Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Besimi është kuptimi i jetës

Kush është i obliguar të falë namazin e xhumasë?

Estimated reading: 4 minutes 317 views

Namazin e xhumase farz për një person e bejne këto kushte:

1. Të jetë mashkull. Namazi i xhumasë është farz për meshkujt, por jo për femrat. Për këtë, të gjithë juristët janë të një mendimi. Por në qoftë se edhe femrat shkojnë në xhami dhe e falin namazin e xhumasë, ky namaz bëhet i vlefshëm për to, prandaj, në këtë rast, femrat nuk e falin namazin e drekës.

2. Të mos ketë të meta të justifikuara

Disa të meta e bëjnë normale (mubah) që personi të mos shkojë në namazin e xhumasë dhe për personin me të meta të justifikuara, namazi i xhumasë nuk është farz. Ndërkaq, po qe se persona në gjendje të tillë, megjithëse nuk e kanë farz namazin e xhumasë, e falin, namazi i tyre bëhet i vlefshëm, për rrjedhojë, atë ditë nuk falin namaz të mesditës.

Të metat kryesore të justifikuara që e bëjnë normale mosvajtjen në namazin e xhumasë, janë këto:

Sëmundja. Personi i sëmurë që ka frikë se po të shkojë në namazin e xhumasë do t’i shtohet ose zgjatet sëmundja, nuk e ka farz faljen e namazit të xhumasë. Të sëmurë konsiderohen edhe personat me pleqëri të rënduar që e kanë të vështirë të ecin. Ky konkluzion vlen edhe për kujdestarin e të sëmurit, i cili ka frikë se mos i sëmuri i tij keqësohet po qe se shkon në xhami për namazin e xhumasë.

Verbëria dhe gjymtimi. Sipas Ebu Hanifes, malikive dhe shafive, personi i verbër nuk e ka farz namazin e xhumasë edhe sikur të ketë dikë që ta shoqërojë për në xhami. Kurse sipas hanbelive, Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit, i verbëri që ka dikë që ta shoqërojë për në xhami, e ka farz namazin e xhumasë. Sipas të gjithë dijetarëve, i verbëri që nuk ka asnjeri për ta shoqëruar në xhami, nuk e ka farz namazin e xhumasë. Namazi i xhumasë nuk është farz as për personin me këmbë të paralizuara, me këmbë të prera si dhe për personin ulok në shtrat.

Kushtet e papërshtatshme të motit dhe rrugës. Kushtet e shiut shumë të dendur, të motit shumë të ftohtë ose të nxehtë, të rrugës me baltë të rënduar, etj., të tilla që do t’i shkaktonin vështirësi ose dëm personit po qe se do të shkonte në xhami për namazin e xhumasë, e bëjnë mubah mosvajtjen e personit në namazin e xhumasë.

Frika. Namazi i xhumasë nuk është farz as për personin që ka frikë se po të shkojë në namazin e xhumasë do t’i rrezikohen pasuria, jeta ose nderi. Në këtë rast, mosvajtja e tij në namazin e xhumasë konsiderohet e justifikuar.

3. Të jetë person i lirë

Sipas shumicës së madhe të juristëve, personat jo të lirë, domethënë, skllevërit dhe robërit, nuk janë të ngarkuar me përgjegjësinë për ta falur namazin e xhumasë.

Për personat që ndodhen në burg nuk ka ndonjë pengesë për faljen e namazit të xhumasë përveç kushteve fizike dhe mungesës së disa mundësive. Që të burgosurit të mund të falin namazin e xhumasë, mund të kërkohet që të përgatiten kushtet fizike-materiale dhe të bëhen rregullimet e nevojshme. Kushti sipas të cilit vendi ku do të falet namazi i xhumasë duhet të jetë i hapur për të gjithë, nuk e përfshin burgun për shkak të pozitës së veçantë të tij.

4. Të jetë vendas

Sipas shumicës së madhe të juristëve, që namazi i xhumasë të jetë vaxhib duhet që ai person të jetë banues i vendit ku falet namazi i xhumasë. Prandaj, namazi i xhumasë nuk është farz për personat që konsiderohen fetarisht udhëtarë. Nuk ka ndonjë të keqe sikur të dilet në udhëtim ditën e xhuma para se të hyjë koha e namazit të xhumasë, por dalja në rrugë pasi të ketë hyrë koha e namazit të xhumasë dhe pa e falur namazin, është mekruh.

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Kush është i obliguar të falë namazin e xhumasë?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA