Çfarë thuhet nё Kur’an për ardhjen e Pejgamberit Muhammed (a.s.)? Ditelindja, Mevludi

Duhet ditur se, për lindjen dhe pejgamberinë e Muhamedit (a.s.), ka pasur paralajmërime edhe në librat e shenjta, si nё “Inxhilë” – (Bibёl), por edhe arabët idhujtarë kanë pasur parandjenja për ardhjen e një Pejgamberi nga mesi i tyre.[1] Nё Kur’an shprehimisht thuhet:

“Dhe, (kujto) kur tha Isai, biri i Mejremes: O izraelitë, vërtet unë jam i dërguari i All-llahut tek ju për ta vërtetuar Tevratin, që ka ardhur para meje dhe për t’ju përgëzuar për një pejgamber që do të vijë pas meje, emri i të cilit do të jetë Ahmed (Muhammed).”[2]

Kështu pёrgёzoi Isai (a.s.) në “Inxhil” – (Bibël), për ardhjen e Muhamedit (a.s.). Kështu po paralajmërohej lindja e Pejgamberit, për të cilin ndihej nevojë shumë e madhe. Ishte ajo koha e ardhjes sё Pejgamberit, për tё cilin kishin paralajmëruar edhe pejgamberët e mëparshëm. Thënia e Isait u vërtetua dhe paralajmërimi u realizua me lindjen e Muhamedit (a.s.), për tё cilin nё Kur’an u tha:

 “Vërtetë All-llahu u ka dhënë besimtarëve një dhuratë të madhe kur u solli një të dërguar nga mesi i tyre i cili ua lexon shpalljet e Tij i pastron nga gjynahet dhe u mëson librin (Kur’anin) e urtësinë edhe pse më parë ata ishin në rrugë të gabuar”.[3]

Pra, dhurata e madhe që iu bëri Krijuesi i Gjithёsisё besimtarëve ishte dërgimi i Pejgamberit tё fundit, njё personalitet, që nuk ishte i panjohur për rrethin ku jetonte. Ai ishte nga mesi i tyre. Ai ishte njeriu që kishte lindur, rritur e edukuar nё mesin e tyre. Dhe s’do mend se, kjo që po ndodhte në këtë mënyrë, nuk ishte rastësi, por njё premtim që po bëhej realitet dhe po vinte nga mëshira e tё Gjithëmëshirshmit:

“Dhe Ne nuk të dërguam ty (Muhamed ndryshe) vetёm mëshirë për të gjithë botët”.[4]

Pra dërgimi i Muhamedit (a.s.) ishte nga mëshira e tё Gjithёmёshirshmit për njerëzinë, por ardhja e Pejgambrit (a.s.) është edhe pasqyrim dhe realizim i duasë së Ibrahimit (a.s.), nga gjenealogjia e tё cilit lindën, erdhën dhe u shpallën tre pejgamberёt e feve monoteiste; Musai, të cilit i zbriti Tevrati (Tora), Isai, të cilit i zbriti Inxhili (Bibla) dhe Muhamedit (a.s.), të cilit i zbriti Kur’ani nё tё cilin gjejmë duanë e Ibrahimit (a.s.) kur ishte lutur:

“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre një të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë”.[5]

Nё njё transmetim tё Imam Ahmedit thuhet se, i Dërguari i Allahut (a.s.), ёshtё prononcuar vetë për lindjen e tij: “Unë tek All-llahu kam qenë i dërguari i fundit, kur Ademi ka qenë në procesin e krijimit nga dheu, ndërsa për këtë do t’ju lajmëroj. Me të vërtetë unë jam rezultat i duasë së Ibrahimit, njoftimit përgëzues të Isait, (a.s.), dhe pamjes (ruё’ja) të cilën e ka parë nëna ime, sepse nënat e pejgamberëve kanë pasur të shikuara.

