Ç’do të thotë “Kalu-bela”?

Këto fjalë i përkasin një dialogu, një marrëveshjeje mes Krijuesit dhe krijesave të Tij, përkatësisht njerëzve. Në këtë dialog pyetet: “A s’jam unë Zoti juaj?” Dhe merret përgjigjja: “Po, Zoti ynë je!”

Kjo çështje ka dy aspekte: 1. Kujt i është bërë kjo pyetje dhe si. 2. Kur është bërë.

Nisur nga aspekti i parë, mund të parashtrohen disa mendime.

1. Fakti që njeriu, ndërsa s’ishte asgjë, mori urdhrin “Bëhu!” dhe iu përgjigj me “Po!” këtij urdhëri, konsiderohet një dialog dhe marrëveshje me vlerë gjenetike, krijimi.

2. Fakti që Zoti i botërave, i cili e edukon çdo gjë duke e shtyrë drejt një përsosjeje, ndërsa njeriu ende ndodhej në trajtë grimcash në botën e atomeve, madje edhe përtej saj, iu drejtohet atyre grimcave duke ua mundësuar të ndiejnë kënaqësinë për t’u bërë njeri dhe u kërkon një fjalë e një betim, konsiderohet akti sipas të cilit çdo grimcë, duke marrë mbi supe një barrë shumë më të rëndë se mundësitë e veta, i përgjigjet pozitivisht propozimit për krijim të Zotit të vet.

Dialogu ose marrëveshja me propozim dhe pranim e supozuar të jetë bërë në dy trajtat e parashtruara më lart, duket se nuk është bërë me anë të fjalëve dhe shprehjeve. Nisur nga kjo, një pjesë komentuesish (specialistësh të tefsirit) të Kur’anit e kanë parë këtë marrëveshje si një marrëveshje metaforike – analogjike.(1) Me fjalë të tjera, sikur ashtu është thënë, sikur ashtu është dhënë përgjigje dhe sikur marrëveshja bart një vlerë juridike; nuk është një akt i bërë me fjalë ose me shkrim.

Në të vërtetë, arritja në një konkluzion të tillë pa marrë parasysh indeksin “pyetje-përgjigje” të Zotit, i cili zotëron mundësitë e një mijë e një lloj pyetjesh dhe e një mijë e një lloj përgjigjesh, është një punë e nxituar. Kur të jetë vendi, edhe për këtë do të bëjmë fjalë.

3. Një kërkesë vendimi dhe një marëveshje dëshmimi e tillë është identitet i faktit që njeriu ta ndiejë vetveten dhe që ta kuptojë se s’është gjë tjetër veç vetes së vet, se përfaqëson një intuitë vetveteje, të vërtetën ” Kush njeh vetveten, njeh Zotin”, është të vihesh të vështrosh një pasqyrë cilësie, të bëhesh dëshmitar i hojëzimit, kësaj rruge, i të vërtetave shumëngjyrëshe që reflektohen në vetëdijën tënde e ta shpallësh këtë dëshmi. Ç’e do se kjo kërkesë dhe ky pranim, kjo dhënie-marrje fjale e ky urdhërim e përgjigje nuk janë mjaft të qarta e që mund të ndihen menjëherë. Ndoshta janë nga gjërat që ndihen pas shumë paralajmërimesh e tërheqjesh vëmendjeje; edhe rëndësia dhe vlera e veprimtarisë orientuese nga ky moment zë fill.

Vetja, vetvetja e njeriut ose ego-ja që i është dhënë si amanet njeriut, i është dhënë me qëllim që ta njohë dhe pohojë ekzistencën e lartë, sublime të Krijuesit. Fundja, qëllimi i ekzistencës së njeriut është identitet i kësaj njohjeje dhe pohimi. Për rrjedhojë, njeriu, ashtu siç me ekzistencën e vet tregon për ekzistencën e Tij dhe me atributin e vet për atributet e Tij, ashtu edhe me mangësitë e veta tregon për përsosmërinë e Tij, me nevojëtarinë e vet, për faktin se Ai është absolutisht i pasur e s’ka nevojë për asgjë, me dobësinë dhe cinizmin e vet, për pushtetin dhe bujarinë e Tij. Kjo është bujaria e parë dhe dhurata e parë. Kurse aftësia njohëse dhe konceptuese që përbëjnë domosdoshmëri të bujarisë dhe dhuratës së parë, janë pohimi dhe shpallja e Krijuesit të Lartë, ekzistenca e të Cilit – në saje të aftësisë njohëse e konceptuese që iu falën njeriut – ndihet në ekzistencën e çdo qenieje, nuri, bukuria e të Cilit ndihet në çdo dritë. Dhe kjo është dialogu ose marrëveshja njohëse mes Krijuesit dhe krijesës njeri.(2)

Kjo marrëveshje, në përfundim të kuptimit – nga ana e krijesës – të brendisë së librit të mrekullueshëm të shkruar prej Fuqisë dhe Vullnetit Hyjnor dhe konceptimit të të fshehtave të rrjeshtave ku përshkruhen ngjarjet, dukuritë dhe ndodhitë, është, pothuajse, si një kërkesë dhe pranim.(3)

4. Kjo marrëveshje dhe pyetja-përgjigjja brenda saj nuk duhet të mendohen materialisht dhe nuk duhet të vlerësohen materialisht. Zoti (Xh.Xh.) u jep urdhëra të gjitha krijesave sipas veçorive të tyre të posaçme dhe po kështu ndien zërat dhe thirrjet që ngrihen prej krijesave, i kupton ato dhe i pranon si të jetë vendi e ua realizon. Po qe se do ta shprehnim këtë me terminologjinë e të folurit material, do të thoshim se Allahu (Xh.Xh.) që kupton çdo thënie të qenieve të cilat, ashtu si dhe njeriu, e shprehin mendimin e tyre me anë të gjuhëve dhe dialekteve të ndryshme, në të njëjtën kohë u jep urdhëra atyre dhe ua tregon të vërtetat po ashtu, me gjuhë dhe dialekte të veçanta sipas popullatës përkatëse. Në të njëjtën mënyrë Ai e trajton njeriun dhe gjithësinë, merr fjalë prej krijesave, bisedon dhe lidh marrëveshje me ta. Kësaj i thuhet “të folurit me fjalë”.(4) Veç kësaj, Zoti ka edhe mënyra të tjera të foluri, nga frymëzimi drejtuar kafshëve gjer te trajta e komunikimit hyjnor për të cilën janë të denjë engjëjt, mënyra, këto, që janë variacione më vete të të folurit në vetvete, pa fjalë ose të të folurit jomaterial.(5)

Kjo mënyrë e të folurit (jomaterial) e Zotit, megjithëse përshkohet në një mjedis e në një kuadër tepër të gjerë, nga frymëzimet që vijnë në zemrën e njeriut e gjer te bota engjëllore, për shkak se çdo kuadër e mjedis e ka krejt të veçantë mënyrën e komunikimit, domethënë “dhënie-marrjes”, është e pamundur që një mjedis apo kuadër të dëgjojë apo përcaktojë (interceptojë) mesazhet që shkojnë nëpër mjediset e tjera, zërat dhe shprehjet e lartësuara prej atje.

Ç’është e vërteta, pretendimi ynë se mund të dëgjojmë çdo gjë, është një opinion shumë i gabuar. Sot, më në fund, e kemi të qartë se nga gjërat që mund të dëgjohen, ne dëgjojmë vetëm disa për milion dhe, nga gjërat që mund të shihen, po aq. Kjo do të thotë se bota që shohim e dëgjojmë ne, në raport me botërat që s’i shohim e s’i dëgjojmë, është një hiç.

Nisur nga kjo, është krejt e pamundur që me kriteret dhe etalonet tona të vockëla të rroken dhe përcaktohen e folura e Zotit me molekulat, urdhërat për sistemet, zbërthimet dhe analizat të cilat kryhen në dimensione shumë të larta.

Allahu (Xh.Xh.) do të bëjë marrëveshje me molekulat, do të bëjë marrëveshje me qelizat, do të bëjë marrëveshje në botën e atomeve, në barkun e nënës, në periudhën e fëmijërisë, por të gjitha këto, brenda kritereve tona, ne kurrë nuk do të mundim t’i rrokim dhe përcaktojmë hapur. Sidomos në se ky dialog dhe kjo marrëveshje bëhen me shpirtin e njeriut dhe me ndërgjegjen si një mekanizmë e shpirtit…

Shpirti i njeriut është një qenie e pavarur dhe kjo specifikë tashmë është ndriçuar aq sa të mos lejë vend për debatim. Parapsikologjia me degët e saj që e ka rrethuar gjithë botën shkencore, e ka shndërruar sot në të tillë temë kureshtare shpirtin me ekzistencën, funksionet, dëshirat dhe shpresat, sa që s’ka mbetur sallon mondan e katedër shkencore pa bërë fjalë për të. Me që tjetër herë kemi qëndruar mbi shpirtin si temë krejt më vete e të pavarur, tani do të prekim vetëm aspektin që ka lidhje me çështjen tonë.

Me që shpirti, para se të hyjë në trupin e njeriut, zotëron, në një kuptim, cilësi mbikohore, pyetje-përgjigjen si marrëveshje, të bërë në ato kushte, do ta kemi krejt të pamundur për ta konceptuar brenda kritereve tona të të kuptuarit e të të riprodhuarit. Po, shpirti flet ngjashëm me të folurit e të dëgjuarit në ëndrra, merr e jep lajme pa pasur nevojë për dridhjet zanore, ashtu siç ndodh në telepati. Kjo e folur e veçantë do të regjistrohet në shirita të posaçëm, do të ruhet në kaseta të posaçme dhe, kur të jetë vendi, do të dalë në shesh duke iu drejtuar në mënyrën e posaçme për të; do të flasë duke përdorur gjuhën e vet dhe prapë, me anë të thirrjeve të posaçme për personin e vet, do të dalë në shesh.

Pra, shpirtrat u thirrën në “tavolinën e bisedimeve” (6) për të bërë një marrëveshje me Zotin e tyre. Me që mjedisi i atyshëm s’ishte material, e panë çdo gjë krejt hapur dhe thanë “Po!” dhe e nënshkruan marrëveshjen. Vetëm se një pjesë njerëzish që ndodhen me shumicë në ditët tona, për shkak se nuk e njohën fare kapitullin mbi ndërgjegjen të librit të shpirtit, nuk rastisën në një marrëveshje dhe në një nënshkrim të tillë. Dhe as që patën mundësi të rastisnin, sepse as i kishin hedhur ndonjëherë sytë asaj bote, as kishin bërë ndonjë kërkim rreth saj. Në të vërtetë, ja ky ka qenë libri i pafjalë që kanë dashur të lexojnë Kanti duke hedhur pas shpine të gjitha librat e shkruara mbi përshkrimin dhe përkufizimin e Zotit dhe Bergsoni duke i kthyer shpinën universit material. Shpirti duhet të dëgjohet, duhet t’u vihet veshi frymëzimeve të shpirtit, duhet të ngrihet laboratori për të kuptuar gjuhën e ndërgjegjes dhe në indeksin e reflektuar në vetëdijë duhen bërë përpjekje për të parë fytyrën e së vërtetës.

Ky libër është, i vetëm, dëshmitari më i pagabueshëm i të vërtetës së lartë dhe “pala” ose subjekti që ka hedhur nënshkrimin në marrëveshje, mirëpo nuk është fort e lehtë t’ua tregosh këtë gjë atyre që janë të privuar prej dëshirës dhe zellit për ta mësuar këtë gjuhë!

Në se kokat do të mund të pastroheshin prej kufizimeve, njeriu do ta dëgjonte dhe shihte ndërgjegjen e vet duke i thënë “po” kësaj marrëveshjes së parë. Në të vërtetë, ky është edhe synimi i meditimeve dhe kërkimeve objektive e subjektive: të shpëtohet mendja prej ideve fikse, t’i fitohet liri mendimit dhe, me anë të objektivit të mendimit të lirë, të bëhen përpjekje për t’u lexuar këto shkrime të imta që ndodhen në ndërgjegje. Ka sa e sa njerëz që e kanë mësuar veten të shohin, kësaj rruge, në thellësitë e zemrës, të cilët e kanë krejt të pamundur t’i gjejnë në ndonjë libër ato ç’ka kanë gjetur e përftuar me anë të vëzhgimit të brendshëm dhe me anë të ndjenjave të brendshme. Edhe simbolet dhe shenjat e librave hyjnorë vetëm nën këtë objektiv shfaqen me tërë gamën e ngjyrave të posaçme vetëm për ta. Kurse ata që s’mundin ta shohin këtë horizont e që s’munden ta kapërcejnë vetveten, kurrë s’do të mund të kuptojnë gjë nga kjo.

