A mund të bëhet takim me Hizrin (a.s.)?

Njeriu i përqëndruar mbi çështjet që kanë të bëjnë me mendimin, thellohet në raport me aq sa merr në analizë librat që i përmbajnë ato çështje. Kurse njeriu i përqëndruar mbi çështjet që kanë të bëjnë me jetën ndiesore e shpirtërore, kur e jep veten pas tyre, fiton dimension përsa i përket asaj jete. Edhe njeriu i përqëndruar me këmbëngulje mbi çështje shkencore, arrin thellësi shkencore në raport me sa sinteza të reja të arrijë çdo ditë, me sa konkluzione të dalë. Ndërkaq, njeriu që, duke i kapërcyer të gjitha këto, tregohet këmbëngulës vetëm e vetëm për hir të Zotit e për ta kënaqur Atë, thellohet në marrëdhëniet e tij me Zotin (marrëdhëniet Krijues-krijesë, Zot e rob).

Në të vërtetë, njeriu i thelluar në marrëdhëniet me Zotin, parë nga rezultati dhe përfundimi, mund të arrijë edhe çdo gjë tjetër që mund të arrihet me rrugë të tjera. Ndoshta Zoti, duke i dhuruar dijes së tij frymëzim dituror,(1) bën që ai, me një përpjekje a punë të vogël e me një informacion të pjesshëm, të arrijë një mijë për një dhe e çon atë në përfundime që nuk do të mund të siguroheshin as me punën e shumë viteve. Një njeri i tillë një herë lexon, por prej atij leximi mund të arrijë në mijra sinteza.

Shkencat aparente pushtojnë vend në mendjen dhe zemrën e njeriut me aq sa njihen apo mësohen dhe bëhen për njeriun një gjatësi e një gjërësi në raport me sa përpjekje bën. Kurse, në saje të thellimit të marrëdhënieve të njeriut me Zotin, përftohet edhe intuitë(2) e botës së brendshme, edhe produkt që ka të bëjë me botën e jashtme. Ndërsa dijet dhe shkencat aparente mbeten të kufizuara vetëm në botën e jashtme, e dyta i kapërcen kufijtë e botës së brendshme dhe arrin në pikën nga ku mund të kapet edhe ajo që është aparente, e jashtme.

Me që jetojmë në një shekull kur materializmi merret për fundament, është arritur që çdo gjë të trajtohet në bazë të kritereve dhe etaloneve materialiste. Përveç të tjerash edhe për këtë arsye, një shumicë e madhe e jona u bëmë të huaj ndaj gjërave moralo-shpirtërore dhe u privuam, mbetëm të varfër në vlerat shpirtërore. Ky proces materializimi intensiv na e fshiu nga qenia gjithçka moralo-shpirtërore dhe e hodhi tutje. Lutemi dhe shpresojmë që Mëshira Hyjnore të na ribëjë njerëz me mendje dhe shpirt!..

Një njeri që thellohet në marrëdhënie me Zotin, bëhet i njohur me botën e fshehtë, mundet të takohet me engjëjt, hyn në marrëdhënie me xhindët, mund të shkëmbejë informacion me shpirtrat, sheh Hizrin (a.s.), madje lartësohet në pozitën e tij; bëhet shok i ngushtë me Hz. Mesihun, rifreskon bisedën me Hz. Mehdiun… Po, në se njeriu thellohet në marrëdhënie me Zotin dhe në se, duke u zhveshur e çliruar prej formës e trajtës, mundet t’i përdorë të gjitha dinamikat e shpirtit për t’iu afruar Zotit, të gjitha këto bëhen…

