Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Veprat janë sipas qëllimeve

Cka është ndjenja e përgjegjësisë?

Estimated reading: 10 minutes 193 views

Aspekti më domethënës i ekzistencës është veprimi dhe përpjekja. Qëndrimi në vend nënkupton dekompozim dhe është emri tjetër i vdekjes. Veprimet e bashkërenduara dhe lidhja me ndjenjën e përgjegjësisë, u japin atyre dimensione thelbësore humane. Një veprim, apo përpjekje e cila nuk disiplinohet me anë të përgjegjshmërisë, nuk mund të quhet i plotë.

Shumica e qenieve njerëzore ndjekin qëllime dhe objektiva të ndryshme. Megjithatë, për sa kohë që këto qëllime nuk marrin vlerën e duhur, duke u pajisur me ndjenjën e përgjegjësisë, është e kotë të pritet ndonjë gjë me vlerë. Egoistët, që i kanë mendjet të trazuara nga lakmia për interesa dhe përfitime personale, punojnë pa pushim, politikanët bëjnë vizita kudo duke nxjerrë nga goja fjalë magjepsëse, media prodhon një sasi të madhe spektaklesh në emër të informimit të publikut, disa qarqe të shoqërisë janë kthyer drejt amoralitetit përherë dhe pareshtur, disa të ashtuquajtur fetarë, udhëhiqen nga dëshira për përfitim material dhe pozita të pamerituara, bursat dhe tregjet monetare nuk reshtin së spekuluari ditë e natë, disa institucione shtetërore u japin shanse vetëm disa ideologjive të veçanta, ndërsa disa njerëz me mend në kokë i shikojnë këto ngjarje të panumërta me indiferencë maksimale. Kjo ndodh në një kohë, kur i fuqishmi dhe tirani ushtron forcën e tij dhe i shtypuri dhe i dobëti e pranon këtë fakt, si “të zakonshëm” dhe si “përzgjedhje natyrore”, prandaj është e nevojshme të ndërmerren shumë gjëra përpara se ato të bëhen më të vështira.

E ka gabim kush thotë se një shoqëri mund të jetojë me një të tillë pandjeshmëri,
Më tregoni një popull me botë shpirtërore të vdekur që të ketë mbijetuar?
Mehmed Akif Ersoj

Dhe nëse do t’u rastiste t’i pyesnit të tillë njerëz “Çfarë jeni duke bërë?”, ata, ose ju injorojnë, ose ju qortojnë duke vazhduar në rrugën e tyre. Edhe në qoftë se nuk ju godasin, apo pështyjnë në fytyrë, përgjigjja më e mundshme që ju japin është injorimi, apo shmangia nga ndjenja e përgjegjësisë me fjalët “çdo dash mbahet nga këmbët e veta”, apo “ai që shpëton anijen është kapiteni”. Edhe kur veprimet e tyre të pamatura, të papjekura dhe arrogante shkaktojnë tronditje në ndërgjegjen tonë, ata përgjigjen me fjalë të palogjikshme “rroftë gjarpri që nuk më kafshon mua”. Ne mund të ndeshemi me mjaft përgjigje të kësaj natyre të cilat bien në kundërshtim me mendimet tona të pastra dhe me ndjenjat tona më të pafajshme.

Megjithatë, edhe pse këto nuk janë mendimet e zemrave të ndjeshme dhe besimtare, është e papajtueshme për ndjenjën tonë të përgjegjësisë të themi “Gabim dhe padituri” dhe të vazhdojmë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo për arsye sepse ne, si një komb i tërë, jemi të rrethuar nga armiq dhe armiqësi. Për sa kohë që ne përjetojmë një rrethim të tillë, nuk mund të pretendojmë të jemi vetvetja përsa u përket ndjenjave, ideve, besimit, artit dhe iniciativës së lirë. Ne, madje, as mund të pretendojmë që të mbrojmë, apo të ruajmë dinjitetin tonë islam, ndershmërinë tonë kombëtare, të shpëtojmë anijen tonë dhe të arrijmë në breg shëndoshë e mirë, duke ndërtuar botën tonë dhe të jetojmë në të, ashtu siç dëshirojmë, duke u bërë trashëgimtarët e tokës dhe duke arritur tek Zoti. Është koha që t’i hapim sytë dhe të shikojmë realitetin, të përdorim shqisat tona dhe të marrim pozicionin e protektorit dhe pronarit të arritjeve tona, duke shëruar vetveten nga çdo gjë që po e bren personalitetin dhe gjithë qenien tonë nga përbrenda. Në të kundërt, një ditë s’do mund të ruajmë madje as atë që kemi sot.

