A duhet te shkojme edhe tek te afermit qe nuk na vijne? Vizitat dhe marrëdhëniet familjare

Njerëzit që i ndalin vizitat me ne

Vizitat e paketa dhe shkëputja e marrëdhënieve e të afërmve dhe moskryerja e detyrave të ruajtjes së lidhjeve me të afërmit nga ana e tyre, nuk mund të jenë kurrsesi justifikim që ne ta lëmë pas dore këtë detyrë. Pasi, në hadithet e bekuara na është thënë mjaft qartë, se ruajtja e lidhjeve familjare me të afërmit është edhe më e virtytshme kur ajo kryhet ndaj njerëzve që i kanë shkëputur marrëdhëniet me ne. (shih. Buhariu, edeb 15; Ahmed b. Hanbel, el-Musned 24/383)

T’i telefonojë të afërmit dhe t’i pyesë, t’u shkojë atyre për vizitat, t’ua puthë duart më të mëdhenjve dhe sytë më të vegjëlve. Por sa keq, që siç e nënvizuam edhe më herët, në ditët e sotme, edhe mes kushërinjve më të afërm ka një shkëputje teje serioze. Për këtë arsye, ne duhet të shkojmë te të afërmit tanë edhe nëse ata nuk vijnë te ne; t’i pyesim ne se si janë dhe se si kanë qenë, edhe nëse ata nuk na telefonojnë asnjëherë që të na pyesin ne. Sepse, siç thuhet edhe në një fjalë të urtë, të mirës me të mirë i përgjigjen të gjithë, po të rrallë (vetëm ai që është i pjekur) i përgjigjet së keqes me të mirë.

Ruajtje e vërtetë e lidhjeve me të afërmit

Të gjithë i përgjigjen ruajtjes së lidhjeve me të afërmit. Të gjithë shkojnë tek ata që u vijnë. është e lehtë t’ua kthesh me të mira atyre që ju bëjnë mirë e që sillen mirë e që ju trajtojë juve me mirësi. është e lehtë të bësh mirë kur është reciproke. Pasi kjo është edhe si një farë tregtie. Kjo është mundësi përfitimi për të dyja palët. Por,  ruajtje e vërtetë e lidhjeve me të afërmit është kur dikush i vazhdon vizitat e tij te një i afërm, pavarësisht sjelljeve jo të mira nga ana e tij. Pasi, nëse në përkujdesjen karshi përkujdesjes shpërblimi është dhjetë, në rastin e një përkujdesjeje të tillë shpërblimi mund të jetë njëqind. Sepse për egon e njeriut është shumë e rëndë, që të shkojë te një njeri që i ka shkëputur marrëdhëniet e që nuk interesohet kurrë për të. Nëse ai, pavarësisht çdo gjëje, nuk i jep rëndësi thyerjes e shkëputjes, por e kryen detyrën e tij të ruajtjes së lidhjeve me familjen dhe të afërmit për hir të kënaqësisë së Allahut, nuk ka asfare dyshim se kjo ka për të qenë tejet më e pëlqyer pranë Allahut (xh.xh.).

Madje edhe më, nganjëherë mund të ndodhë që të na e mbyllin telefonin në fytyrë, të na përzënë nga dera e shtëpisë, e të na thuhet në fytyrë se nuk na duan. Të gjitha mesazhet e urimit që mund të dërgojmë gjatë Bajrameve, apo në ditë të shënuara të tjera, mund të ngelen pa përgjigje. Pavarësisht kësaj, ne nuk duhet të mërzitemi, nuk duhet të na ngelet hatri. Përkundrazi, ne duhet të kërkojmë e të gjejmë rrugë dhe mënyra të reja, të zhvillojmë qasje të ndryshme të reja, si e si që të gjejmë rrugët e zbutjes së atij që kemi përballë. Të shkojmë edhe kur nuk na vijnë, t’i gostitim ata edhe kur nuk na gostitin, t’i telefonojmë edhe kur nuk na telefonojnë. Ne duhet t’u përgjigjemi të këqijave të tyre me të mira dhe ashpërsisë me butësi.

Kështu e kërkon morali i besimtarit. Kjo është trimëria. Kjo është rruga e Muhamedit (s.a.s.)