Kush janë më të dobishmit prej njerzëve?

5/5 - (1 vote)

Në një hadith, porosi të tijën, Profeti ynë urdhëron: “Më të dobishmit e njerëzve janë ata që kanë jetuar të njëjtën kohë me mua. Pastaj pasardhësit e tyre dhe, më pas, pasardhësit e këtyre të fundit.”(42) Me këtë ai kërkon të theksojë vlerën dhe virtytin e periudhave të afërta me periudhën e tij. Sepse njerëzit që patën jetuar në ato periudha, qenë sjellur shumë të ndjeshëm e të kujdesshëm për t’i përngjarë të Dërguarit të Allahut në jetë, në ndjenja e në mendime. Në të vërtetë, dëshira për t’i ngjarë atij njeriu që Allahu kishte zgjedhur si model, si shembull, duhet të përbënte një qëllim dhe ashtu ngjau.

Po, sahabet, pasuesit e Profetit; tabiinët, pasardhësit e pasuesve dhe tebe-i tabiinët, pasardhësit e këtyre të fundit, të gjithë këta, kanë qenë më të ndjeshmit në këtë çështje. Dhe në këtë aspekt, ata janë më të dobishëm se njerëzit që kanë jetuar në shekujt e tjerë. Hz. Mesihu thoshte: “Flamurët ndodhen në duart e shenjtorëve.” Me këtë fjalë ai aludonte për bashkësinë e Profetit tonë. Dhe ky ishte një vlerësim i madh. Në një porosi tjetër, i Dërguari i Allahut thotë: “Dijetarët e ummetit tim janë si profetët e të bijve të Izraelit.”(43)

Po, në përngjasimin me Profetin ata i ishin afruar një niveli të tillë, pak pas të cilit fillonin kufijtë e profetësisë.

Ja njëri prej këtyre, Omeri, është shembulli më i goditur! Ai e pati pranuar plotësisht Profetin si një prijës dhe udhëzues për vete dhe gjithë jetën ia pati përngjasuar atij. Ishte njeriu i pashoq, trajta e jetesës së të cilit i përngjante plotësisht asaj të Profetit! Megjithëse i qenë hapur kat më kat dyert e Romës e të Bizantit, megjithëse popuj dhe sundimtarë pranonin t’i bëheshin skllevër, në jetesën e tij nuk pati ndodhur as ndryshimi më i vogël. Jerusalemi në kohën e tij ishte triumfuar; ai Jerusalem sot i mërzitur, i brengosur, i robëruar, njollë e zezë në ballin e botës Islame. Megjithëse ishte realizuar praktikisht pushteti ushtarak, priftërinjtë ngulmonin të mos i jepnin çelësat e qytetit duke thënë: “Nuk i japim sepse nuk e shohim midis jush atë fytyrë që duhet t’i marrë çelësat e qytetit…” Kur situata i njoftohet Kalifit Omer, ai niset për udhë. Meqë nuk kishte deve të vetën, merr hua një deve nga prona e familjes profetike dhe, duke u shkëmbyer rregullisht me shërbëtorin, shkojnë në Jerusalem. Për ironi të fatit, kur do të hynin në qytet, radha për të hipur në deve i takon shërbëtorit. Pavarësisht nga këmbëngulja e shërbëtorit, kalifi zbaton radhën, e hip këtë të fundit në deve, merr kapistrën në dorë dhe ashtu hyjnë në qytet…

Ata që e shohin këtë pamje, shkrijnë në çast si qiriu dhe thonë: “Ja, ky është njeriu që përmendet në librat tanë!” Dhe ia dorëzojnë çelësat e qytetit!

Ai Omeri i madh shtrihej i sëmurë nga plagët e hanxharit të një iranasi adhurues të zjarrit. E nxirrte çdo gjë që hante e pinte, s’bënte zë e rrinte indiferent ndaj zërave. Kur shërbëtori vinte për ta pyetur nëse donte të hante a të pinte gjë, ose nuk i jepte përgjigje, ose i përgjigjej negativisht vetëm me vështrim. Kurse kur e lajmëronte me fjalët “O emiri i muslimanëve, është koha e namazit!”, i përgjigjej në çast: “Ja, po ngrihem. Kush e lë namazin, s’ka pjesë nga Islami!” Dhe ashtu, me plagë të përgjakura ngrihej e falej.(44)

Vepronte kështu, sepse kështu kishte parë te i Dërguari i Allahut. Do t’i përshtatej atij, do të vepronte si ai, do t’i përngjante atij dhe, kështu, do të bëhej shembull për pasardhësit. Po, njëri prej qëllimeve të dërgimit të profetëve ishte që ata t’i bëheshin shembull bashkësisë së tyre…