Dikur, armiqtë tanë ishin injoranca, padituria, varfëria, përçarja dhe fanatizmi. Tani, atyre u janë shtuar edhe mashtrimi, prepotenca dhe detyrimi me forcë, ekstravaganca, dekadenca, fëlliqësia, pandjeshmëria, indiferenca dhe ndotja intelektuale. Shpresoj se ata të cilët ruajnë të pacenuar pastërtinë e tyre fetare, dëlirësinë e mendimit dhe ndjenjat patriotike, si dhe ata të cilët ndajnë pikëpamje të ngjashme me njerëzit të cilët i citova më lart, të më falin për fjalët e mia, sepse unë mendoj se për një kohë mjaft të gjatë, si brezat e sotëm, ashtu edhe disa mendjelehtë nga radhët e brezave më të vjetër, kanë ecur në rrugë të gabuar, për shkak të naivitetit të tyre. Ata kanë qenë të prekur nga ideologji të ndotura, merita e vetme e të cilave qëndron në paraqitjen e tyre të komplikuar. Edhe nëse kjo që thashë vlen vetëm për disa qarqe, një devijim i tillë idesh dhe një humbje e tillë personaliteti si një komb i tërë, do të përbënte poshtërimin më të tmerrshëm të këtij kombi të bekuar. Në fakt, helmimi i Sulltan Fatih Mehmetit, therja e Sulltan Muratit I, vdekja nga brengat e Sulltan Jëlldërëm Bejazidit dhe vdekja e Sulltan Javuz Selimit, për shkak të një tumori, nuk është asgjë përpara masakrës së shpirtit të kombit i cili doli fitimtar nga Lufta Kombëtare. Një masakër e tillë kryhet nga djajtë e epokës, ajo vjen për shkak të mendjelehtësisë së inteligjencës dhe indiferencës së masave popullore.

Ne na është ngarkuar përgjegjësia e stolisjes së botës sonë me një shpirt të ri dhe të freskët që buron nga dashuria për fenë. Është ajo që na shtyn t’i duam edhe qeniet e tjera njerëzore, si dhe dashuria për lirinë. Ne jemi ngarkuar edhe më tepër me përgjegjësinë e të qenit vetvetja, sepse jemi të lidhur me parimet e këtyre tre lloj dashurish dhe me synimin për përgatitjen e dheut për mbirjen e fidanëve, që janë rrënjët e pastra të pemës së parajsës, në mënyrë që ajo të ushqehet dhe të rritet në dheun e këtyre dashurive. Kjo varet sigurisht nga ekzistenca e heronjve, të cilët do të marrin përgjegjësitë e duhura për mbrojtjen e fateve dhe historisë së kombit, fesë, traditave, kulturës dhe çdo gjëje tjetër të shenjtë që i përket popullit tonë. Kjo do të varet nga heronjtë, të cilët janë të tejmbushur me dashuri për shkencën dhe dijen, në mendjet e të cilëve bulëzojnë idetë për përmirësimin dhe ndërtimin. Ata janë thellësisht të sinqertë dhe të devotshëm, patriotë dhe të përgjegjshëm dhe për rrjedhojë përherë të përgjegjshëm në punë, në barrën që u është ngarkuar dhe në detyrë. Falë këtyre heronjve dhe përpjekjeve të tyre të sinqerta, sistemi ynë i mendimit, i botëkuptimit dhe frytet e tyre, do të reflektohen tek populli ynë. Ndjenja e devocionit ndaj të tjerëve dhe ndaj gjithë bashkësisë do të fitojë terren, ndjenja e përgjegjësisë në ndarjen e punëve, menaxhimit të kohës si dhe asistimit dhe lidhjes me njëri-tjetrin do të rigjallërohet. Çdo marrëdhënie autoritet-subjekt, punëdhënës-punëmarrës, pronar-punëtor, çifligar-bujk, artist-admirues, tregtar-klient, mësues-nxënës, do të marrë dimensionet që i takojnë në unitetin e tërësisë. E gjitha kjo do të dalë në pah edhe njëherë tjetër, duke bërë që këto të realizohen një e nga një për ta parapritur epokën. Ne sot jetojmë në një epokë në të cilën ëndrrat tona janë duke u bërë realitet, ndaj ne besojmë se nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve, secila prej këtyre përgjegjësive të kësaj epoke do të përmbushet në një ditë jo të largët.

Kjo që thamë përbën bazën e ëndrrave dhe të vizionit tonë. Mënyra e parë dhe themelore për t’i bërë realitet është nëpërmjet ndjenjës dhe etikës së përgjegjësisë. Meqenëse qëndrimi vendnumëro përbën vdekje, dekompozim dhe papërgjegjësia në vepra përkthehet në çrregullim dhe kaos, nuk na mbetet alternativë tjetër, përveç disiplinimit të veprimeve tona nëpërmjet ndjenjës së përgjegjësisë. Prandaj, çdo përpjekje nga ana jonë duhet të matet me njësinë matëse të përgjegjësisë. Rruga jonë është rruga e së vërtetës, kauza jonë është nxjerrja në pah dhe lartësimi i së vërtetës dhe objektivi ynë është kërkimi i kënaqësisë së Zotit, sa herë hapim e mbyllim sytë. Në fakt, një sjellje e tillë përbën atë lëmoshë që ne paguajmë për të qenë qenie të vërteta njerëzore. Përbën edhe arsyen dhe përligjjen për veprat tona të vullnetshme. Ne e konsiderojmë vetveten të detyruar që të kërkojmë qëllimin e jetës në qenien tonë, që të zgjojmë dashurinë në shpirtrat tanë, që të kuptojmë ndjenjën e përgjegjësisë në ndërgjegjen tonë, që të nxjerrim në pah rrënjët e shkencës, dijes, artit, moralit dhe mençurisë tek të gjithë ata që presin të ndërtojnë një sistem. Sistem që ka si forcë orientuese, si parime, themele dhe ndriçim, besimin dhe dashurinë. Ne e konsiderojmë veten shërbëtorë konsekuentë që nuk largohemi nga ky mision. Përpjekjet tona, tek të cilat shpresojmë se do të sjellin fryte në rrugën dhe drejtimin shpirtëror të të gjithë njerëzve të dashur të Zotit, si njerëzve të shenjtë (evlijatë) të sinqertëve (asfijatë), njerëzve të mirë (ebrarë) dhe njerëzve të afërt të Zotit (mukarrabinët), do të bëjnë të mundur fillimin e një Rilindjeje të dytë.

Çdo epokë e ka mrekullinë e saj përbrenda: rilindja e njerëzimit në shekullin e gjashtë, rigjallërimi i fiseve turke dhe kombeve të tjera nëpërmjet pranimit të Islamit në shekullin e dhjetë, si dhe metamorfozat në provincën e Sogutit[1], si kristale të vogla në krahët e fluturës së mrekullueshme otomane, përbëjnë vetëm disa raste të tilla. Unë mendoj se mrekullia e shekullit të njëzetenjëtë, do të shfaqet dhe do të bëjë të mundur që populli ynë dhe popujt e tjerë të lidhur me ne, të zënë vendin që u takon në balancën ndërkombëtare të pushtetit. Një lindje e tillë e cila do të ndryshojë rrjedhën dhe drejtimin e historisë së botës, do të rrotullohet rreth boshtit të shpirtit, moralit, dashurisë dhe virtyteve. Nëpërmjet betejës shpirtërore (xhihadit) të cilën ne gjithashtu mund ta quajmë edhe “lufta për dije, moral, për të vërtetën dhe drejtësinë”, ne besojmë se brezat të cilët për kaq shumë kohë janë lënë pa mbrojtje dhe ideale, do të përjetojnë një ringjallje të re në një mënyrë të ngjashme me harenë e kapjes dhe shtrëngimit të flamurit të profetit në fushën e ringjalljes, një objektiv drejt të cilit të gjithë myslimanët duhet të bashkohen

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Cka është ndjenja e përgjegjësisë?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA