A theret kurban për të vdekurit?

Nëse dikush dëshiron që të therë kurban me qëllimin që sevapi i therjes së tij t’i shkojë një personi të dashur a të afërt që ka vdekur, mund ta bëjë këtë. Ashtu sikurse në emër të një njeriu të vdekur mund të jepet pas vdekjes sadaka apo të bëhet haxh në emër të tij, mund të theret edhe kurban në emër të tij. Kështu, Profeti ynë ka therur kurban në emër të njerëzve nga umeti i tij që nuk mund të thernin kurban.[1]

Në Sunenin e Ebu Davudit, nën titullin përmbledhës “Therja e kurbanit pas vdekjes së dikujt”, transmetohet ky hadith:

“Aliu (r.a.) therte dy desh, ndër të cilët njërin për Profetin. Kur e pyetën për këtë, tha: “I Dërguari i Allahut më ka lënë amanet që të ther kurban për të sa të jem gjallë. Kurrsesi nuk e lë pa bërë këtë.”[2]

Fakti se Profeti ynë i ka lënë porosi Hz. Aliut (r.a.) që të therë kurban për të është argument që tregon se në emër të tij mund të bëhet kurban. Për këtë arsye, ata që kanë mundësi çdo vit mund të therin si kurban për Profetin tonë të dashur së paku një dele/dash ose të marrin pjesë në një të shtatën e një kurbani lopë. Kjo do të ishte një sjellje plotësisht e pranueshme dhe me vend. Allahu i Madhëruar na mundësoftë që të therim kurban për Profetin tonë dhe përmes kësaj na dhuroftë përjetësinë e na faltë hirin dhe kënaqësinë e Vet! Po ashtu, e bëftë edhe Profetin tonë të kënaqur me ne! Profetit tonë, familjes së tij të lartë, shokëve të tij, bashkëshorteve të tij të dëlira u qoftë mëshirë e selam! Amin![3]

Nëse dikush, me të hollat që fiton vetë, ther një kurban për t’i dhuruar sevapin një të afërmi të vdekur, nga mishi i atij kurbani mund të ushqehet edhe vetë, sikurse t’i dhurojë edhe të tjerëve. Gjithashtu, nuk është kusht një kurban me këtë nijet të theret vetëm në ditën e Bajramit. Mund të theret në çdo kohë. Nëse theret dhe u shpërndahet të varfërve në ditën e Arefes, është edhe më mirë, pasi në ditën e Bajramit të Kurbanit, sido që të jetë, të varfërve do t’u shpërndahet mish. Nëse theret dhe shpërndahet në ditën e Arefes, kjo mundëson që ata të ushqehen me mish edhe atë ditë.

Nëse dikush që është ndarë nga jeta ka lënë porosi testamentare që më parë që të theret kurban në emër të tij, atëherë ky kurban duhet të theret në ditët e Bajramit. Prej këtij mishi nuk mund të hajë askush nga familja apo të afërmit, por duhet dhënë i gjithi për sadaka. Edhe nëse personi i ndarë nga jeta nuk ka lënë ndonjë porosi, por nga të hollat e lëna prej tij theret kurban, veprohet njëlloj si në rastin e kurbanit për të cilin është lënë porosi. Edhe në mos pastë porosi testamentare apo betim (nedhr), sipas shumicës së fakihëve, me përjashtim të shafive, mund të theret kurban në emër të tij, me qëllimin për t’i dhuruar të vdekurit sevapin përkatës.

Një kurban i therur në këtë mënyrë nuk dallon nga therja e kurbaneve të tjera në Bajramin e Kurbanit.

 

Marre nga: http://islami.al/ilmihali/disa-ceshtje-ne-lidhje-me-kurbanin/

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.