Pyetje Islame

Pyetje Islame

A e keni ditur?

Çështja më e rëndësishme është shpëtimi i besimit

Çka e prish namazin?

Estimated reading: 9 minutes 568 views

Sjelljet në kundërshtim me namazin

Gjatë namazit, myslimani duhet të përpiqet t’i kryejë dhe t’i plotësojë në mënyrën më të mirë farzet, vaxhibet, sunetet dhe etikën e namazit, të trajtuara veç e veç më lart dhe duhet të ruhet e të shmanget nga të gjitha sjelljet dhe veprimet që bien në kundërshtim me kuptimin dhe qëllimin e namazit. Sjelljet dhe veprimet në kundërshtim me namazin trajtohen, sipas gradës së kësaj kundërvënieje, në mekruhe të namazit dhe situata që e prishin namazin.

Situatat që e prishin namazin

Në mungesë të ndonjërit prej shtyllave ose kushteve të namazit, namazi prishet. Veç mungesës së shtyllave dhe kushteve, janë disa situata dhe sjellje që posaçërisht duhen shmangur, të cilat emërtohen së bashku mufsidati salat (gjërat që e prishin namazin).

Situatat kryesore që e prishin një namaz të filluar duke i zbatuar kushtet dhe elementët përbërës të tij, janë këto:

  • Biseda në namaz. Qoftë me dashje, qoftë pa dashje ose gabimisht, e prish namazin. Biseda mund të jetë e formës duke i bërë zë ose duke i thënë diçka dikujt ose duke i dhënë selam, duke i thënë “ç’kemi” dikujt, duke iu përgjigjur me fjalë selamit të dhënë nga dikush ose duke i thënë dikujt që teshtitet, “jerhamukellah” ose “shëndet”. Në këto kushte, namazi prishet. Nuk ka ndryshim mes bërjes së këtyre veprimeve me dashje ose pa dashje. Duke harruar se ndodhesh në namaz, të pranosh selamin e dhënë prej dikujt duke u përgjigjur me gojë, p.sh., “alejkumus selam”, e prish namazin. Edhe namazi i personit që bën salavat kur përmendet emri i Profetit, prishet. Në të njëjtën mënyrë, edhe këndimi i një ajeti nga Kurani, kur futet në kuadrin e bisedës me njerëzit, e prish namazin. Për shembull të thuash “elhamdulil’lah” kur dëgjon një lajm të mirë, të thuash “inna lil’lahi ue inna ilejhi raxhiun” kur dëgjon një lajm të keq, të thuash “subhanallah” kur dëgjon një lajm të habitshëm.
  • Akti flagrant (ameli kethr). Akt flagrant quhet sjellja ose veprimi në masë të shumtë e të tepruar. Megjithëse nuk ekziston mundësia për të përvijuar një kufi të qartë për aktin flagrant, për të është vënë kriteri i sjelljes që për njeriun jashtë namazit krijon përshtypjen sikur personi që e kryen atë sjellje, nuk ndodhet në namaz. Prandaj, po qe se gjatë namazit, një veprim apo sjellje në kundërshtim me namazin, që nuk u ngjet veprimeve të namazit dhe që nuk përshtatet me namazin, jep përshtypjen e mosqenies në namaz, hyn në kornizën e aktit flagrant.
  • Shmangia nga orientimi drejt kibles.
  • Ngrënia-pirja. Pas qëndrimit në namaz, edhe sikur gjëja e futur në gojë dhe e ngrënë të jetë qoftë edhe sa një kokërr susami, e prish namazin. Edhe pse gëlltitja e një gjëje të mbetur mes dhëmbëve nga ngrënia para namazit nuk e prish namazin, meqë ngrënia ose vërtitja nëpër gojë e një gjëje të madhe a të vogël është në kundërshtim me namazin, e prish namazin. Prandaj përtypja e çamçakëzit ose gëlltitja e një karameleje të tretur të futur në gojë qysh para namazit, e prishin namazin.
  • Kruajta e fytit dhe përpjekja për t’u kollitur pa pasur justifikim. Por kollitja e natyrshme pa ndonjë shtrëngim, nuk e prish namazin.
  • Fryrja e një gjëje me “fu” ose tregim mërzitjeje dhe shfryrje me pasthirrmat “uf”, “ah”, “of”, etj
  • Rënkimi. Qarja dhe rënkimi me ndjenja të tilla të larta, si frika nga Allahu, kujtimi i xhenetit ose xhehenemit nuk e prishin namazin. As rënkimi i papërmbajtur për shkak të një sëmundjeje të rëndë nuk e prish namazin
  • Qeshja. Qeshja vetëm sa për ta dëgjuar vetë e prish vetëm namazin, kurse sa për ta dëgjuar edhe të tjerët pranë, e prish edhe abdesin. Qeshja në këtë mënyrë, fëmijëve të paarritur në moshën e adoleshencës, ua prish vetëm namazin, jo abdesin.
  • Në namaz, shikimi mbi një shkrim që bie në sy, nuk e prish namazin. Por këndimi nga teksti i Kuranit para vetes i një ajeti të paditur përmendësh, meqë ky veprim ka karakter sugjerimi, sipas Ebu Hanifes e prish namazin. Kurse sipas imam Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit dhe, sipas imam Shafiut, namazi nuk prishet, por veprimi është mekruh. Me marrëveshje, këndimi nga teksti i Kuranit prej dikujt që është hafiz, nuk e prish namazin.
  • Po qe se personi që po fal namaz i përgjigjet me “Elhamdulil’lah” ose “Subhanallah” ose duke e ngritur zërin në këndim personit që po e thërret ose që kërkon leje për të hyrë brenda, namazi nuk i prishet.
  • Korrigjimi nga personi i gabimit ose ngecjes në këndimin e Kuranit të një personi tjetër veç imamit, sepse ky veprim konsiderohet mësimdhënie, gjë që është quajtur akt flagrant. Po qe se bën korrigjim për imamin, namazi nuk i prishet. Nuk ka rëndësi nëse imami ka kënduar Kuran në masë të mjaftueshme, sepse veprimi korrigjues ka për synim korrigjimin e të po atij namazi.
  • Po qe se, për shkak të ndonjë shtyse djallëzore, thuhet “La havle ve la kuvvete il’la bil’lah”, shihet: nëse kjo shtysë dhe lëkundje i përket diçkaje që ka lidhje me jetën e pasme, ahiretin, namazi nuk prishet; por po t’i përkasë diçkaje që ka lidhje me këtë botë, namazi prishet.
  • Po qe se në namaz, duke vepruar me njërën dorë dhe pa e përsëritur veprimin, hiqet çallma ose takija dhe vihet përdhe ose merret nga përdhe e vihet në kokë, namazi nuk prishet. Ndërkaq, po qe se marrja e këtyre nga përdhe për t’i vënë në kokë kërkon shumë veprime, namazi prishet.
  • Mëkimi i fëmijës duke falur namaz e prish namazin. Po qe se gjatë namazit fëmija e merr vetë thithkën e gjirit dhe e thith nja dy herë pa dalë qumësht jashtë, namazi nuk prishet. Por po të dalë qumësht jashtë ose po qe se fëmija e thith gjirin më shumë se dy herë, namazi prishet.
  • Po qe se për një shkak çfarëdo prishet abdesi gjatë faljes së namazit, edhe namazi prishet.
  • Ndërsa dhënia e selamit duke e pandehur ndenjjen e parë për të fundit, nuk e komplikon dhe prish namazin, prandaj kërkon vetëm bërjen e sexhdes së gabimit të harresës (sehv), dhënia e selamit në ndenjjen e parë duke e pandehur namazin e mesditës që po fal, si namaz xhumaje ose namazin e jacisë si namaz teravie (ose duke e pandehur veten udhëtar) e prish namazin sepse ky veprim bart qëllimin e ndërprerjes së namazit.
  • Në rastet kur kryhet një shtyllë namazi ndërsa vendi intim është i hapur ose mbi trup ndodhet një sasi papastërtie që përbën pengesë për namazin, edhe sikur këto të jenë pasojë e harresës ose mungesës së vëmendjes, ose kur në këtë gjendje kalon një kohë sa për të kryer një shtyllë namazi (koha sa për të thënë tri herë “subhanallah”), namazi quhet i prishur.
  • Kur lind dielli duke falur namazin e sabahut, kur hyn koha e zenitit duke falur namazin e bajramit dhe kur hyn koha e ikindisë duke falur namazin e xhumasë, namazi prishet. Por kur hyn koha e iqindisë duke falur namazin e mesditës, namazi nuk prishet.
  • Kur personi që po fal namaz me tejemum, sheh ujë të mundshëm për t’u përdorur.
  • Kur personit të justifikuar i eliminohet justifikimi.
  • Kur personi fal namaz pasi ka bërë fërkim mbi meste, mbushet periudha e vlefshmërisë së fërkimit mbi meste.