Hasan ibni Thabiti [poet i pranuar nga vetë Muhamedi (a.s.)] thotë: “Kur kisha shtatë apo tetë vjet, aq sa kam mundur të kuptoj dhe tё mbaj mend gjithë ato që dëgjoja, në një mëngjes kam dëgjuar një hebre duke thirrur me zë: “O Kurejshitë, a ka lindur mbrëmë ndonjë fëmijë tek ju? I janë përgjigjur: ‘Nuk e dimë’. Hebreu thotë: “… Dëgjoni mirë o Kurejshitё! Sonte tek ju ka lindur Pejgamberi i fundit nё botë… Në mes të shpatullave të tij ka një shenjë të zezë, e ajo është vula e tij pejgamberike. Verifikoni, se me të vërtetë nё këtë natë ka lindur i dërguari i fundit i këtij umeti.”[6]

Komentatori i Kur’anit- Hafidh Ibni Kethiri, në veprën e tij kapitale “El-Bidaje ve En-Nihaje” ka shkruar njё kapitull të veçantë mbi fenomenet, çudirat dhe mrekullitë, tё cilat ndodhën në natën kur lindi Muhamedi, (a.s.) e ndër tё tjera ai ka përmendur edhe:

  • Të rënët e porsalindurit (Muhamedit a.s.) me fytyrë për toke (në sexhde).
  • Pozita e ulët e yjeve gjatë asaj nate (yjet ju afruan Tokës).
  • Dridhja e pallatit të Kisras dhe rrënimi i 14 shtyllave tё tij.
  • Shuarja e zjarrit, që adhurohej në Persi, zjarr, që ishte ndezur 1000 (njëmijë) vite më parë, e që asnjёherё nuk ishte shuar gjer me lindjen Muhamedit (a.s.).
  • Atë natë u thyen idhujt, që ishin në brendësi të Qabes e që adhuroheshin nga arabët.
  • U shterua e u tha liqeni i quajtur Sava, të cilin e besonin si të shenjtëruar.
  • U shfaq “Nurë” (njё dritë e madhe), tё cilën e pa Amineja, e ëma e Muhamedit.

Kur nëna e të Dërguarit e ka lindur Muhamedin paskësh pa nurin (dritën) që i ka ndriçuar edhe pallatet e Shamit.”[7]

Poeti shqiptar Tahir ef. Popova, nga Vushtrria e Kosovës, nё Mevludin e tij, këtë ndodhi e shpreh kështu:

Prej Mashrikut, deri n’magrib gjithё Dunjasё-

I dha hjeshi lemja e k’tij Mustafasё ![8]

Në “Musnedin” e Imam Ahmedit, transmetohet tё ketë thënë Ibni Abbasi: “I Dërguari i All-llahut, (a.s.), në ditën e Hënë ka lindur, në ditën e Hënë është dërguar si pejgamber, në ditën e Hënë është shpërngulur nga Mekka, në ditën e Hënë ka hyrë në Medine dhe në ditën e Hënë e ka vendosur Haxheru-El-esvedin në vendin e tij me rastin e rinovimit të Qabesë.

Abasi (r.a.), i biri i Abdu El-Mutalibit, xhaxhai i Pejgamberit (a.s.), në një rast, i është drejtuar Pejgamberit (a.s.) me këto vargje:

Kur ti u linde u shndrit toka,

Me nurin tënd u ndriçuan horizontet

E ne me atë ndriçim

Rrugës së drejtë po ecim.[9]  

Nisur nga këto vargje të H. Abasit (r.a.) kuptohet se, poezi për Muhammedin (a.s.) janë thurur edhe sa ishte gjallë vetë Pejgamberi (a.s.), madje edhe vetë mevludi, si vepër artistike letrare, është një poemë fetare e shkruar në vargje, është poezi biografike, kushtuar Muhamedit (a.s.).

Pra, nga kjo që u përmend deri më tani, mësuam se i dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.), ka lindur në mëngjesin e së hënës, datë 12 (dymbëdhjetë të Rebiu El-Evvelit), në Vitin e Elefantit më (20 prill të vitit 571 m) në Mekë, saktësisht 50 ditë pas ngjarjes së njohur të tentimit tё Ebreha-s pёr rrënimin e Qabesë (Viti i Elefantit), për të cilën flitet në suren 105 të Kur’anit, tё quajtur “El-Filë”.