Prandaj, mënyra se si mendojnë e kuptojnë disa kur pyesin “U takokëshin me Hizrin! A ndodh një gjë e tillë? Po ne, a mund të takohemi?”, buron nga të qënit pak si jashtë dhe i huaj ndaj këtyre gjërave. Shikimi i Hz. Hizrit është i mundur për këdo. Kush e di, ndoshta mund të ndodhet aty, midis radhëve tuaja në namaz në xhami… Më e pakta, në xhami pa dyshim që është dikush që bën një udhëtim shpirtëror nën hijen e bekuar të Hz. Hizrit. Brenda vetes keni edhe engjëll. Ndoshta ka edhe shpirtra që, në botën materiale, rrinë e vështrojnë botën materiale, domethënë shpirtra që në shikimin tuaj dhe me anë të shikimit tuaj rrinë dhe e vëzhgojnë botën e dëshmisë…Brenda jush ka edhe krijesa të brishta të bashkuara, të njësuara me shpirtin dhe botën tuaj ndiesore. Por ju nuk mund t’i ndieni ato. Krahas zbulimeve njerëzore në fushën materiale, Zoti na bëftë të aftë edhe për zbulime në fushën morale e shpirtërore!

Nga Profeti ynë (a.s.), drejtësisë dhe besnikërisë së të cilit i besojmë gjer në fund, e gjer në kohën tonë, njerëz të pastër mjaft të mëdhenj, njerëz që kanë merituar shpirt të pastër pohojnë se janë takuar edhe me Hizrin (a.s.), edhe me engjëjt e lartë, edhe me shpirtrat.

Eshtë e pamundur që njerëz të tillë të mëdhenj që kanë ndjekur njëri-tjetrin duke nisur me Profetin tonë (a.s.) e gjer në ditët tona, njerëz që e kanë pasur shumë frikë Allahun, që u është dridhur zemra prej impresionimit, është e pamundur, pra, që të bëjnë pohime të tilla të kota, të papërgjegjësi e të pambështetura. Pa asnjë diskutim, ata thonë të vërtetën. Edhe ne i besojmë fjalës së tyre pa i dhënë mundësi të kundërtës.

Njerëz të vëzhgimit e të zbulimit(3) pranojnë unanimisht se Hizri (a.s.) është në jetë. Edhe në se në periudhën e transmetuesve të mëdhenj të hadithit, porosisë profetike, Buhariu dhe disa të ngjashëm me të kanë konkluduar se “Hizri ka vdekur”, katër imamët e mëdhenj dhe juristë të tjerë janë të opinionit se Hizri (a.s.) është në jetë. Për rrjedhojë, disa vetë munden të takohen me të qoftë me hijen e tij, qoftë edhe me atë vetë ose ai mund të takohet me ta.

Personat që mund të takohen me Hizrin, janë persona të lartësuar në pozitën e Hizrit. Shkurt, njerëz që e kanë kapërcyer vetveten, që e kanë mundur egon e tyre. Le t’ju ofroj një shembull. Junus Emre i njohur bartkej për në shtëpinë e Taptuk Emresë(4) vetëm dru të drejtë. Dhe e paskëshin pyetur: “Pse vetëm të drejtë, a s’ka në pyll dru të shtrembër?” Dhe ai u qenkej përgjigjur: “Në shtëpinë e Taptukut as druri i shtrembër nuk mund të hyjë!” Sigurisht! Duhet të ecësh drejt që të arrish në synimin tënd! Bëhu i drejtë si shigjeta në mënyrë që të godasësh në shenjë!…


[1] Në origjinal: Keramet-i ilmije, frymëzim dituror ose dituri e frymëzuar.
[2] Në origjinal: Marifet. Në misticizmin islam është rruga për ta njohur Zotin dhe për t’iu afruar Atij duke e ndjerë Atë. Kështu që intuita për të cilën bëhet fjalë në misticizmin islam nuk është identike me intuitën e psikologjisë materialiste.
[3] Në origjinal dhe sipas misticizmit: Ehl-i keshif dhe ehl-i myshahede.
[4] Junus Emre, Taptuk Emre, Sari Salltëk, një tyrbe e të cilit ndodhet sipër mbi Krujë e të tjerë janë sofi, mistikë të njohur në historinë e Islamit.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.