Dhe tani le të vijmë te aspekti i dytë i çështjes. Kur u bë, vallë, kjo marrëveshje? Le të parashtroj menjëherë se, në lidhje me këtë, është mjaft e vështirë të tregohet ndonjë gjë në trajtën e ajetit kur’anor apo hadithit, porosive profetike. Por është e mundur të bëhet fjalë për disa shprehje të disa komentuesve të Kur’anit.

Kjo kërkesë dhe pranim ka ndodhur gjatë udhëtimit të spermës në mitër. Ka ndodhur kur fetusi ka marrë trajtë njerëzore. Ose ka ndodhur kur fëmija është maturuar dhe është bërë i vetëdijshëm për qenien e vet… (?!)

Të gjitha këto lloj konsideratash kanë metodën dhe rrugën e vet të apologjisë. Por ç’e do se është mjaft e vështirë të tregosh ndonjë shkak serioz për të parapëlqyer njërën prej tyre ndaj të tjerave ose për ta pranuar si prioritare ndonjë tjetër specifikë ndaj tyre.

Kjo marrëveshje mund të jetë bërë në botën e shpirtrave, por edhe në një botë tjetër, ku shpirti të ketë kaluar në marrëdhënie me atomet e veta. Mund të ketë ndodhur në cilëndo prej periudhave të zhvillimit embriologjik ose edhe në një prej etapave të zhvillimit të fëmijës gjer në periudhën e maturisë së plotë…

Allahu (Xh.Xh.) që u flet bashkërisht të djeshmes e të sotmes e që i dëgjon të djeshmen e të sotmen bashkërisht, mund ta ketë bërë këtë marrëveshje në secilën ose në të gjitha këto periudha bashkë. Ne jemi kah e dëgjojmë këtë zë që vjen nga thellësitë e ndërgjegjes dhe e ndiejmë zemrën të aftë për të dëshmuar për një bisedë dhe marrëveshje të tillë.

Por ç’e do se, ashtu siç stomaku e tregon urinë me gjuhën e vet të posaçme, ashtu siç trupi flet me gjuhën e tij të posaçme për vuajtjet dhe dhimbjet, edhe ndërgjegjja bën fjalë për marrëveshjet duke përdorur gjuhën e vet të posaçme, duke i ndejtur besnik terminologjisë së vet; ndërgjegjja rënkon për shkak të dhimbjeve e anktheve që ndien, rropatet për t’i mbetur besnik fjalës së dhënë dhe u jep vazhdimësi emocioneve të veta në trajtën e një dallgëzimi të pandërprerë. Kur, si një fëmijë, me rënkimet e veta tërheq vëmendjen, e konsideron veten fatbardhë e të lumtur, kurse atëherë kur nuk mundet ta tregojë hallin e vet, kur nuk gjen dot dikë që t’ia shohë hallin, përpëlitet në dëshpërim.

Zemra që është një pasqyrë e shkëlqyer e aftë të pasqyrojë të vërtetën më të lartë, ç’bibliotekë e pasur që është, ç’fletore e shkëlqyer që është, ç’kuti ruajtëse e përsosur që është! Por vetëm në sytë e nxënësit që kupton prej saj!..


[1] Në origjinal: Istiare-i temsilijje.
[2] Në origjinal: Elestu ve bela.
[3] Në origjinal: Ixhab ve kabul.
[4] Në origjinal: Kelam-i lafzi.
[5] Në origjinal: Kelam-i nefsi.
[6] Në origjinal: Elest bezmi. Ne po e përkthejmë në përshtatje me koncepsionin e sotëm.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.