6 arsye pse Kur’ani nuk bën fjalë hapur për të gjitha shkencat? Shkenca ne Islam

Shkenca ne Islam mund te spjegohet ne 6 pika

1. Po qe se mendohet se, nëse Kur’ani do të bënte fjalë hapur për të gjitha shkencat, kjo do të përbënte një argument më të qartë se është fjalë e Allahut, do të ishte gabim, sepse, para së gjithash, Kur’ani, jo vetëm që s’është libër shkencash moderne, por edhe objekti bazë që ndjek, siç e prekëm më lart, është jeta e njeriut në tërësinë e saj të plotë për t’ia përftuar lumturinë e kësaj bote, veçanërisht të ahiretit, jetës së pasme. Ç’vend zënë shkencat në jetën e njeriut të çdo kohe e vendi, të çdo niveli e kushtesh, në raport me lumturinë e tij të të dy botëve, që Kur’ani t’ua kushtojë faqet e tij një për një? Veçanërisht, diskutimi i detajuar i shkencave do të binte në kundërshtim me karakterin konciz të një libri si Kur’ani. Prandaj, shumë tema shkencore e teknike, si rrumbullakësia dhe rrotullimi i tokës, forma e shtypur e poleve, krijimi i njeriut dhe fazat që kalon fëmija në barkun e nënës, atomet dhe gjurmët e gishtave, formimi i shiut, formimi i reve dhe transmetimi i zërit dhe pamjeve të cilat preken ose për të cilat aludohet shumë shkurt dhe në mënyrë koncize në Kur’an në kuadër të synimeve themelore si njohja e Zotit dhe afërsia intuitive hyjnore, monoteizmi, profetësia, ringjallja dhe adhurimet, kanë zënë vend në mënyrë të mjaftueshme pa e cënuar aspektin konciz dhe mrekullor të tij.

Edhe me këtë aspekt, Kur’ani e shpall dhe e vërteton se është fjalë hyjnore.

2. Krejt si njerëzit, edhe shkencat jetojnë periudhat e lindjes, foshnjërisë, ngritjes në këmbë, fëmijërisë, rinisë dhe pjekurisë. Në fillim parashtrohen teori, pastaj, pas vëzhgimeve, provave dhe eksperimenteve si dhe krahasimeve e gjykimeve, teoritë ose hidhen poshtë, ose pranohen në kuadër dhe në përputhje me njohuritë dhe zhvillimet bashkëkohore. Shpesh herë ndodh që edhe ky pranim, madje, është i dënuar të mbetet i kufizuar për një fragment kohor të kufizuar, sepse ndodh që kërkimet dhe zhvillimet e mëpastajme i përgënjeshtrojnë ato të vërteta për të nxjerrë në shesh të vërteta të reja. Ndërkaq, ka ndodhur dhe ndodh shpesh që edhe këto të vërteta të përgënjeshtrohen me kohë dhe vendin e tyre ta zënë të vërteta të reja. Në fakt, ka edhe të vërteta të pandryshueshme si ligji i tërheqjes dhe shtytjes së përgjithshme (ligji i gravitacionit universal), por këto janë shumë pak, kurse e përgjithshmja është se shkencat zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të vërtetat shkencore, me kohë e humbin vërtetësinë. Për shembull, një kohë është pranuar si e drejtë fizika e Njutonit, pastaj, bashkë me të, është pranuar si e drejtë edhe fizika e Ajnshtajnit, pastaj vetëm fizika e Ajnshtajnit, për të cilën sot është kuptuar se përmban gabime! Po e nesërmja, ç’do të sjellë? Këtë sot s’mund ta dimë. Të njëjtat dukuri i hasim edhe në kimi, biologji, astronomi, etj. Në këto kushte, për cilën periudhë të zhvillimit të shkencave do të deshim të fliste Kur’ani?