Dihet se Babai i Muhamedit (a.s.) quhej Abdullah ibn Mutalib, ndërsa nëna e tij ishte Amine bint Vehb. Lindja e tij, sipas shumicës së historianëve dhe dijetarëve myslimanë, ka ndodhur në agim të ditës së Hënë.[10] Amineja, tashmë e veja e Abdullahut, kishte lindur një djalë me specifika të veçanta, me karakteristika të papara, me fenomene të jashtëzakonshme, thënë ndryshe, kishte ndodhur vetë mrekullia.

Meqë Muhammedi (a.s.) kishte mbetur jetim ende pa lindur, sepse babai, Abdullahu, kishte vdekur disa muaj para lindjes, për rritjen, zhvillimin dhe edukimin e tij do të kujdeseshin e ëma, Amineja, mendorja (gjidhënëseja), Halimja, gjyshi, Abdulmutalibi, xhaxhai, Ebu Talibi dhe ndonjë tjetër prej të afërmeve të tij. Muhamedi (a.s.) nuk pati rast të shkollohet edhe pse në atë kohë, në Mekë, kishte njerëz të ditur dhe që dinin shkrim e lexim. Si i ri, u veçua nga të tjerët me karakter, moral e virtyte të larta.

Që në rininë e hershme, Muhamedi (a.s.) dallohet shumë nga moshatarët e tij në shumë aspekte. Ai u tërhoqi vëmendjen njerëzve për mirë. Të përmendim se kur ai po shoqëronte xhaxhain e tij, Ebu Talibin, për tregti në Sham, në moshën 12 vjeçare,[11] Muhamedin (a.s.) e kishte parë një prift i devotshëm i quajtur Behira, të cilin e kishte habitur personaliteti i Muhamedit (a.s.). Me kёtё rast Behira kishte porositur Ebu Talibin, që të kishin kujdes dhe konsideratë ndaj tij, duke i thënë: “Nga ky djalosh pritet një punë-mrekulli e madhe, saqë do të përmendet në lindje dhe në perëndim”.[12] Muhamedi (a.s.), në moshë të re, ka qenë edhe bari delesh,[13] por edhe pjesëmarrës në beteja të ndryshme me xhaxhallarët e tij.[14]

Duhet veçuar edhe martesa e Muhamedit (a.s.) me Hatixhen, të bijën e Huvejlidit, që në një farë mënyre, përveç mirëqenies sociale, kjo bashkëshortësi siguroi edhe dobi e tё mira materiale. Ajo ishte gruaja e parë dhe për derisa qe gjallë ajo, Pejgamberi (a.s.) nuk ka pasur grua tjetër.[15] Të gjithë fëmijët Muhamedi (a.s.) i pati me Hatixhen, me përjashtim të Ibrahimit. Fëmijët e tyre ishin Kasimi, Tahiri, Tajjibi, Zejnebeja, Rukija, Ummi Kulthumi dhe Fatimja.

Prej shumë ndodhive, ngjarjeve dhe aktiviteteve nga jeta e Muhamedit (a.s.), vlen për t’u theksuar edhe zgjidhja e konfliktit, në mënyrë paqësore, në mes të fiseve arabe, në lidhje me vënien e “Haxheri esvedit – (Gurit të Zi)” në themelin e Qabesë. Meqë ishte bërë problem vënia e gurthemelit gjatё rindërtimit tё Qabes, Muhamedi (a.s.) ofroi zgjidhjen më të mirë. Propozoi që të gjitha fiset gurin e zi ta bartin me një çarçaf deri te vendi i duhur e pastaj, ai me duart e tij, e vendosi atë në themel të Qabes. Kjo ngjarje ndodhi më 12 Rebiul-Evvel, kur Muhamedi (a.s.) ishte 35 vjet dhe prej atij çasti i dhanë emërtimin “EI-Emin” (Besniku).[16]

Po me këtë datë, më 12 Rebiul-Evvel të vitit 610, Muhamedit (a.s.) i erdhi Vahji-shpallja, i zbriti Kur’ani Famëlartë, udhërrëfyes i pakufizuar në kohë dhe hapësirë, jetë e gjallëri, drejtues, ligj e mirëqenie për mbarë njerëzinë, standard për çdo vend e kohë, i paprekshëm e i pa abroguar kurrë.

