Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Pse ateizmi ka përparuar kaq shumë? Shkaqet e zhvillimit.

Estimated reading: 15 minutes 167 views

Ateizmi, nisur nga përfundimet, është i lidhur me mospranimin dhe kundërshtimin, madje më shumë është i lidhur me rrënimin shpirtëror të botës. Natyrisht që mund të flitet edhe për praninë e disa shkaqeve të tjera.

Ateizëm do të thotë kundërshtim në mendim, mospranim i Allahut, fe-mohim; në përfytyrim do të thotë liri pa kufi dhe, për sa të jetë e mundur, mosangazhim, kurse në punë e sjellje, situatë papërgjegjshmërie.

Ateizmi në mendim, i zhvilluar si rezultat i papërgjegjësisë së brezave, i shpërdorimit të dijes dhe çerdheve të dijes, duke gjetur mbështetje në një pjesë veçorish tek të cilat do të përqendrohem më pas, është duke marrë një vrull dhe përhapje të pandalshme.

Mjedisi ku bleroi për herë të parë ateizmi brenda një shoqërie, atmosfera ku u përhap dhe u zhvillua, është atmosfera ku sundonte injoranca dhe pandjeshmëria e zemrës. Shtresat që s’u ushqehet zemra dhe shpirti, herët a vonë bien nën kthetrat e ateizmit dhe po s’qe ndihma e Krijuesit që t’i nxjerrë prej këtij bataku, të duket sikur shpëtimi i tyre tashmë është i pamundur…

Po s’u tregua kombi i ndjeshëm në shkallën e duhur ndaj individëve që e përbëjnë atë, pikërisht në ato gjëra të rëndësishme që janë të domosdoshme për t’u mësuar dhe besuar, në synimin drejt mësimit dhe besimit, po ata individë të rënë në pasivitet bëhen gati të pranojnë çdo gjë që do t’u jepej për t’u përvetësuar dhe, për pasojë, është arritur shtytja e tyre në ateizëm…

Ateizmi fillimisht nxjerr krye me indiferentizmin ndaj bazave të besimit në formën e mosinteresimit. Ky qëndrim që ka brenda edhe embrionin e një shkujdesjeje mendimi e gjykimi, po gjeti edhe një shenjë të vogël që do t’i bëhej mbështetje kundërshtimit dhe fe-mohimit, menjëherë fillon të rritet e të lëshojë degë. Kundërshtimi nuk ka asnjë shkak serioz, të rëndësishëm ose dituror. Disa herë atë mund ta lindë një mospërfillje, ndonjëherë pakujdesia, nganjëherë edhe ndonjë vlerësim i gabuar.

Në ditët tona ka shumë vetë që janë përlyer me të gjithë këto elemente të veçanta. Midis këtyre, në radhë të parë sipas shkallës së rëndësisë, janë ato për nga ndikimi dhe shkatërrimi dhe ne duam të qëndrojmë vetëm mbi to.

Dua të theksoj menjëherë edhe këtë që lexuesi, meqë këtu nuk po flasim për zhdukjen e kundërshtimit dhe ateizmit dhe parashtrimit të argumenteve të duhura në këtë specifikë, nuk duhet të na kërkojë gjëra që do të kërkonin vëllime të tëra për t’u pohuar. Në të vërtetë, në rubrikat pyetje-përgjigje, një temë e tillë e konsideruar si shumë e ngarkuar, vlerësohet e paanalizueshme. Mbetet të themi se kur ekzistojnë kryevepra për këtë çështje, ç’mund të shkruhet tjetër, shumë, shumë do të jetë përsëritje e tyre.

Të kthehemi tek thelbi i çështjes. Në ditët tona, secila nga llojet e materies – nga një letër hyjnore më vete, dhe secila nga ngjarjet -të dala nga pena e fuqisë hyjnore- e shprehur ndryshe, natyra dhe ligjet e saj, i tregohen ateizmit si një zabel dhe i mashtrojnë brezat. Ndërkaq, ligjet e natyrës, siç është shkruar dhe përvijuar pesëdhjetë mijë herë në Lindje e Perëndim, një mekanizëm që punon në harmoni, nëse janë një fabrikë me një prodhimtari jashtëzakonisht të madhe, nga e kanë marrë këtë ritmikë dhe harmoni, këtë pajtueshmëri dhe fuqi prodhuese? A është e mundur që këtë rrjedhshmëri si poezi të natyrës, këtë përkëdhelje shpirtrash si muzikë, këtë zë dhe frymëmarrje t’ia atribuojmë vetës së saj apo rastësive?…

Po qe se natyra, ashtu siç pandehet, do të zotëronte një forcë ndërtuese, a mund ta shpjegojmë se si u krijua ajo vetë, se nga e siguroi këtë forcë? Apo do të themi e krijoi vetveten! Ç’sofizëm i frikshëm, ç’gënjeshtër e pabesueshme!