3. Po të thuhej që t’ fliste, bie fjala, njeriut të shekullit XX për zhvillimet e atij shekulli, atëherë do të shfaqeshin këto probleme:

a) Kur’ani nuk është libri i një periudhe të caktuar, por i të gjitha kohërave dhe vendeve, i të gjithë njerëzimit, madje, së bashku me njerëzit, edhe i xhindeve.

b) Kënaqja vetëm e njeriut të një shekulli të caktuar bie në kundërshtim me universalitetin dhe synimet kryesore të Kur’anit.

c) Po qe se Kur’ani do të bënte fjalë për pikën ku kanë arritur shkencat sot, ç’do të kuptonte njeriu i djeshëm nga kjo? Të flisje për nivelin dhe zhvillimet shkencore të sotme në një shekull kur në Perëndim njerëzit hidheshin në qelitë e errta ose çoheshin në gijotinë vetëm pse thonin se toka rrotullohet, a nuk do të thoshte t’i shtyje njerëzit e atij shekulli në mohim, fanatizëm dhe vlerësime shumë të gabuara? Veçanërisht, një libër që do të fliste për të sotmen, si do të mund të shpëtonte, në atë kohë, nga evaziviteti, turbullia, paqartësia dhe pamundësia për t’u kuptuar?

d) Po qe se Kur’ani do të fliste për zhvillimet dhe nivelin shkencor të shekullit XX, a nuk do të ndodhte që, pastaj, në shekujt XXI ose XXII, njerëzit ta shihnin si librin e shekullit XX të dalë jashtë mode?

e) Po qe se do të vinte një ditë që të dilnin në shesh anë të gabuara të shumë tezave shkencore të pranuara sot si të drejta, gjë që është jo vetëm krejt e mundshme, por edhe diçka e zakonshme në historinë e zhvillimit të shkencave, siç u prek kjo gjë edhe më lart, a nuk do të binte Kur’ani në gjendjen e një libri që përmban pasaktësi e gabime? E kush do ta pranonte, atëherë, se një libër me pasaktësi dhe gabime është libër hyjnor?

Kur’ani u drejtohet dhe u flet të gjitha kohëve dhe vendeve dhe të gjithë njerëzve të niveleve dhe kushteve të ndryshme, kështu që edhe gjuha, stili, temat dhe çështjet që përmban dhe trajton, janë në funksion të kësaj veçorie të tij.

4. Sa libra mund të lexoni nga biblioteka juaj apo, diçka tjetër, sa herë mundeni ta rilexoni një libër të bibliotekës suaj pa u ngopur dhe mërzitur? Veçanërisht, a keni menduar, ndonjëherë, se sa libra ka në botë të shkruar mbi fusha të ndryshme të shkencave? Po qe se Kur’ani do të fliste në çdo faqe për shkencat, sa vëllimesh do të dilte dhe sa biblioteka do të mbusheshin me vëllimet e tij? Dhe, atëherë, kush do ta lexonte dot këtë libër shumëvëllimësh dhe si mund të bëhej ai për njerëzit burim orientimi dhe lumturie në të dy botët?

5. Po qe se njeriut, të cilit i janë dhënë sa e sa ndjenja e aftësi tejet komplekse e që kërkojnë të zhvillohen, si mendje, arsye, njohje, gjykim, dëshirë dhe aftësi hetimi e kërkimi, ndjenjë e kërshërie e nevoje, si dhe i cili është vënë në provë me jetën e kësaj bote, do t’i parashtrohej me hollësi çdo gjë që ka të bëjë me shkencat, atëherë, ç’kuptim do t’i mbetej formimit të një njeriu të pajisur me kaq aftësi e dhunti? Pastaj, po qe se, si pasojë, mendja do të mbetej e detyruar ta pranonte gjithçka të dhënë duke ia hequr edhe vullnetit mundësinë e parapëlqimit dhe zgjedhjes, atëherë, a do të kishte më shkak dhe kuptim ekzistenca e kësaj bote?

6. Jo çdo njeri mund të merret me shkenca dhe hollësi shkencore dhe as që ka nevojë për këtë. Veçanërisht, këtë gjë e pengojnë edhe dallimet në zgjuarësi, në aftësinë kapëse e konceptuese, në nivelin arsimor e kulturor, si dhe kërkesat e jetës shoqërore. Pastaj, shkencat nuk përbëhen vetëm prej shkencave eksperimentale. Jo vetëm që ka degë shkencore shumë më të çmuara se to, por edhe më të dobishme për jetën e njeriut, por dhe numri i njerëzve që merren me shkencë, pavarësisht nga dega, është i pakët. Kurse Kur’ani nuk i drejtohet dhe flet një pakice të caktuar, por fëmijës dhe plakut, mashkullit dhe femrës, bujkut dhe artizanit, shkollarit dhe atij që s’di shkrim e këndim dhe, përgjithësisht, nëntëdhjetëpërqind, popullit të thjeshtë. Në këto kushte, të kërkosh nga Kur’ani që ta lërë mënjanë njeriun me shpirtin, zemrën, mendjen, ndjenjat komplekse, dëshirat dhe kërkesat, qëllimin final, jetën materiale dhe shpirtërore, problemet e shumëllojshme, adhurimin, marrëdhëniet dhe nevojat e shumanshme të tij për të bërë fjalë hapur dhe me hollësi për një pjesë çështjesh shkencore të shfaqura në një periudhë të caktuar dhe në çdo kohë të dënuara për ndryshim, do të thotë të mos e njohësh Kur’anin, por të mos e njohësh as njeriun, jetën e njeriut dhe gjithësinë. Ç’të drejtë kanë shkencat që t’u jepet vend në tërë Kur’anin?

Kur’ani bën fjalë për çdo gjë në drejtim të qëllimit final të krijimit të njeriut dhe synimeve kryesore që bart ai, me aq sa ç’e kanë ato gjëra fuqinë, vlerën dhe kuptimin. Kur’ani u jep vend rrëfimeve mbi profetët dhe popujt e vjetër si ekspozime shembujsh mësimdhënës që e interesojnë tërë jetën e njeriut, dhe si gurë themelorë të jetës së individëve e popujve, shkurt, të jetës së njeriut me të gjitha anët e saj individuale e shoqërore. Ai i prek të vërtetat shkencore si rrezatime të njohjes hyjnore, të besimit monotesit (tevhid), të të vërtetave besimore, të shumë veçorive të njerëzve dhe të kuptimeve kryesore të librit të gjithësisë dhe, me anë të metaforave, alegorive, simboleve e paralelizmave, në një mënyrë që të mos i hapë rrugë mohimit, ngopjes bezdisëse, mënjanimit të arsyes dhe vullnetit, vjetërimit, pamundësisë për t’u kuptuar dhe shpenzimit të tepër të fjalëve, ia parashtron çështjet njeriut të çdo periudhe, të çdo vendi, të çdo shtrese dhe të çdo niveli – nëse mund të shprehemi kështu – në gjendje koncentratesh, përmbledhjesh të ngjeshura e thelbësore. Kur’ani është si dielli: nuk u dërgon dritë të veçantë atij që është rritur në shpellë e, dritë të veçantë, atij që është rritur në universitet, por as këta nuk munden ta marrin dritën e njëjtë të diellit për të gjithë, në të njëjtin nivel. Gjithashtu, nga dielli përfiton ndryshe njeriu në ekuator dhe ndryshe njeriu në pole. Meritat e njeriut që hedh farën në arë dhe të atij që ha në tryezë frytet e asaj fare, janë të ndryshme. Urdhri për sulm drejt një objekti të caktuar që jep komandanti i gradës më të lartë mund të jetë i njëjtë me urdhrin për sulm drejt të njëjtit objekt që japin komandantë të gradave dhe funksioneve më të ulta, por mes tyre ka dallime të mëdha niveli kompetence e kulture, konsiderate, kapaciteti për zbatim praktik, universaliteti në njohjen e çështjeve ushtarake dhe peshe të personalitetit.

Për shembull, 14 shekuj më parë, Kur’ani ka thënë “fik”. Fiku përbën një të tërë me farën e mbjellë, rrënjët dhe kërcellin apo trungun, me degët dhe gjethet, me lulet dhe, më në fund, me frytin e vet. Mirëpo, le ta zëmë se njeriu i periudhës së parë, me fjalën fik ka kuptuar vetëm farën e fikut. Pastaj, njerëzit e periudhës tjetër, kanë kuptuar edhe rrënjët, pasardhësit e tyre, trungun, të mëvonshmit, degët, lulet dhe, më në fund, njeriu i sotëm, kur përmendet fjala fik, kupton, së pari, fikun si frut. Ja, pra, të vërtetat kur’anore, duke iu drejtuar syrit dhe zemrës së çdo njeriu të çdo kohe gjer në kiamet, ka cilësinë për ta kënaqur çdo njeri. Në çdo periudhë, njerëzit do të kërkojnë dhe marrin nga tërësia e të vërtetave të parashtruara nga Kur’ani, pjesë-pjesë dhe aq pjesë sa t’ua lejojë kapaciteti i tyre.

Kësaj ne i themi hollësi në esencë, me fjalë të tjera, ky është aspekti edhe i lehtë, edhe i vështirë i Kur’anit. Ta tregosh dhe shprehësh frutin te fara. Të krijosh një diell dhe të sigurosh që t’i ndriçojë gradualisht sytë e çdo gjallese, edhe të mos e lësh asnjë gjallesë pa ngrohtësinë e tij, edhe ta ushqesh dhe rritësh pa e djegur e pa e përvëluar nga nxehtësia e tij…

Dielli është një burim i tillë drite që nuk fiket e nuk vjetërohet. Njerëzit lindin dhe rriten, plaken dhe vdesin. Bota ndryshon, popuj e kombe duken në skenë të historisë e zhduken, kurse dielli është po ai diell dhe do të mbetet shembull rinie e bukurie gjer çastin kur do të shkatërrohet.

Kur’ani është më i shkëlqyer dhe më i gjallë se dielli. Për të s’ekziston ndonjë çështje si ruajtja e rinisë. Përkundrazi, Kur’ani, me kalimin e shekujve dhe zhvillimin e shkencave, rinohet, drita dhe nxehtësia i shtohen edhe një herë më shumë. Shkencat janë kah vrapojnë për të arritur flamurin e ngulur prej tij në majë, në horizont!

Si shprehje e ligjeve që veprojnë në gjithësi, Kur’ani ka zbritur gradualisht ose, e thënë nga e kundërta, ecuria e materies dhe e dukurive në natyrë është bërë e kuptueshme fund e krye duke u përputhur me Kur’anin dhe ky botëkuptim është kryer dhe kryhet gradualisht dhe dalëngadalë nga sperma te njeriu dhe nga fara te pema, siç është shndërruar toka nga gjendja e zjarrtë, në gjendjen e sotme. Duke zbritur për 23 vjet, Kur’ani ka zgjedhur rrugën më të përshtatshme të sugjerimit ndaj natyrës dhe krijimit të njeriut dhe, siç e racionon mjeku dozën e ilaçit për të sëmurin, ka hequr, sipas nevojës dhe gradualisht, moralin e keq, konsideratat dhe botëkuptimet e gabuara dhe bindjet bestyte dhe ka shtresuar në vend të tyre ato më të drejtat, të mirat dhe të bukurat. Edhe dituritë dhe shkencat zhvillohen duke fituar nivel në tërësinë e tyre në këtë drejtim dhe sipas këtij rregulli të përgjithshëm.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.