Mekruhet e namazit

Veprimet dhe sjelljet që nuk shihen me sy të mirë në namaz, quhen “mekruhe të namazit” (veprime dhe sjellje të papëlqyeshme e të shëmtuara të namazit). Përgjithësisht, janë konsideruar mekruh veprimet dhe sjelljet në kundërshtim me strukturën formale të paraparë për namazin, si dhe veprimet dhe sjelljet në kundërshtim me respektin, madhërimin, thjeshtësinë, kryeulësinë dhe qetësinë që kërkon namazi, veprimet dhe sjelljet që e pengojnë zemrën dhe e largojnë njeriun nga kënaqësia ndjesore dhe përshpirtshmëria që kërkon adhurimi. Gjatë namazit, një veprim i tillë që s’ka lidhje me namazin dhe që s’përshtatet me të, si loja me duar me veshjen ose me një pjesë të trupit, është mekruh, sepse veprime dhe sjellje të tilla janë në kundërshtim me strukturën formale të namazit dhe, njëherazi nuk përshtaten me qëndrimin respektues dhe madhërues që kërkon namazi. Krahas kësaj, edhe lënia pa kryer ose braktisja e njërit prej vaxhibeve dhe suneteve të namazit konsiderohet mekruh.

Disa nga situatat, sjelljet dhe veprimet që konsiderohen mekruh në namaz, janë këto:

  • Kryerja e një veprimi apo sjelljeje që s’i përket namazit dhe që s’përmban qëllimin për mënjanimin e një dëmi ose plotësimin e namazit.
  • Lënia për më pas e tekbireve dhe dhikreve mes kijamit, rukusë dhe sexhdes.
  • Gogësitja, hapja e gojës, shtriqja, kollitja si për të liruar grykën në namaz.
  • Duke qenë në namaz, marrja e selamit me shenjë dore ose koke. Sipas disa dijetarëve, me këtë akt që është mekruh tahrimen, namazi prishet.
  • Falja e namazit edhe në kushtet e shtrëngesës për të kryer nevojën.
  • Gjatë namazit me xhemat, rënia në ruku dhe sexhde para imamit ose ngritja nga rukuja dhe sexhdja para imamit.

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/%EF%BB%BFsjelljet-ne-kundershtim-me-namazin/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shpërndaje

Çka e prish namazin?

Kopjo linkun

PËRMBAJTJA