Cilat jane disa veqori te Pejgamberit s.a.s.?

  • Kryefamiljar

Ai pati edhe veçori njerëzore të cilat i përfaqësoi në shkallën më të lartë dhe me të cilat na u bë udhëzues neve. Për shembull, ai qe një kryetar familjeje i shkëlqyer. Në një periudhë të caktuar të jetës ai qe ndodhur me nëntë gra të kurorëzuara, por nuk pati dhënë shkas e nuk pati lënë asnjë hapësirë për replika dhe grindje midis tyre. Në atë shtëpi ku pikonte eliksiri profetik pika-pika, po qe se secili prej fëmijëve që pati rritur, do t’i takonte një shekulli të caktuar, do të bëhej një prijës shpirtëror e një novator që do ta ndriçonte atë shekull. S’e di, sa vetë kanë pasur mundësi ta njohin atë në këtë aspekt?

  • Komandant

Prapë, ai pati qenë një udhëheqës ushtarak i shkëlqyer, një mjeshtër i luftës. Me një grusht njerëzish që i bënin dritë përreth, ai pati rrafshuar përtokë fronet e mbretërve që i patën shpallur luftë botës dhe sa e sa sundimtarë i pati kthyer në skllevër që s’pranojnë lirim të portës së tij. Ai pati qenë një komandant ushtarak megjithëse s’pati pasë mësuar prej askujt shkencën dhe teknikën luftarake në planin teorik.

  • Dija

Prapë, ai qe njeriu-kyç ku patën arritur dhe qenë mbështetur dituritë. Sikur t’i shihte në një ekran ngjarjet që do të ndodhnin gjer në kiamet, i lexonte ato nga një tabelë e fshehtë dhe i numëronte një e nga një.(5) Sot, pas shumë shekujsh nga dita kur u dha urdhri hyjnor që ai të ndërronte jetë, në pikën e arritur në përfundim të kërkimeve në sajë të mundësive të mrekullueshme të teknikës e teknologjisë, çdo njeri sheh flamurin e ngulur nga Profeti Muhammed (s.a.v.) katërmbëdhjetë shekuj më parë dhe personat të cilët Allahu dëshiroi t’i orientonte e t’i aftësonte për të parë drejt, duke shqiptuar Fjalën e Dëshmisë, kthehen e bëhen edhe një hallkë tjetër më shumë në zinxhirin e përndritshëm të trashëgimit Islam. Ja një prej mijëra evenimenteve të tilla, kanadezi Keith Moore, profesor i anatomisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Torontos, një pediatër specialist, ky, në fushën e vet, të cilin e kam parë në një videokasetë.

Pasi dëgjon nëpërmjet ajeteve-argumente të Kur’anit periudhat e zhvillimit të fetusit në mitër, gjë që ka mundur të zbulohet vetëm me mundësitë e sotme teknike, shpreh bindjen dhe nënshtrimin e vet ndaj Zotit duke thënë: “Eshhedu en la ilahe il’lallah ve eshhedu enne Muhammeden Resulullah”, “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është i dërguari i Tij!” Një rast tjetër, një shkencëtar fiziolog japonez, pasi njihet me ajetet-argumente të Kur’anit që kishin lidhje me fushën e vet, megjithëse duke e shqiptuar me vështirësi, thotë: “Eshhedu en la ilahe il’lallah” dhe nuk lëkundet aspak që të hyjë në Islam. Ja, pra, siç u pa, atje ku ngecin shkencat, Kur’ani hap shteg dhe pika e fundit ku kanë arritur shkencat, takohet me pikënisjen e të Dërguarit të Allahut. Mirë, po kush ia pati mësuar atij këto gjëra? Mësimet ai i pati marrë nga Allahu që është “Alim”, “i Ditur” dhe “Habir”, “i Informuar”. Pas tij qëndronte “Mësuesi i Madh”! Eshtë për këtë arsye që intuita e tij me kalimin e kohës nuk u vjetërua, në të kundërt, me kalimin e ditëve, u rinua dhe ky rinim do të vazhdojë për sa kohë do të ekzistojë bota!

