Çka është itikafi? Cilat janë kushtet e itikafit?

Qëndrimi në xhami apo në një pjesë brenda xhamisë për arsye adhurimi për një kohë të caktuar quhet itikaf.

Përcjell sahabi i nderuar Ebu Said el-Hudri r.a. Ai tregon: Pejgamberi bëri itikaf në dhjetë ditët e para të Ramazanit. Më pas në dhjetëditëshin e mesëm të muajit bëri itikaf nën një çadër të bërë me lëkurë dhie. Në vend të derës së çadrës ndodhej një hasër. I dërguari i Zotit a.s. e mori hasrën dhe e vendosi në një cep të çadrës. Më pas nxori kokën dhe iu drejtua njerëzve që ndodheshin në xhami. Populli u afrua nga ai. Ai i tha: “Unë, duke kërkuar natën e Kadrit bëra itikaf në dhjetëditëshin e parë. Më pas e vazhdova itikafin edhe në dhjetëditëshin e mesëm të muajit. Më erdhi engjëlli dhe më njoftoi se Nata e Kadrit ndodhet në dhjetëditëshin e fundit. Ata që kanë qenë në itikaf me mua deri tani, nëse duan, le ta vazhdojnë itikafin edhe në këto dhjetë të fundit” (Muslim, Sijam, 215). Prandaj në shumë vende myslimane besimtarët e devotshëm dhjetë netët e fundit të Ramazanit i kalojnë në xhami (itikaf) duke u falur e duke u lutur, si dhe duke kënduar e studiuar Kur’anin, që kështu të jenë të gatshëm ta presin natën e Kadrit, që sipas fjalëve të Profetit duhet të jetë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të të Ramazanit. “…Ju kërkojeni atë në netët teke të dhjetë ditëve të fundit” (Muslim, Sijam, 212).

Itikafi ndahet në tre pjesë: vaxhib, sunet dhe mustehab. Nëse premton me gojë bërjen e itikafit atëherë realizimi i tij është vaxhib. Ndërsa itikafi i mbajtur dhjetë ditët e fundit të Ramazanit është sunet. Përveç dy rasteve të mësipërme, itikafi i bërë në xhami për arsye adhurimi është mustehab.

Kushtet e Itikafit

Itikafi ka katër kushte:

  • Personi i cili do të bëjë itikafin duhet të jetë mysliman, mendërisht i shëndoshë dhe i pastër. Itikafi i personit jomysliman, të çmendurit, të papastrit, gruas me menstruacione nuk është i pranueshëm. Për bërjen e itikafit nuk është kusht mosha e pjekurisë, gjinia apo liria.
  • Duhet të bëhet nijeti për itikaf. Nuk është i pranueshëm një itikaf i cili realizohet pa nijet.
  • Itikafi duhet të bëhet në xhami apo në një pjesë tjetër të njohur si mesxhid. Më e virtytshme është të realizohet në xhami të mëdha. Ndërsa për gratë është më e përshtatshme ta realizojnë në shtëpi.
  • Personi i cili bën itikafin vaxhib duhet të jetë agjërueshëm. Personi i cili hyn në itikaf nuk del jashtë nga xhamia vetëm në rast të nevojave personale dhe të domosdoshme. Gjatë itikafit përpiqet të flasë vetëm rreth temave morale. Nuk bën asnjë gjë e cila të jetë e ndaluar.

Itikafi më i mirë është itikafi i dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Sepse edhe vetë Profeti (s.a.s) ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së tij.

Itikafi është edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie. Në këtë mënyrë zemrat qoftë edhe për pak kohë qëndrojnë larg punëve të kësaj bote, i drejtohen Allahut dhe strehohen në derën e mëshirës dhe të ndihmës, besimtari i cili lutet brenda xhamisë, shtëpisë së Allahut është i mbrojtur nga të gjitha të këqijat porsi të ishte brenda një kalaje të fortë. Njeriu i cili hyn në itikaf i përkushtohet adhurimit dhe fjalëve të mira. Mbron gjuhën nga gënjeshtra, shpifjet dhe thashethemet dhe nuk dëmton askënd. Qëllimi dhe mendimi i tij janë të drejtuar drejt së mirës. Duke qenë gjatë gjithë kohës brenda xhamisë, edhe pritja jashtë kohëve të namazit i llogaritet njësoj si një namaz. Gjatë itikafit qëndron larg punëve të botës dhe i drejtohet vetëm Allahut (xh.sh). Kjo gjendje ia ndriçon zemrën, ia pastron mendimet dhe e lartëson nga ana shpirtërore.

Gjerat qe e prishin itikafin

Dalja nga xhamia e personit i cili është në itikaf për arsye personale (për të falur namazin e xhumasë, për kryerjen e nevojave personale, për të marrë abdes, gusul) nuk e prish itikafin.

Itikafi prishet nëse personi del nga itikafi pa asnjë arsye.

Itikafi gjithashtu prishet nëse dilet për një orë për të vizituar një të sëmurë, për të larë një xhenaze, për të falur namazin e xhenazes, për të dëshmuar apo për arsye shëndetësore. Në rastin e itikafit vaxhib, nëse personi ka vënë kusht vizitimin e të sëmurëve, faljen e namazit të xhenazes gjatë itikafit, atëherë nuk prishet.

Edhe dalja jashtë për shkak të një shqetësimi të rrallë e prish itikafin. Dalja jashtë për të shpëtuar njerëzit kur bie zjarr apo është duke u mbytur dikush, apo edhe dalja jashtë me xhematin e prish itikafin.

Nëse personi i cili është në itikaf qëndron disa ditë pa ndjenja, atëherë itikafi prishet. Ai mund ta fillojë përsëri atë kur të shërohet.

Në rastin kur prishet itikafi vaxhib atëherë duhet kryer kazaja e tij.

Ndërsa në rastin kur lëmë një itikaf nafile nuk është e nevojshme të bëhet kaza më vonë.

Për personin i cili hyn në itikaf është e ndaluar kryerja e marrëdhënieve seksuale ose ndonjë veprim i cili bëhet shkak për të gjatë natës apo ditës.

Personi i cili gjendet në itikaf mund të blejë në xhami gjërat të cilat i duhen. Gjithashtu ai mund të sjellë në xhami gjërat e nevojshme pa dëmtuar xhaminë. Ai ha dhe pi në xhami. Nëse ka një vend të përshtatshëm brenda xhamisë aty mund të marrë abdes apo gusul. Nëse nuk ka, atëherë del jashtë dhe merr abdes në vendin më të afërt dhe pa humbur kohë kthehet menjëherë në xhami.

Personi i cili bën itikaf mund të dalë në minare për të kënduar ezanin. Nuk ka problem edhe nëse dera e minares është jashtë xhamisë.

 

Marre nga:

Një vështrim i përgjithshëm mbi agjërimin

Nata e Kadrit, më e begatë se 1000 muaj

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.