Fytyra e vërtetë e këtij evenimenti kontradiktor apo e kësaj kundërvënieje ndaj faktit, është kjo: druri e krijoi drurin, mali malin, qielli qiellin… Nuk pandeh se do të dilte ndonjë individ e t’i thoshte po kësaj mungese logjike. Dhe në qoftë se kur thuhet natyrë, paramendohen drejtpërsëdrejti ligjet në Ligjshmërinë e krijimit, edhe kjo është një gënjeshtër më vete. Sepse ligji – sipas shprehjes së të parëve – është një simptomë. Simptoma ekziston pse ekziston elementi, është ekuivalenti i tij, por jo elementi ekuivalent i simptomës. Si të thuash, pa i menduar për një çast gjithë pjesët që përbëjnë formën e përgjithshme të një substance, të një organizmi, është e pamundur të përfytyrohet koncepti i ligjshmërive që lidhen me to. Sipas një shprehjeje tjetër, ligjet ekzistojnë bashkë me qeniet. Ligji i mbirjes dhe i zhvillimit ekziston bashkë me farën ose bërthamën, ligji i tërheqjes ekziston bashkë me marrëdhëniet e ndryshme midis trupave ose me vëllimet. Këtu mund të zgjerohemi. Atëherë, të mendosh ligjet pa menduar qeniet, sidomos t’i konsiderosh ato ligje si prejardhje e bazë të qenies, është krejtësisht një lojë prestigjatori dhe dialektikë.

Lexo  Teksa disa notojnë në të mira materiale, të tjerë janë në mjerim. A mos vallë këta të dytët janë më të këqij, apo Zoti i do më shumë të parët?

Edhe trajnimi i shkaqeve si parim dhe bazë të qenies, nuk është më pak i çuditshëm se kjo. Ç’është e drejta, të ngrihesh e ta shpjegosh me shkaqe dhe rastësi pa asnjë lloj vlere diturore këtë gjithësi që përmban një mijë e një urtësi dhe imtësi, është mjaft qesharake dhe, sa ç’është qesharake, është një kontradiktë dhe kllapi në formën e një pretendimi shkencor.

Me provat e Mylerit që bënin të ditur pamjaftueshmërinë e shkaqeve dhe pafuqinë e rastësive, shkenca kishte thënë fjalën e vet dhe kishte qenë vetë ajo që kishte dhënë përfundimet e saj. Përsëri ishin shkencat dhe shkencëtarët ata që flisnin për faktin se në 22 vjet veprimtarie të Institutit Kimik të Bashkimit Sovjetik nën drejtimin e Oparinit, eksperimentet kimike dhe konkluzionet teorike kishin mbetur shumë larg mundësisë për të hedhur dritë mbi qenien.

Sot, evolucionit dhe transformizmit, të përvetësuar si një e vërtetë e pasuruar me përvojë për vite me radhë në auditorët e shkencës, përballë arritjeve të reja shkencore dhe zhvillimeve të gjenetikës, më së fundi, duke u shndërruar edhe në pikëpamje fantaziste, nuk i ka mbetur më asnjë vlerë shkencore veç vendit që zë në historinë e njerëzimit. Mirëpo, sa keq që këto çështje të kota e të përkohshme ende japin si rezultat ateizmin e brezit tonë të mjerë, ende në gjendje të amullt pasigurie, pa kulturë, pa mbështetje e pa parime.

Sa mirë që në anën tjetër, paralelisht me këtë, po përhapen në treg një sërë veprash që do të na e bënin hallakatjen e ndjenjave dhe mendimeve të kapërcyeshme, e saora do të na i mjekonin plagët e zemrës e të shpirtit. E më së fundi, sot, pothuaj në çdo vend është e mundur të rastisësh në qindra vepra të shkruara në gjuhët e Lindjes e të Perëndimit, në të cilat natyra dhe shkaqet që lidhen me zhvillimin e saj u është veshur veli i ndriçuar i vërtetësisë. Edhe nëse ato çka janë shkruar në botën tonë i refuzojmë për shkaqe karakteri, të paktën afro njëqind autorë perëndimorë që synojnë mendimin botëror me libra të tillë si Pse i besojmë Zotit, duhet të na bëjnë të mendojmë për këto lloj shqetësimesh…

Pasi të jetë ndriçuar gjer kaq mjedisi dhe atmosfera e diturisë, nuk e teprojmë po të themi se ateizmi është një çështje karakteri, një gjendje e karakterizuar nga inati dhe vendimi i marrë që më parë si dhe pak infantilitet. Ç’e do që rinia jonë, meqënëse ende s’e ka njohur veten, duke mos e përfshirë veten në shpirtin e botës, duke i pandehur si të vërteta shkencore një pjesë të mirë të pikëpamjeve muzeore dhe plotësisht fantaziste, nuk mund të quhet se ka shpëtuar krejt prej kthetrave të vetëmashtrimit.

Andaj, në ditët tona, më së fundi, mobilizimi për të mësuar e për t’u mësuar të tjerëve ka fituar peshë mbi çdo lloj detyrimi a zotërimi tjetër. Kurse shfaqja e kësaj detyre të lartë do të sillte, madje ka sjellë, në shoqëri, polarizime të pariparueshme. Dhe, ndoshta, shkaku themelor i ankthit tonë për vite e vite ky është. Është ngjitur në bashkëshortësinë e zemrës e të mendjes, është thelluar në vetvete; djegur e tretur me ashkun për të mësuar të tjerët, ne jemi një pjesë të varfërish të pafat ndër prijësit e plagosur. Ushqejmë shpresën që mësuesit e së vërtetës ta marrin përsipër këtë detyrë me rrënjë njerëzore dhe të na shpëtojnë ne nga ky ankth shekullor! E saora brezat do t’ia arrijnë vendosmërisë në mendim e përfytyrim, do të shpëtojnë nga zvarritja pas mendimeve të gabuara, nga vajtje-ardhjet e lëkundjet majtas-djathtas si një lavjerës e nga të ndërruarit vend shpesh e shpesh e, sikur edhe pjesërisht, do të shpëtojnë nga ateizmi.

Si konkluzion, mund të themi se mendësia ateiste e këtij brezi buron nga paaftësia për të sintetizuar, nga të paushqyerit e zemrës e të mendjes. Sepse njeriu do atë çka di, sidomos po të ketë edhe parapëlqime, kurse përballë asaj që s’e di, mban qëndrim armiqësor, më e pakta rri indiferent.

Tani të ngremë kryet e t’u hedhim sytë librave në rafte e vitrina, mendimeve që na shpalosin ato dhe autorëve që na prezantojnë. E atëherë do të na jepet mundësia për të kuptuar se pse ai fëmija vishet si hipi, pse ia përngjet veten Zoros dhe si kthehet në një Don Zhuan. Çka përmenda janë nja dy shembuj që i bëjnë dritë së vërtetës. Kur ju t’u keni shtuar këtyre elementeve shkatërruese edhe ato të identitetit shoqëror-ekonomik, do të mund të përballeni edhe me një sërë dukurish të tjera që të shtien drithërimën gjer në palcë.

Njerëzit tanë, me dje e me sot, i deshën e u ranë pas atyre që ua prezantuan veten si të mirë. Andaj, ndaj atyre që s’i dinin e s’i njihnin, mbetën gjithnjë të huaj e indiferentë. Tani neve na takon që, përballë shpirtit të tyre të pashtruar, duke menduar se ç’mund t’u japim, të mos i lëmë zbrazët, por t’u tregojmë rrugën e dritës.

Lexo  Zoti e di se si do të veprojmë ne në këtë botë. Gjithashtu e di nëse do të pajtohemi apo jo me urdhrat e Tij. Atëherë, pse e sheh të nevojshme të na provojë duke na sjellë në këtë botë?

Faktori i dytë i zvarritjes së brezit në ateizëm dhe i përhapjes së kundërshtimit, është karakteri i të rinjve. Dëshirat e të rinjve për liri të pakufizuar, uritë që s’dinë të ngopur dhe zemrat si zogj të stërmëdhenj përrallorë, si shfaqje mungese drejtpeshimi, janë duke e përvetësuar ateizmin pa pra. Këto zemra të shkujdesura, në rrugën e përgatitjes së një fundi për të ardhur keq përmes parapëlqimit të një gram kënaqësie në shkëmbim të vuajtjeve e mjerimeve të ardhshme me okë, me përfitimin nga dëfrimet dhe kënaqësitë për dukje që djalli ua shpalos përpara, si flutura që hidhen në flakë, janë duke u hedhur fluturimthi në ateizëm.

Kur veçori të tilla si të paushqyerit e zemrës e të mendjes, të shtohen e fitojnë përmasa, kur sendet t’ua vjedhin fitoren ndjenjave sublime dhe kur të ndodhë si Fausti që ia lëshoi qenien e vet Mefistofelit si pasojë e një papjekurie, të rinjtë e shkretë do të zënë t’ia lëshojnë zemrat djallit. Sigurisht, për shpirtrat e vdekura, për zemrat e varfra, për mendjet në kllapi, ateizëm do të thotë drejtim i detyruar. Kurse besimi, ndjenja e përgjegjësisë, zemra e vendosur, shpirtrat e edukuara e të lara, janë siguria më e madhe që rinia të mbetet një filiz i drejtë. Përndryshe, një shoqëri, universit ndjesor të së cilës i ka rënë në qafë djalli, do të bjerë nga kllapia në kllapi, do të ndërrojë orientim pa pra dhe çdo filozofi të shfaqur, së pari do ta duartrokasë si një shpëtimtare duke e lëshuar veten në prehrin e saj sikur të prehej në prehrin e një dadoje. Kur të ngrihet në mëngjes, do të duartrokasë nihilizmin, drejt drekës do të përshëndesë marksizëm-leninizmin, nga mesdita do t’i bëhet pjesëtare e ekzistencializmit dhe ndoshta, së bashku në errësirën e natës do t’ua thotë këngëve për Hitlerin. Por vetëm e vetëm rrënjës-shpirt të vet, drurit komb të vet, fryteve shekullore të tij, kulturës dhe qytetërimit të vet nuk do t’ia hedhë sytë.

Bota e përfytyrimeve, shpëtimi i një brezi me trung të shformuar prej kotësive e përkohshmërive, ardhja në binarë e mendjes dhe e të menduarit janë mjaft të ndërlikuara, ndoshta të pamundura.

Për këtë arsye, afrimi ndaj brezit tonë – mbi bazën e konsideratës se atij i jemi borxhli për ekzistencën tonë deri më sot – nëpërmjet një terminologjie të fiksuar dhe një mendimi të orientuar në botën e tij logjike, përbën kusht. E kundërta është një përpjekje majmunërie dhe:

Shoqëria, jetoka me të tillë pandjeshmëri? Ç’është ajo fjalë! / Tregomë një komb me shpirtin të vdekur, i gjallë t’ketë mbetur! (Mehmet Akif Ersoj)

Dhe një tjetër shkak zvarritës drejt ateizmit, është vështrimi i çdo gjëje si diçka normale, krejt e zakonshme dhe logjika e përfitimit prej çdo gjëje të mundshme. Kjo pikëpamje e mbështetur në filozofinë e të shijuarit të të gjitha të mirave të kësaj bote, veçanërisht në ditët tona, duke u sistematizuar, është sjellë në formën e një shkolle filozofike. Duke ardhur drejt nesh, ndjenja e turpit, e ndikuar dhe e tronditur me libido-n, me anë të Sartrit dhe Kamysë, është shtrirë përtokë e kthyer në gërmadhë.

Kjo filozofi e varfërisë shpirtërore që e bën me turp për njeriun atë çka është njerëzore tek ai dhe e përngjason më tepër me një plehërishte, u aspirua dhe u prezantua si një sistem të menduari që brezave ua nxjerr në dritë fytyrën e vërtetë të njeriut. Fillimisht gjithë rinia europiane, kurse më vonë bota imituese, vrapoi pas kësaj rryme si e hipnotizuar. Njerëzimi pandehte tek kjo mundësi që pema e personalitetit e katandisur në distrofe prej komunizmit, do të hapte degë, do të zhvillohej dhe do të rikonstituohej në vetvete. Sa keq! Ai s’i binte dot në të se edhe një herë të fundme po mashtrohej!

Ja, pra, besimi me pranimin e Krijuesit, me ndalime dhe lejime, i erdhi ters filozofisë së përfitimit të shijes prej çdo gjëje të një brezi që është duke e hedhur veten në prehrin e ateizmit dhe po përpiqet të gjejë parajsat e gënjeshtërta të gjumit të mëngjesit!

Specifikat si më sipër i përshkruam me mendimin se drejtuesit e kuptueshëm, udhëheqësit dhe dijetarët do të formojnë konsideratën e pengimit dhe ndalimit të ateizmit. Kurse çfarë u parashtruan, s’kanë të bëjnë as me shkaqet e rrugaçërisë dhe të marrëzive, as dhe u kushtohen atyre që flasin për përqendrim forcash të nevojshme kundër tyre.

Me dëshirën që bota islame ta gjejë vetveten e ta fitojë atë… Proces, ky, që ka filluar tashmë!…

اَللّٰهُ أَعْلَم‏

Allahu e di më së miri

Marre nga:http://islami.al/cili-eshte-shkaku-qe-ateizmi-ka-perparuar-kaq-se-tepermi/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Pse ateizmi ka përparuar kaq shumë? Shkaqet e zhvillimit.

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA