.
  2. Koha. Farzet e haxhit, hyrja në ihram, qëndrimi në Arafat dhe bërja e tavafit duhet të kryhen brenda një afati të caktuar.

Haxhi kryhet brenda dhjetë ditëve të muajit Dhul Hixhxhe. Të gjitha veprimet (qëndrimi në Arafat, tavafi, vrapimi mes dy kodrave, gjuajtja e shejtanit me gurë) duhet të kryhen brenda një afati të caktuar përndryshe haxhi nuk pranohet.

  1. Vendi. Farzet e haxhit duhet të zbatohen në vende të përcaktuara. Qëndrimi në Arafat duhet të bëhet në Arafat ndërsa tavafi duhet të bëhet brenda xhamisë së shenjtë.

SHTYLLAT E HAXHIT

Qëndrimi në Arafat

Haxhi nuk pranohet nëse nuk bëhet qëndrimi në Arafat. Qëndrimi bëhet në Arafat në një vend 25 km në veri lindje të Mekës, jashtë zonës së shenjtë. Personat të cilët gjatë kohës së haxhit nuk mund ta arrijnë qëndrimin në Arafat duhet të presin një vit për ta plotësuar.

Kushtet e pranimit të qëndrimit janë këto:

Të veshësh ihramin me nijetin e haxhit.

Qëndrimi të bëhet në Arafat apo brenda kufijve të tij, që nga dreka e ditës së arefes (një ditë para Bajramit) deri në namazin e sabahut të ditës së Bajramit.

TAVAFI I VIZITËS

Haxhi nuk quhet i plotësuar nëse nuk bëhet tavafi i vizitës. Tavafi fillon nga një qoshe e gurit të zi dhe vazhdon duke bërë shtatë rrotullime rreth Qabes. Çdo rrotullim quhet shaut dhe tavafi përbëhet nga shtatë shaute.

Kushtet e pranimit të tavafit janë:

Bërja e tavafit në kohën e caktuar: Tavafi i vizitës ndryshe quhet dhe ‘tavafi ifada’. Koha e tavafit të vizitës fillon nga sabahu i ditës së parë të Bajramit. Edhe pse mund të bëhet deri në fund të jetës, është më e preferuar të realizohet deri në perëndimin e diellit të ditës së tretë të Bajramit.

Nijeti

Të bëhet pjesa më e madhe e rrotullimeve: Sipas medhhebit Hanefi tavafi pranohet nëse bëhen të paktën katër rrotullime.

VAXHIBET E HAXHIT

Përveç kushteve dhe shtyllave, haxhi ka disa vaxhibe. Haxhi pranohet edhe nëse nuk zbatohen ata. Por nëse braktisen pa asnjë shkak, atëherë konsiderohet tahrimen mekruh. Këto janë pesë:

1. Vrapimi mes kodrave Safa dhe Merve

Vrapimi mes dy kodrave Safa dhe Merve, të cilat ndodhen në pjesën lindore të Qabes, fillohet nga Safa dhe përfundon në Merve, ndryshe quhet edhe sa’j, përbëhet nga katër vajtje dhe tre ardhje. Çdo vrapim nga Safa në Merve dhe anasjelltas quhet një shaut.

Vrapimi bëhet pas hyrjes në ihram.

Vrapimi bëhet pas fillimit të muajve të haxhit.

Bëhet menjëherë pas një tavafi të pranuar.

Bëhet pjesa më e madhe e shauteve, të paktën katër.

Vrapimi të fillohet nga kodra Safa.

2. Qëndrimi në Muzdelife

Gjatë haxhit është sunet që natën e cila lidh ditën e arefesë me ditën e Bajramit ta kalosh në Muzdelife, një zonë mes Minasë dhe Arafatit. Ndërsa qëndrimi aty nga agimi deri në lindjen e diellit të ditës së parë të Bajramit është vaxhib.

Kushtet e pranimit të qëndrimit:

Të jesh i veshur me ihram me nijetin e haxhit.

Të ketë realizuar qëndrimin në Arafat.

Të bëhet brenda kufijve të Muzdelifes. Është sunet të bëhet rreth Meshari Haramit.

Të bëhet brenda një afati të caktuar.

3. Goditja me gurë e shejtanit

Gjatë ditëve të Bajramit haxhinjtë gjuajnë me gurë tre shtyllat, ditën e parë në Mina gjuajnë vetëm shtyllën e madhe pastaj në ditët e tjera gjuajnë dy shtyllat e tjera, të mesmen dhe të voglën. Goditja e shejtanit me gurë mund të fillojë nga sabahu i ditës së parë të Bajramit deri në perëndim të ditës së katërt të Bajramit.

Kushtet e vlefshmërisë së goditjes së shejtanit:

Shtyllave u hidhen gurë me dorë.

Gjërat që shërbejnë për të gjuajtur mund të jenë gurë, baltë e tharë apo materiale të tjera me të cilat mund të merret tejemum.

Gurët duhet të hidhen një nga një.

Gurët duhet të hidhen drejt shtyllës ose në hapësirën rrethuese të saj.

Gurët duhet të arrijnë në vendin e synuar.

Ai i cili ka fuqi t’i hedhë vetë gurët duhet ta bëjë vetë.

Gurët duhet të hidhen në intervale të caktuara.

4. Qethja tërësisht e flokëve ose shkurtimi i tyre

5. Tavafi i lamtumirës

Është tavafi që bëjnë haxhijtë jo vendali e që vijnë nga vende të largëta para se të kthehen në shtëpitë e atyre

SUNETET E HAXHIT

  1. Të bësh tavafin kudum.
  2. Dëgjimi i hutbeve të haxhit.
  3. Kalimi i natës së arefesë në Mina.
  4. Kalimi i natës së Bajramit në Muzdelife.
  5. Qëndrimi në Mina gjatë ditëve të Bajramit.
  6. Pushimi në Muhassab.

ETIKA E HAXHIT

Adhurimi i haxhit duhet të bëhet me para të fituara në rrugë të lejuara.

Personat të cilët nisen për haxh duhet t’i kërkojnë hallallëk personave që u kanë hyrë në hak.

Duhet të pendohet sinqerisht dhe me vendosmëri për të mos bërë më mëkate.

Brenda mundësive duhet të bëjë kaza adhurimet e lëna pa i realizuar.

Duhet të marrë njohuri rreth haxhit nga persona të mirinformuar.

Të largohet nga vese si krenaria e mendjemadhësia, të pasqyrojë devotshmëri dhe bindje.

Të ketë një shok rruge të përshtatshëm me të cilin mund të komunikojë mirë.

Të falë nga dy rekate namaz para se të niset për rrugë dhe kur të kthehet në shtëpi.

Të përshëndetet me miq e të afërm para se të niset.

Gjatë udhëtimit si dhe gjatë periudhës së haxhit të qëndrojë larg sjelljeve ofenduese, grindjeve.

S’duhet të harxhojë kohën kot por të bëjë dua, dhikër, tesbih, salavate dhe të lexojë Kuran.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.