Cilat janë anët e butësisë së zemrës dhe përpikmërisë në çështjen e namazit që lidhen me detyrat tona dhe jetën e Ahiretit?

Butësia e zemrës është shenjë e imanit. Loti, që është gjuhë e butësisë së zemrës, është një mënyrë e të zbrazurit tek heronjët e dashurisë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Në Ditën e Gjykimit, kur flakët e Xhehenemit do t’i ndjekin njerëzit, do të shfaqet Xhebraili (a.s.) me një gotë ujë në dorë dhe do t’a pyes: “Çka është kjo?” dhe ai më përgjigjet kështu: “Këta janë lotët që kanë derdhur robërit besimtarë nga sytë e tyre duke qarë nga frika ndaj Allahut dhe është e vetmja gjë që mund t’i shuaj këto flakë trishtuese.”” Pra, lotët janë ilaqi i vetëm që në botën tjetër shuajnë flakët e Xhehenemit, kurse në këtë botë shuajnë zjarret e vetmisë dhe të ndarjes. Në Kur’anin Fisnik, vende-vende duke vlerësuar dhe ngritur butësinë e zemrës, thuhet: “Ata, kur dëgjojnë ajetet e Allahut bien me fytyrë për tokë (sexhde).” Kurse në një vend tjetër thuhet: “Le të qeshin pak e le të qajnë shumë!” dhe Pejgamberi (s.a.s) përgjërohet: “O Allah! Të mbështetem Ty nga zemra që nuk dridhet dhe nga syri që nuk loton!” Një zemër e butë, një zemër që dridhet, është gjithnjë e hapur për llogari dhe vështirësi, e merr shpesh në pyetje vetveten. Ashtu siç nuk i sheh nga vetja sukseset e arritura, edhe ato që i ka bërë i sheh të pakta. Bëhet një hero i “Hel min mezid”-it (a nuk ka më?) që nuk di të ngopet në emër të mirësisë dhe dobisë.

Për një njeri me zemër të butë as nuk vjen në shprehje të ngopurit dhe mjaftushmëria në çështjen e adhurimeve. Është çështje e lënë në vlerësimin e personit se sa do të bëjë adhurim pasi ka përfunduar farzet. Një njeri, për namazin që ka falur mund të thotë: “Unë këto nuk munda t’i falë me zemër të qetë, nuk munda t’i jepem sa duhet, atëherë do të falë namaze vullnetare në vend të tyre apo t’i bëj kaza namazet që i kam falur në pakujdesi”. Sasi të caktuara zëvendësohen. Meqë nuk dihet se kur do të vijë vdekja, koha deri te ardhja e së cilës shkon duke u ngushtuar, duke falur çdo ditë disa namaze ditore kaza plotësohen mangësitë dhe zbrazëtirat.

Për adhurimet vullnetare përdoret shprehja “xhebren li’n-noksan,” do të thotë “fashë për thyerjet dhe nxjerrjet nga vendi”. Me to, kemi për qëllim mbylljen dhe plotësimin e zbrazëtirave e mangësive dhe lidhjen e thyerjeve. Pra, kjo çështjë është diçka që ka mbetur në ndërgjegjjen e personit. Një person për një periudhë të caktuar ka falur farzin pa iu drejtuar Allahut xh.xh ashtu siç duhet. Një ditë e kupton urtësinë e nijetit, dhe i qaset nijetit me dëshirë që buron nga zemra dhe duke ndjerë afërsinë. Afërsinë e kupton si fshirje të preokupimeve nga zemra, harrimin e çdo gjëje në atë moment dhe hyrje në mendimin për Allahun. Dikush që e ka kuptuar nijetin kështu, nëse nuk hyn në namaz me nijet të këtij lloji llogaritet se nuk ka falur namaz. Në këtë çështje secili duhet të sillet sipas nivelit të tij. Në disa libra Hanefi, edhe pse nuk dihet nga ka dalur, është regjistruar se: “Thënja e nijetit me gojë është e preferueshme.” Nuk e di se si do të bëhet drejtimi i zemrës në namaz duke folur; mirëpo qenka bërë traditë që njerëzit kur bëhen gati për namaz, nijetin t’a bëjnë me zë. Nëse në këtë formë sigurohet drejtimi kah Allahu (xh.xh), shumë mirë… Por, nëse mbetet vetëm në shprehje dhe nëse thuhen disa fjalë pa ua ditur kuptimin dhe ashtu fillohet me namaz pa e drejtuar zemrën në anën e duhur, ka mundësi që namazi të mos pranohet. Pra, një njeri që e ka mësuar nijetin në këtë mënyrë dhe që ka filluar të jetojë brenda një komunikimi të tillë, mund të thotë: “Nuk i kam kaluar kot kohët e namazeve, por nuk e di a kam mundur t’ua jap hakun adhurimeve!” Duhet të bëj ‘mbulim të mangësive,’ duhet të fali namaze vullnetare.” Nëse Allahu (xh.xh.) i ka dhënë jetë edhe tridhjetë vjet një njeriu, duke falur çdo ditë namazet kaza të një dite ai i mbyll zbrazëtirat dhe mangësitë.

Krahas kësaj, tek Hanefitë ashtu siç falen me kujdes të madh pesë vaktet farz, duhet të falen edhe synetet e pesë namazeve. Këto dymbëdhjetë rekate janë urdhëruar me këmbëngulje nga ana e Pejgamberit (s.a.s.), dhe janë synet i fortë. Për synetin e ikindisë nuk ka detyrim të këtillë, por edhe ai është nga të këshilluarat. Edhe katër rekatet e para synet të jacisë janë nga të këshilluarat. Kjo nuk gjendet në “Kutub-u Sitte”; mirëpo në librin me emër “Fethu Babi’l-Inaje” të Ali el-Karit duke u bazuar në një hadith të marrur nga “Sunen”-i Said b. Mansurit, thekson se Pejgamberi (s.a.s.) ka falur katër rekate namaz synet para jacisë.

Edhe namazi tehexhud është shumë i rëndësishëm. Ata të cilët i kanë netët të ndriçuara me fenerin e tehexhudit, sikur dita do t’i kenë të ndriçuara edhe jetët e tyre në varr. Tehexhudi është një mburojë kundër errësirës së varrit, armë, pishtar dhe mjet sigurie që mbron personin nga dënimi i varrit. Çdo namaz ka marrë përsipër ndriçimin e një pjese të jetës së njeriut në botën tjetër; kurse tehexhudi është ushqim, furnizim dhe ndriçuesi i jetës së varrit. Në Kur’an në disa vende është shenjuar për tehexhudin. Për shembull, “Kaloje një pjesë të natës si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendos në një vend të lavdëruar.” “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” “Përmende Emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe mbrëmje. Në një pjesë të natës bëj Atij sexhde dhe natën falju gjatë Atij.”

Namazi tehexhud, ashtu siç mund të falet dy rekate mund të falet edhe tetë rekate. Sipas transmetimit të Muslimit dhe Buhariut, Abdullah ibn Omeri (r) i tregon të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) se kishte parë në ëndërr dy persona të tmerrshëm të cilët duke e kapur për krah e dërguan buzë një pusi të thellë e me flakë dhe kur nisi të frikësohet se do ta hedhin i thonë: “Mos u frikëso, nuk ka brengë për ty!”. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e këshillon duke i’u drejtuar në formën: “Sa njeri i mirë që është Ibn Omeri; sikur të falte edhe namazin e natës!” Allahu i kishte shfaqur Ibn Omerit në ëndërr një tabllo të jetës së varrit që i përket Xhehenemit dhe ia kishte bërë me dije që të përgatitej.

Bashkë me këto, edhe namazet tjera vullnetare sikur namazi “duha” dhe “evvabin”, do të kenë rolin e mbështjellësit të mangësive dhe zbrazëtirave të mbetura nga namazet farz dhe do t’i plotësojnë ato. Allahu (xh.xh) do t’i plotësoj zbrazëtirat tona në farze, me namazet vullnetare. Sipas një hadithi sherif që tregon për këtë çështje, pyetja e parë për të cilën do të pytet në ahiret është namazi. Allahu pyet: “A është në rregull namazi i robit Tim?” Ata thonë: “ Në rregull është.” Atëherë Allahu urdhëron: “Atëherë le të kaloj ai.” Nëse i thuhet “I ka namazet e mangëta.” Allahu pyet se: “A ka namaze vullnetare?” Kur të thuhet “ka” urdhëron: “Vendosni namazet vullnetare në vend të farzeve.” Si Mëshirë Hyjnore, namazet vullnetare vendosen në vendin e mangësive në farze. Po të doni, këtë mund t’a komentoni kështu: “Mbulimi i mangësive bëhet drejtpërdrejtë me vullnetin e Allahut (xh.xh.), pra mbulojën në Ahiret e shtron Allahu.”

Siç shihet, butësia e zemrës sonë dhe të qenurit i kujdesshëm ndaj namazeve farze e vullnetare është një burim i dashurisë, kënaqësisë, forcës dhe motivit për të çuar në vend detyrën e të qenurit rob në këtë botë; dhe në botën tjetër na bëhet bashkëudhëtar besnik në rrugën që fillon me vdekjen dhe zgjatet deri në Xhennet; na bëhet ndërmjetësues. Namazi, është një shkas që na afron te Krijuesi Madhështor dhe një litar i pakëputshëm që kapemi për të qëndruar në vend, një vegël e fortë. Namazi është për ne një burim për një jetë të moralshme dhe një mur i kështjellës që na mban larg të këqijave.

“ Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur prej Librit (Kur’anit) dhe fale namazin! Vërtetë namazi të ruan nga shthurrja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtetë, përmendja e Allahut është më e madhe. Allahu di gjithçka që ju bëni.”