Cilat jane shkaqet që e bëjnë normale mosmbajtjen e agjërimit?

Udhëtimi. Islami nuk u ngarkon njerëzve përgjegjësi që nuk mund t’i mbajnë. Urdhrat janë në masë të pranueshme. Kurse udhëtimi është një gjendje herë-herë me vështirësi dhe shqetësime. Në një situatë të tillë, për shkak të vështirësive të udhëtimit, myslimani mund ta ketë të vështirë për të mbajtur agjërim. Për këtë arsye Kurani, në ajetin 184 të sures Bakara, njerëzit në gjendje udhëtimi i ka lejuar të mos agjërojnë. Ai që nuk ka mundur të agjërojë duke qenë në udhëtim, ditët e paagjëruara i agjëron si kaza më pas. Por ata që dëshirojnë, mund të agjërojnë edhe kur ndodhen në udhëtim.

Sëmundja. Siç kuptohet edhe nga ajeti i mësipërm, Krijuesi i Lartë u ka dhënë leje edhe personave të sëmurë sa të mos mund të agjërojnë, i ka përjashtuar ata nga përgjegjësia e agjërimit. Këta, pasi të shërohen, agjërimet e pambajtura i mbajnë kaza.

Shtatzënia dhe laktacioni. Gratë shtatzëna ose në periudhën e laktacionit (me fëmijë në gji), me qëllim që të mos dëmtohen vetë si dhe fëmijët e tyre, përfitojnë nga leja për të mos agjëruar. Ato i agjërojnë më vonë kaza ditët e paagjëruara.[3]

Pleqëria. Siç u bë e ditur edhe më lart, Islami u ka dhënë leje për të mos agjëruar personave me pleqëri të rënduar që nuk mund të agjërojnë me kusht që për çdo ditë të paagjëruar të ushqejnë një të varfër.

Uria dhe etja e thellë. Po qe se personi që agjëron përballet me një etje ose uri të rëndë dhe po qe se frikësohet se mos agjërimi do t’ia prekë në përmasa serioze shëndetin trupor dhe psikik, ose po qe se mjeku i jep raport për të mos agjëruar, ky person përjashtohet nga detyrimi i agjërimit në këto kushte dhe, pasi të fitojë shëndet të plotë, e plotëson këtë adhurim duke i zëvendësuar ditët e paagjëruara.