  • Me I Dashuri

Gjithashtu, ai pat qenë njeriu që qe dashur nga shokët e tij në përmasa që nuk do t’i mundësohen e nuk do t’i takojnë asnjë njeriu. Për shembull, në mbarim të luftës “Ma-u Rexh”, kur Hubejb b. Adiji qe vënë në tryezën e ekzekutimit prej heretikëve të çmendur të ndezur me zjarrin e urrejtjes e të hakmarrjes, qe vënë para një alternative të tillë: “A do të deshiroje që në këtë çast, në vendin tënd, të ekzekutohej Muhammedi?” Dhe përgjigjja e tij pati qenë e prerë, e qartë dhe e pakthyeshme: “Jo, vallahi, nuk do të pranoja që, në këmbim të shpëtimit tim, t’i ngulej atij qoftë edhe një gjemb në këmbë!” Pastaj, pasi pati treguar këtë shembull guximi në tryezën e ekzekutimit, Hubejbi pati ngritur duart drejt qiellit duke thënë: “Imzot, duke ardhur këtu, nuk munda t’i lija lamtumirën Mikut Tënd, pra, çoja, atje ku ndodhet, përshëndetjen time!” Pikërisht ato çaste kur Profeti qe ulur e po bisedonte me pasuesit e tij, menjëherë drejton trupin dhe thotë: “Përshëndetje ty, o Hubejb!” Kur të pranishmit, të habitur, e pyesin, ai përgjigjet e thotë mes lotëve: “Hubejbin e ekzekutuan politeistët! Hubejbi ra dëshmor! Në çastin e fundit më dërgoi një përshëndetje!”(6)

Dhe ja një tablo tjetër kënaqësindjellëse për zemrën e çdo njeriu që ende beson, megjithëse nga ngjarja në fjalë kanë kaluar shekuj. Ishte lufta e Uhudit. Zonja Sumejra dëgjon se i Dërguari i Allahut ka rënë dëshmor, e ndalon vrapin në rrëzë të malit Uhud dhe, ndërsa nuk interesohet aspak tek i tregojnë kufomat e të atit, burrit e djemve të rënë dëshmorë, vazhdon ta kërkojë në çdo vend Profetin duke mërmëritur “Ç’u bë i Dërguari i Allahut?” Pastaj, në një çast, kur i tregojnë se ku ndodhet, shkon, i bie para këmbëve dhe i thotë: “Pasi që ti je gjallë, të gjitha fatkeqësitë më lehtësohen,o i Dërguari i Allahut!”(7) Ja, të tillë vend pati zënë ai ndër zemra!

Dhe një shembull tjetër. Njeriu-horizont pati marrë ftesë prej përtej qiejsh dhe do të largohej, më në fund, prej miqve me të cilët pati ndarë të njëjtin fat për 23 vjet me radhë. Prandaj, në ditët e veta të fundit, pati dalë pranë pasuesve pak i mërzitur e i hidhëruar. Ajo gjendje duhet t’i kishte prekur shumë pasuesit që, kur i Dërguari i Allahut hynte në shtëpi, në çdo zemër fillonin të frynin erëra brenge. Muaz b. Xhebeli shkonte e vinte nga Jemeni ku ishte ngarkuar me punë nga i Dërguari i Allahut. Kur shkonte, çonte mesazhe e, kur kthehej, sillte çështje e probleme gati për zgjidhje. Para se të dilte për udhëtimin e fundit, pati shkuar pranë Profetit për t’i marrë bekimin. Profeti i dy botëve i thotë: “Shko, o Muaz! Kur të kthehesh, ka shumë mundësi të vizitosh vetëm faltoren dhe varrin tim!” Sikur ta kishin goditur në kokë, Muazit i këputen krahët, i mbushen sytë me lot dhe mbetet ashtu, i shembur aty ku ndodhet. Jo për të shkuar në Jemen, por s’i mbetet më fuqi as për t’u ngritur në këmbë!(8)

  • Zgjidhesi I problemeve

Ai ishte një njeri që i zgjidhte të gjitha problemet e jetës shoqërore me lehtësinë e heqjes së një qimeje prej gjalpit(v) Bernard Shou që ka jetuar 13 shekuj pas Profetit, me fjalët e mëposhtme është vetëm njëri prej qindra kundërshtarëve të tij që e pranojnë këtë të vërtetë: “Sa nevojë ka njerëzimi në shekullin tonë të grumbullimit të problemeve njëri përmbi tjetrin për Muhammedin që i zgjidhte të gjitha vështirësitë me lehtësinë e pirjes së një kafeje!”

Print Friendly, PDF & Email