Po me këtë datë, në paraditen e së hënës, më 12 Rebiu El-Evvel, Muhammedi (a.s.), ndërroi jetë, duke lënë pas Kur’anin e Madhërishëm, që iu shpall nga Allahu dhe Hadithet e Muhammedit (a.s.), traditën e tij, që e bënë të pavdekshme jetën dhe veprën e tij.

E gjithë kjo, lindja, jeta dhe veprimtaria e Tij, periudha para pejgamberllëkut të Muhamedit (a.s.), ka rëndësinë dhe domethënien e vet, por ajo që pati jehonë anë e kënd botës, ajo që e bëri të përjetshëm e që të mos harrohet kurrë është shpallja e tij Pejgamber nga Allahu (xh. xh.) dhe zbritja e Kur’anit, që po ashtu ndodhi më 12 tё Rebiu El-Evvelit.

 

[3]. Kur’ani, sureja Al ‘Imran, ajeti 164

[4]. Kur’ani, sureja El- Enbija, ajeti 106.

[5]. Kur’ani, sureja El-Bekare, ajeti 129.

[6]. Transmeton Hakimi dhe Jakub ibni Sufjani, me sened të mirё (Hadith hasen).

[7]. Transmetim i El-Bizzarit dhe Taberanisё; Hafiz ibni Haxheri ka thënë se ky hadith është sahih. Kёtё e pohojnё edhe te Hibbani dhe Hakimi.

[8]. Tahir ef. Popova, në Mevludin e tij, tё titulluar “Mendhumetu El-Mevludi fi Efdali El-Mevxhudi bi Lisani El-Arnauti” nё origjinal f. 8, tё cilin e shkroi më 1890 dhe e botoi nё Stamboll, me lejen e Ministrisë së Arsimit tё Turqisë, me nr. 109.

[9]. Shakir El-Bedrij, “Edh-dhikra El-Halidetu li-En-Nebijji El-Halidi”, botoi “Daru El-Basrij”, Bagdad, 1969 m – (1388 h.), f. 16-17.

[10]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijetu li Ibni Hisham”, pjesa e parë, botimi III, Bejrut, 1971 m/1391 h, f. 167.

-Shih Ebu Abdil-lah Ez-Zinxhanij, Tarihu El-Kur’ani, Bejrut, 1969 m – (1388 h), f. 17.

-Shih edhe: Safijurrahman, Nektari i Vulosur i Xhenetit, përkthyer nga boshnjakishtja, “ Urtësia” – Shkup, 1997, f. 54.

[11]. Ebu El-Fidai Ismail bin Umer bin Kethir El-Kurejshij, “El-Fusulu fi Sireti Er-Resuli”, përpunuar dhe korrektuar nga Ebu Usamete Selim, Es-Selefij, botimi I, libri 1, Kuvejt, 2003 m – (1424 h.), f. 49.

[12]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijetu Li-Ibni Hisham”, pjesa e parë, botimi III, Bejrut, 1391 h. (1971), f. 191-194.

-Shih edhe: Safijurrahman El-Mubarekfuri, vepër e cituar, f. 21.

[13]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijjetu Li-Ibni Hisham”, pjesa e parë, botimi III, Bejrut, 1391 h. (1971), f. 176.

[14]. Es-Siretu En-Nebevijetu Li-Ibni Hisham, f. 195-196.

[15]. Grup autorësh, “Es-Siretu En-Nebevijetu”, vepër e cituar, Bejrut, 1391 h. (1971), f. 201.

– Shih edhe Safijurrahman El-Mubarekfuri, Nektari i Vulosur i Xhenetit, përkthyer nga boshnjakishtja, Urtësia-Shkup, 1997, f. 61.

[16]. Po aty, f. 204, 209.

 

Marre nga: https://www.zaninalte.al/2018/11/tradita-e-mevludit-te-myslimanet/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.